70. Ushqimet
1. Nënkapitulli: Ajeti: “Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “... jepni nga më e mira e asaj që e fituat!” (Bekare, 267) Si dhe: “... hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni!” (Muminun, 51)
5373. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ushqeni të uriturit, vizitoni të sëmurët dhe lironi robërit e luftës.”
5374. Nga: Ebu Hurejra
Jusuf ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli nga babai i tij, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë gjithë jetës së Pejgamberit ﷺ, nuk ka ndodhur që familja e tij të ngopet me ushqim tri ditë radhazi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5374
Fjalë të panjohura?
5375. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hazimi transmeton se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha shumë i rraskapitur, takova Omer ibn Hatabin dhe i kërkova që të më lexojë një ajet prej Librit të Allahut. Ai ma lexoi e pastaj u fut në shtëpinë e tij. S'vazhdova gjatë dhe, nga plogështia e uria, rashë përtokë. Kur ja, i Dërguari i Allahut ﷺ më ishte afruar te koka dhe më tha: “O Ebu Hurejre!” I thashë: “Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!” Më kapi për dore, më çoi në këmbë dhe e kuptoi menjëherë çfarë kisha. U nis me mua deri te kafsha e tij e udhëtimit, më dha një kupë me qumësht, prej së cilës piva, dhe më tha: “Pi edhe një herë, o Ebu Hurejre!” Piva prapë. Tha: “Pi përsëri!” Në atë rast piva aq sa barku m'u mbush sikurse kupa. Pastaj takova sërish Omerin dhe ia tregova gjendjen në të cilën kisha qenë më parë dhe i thashë: “Por, këtë punë e mori përsipër dikush që për të ishte më i denjë se ti, o Omer. Betohem në Allahun se atë ajet që kërkova të ma lexoje e dija më mirë se ti.” Omeri më tha: “Betohem në Allahun se të të çoja në shtëpi do të ishte më e dashur për mua se devetë e kuqe!”
2. Nënkapitulli: Thënia ‘bismilah’ para ushqimit dhe ngrënia me dorën e djathtë
5376. Nga: Omer ibn Ebu Seleme
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka rrëfyer Velid ibn Kethiri, e ky e ka dëgjuar Vehb ibn Kejsanin se Omer ibn Ebu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha djalosh i vogël nën përkujdesjen e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Teksa hanim, dora ime shkonte andej-këndej nëpër pjatë. I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “O djalosh! Thuaj bismilah, ha me të djathtën dhe ha pranë vetes!” Prej atij momenti ashtu ha.”
3. Nënkapitulli: Ngrënia prej asaj që e ke pranë vetes
Enesi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Thoni ‘bismilah’ dhe çdonjëri le të hajë prej asaj që e ka pranë vetes!”
5377. Nga: Umu Seleme
Abdulaziz ibn Abdullahu më ka thënë: Më ka treguar Muhamed ibn Xhaferi nga Muhamed ibn Amër ibn Halhale Diliu, e ky nga Vehb ibn Kejsan Ebu Nuajmi se Omer ibn Ebu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili është i biri i Umu Selemes, bashkëshortes së Pejgamberit ﷺ, thotë: “Një ditë, hëngra ushqim bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe haja prej qosheve të pjatës. I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Ha pranë vetes!”
5378. Nga: Omer ibn Ebu Seleme
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku se Vehb ibn Kejsan Ebu Nuajmi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë Pejgamberit ﷺ ia sollën ushqimin, ndërkohë që bashkë me të ishte edhe Omer ibn Ebu Seleme, i biri i gruas së tij. Pejgamberi ﷺ tha: “Thuaj bismilah dhe ha pranë vetes!”
4. Nënkapitulli: Kur dikush ndjek qoshet e pjatës teksa ha me shokun, ndërkohë e di se ai nuk neveritet
5379. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka treguar se Maliku transmeton nga Is'hak ibn Ebu Talha se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Një rrobaqepës e ftoi të Dërguarin e Allahut ﷺ për të ngrënë një ushqim që kishte përgatitur.” Enesi thotë: “Shkova me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe, kur u ulëm, pashë se përpiqej t'i gjente copat e kungullit nëpër pjatë. Qysh prej asaj dite e pëlqej kungullin.”
Omer ibn Ebu Seleme thotë: “Pejgamberi ﷺ më tha: “Ha me të djathtën!”
5. Nënkapitulli: Dhënia përparësi së djathtës gjatë ushqimit dhe punëve të tjera
5380. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe nga Eshathi, e ky nga babai i tij, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i pëlqente të fillonte me të djathtën çdo punë që kishte mundësi: pastrimin, krehjen e flokëve dhe mbathjen.”
Në një transmetim tjetër thuhet: “Çdo punë të tijën.”
6. Nënkapitulli: Kur dikush ha derisa të ngopet
5381. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai i tha Umu Sulejmes: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ të fliste me zë të dobët. Mund ta vëreje se ishte i uritur, andaj a ke ndonjë ushqim?” (Enesi thotë:) “Ajo nxori disa kuleç prej elbi, nxori një pelerinë dhe mbështolli bukën me një pjesë të saj, pastaj ma fshehu atë nën rrobën time e më vuri sipër një pjesë të saj dhe kështu më dërgoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Shkova në xhami, ku e gjeta të Dërguarin e Allahut ﷺ me disa persona. U futa midis tyre dhe Pejgamberi ﷺ më tha:
- “A të ka dërguar Ebu Talhai?”
- Po, - i thashë.
- “Për ushqim?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - i thashë.
- “Ngrihuni të shkojmë!” - u tha atyre që ishin përreth tij dhe u nisën, ndërsa unë ecja para tyre derisa arrita tek Ebu Talhai.
Ebu Talhai tha: “Oj Umu Sulejme! Ka ardhur Pejgamberi ﷺ me njerëzit, ndërkohë ne s'kemi me se t'i ushqejmë.” Ajo tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e dinë më së miri.” Pastaj Ebu Talhai doli ta takojë të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të dy së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Urdhëro, oj Umu Sulejme, dhe na sill çfarë ke!” Ajo solli po të njëjtën bukë. Ai ﷺ urdhëroi që të ndahej në copa të vogla, pastaj Umu Sulejme shkriu pak salcë mbi to derisa u zbut. Më pas, i Dërguari i Allahut ﷺ foli diçka sipër ushqimit, aq sa deshi Allahu që të fliste, dhe tha: “Jepu leje dhjetë personave të hyjnë brenda!” Pasi i lejoi të futen brenda, hëngrën derisa u ngopën dhe dolën. I Dërguari i Allahut ﷺ tha prapë: “Jepu leje dhjetë personave të hyjnë!” Pasi i lejoi të futen brenda, hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. I Dërguari i Allahut ﷺ tha prapë: “Jepu leje dhjetë personave të hyjnë!” Pasi i lejoi të futen brenda, hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. (Dhe kështu vazhdoi) derisa iu dha leje edhe dhjetëshes së fundit, e në atë rast u ngopën që të gjithë. Ata ishin tetëdhjetë burra.”
5382. Nga: Abdurrahman ibn Ebu Bekri
Musai na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri nga babai i tij, e këtij i ka treguar Ebu Othmani se Abdurrahman ibn Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Qemë me Pejgamberin ﷺ (në një udhëtim) përafërsisht njëqind e tridhjetë persona. Pejgamberi ﷺ pyeti: “A ka dikush ushqim?” Kështu, një burrë kishte përafërsisht një saë ushqim, të cilin e gatuan. Më pas erdhi një burrë idhujtar flokëshprishur e i gjatë, duke i grahur një kopeje delesh, të cilit Pejgamberi ﷺ i tha:
- “A po na e shet apo po na e dhuron?”
- Jo, po jua shes, - iu përgjigj bariu.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ bleu një dele, të cilën e përgatitën dhe urdhëroi që mushkëritë të piqen. Betohem në Allahun se, nga njëqind e tridhjetë personat asnjëri nuk mbeti pa i ndarë Pejgamberi ﷺ një pjesë nga mushkëritë. Atyre që ishin të pranishëm, ua jepte menjëherë, e, atyre që mungonin, ua ruante. Mishin e deles e vendosi në dy sahanë të mëdhenj, nga të cilat hëngrën të gjithë dhe u ngopën, madje edhe teproi. Tepricën e morëm me vete në deve.”
5383. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Mensuri nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Pejgamberi ﷺ vdiq në kohën kur njerëzit arritën të ngopeshin me dy ushqimet e murrme: hurmat dhe ujin.”
7. Nënkapitulli: “Nuk është mëkat për të verbrin...”
Pjesëmarrja në shpenzime dhe ulja për të ngrënë së bashku.
5384. Nga: Suvejd ibn Numani
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka thënë Jahja ibn Seidi, e ky e ka dëgjuar Bushejr ibn Jesarin se Suvejd ibn Numani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut ﷺ në vitin e Hajberit dhe, kur arritëm në Sahba, në periferi të Hajberit, i Dërguari i Allahut ﷺ kërkoi ushqim për të ngrënë, por i sollën vetëm çervish. Pasi hëngrëm, Pejgamberi ﷺ kërkoi ujë, shpëlau gojën, e edhe ne e shpëlamë, pastaj na e fali akshamin dhe u fal pa e ripërtërirë abdesin.”
8. Nënkapitulli: Buka e bardhë dhe ngrënia në tryezë, si dhe ngrënia në sofra
5385. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Hemami se Katadja tregon: “Ishim tek Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërkohë që aty ishte edhe një bukëpjekës i tij. Na tha: “S'e kam parë ndonjëherë Pejgamberin ﷺ të ketë ngrënë bukë të bardhë a dele të pjekur enkas, derisa u shpërngul tek Allahu.”
5386. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muadh ibn Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij nga Junusi, e ky nga Ali Iskafi se Katadja transmeton nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Nuk di që Pejgamberi ﷺ të ketë ngrënë ndonjëherë në tepsi, t'i jetë pjekur ndonjëherë bukë e bardhë a të ketë ngrënë në tryezë.”
Katades i është thënë: “E në çfarë hanin pra?” Tha: “Në sofra.”
5387. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Pejgamberi ﷺ deshi të hyjë dhëndër te Safija, andaj unë i ftova muslimanët në dasmën e tij. Pejgamberi ﷺ na urdhëroi t'i sillnim shtrojat e lëkurës, mbi të cilat u vendosën hurma, djathë e gjalpë.”
Amri transmeton nga Enesi: “Pasi që Pejgamberi ﷺ hyri dhëndër me të, përgatiti një kombimin ushqimesh me hurma në një shtrojë lëkure.”
5388. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e këtij i ka treguar Hishami nga babai i tij se Vehb ibn Kejsani tregon: “Banorët e Shamit e përqeshnin Ibn Zubejrin duke i thënë: “O i biri i zonjës së dy shokave (brezave)!” Kështu, Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha atij: “O biri im! Ata po të përqeshin ty me dy shokat, por a e di se si ka qenë puna e dy shokave? Shokën time e pata ndarë në dy pjesë: me njërën prej tyre e pata shtrënguar ibrikun e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ndërsa tjetrën e pata lënë në shtrojën e tij të ushqimit.”
Pastaj tha: “Kur banorët e Shamit e përqeshnin me dy shokat, ai thoshte (me vete): “Ashtu është, për Zotin!” Por, kjo akuzë e tyre ty nuk të bën ndonjë dëm.”
5389. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Umu Hufejdi, e bija e Harith ibn Haznit, njëherazi tezja e Ibn Abasit, i dhuroi Pejgamberit ﷺ pak djathë, gjalpë dhe një zvarranik të quajtur dab. Pejgamberi ﷺ i ftoi që të hanin dhe ato u hëngrën në sofrën e tij, por Pejgamberi ﷺ e la dabin nga gërdia. Andaj, po të ishte haram, nuk do të hahej në sofrën e Pejgamberit ﷺ e as do të ftonte për t'i ngrënë.
9. Nënkapitulli: Çervishi (çorba)
5390. Nga: Suvejd ibn Numani
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi nga Jahjai, e ky nga Bushejr ibn Jesari se Suvejd ibn Numani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se doli me Pejgamberin ﷺ dhe, kur arritën në Sahba, në periferi të Hajberit, u ndal për ta falur namazin. Pastaj, kërkoi ushqim, por nuk gjetën gjë tjetër pos çervishit. Ai hëngri prej tij, e edhe ne hëngrëm. Pastaj kërkoi ujë dhe e shpëlau gojën, pastaj u fal, e edhe ne u falëm me të, ndërkohë që nuk e ripërtëriu abdesin.
10. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ nuk i hante disa prej ushqimeve derisa t’i tregohej se çfarë ishin
5391. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Umame ibn Sehël ibn Hanif Ensariu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Halid ibn Velidi, i cili quhej Shpata e Allahut, i ka treguar se ai bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ kishin hyrë te Mejmunia, e cila ishte tezja e tij dhe tezja e Ibn Abasit. Në atë rast, motra e saj, Hufejda bint Harithi, nga Nexhdi, u shkoi me një dab të pjekur, pastaj ia ofroi atë të Dërguarit të Allahut ﷺ. Rrallëherë ndodhte që Pejgamberi ﷺ të zgjaste dorën e tij nga ushqimi e të mos i tregonin se çfarë ishte dhe si quhej ushqimi në fjalë. Andaj, kur ai ﷺ lëvizi dorën drejt dabit, një grua prej atyre që ishin të pranishme, tha: “Tregojini të Dërguarit të Allahut ﷺ çfarë i keni shërbyer! Ai është dab, o i Dërguari i Allahut! I Dërguari i Allahut ﷺ e largoi dorën nga dabi.” Halid ibn Velidi tha: “A është haram dabi, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Jo, ama nuk e kemi ngrënë ndonjëherë në viset tona (në fisin tim), kështu që neveritem prej tij.”
Halidi thotë: “Unë pastaj e tërhoqa dhe e hëngra, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ﷺ më shikonte.”
11. Nënkapitulli: Ushqimi i një personi u mjafton dy personave
5392. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e këtij i ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Maliku nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ushqimi i dy personave u mjafton tre personave, ndërsa ushqimi i treve u mjafton katërve.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5392
Fjalë të panjohura?
12. Nënkapitulli: Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë
Këtë e transmeton edhe Ebu Hurejra nga Pejgamberi ﷺ.
5393. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Vakid ibn Muhamedi se Nafiu tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk hante derisa t'i sillej një i varfër që të hante bashkë me të. Kështu, i solla një burrë që të hante me të, por ai hëngri shumë, andaj Ibn Omeri tha: “O Nafi! Mos ma sill më këtë njeri, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë, kurse jobesimtari ha sa për shtatë zorrë.”
Nënkapitulli: Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë
5394. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abde nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë, kurse jobesimtari, - ose ka thënë: hipokriti, nuk e di cilën e ka përmendur transmetuesi, - ha sa për (t'i mbushur) shtatë zorrë.”
Ibn Bukejri ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Maliku nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”
5395. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Amër ibn Dinari thotë: “Ebu Nehiku ishte një burrë që hante shumë, andaj një ditë Ibn Omeri i tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jobesimtari ha sa për t'i mbushur shtatë zorrë.” Atëherë, Ebu Nehiku tha: “E besoj Allahun dhe të Dërguarin e tij!”
5396. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë, kurse jobesimtari ha sa për shtatë zorrë.”
5397. Nga: Ebu Hurejra
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Adij ibn Thabiti, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë e tepronte shumë në ngrënie, por pastaj u bë musliman dhe hante pak. Kur kjo gjë iu përmend Pejgamberit ﷺ, tha: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë, kurse jobesimtari ha sa për shtatë zorrë.”
13. Nënkapitulli: Ngrënia duke qenë mbështetur
5398. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Misari nga Ali ibn Akmeri se Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë nuk ha duke qenë mbështetur.”
5399. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Othman ibn Ebu Shejbe më ka thënë: Na ka rrëfyer Xheriri nga Mensuri, e ky nga Ali ibn Akmeri se Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Teksa isha te Pejgamberi ﷺ, i tha një burri: “(Unë) nuk ha duke qenë mbështetur.”
14. Nënkapitulli: Pjekja e mishit
Dhe fjala e Allahut: “... dhe nuk vonoi t’u sjellë një viç të pjekur (të fërguar në gurë).” (Hud, 69)
5400. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri nga Zuhriu, e ky nga Ebu Umame ibn Sehli, e ky nga Ibn Abasi se Halid ibn Velidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën një dab të pjekur. Zgjati dorën që të hajë prej tij, por dikush i tha: “Është dab!” Kështu, ai e tërhoqi dorën mbrapa.” Halidi i tha: “A është haram?” Ai tha: “Jo, porse nuk e kemi ngrënë ndonjëherë në viset tona, kështu që neveritem prej tij.” Pastaj Halidi hëngri, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ﷺ e shikonte.”
15. Nënkapitulli: Tasqebapi
5401. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Mahmud ibn Rebi Ensariu tregon: “Itban ibn Malik Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte shok i Pejgamberit ﷺ nga radhët e ensarëve, pjesëmarrës në Bedër, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë ua fal namazin anëtarëve të fisit tim, por tashmë më është dobësuar shikimi, andaj, nganjëherë, kur reshjet sjellin rrjedhën nëpër luginën që gjendet mes meje dhe tyre, nuk kam mundësi të shkoj dhe t'ua fal namazin në xhaminë e tyre. Do të doja, o i Dërguari i Allahut, që të vije dhe të faleshe në shtëpinë time, ashtu që atë vend ta bëj vendfalje.”
- “Do të vij, inshallah (në dashtë Allahu)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Itbani thotë: “Pas mesditës, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi së bashku me Ebu Bekrin dhe kërkoi leje për të hyrë. E futa brenda dhe, ende pa u ulur, më tha:
- “Në cilin vend të shtëpisë dëshiron të falem?”
I bëra me shenjë drejt një vendi të shtëpisë, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe mori tekbir (tha “Allahu ekber"), ndërsa ne u rreshtuam pas tij. I fali dy rekate e dha selam. Pastaj e ndalëm për të ngrënë tasqebap, të cilin e kishim përgatitur për të, kur ja, shtëpia u mbush me një mori burrash të mëhallës. Njëri prej tyre tha:
- Ku është Malik ibn Duhshuni?
- Ai është hipokrit, nuk e do as Allahun, as të Dërguarin e Tij, - tha dikush.
- “Mos fol ashtu! A nuk e dini se ai thotë “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën synon kënaqësinë e Allahut?” - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Allahu dhe i Dërguari e dinë më së miri, porse betohem në Allahun se, sa herë që e shohim, shoqërohet dhe bisedon me hipokritët, - tha burri në fjalë.
- “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit (ta djegë) atë që thotë “la ilahe il-lallah”, duke kërkuar me të kënaqësinë e Allahut”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
Ibn Shihabi ka thënë: “Pastaj e pyeta Husejn ibn Muhamed Ensariun, pjesëtar i fisit benu salim, që ishte njëri prej prijësve të tyre, në lidhje me hadithin e Mahmudit, e ai ma vërtetoi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5401
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Djathi i thatë
Humejdiu tregon se e ka dëgjuar Enesin duke thënë: "Pejgamberi ﷺ hyri dhëndër te Safija, e në atë rast shërbeu me hurma, djath dhe gjalpë." Enesi ka thënë: "Pejgamberi ﷺ përgatiti një kombinim ushqimesh me hurma."
5402. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Ebu Bishri, e ky nga Seidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Tezja ime i dhuroi Pejgamberit ﷺ një dab, pak djathë dhe qumësht. Dabi u vu në sofrën e Pejgamberit ﷺ, andaj, po të ishte haram, nuk do të vihej. Pastaj ai piu qumësht dhe hëngri djathë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5402
Fjalë të panjohura?
17. Nënkapitulli: Spinaqi dhe elbi
5403. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ne, vërtet gëzoheshim për të premten, sepse në mesin tonë ishte një plakë që merrte rrënjët e spinaqit, i vinte në një tenxhere të saj e u hidhte sipër fara elbi. Pastaj, kur ne e mbaronim namazin, shkonim dhe e vizitonim, e ajo na ofronte ushqimin në fjalë. Kjo na bënte të gëzoheshim për ditën e premte, madje nuk hanim e as flinim vetëm se pas xhumasë. Betohem në Allahun se nuk përmbante as dhjamë, as yndyrë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5403
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitulli: Kafshimi dhe përtypja e mishit
5404. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e këtij i ka treguar Ejubi nga Muhamedi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ kafshoi një copë nga shpatulla (e deles), pastaj u ngrit për t'u falur pa e ripërtërirë abdesin.”
5405. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ejubi dhe Asimi transmetojnë nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ këputi me dhëmbë një copë mishi nga tenxherja, e hëngri dhe pastaj u ngrit e u fal pa e ripërtërirë abdesin.”
19. Nënkapitulli: Ngrënia e kofshës deri në asht
5406. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Më ka treguar Othman ibn Omeri, e këtij i ka treguar Fulejhu, e këtij i ka treguar Ebu Hazim Medeniu, e këtij i ka treguar Abdullahu, i biri i Ebu Katades, se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Bashkë me Pejgamberin ﷺ u nisëm për të shkuar në Mekë.”
5407. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi nga Ebu Hazimi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja Selemiu se babai i tij Ebu Katade Selemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një ditë, teksa isha duke ndenjur me disa shokë të Pejgamberit ﷺ, në një vend përgjatë rrugës për Mekë, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ndalur diku para nesh dhe të gjithë ishin në ihram, përveç meje, shoqëruesit e mi panë një zebër. Unë isha i zënë duke rregulluar një sandale timen, por nuk më treguan (për zebrën), edhe pse, në vete, ata donin që unë ta shihja. Papritmas, kur shikova tutje, e pashë zebrën. U ngrita, e shalova kalin dhe i hipa, por harrova ta merrja kamxhikun dhe shtizën, andaj u thashë:
- Ma afroni kamxhikun dhe shtizën!
- Jo, për Allahun, nuk do të të ndihmojmë asgjë në lidhje me të! - më thanë ata.
Kështu, u nevrikosa dhe zbrita për t'i marrë vetë.
Sërish i hipa kalit dhe e ndoqa zebrën derisa e qëllova me shtizë. Zebrën e vrarë ua çova shokëve, të cilët (pasi e përgatitën) filluan të hanë. Por, më pas, meqë ishin në ihram, filluan të dyshojnë në ngrënien e mishit të saj. Ndërkohë, unë kisha fshehur një copë mishi nga këmba e përparme e zebrës dhe kështu u nisëm derisa e arritëm Pejgamberin ﷺ, pastaj e pyetëm rreth ngrënies së zebrës. Ai tha: “Ju ka mbetur diçka prej mishit të saj?” Unë pohova dhe ia dhashë pjesën që e kisha ruajtur, të cilën Pejgamberi ﷺ e hëngri derisa arriti tek ashti, ndërkohë ishte në ihram.”
Xhaferi ka thënë: Më ka treguar Zejd ibn Eslemi nga Ata ibn Jesari, e ky nga Ebu Katade ngjashëm me këtë transmetim.
20. Nënkapitulli: Prerja e mishit me thikë
5408. Nga: Amër ibn Umeje Damriu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Xhafer ibn Amër ibn Umeje se babai i tij Amër ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pashë Pejgamberin ﷺ duke prerë mishin nga shpatulla e deles (për ta ngrënë) dhe, me t'u thirrur për namaz, e lëshoi atë dhe thikën me të cilën po e priste, pastaj u fal pa e ripërtërirë abdesin.”
21. Nënkapitulli: Asnjëherë Pejgamberi ﷺ nuk është ankuar për ndonjë ushqim
5409. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani nga Ameshi, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Asnjëherë Pejgamberi ﷺ nuk është ankuar për ndonjë ushqim: nëse i pëlqente, e hante, e, nëse jo, e linte.”
22. Nënkapitulli: Fryrja në elb
5410. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani se Ebu Hazimi tregon se e ka pyetur Sehlin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A keni parë bukë gruri në kohën e Pejgamberit ﷺ?”
- Jo, - tha ai.
- Po elbin, a e keni situr?
- Jo, - tha ai, - e pastronim me frymë.
23. Nënkapitulli: Çfarë hante Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij?
5411. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Abas Xhuvejriu, e ky nga Ebu Othman Nehdiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ u shpërndau hurma shokëve të tij. Çdonjërit ia dha nga shtatë hurma, e edhe mua m'i dha shtatë sosh, njëra prej të cilave ishte hashef (soji më i dobët i hurmave). Asnjëra prej tyre nuk më pëlqeu më shumë se ajo, sepse mbeta duke e përtypur për një kohë të gjatë.”
5412. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha vetë i shtati me Pejgamberin ﷺ e s'kishim me vete ushqim, pos disa gjetheve që i hanë vetëm delet, saqë, kur dilnim për nevojë, dilnim ashtu siç del delja. Pastaj, fisi benu esed më ironizonin për shkak të Islamit. Sikur të ishte ashtu, atëherë unë paskam humbur dhe më qenka shkatërruar vepra.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5412
Fjalë të panjohura?
5413. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakubi se Ebu Hazimi tregon se e ka pyetur Sehlin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A keni parë në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ bukë gruri?”
- I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka parë bukë gruri me sy, që kur u dërgua pejgamber e derisa Allahu ia mori shpirtin, - tha Sehli.
- A ka pasur në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ sita? - i thashë.
- I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka parë sitë me sy, që kur u dërgua pejgamber e derisa Allahu ia mori shpirtin, - tha.
- E si pra e hanit elbin pa e situr? - e pyeta.
- E bluanim e pastaj frynim në të, ashtu që lëvoret fluturonin, ndërsa atë që mbetej, e zbutnim me ujë dhe e hanim, - tha Sehli.”
5414. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka rrëfyer Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kaloi pranë një grupi njerëzish që kishin përpara një dele të pjekur. Ata e ftuan, por ai refuzoi të hante. Pastaj tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ka lënë dynjanë pa u ngopur me bukë elbi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5414
Fjalë të panjohura?
5415. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Ebu Esvedi na ka thënë: Na ka treguar Muadhi, e këtij i ka treguar babai i tij nga Junusi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Asnjëherë Pejgamberi ﷺ nuk ka ngrënë në sofër e as në tryezë dhe asnjëherë nuk i është përgatitur bukë e bardhë.”
Junusi ka thënë: “I thashë Katades: “Po ku hanin?” Ai tha: “Në një sofrabez të shtruar.”
5416. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: "Qëkurse Pejgamberi ﷺ ka ardhur në Medinë, nuk ka ndodhur që familja e tij të ngopet me bukë gruri tri ditë radhazi, deri kur vdiq.”
24. Nënkapitulli: Qulli nga elbi (telbineja)
5417. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Urve tregon: “Kur mblidheshin gratë me rastin e vdekjes së ndonjë anëtari të familjes, pasi ngriheshin për t'u shpërndarë, - në përjashtim të familjareve të afërta dhe mikeshave të ngushta, - Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, urdhëronte të vihej qull elbi në tenxhere dhe të zihej. Ndërkohë, bënin diçka si tavë me mish dhe qullin e elbit ia hidhnin sipër. Më pas, Aishja u thoshte: “Hani prej saj, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Qulli prej elbi (telbine) është qetësim për zemrën e të sëmurit: i largon një pjesë të mërzisë.”
25. Nënkapitulli: Tava me mish (theridi)
5418. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Amër ibn Murra Xhemeliu, e ky nga Murra Hemdaniu se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shumë burra e kanë arritur përsosurinë. Ndërkaq, nga radhët e grave përsosurinë e kanë arritur vetëm Asija, gruaja e Faraonit, dhe Merjemja, e bija e Imranit; e vlera e Aishes kundrejt grave të tjera është sikurse vlera e theridit kundrejt ushqimeve të tjera.”
5419. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Avniu na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu nga Ebu Tuvale se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Vlera e Aishes kundrejt grave të tjera është sikurse vlera e theridit kundrejt ushqimeve të tjera.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5419
Fjalë të panjohura?
5420. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muniri na ka thënë: E kam dëgjuar Ebu Hatim Esh'hel ibn Hatimin, e këtij i ka treguar Ibn Avniu nga Thumame ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Bashkë me Pejgamberin ﷺ shkuam te një shërbëtor i tij, i cili ishte rrobaqepës. Ai na vuri përpara një tavë me mish e pastaj vazhdoi punën e tij. Pejgamberi ﷺ përpiqej t'i gjente copat e kungullit nëpër të, ndërkohë unë ia gjeja dhe ia vija përpara. Që nga ajo ditë e pëlqej kungullin.”
26. Nënkapitulli: Delja e pjekur, shpatulla dhe kërci
5421. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemam ibn Jahja se Katadja tregon: “Ishim tek Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërkohë që aty ishte edhe bukëpjekësi i tij, i cili qëndronte në këmbë. Enesi tha: “Hani, sepse nuk di që Pejgamberi ﷺ ka parë ndonjëherë bukë të bardhë, derisa është shpërngulur tek Allahu, e as që ka parë ndonjëherë dele të pjekur enkas.”
5422. Nga: Amër ibn Umeje Damriu
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri nga Zuhriu, e ky nga Xhafer ibn Amër ibn Umeje Damriu se babai i tij Amër ibn Umeje Damriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke prerë mish nga shpatulla e deles dhe duke e ngrënë. Pastaj, me t'u thirrur për namaz, e lëshoi thikën dhe u fal pa e ripërtërirë abdesin.”
27. Nënkapitulli: Ushqimet që gjeneratat e para i depononin në shtëpitë e tyre ose për udhëtim, qoftë mish, qoftë diçka tjetër
Aishja dhe Esma tregojnë: "Përgatitëm një bohçe me ushqim për hixhretin e Pejgamberit ﷺ dhe të Ebu Bekrit."
5423. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Abdurrahman ibn Abisi se babai i tij Abisi tregon se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A nuk ka ndaluar Pejgamberi ﷺ të hamë mishin e kurbanit pas më shumë se tri ditësh?” Ajo tha: “Këtë e ka bërë vetëm në vitin kur njerëzit vuanin nga skamja, me qëllim që i pasuri ta ushqejë të varfrin, ndërsa ne i nxirrnim kërcinjtë (që i kishim deponuar) dhe i hanim pas pesëmbëdhjetë ditësh. Abisi pyeti: “Çfarë ju ka detyruar të bëni këtë?” Aishja qeshi dhe tha: “Nuk ka ndodhur që familja e Muhamedit ﷺ të ngopet me bukë të bardhë gruri tri ditë radhazi, derisa është shpërngulur tek Allahu.”
Ibn Kethiri ka thënë: “Këtë na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Abisi.”
5424. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Amri, e ky nga Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit, kur udhëtonim për në Medinë ﷺ, merrnim me vete mish kurbani.”
Ndërkaq, Ibn Xhurejxhi thotë: “E pyeta Atain: “Vallë, mos ka thënë: “Derisa shkuam në Medinë?”
- Jo, - u përgjigj Atai.
Transmetimin e fuqizon Muhamedi nga Ibn Ujejne.
28. Nënkapitulli: Kombinim ushqimesh me hurma
5425. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi nga Amër ibn Ebu Amri, i çrobëruari i Mutalib ibn Abdullah ibn Hantabit, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë Ebu Talhait: “Më gjej një djalosh nga mesi juaj që të më shërbejë.” Kështu, Ebu Talhai më mori mua dhe më uli prapa vetes (në kafshë). Sa herë që i Dërguari i Allahut ﷺ ndalej, unë i shërbeja dhe shpesh e dëgjoja të thoshte:“Allahume, ini eudhu bike minel hemi vel hazeni, vel axhzi vel keseli, vel buhli vel xhubni, ve dalei dejni ve galebeti rrixhali (O Allah, kërkoj mbrojtjen tënde nga brengat, pikëllimi, paaftësia, përtacia, koprracia, frika, rëndimi i borxhit dhe mposhtja nga njerëzit)!” Vazhdova t'i shërbeja derisa u kthyem nga Hajberi, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u kthye me Safije bint Hujejin, të cilën e kishte fituar (si robëreshë të luftës). E pata parë Pejgamberin ﷺ duke i shtruar një rrobë mbi shpinë të devesë, pastaj e hipi atë pas vetes. Kur arritëm në Sahba, urdhëroi të përgatitej një kombinim ushqimesh me hurma në një sofrabez të vogël, pastaj më dërgoi mua t'i thërras burrat për të ngrënë. E tillë ishte gostia martesore e Pejgamberit ﷺ me Safijën. Më pas shkuam në Medinë.
Kështu, vazhdoi rrugën derisa iu paraqit Uhudi, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Kjo është një kodër që na do ne dhe ne e duam atë.” Pastaj, kur arriti afër Medinës, tha: “O Allah, unë po shenjtëroj çdo gjë në mes dy kodrave të saj, ashtu siç e pati shenjtëruar Ibrahimi ﷺ Mekën. O Allah, begatoji banorët e saj në sain dhe mudin e tyre!”
29. Nënkapitulli: Të ushqyerit në enë prej argjendi
5426. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sejf ibn Ebu Sulejmani, e ky e ka dëgjuar Muxhahidin se Abdurrahman ibn Ebu Lejla tregon: “Njëherë, teksa ishim te Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai kërkoi ujë për të pirë. Një zjarrputist i dha një enë për të pirë. Posa ia vuri sapllakun në dorë, e gjuajti me të dhe tha: “Ah, sikur t'ju kisha ndaluar prej saj më shumë se një a dy herë! - disi deshi të thoshte se, në fakt, ju kam ndaluar më shumë se kaq, - por, e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Mos vishni mëndafsh e as veshje të përziera me mëndafsh, mos pini në enë prej ari e argjendi dhe mos hani në enë të tilla, sepse ato janë për ta (jobesimtarët) në dynja, kurse për ne në ahiret.”
30. Nënkapitulli: Ushqimi
5427. Nga: Ebu Musa Eshariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Katadja, e ky nga Enesi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton nga i Dërguari i Allahut ﷺ se ka thënë: “Besimtari që e lexon Kuranin i shëmbëllen qitros: aromën e ka të mirë, por edhe shijen e ka të mirë; ndërsa shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin i shëmbëllen hurmës: ndonëse nuk ka aromë, shijen e ka të ëmbël.
Ndërkaq, shembulli i hipokritit që e lexon Kuranin i shëmbëllen borzilokut: aromën e ka të mirë, porse shijen e ka të hidhur; e hipokriti që nuk e lexon Kuranin i shëmbëllen kungullit të egër: aromë nuk ka fare, ndërsa shijen e ka të hidhët.”
5428. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Abdurrahmani se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vlera e Aishes kundrejt grave të tjera është sikurse vlera e theridit kundrejt ushqimeve të tjera.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 5428
Fjalë të panjohura?
5429. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Maliku nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Udhëtimi është një copë vuajtjeje: e privon njeriun nga gjumi dhe ushqimi. Kur udhëtari e mbaron punën, le të shpejtojë për te familja e vet.”
31. Nënkapitulli: Ngjërata (ushqim i lëngshëm)
5430. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi nga Rebia se Kasim ibn Muhamedi thotë: “Për shkak të Berirës patën zbritur tri dispozita:
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) deshi që ta blejë dhe ta lirojë atë, por familja e saj i thanë: “Merita e çrobërimit na takon neve. Atëherë Aishja ia tregoi këtë të Dërguarit të Allahut ﷺ e ai i tha: “Nëse do, vërua atyre kushtin, sepse, në të vërtetë, merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Kasimi thotë: “Pastaj ajo u lirua dhe iu ofrua mundësia e zgjedhjes midis qëndrimit nën kurorën e burrit të saj dhe ndarjes nga ai.
Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në shtëpinë e Aishes, ndërkohë që në zjarr qëndronte një kazan që vlonte. Kërkoi ushqim dhe iu soll pak bukë dhe ngjëratë shtëpie. Në atë rast ai tha: “Sikur po shoh mish atje?” I thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut, porse ai është mish që i është dhënë si lëmoshë Berirës, e cila më pas na e dha neve si dhuratë.” Pejgamberi ﷺ tha: “Për të është lëmoshë, ndërsa për ne është dhuratë.”
32. Nënkapitulli: Ëmbëlsira dhe mjalti
5431. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Is'hak ibn Ibrahim Handhaliu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se të Dërguarit të Allahut ﷺ i pëlqenin ëmbëlsirat dhe mjalti.
5432. Nga: Ebu Hurejra
Abdurrahman ibn Shejbe na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ebu Fudejku nga Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë e shoqëroja të Dërguarin e Allahut ﷺ barkthatë. Nuk haja bukë cilësore e nuk vishja rroba të reja. Nuk më shërbente filani a filania. Shtrihesha përmbys në bark (nga uria). Pyesja ndokënd për ndonjë ajet, të cilin e dija, në mënyrë që të më ftonte për ushqim. Njeriu më i mirë për të varfrit ka qenë Xhafer ibn Ebu Talibi: na ftonte dhe na ushqente me atë që kishte në shtëpi, saqë nganjëherë na jepte strajcën e zbrazur, të cilën e shqyenim dhe lëpinim atë që kishte brenda.”
33. Nënkapitulli: Kungulli
5433. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ez'her ibn Sadi nga Ibn Avniu, e ky nga Thumame ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut vizitoi një shërbëtor të tij, i cili ishte rrobaqepës, e në atë rast u shërbye me kungull. Filloi të hante dhe qëkurse e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke e ngrënë atë, e pëlqej kungullin.”
34. Nënkapitulli: Kur nikoqiri e kufizon numrin e vëllezërve të ftuar në ushqim
5434. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë ensar, i cili quhej Ebu Shuajb, i tha shërbëtorit të vet kasap: “Na përgatit pak ushqim, sepse dua ta ftoj të Dërguarin e Allahut ﷺ vetë të pestin. Pasi e ftoi të Dërguarin e Allahut ﷺ vetë të pestin, bashkë me ta vajti edhe një burrë. Pejgamberi ﷺ tha: “Ti na ftove ne të pestëve, porse ky burrë erdhi me ne. Andaj, nëse dëshiron, mund ta lejosh, e, nëse jo, mund ta lësh.” Ai tha: “Jo, po e lejoj.”
Muhamed ibn Ismaili thotë: “Kur dikush është duke ngrënë në një sofër, nuk bën që të dërgojë ushqim te sofra tjetër, por ata mund t'i japin njëri-tjetrit brenda sofrës së tyre, ose ta lënë aty.”
35. Nënkapitulli: Kur dikush e fton dikë mysafir në ushqim ndërsa vetë e vazhdon punën e tij
5435. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muniri më ka thënë: E kam dëgjuar Nadrin, e këtij i ka rrëfyer Ibn Avniu, e këtij i ka rrëfyer Thumame ibn Abdullah ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kam qenë i ri dhe e shoqëroja të Dërguarin e Allahut ﷺ. Njëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi te një shërbëtor i tij rrobaqepës. Ai na shtroi një tepsi me ushqim, ku kishte edhe kungull. I Dërguari i Allahut ﷺ i kërkonte copat e kungullit, andaj, kur pashë këtë, i mblidhja e ia vendosja përpara, ndërsa shërbëtori vazhdoi me punët e tij. Enesi thotë: “Prej se e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ të veprojë ashtu, e pëlqej kungullin.”
36. Nënkapitulli: Gjella
5436. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar se Maliku transmeton nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talha se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një rrobaqepës e ftoi Pejgamberin ﷺ për të ngrënë një ushqim që kishte përgatitur. Unë shkova me Pejgamberin ﷺ, e ai na ofroi bukë elbi dhe një gjellë të përgatitur me copa kungulli dhe mishi të terur. Kështu, e pashë Pejgamberin ﷺ t'i kërkonte copat e kungullit nëpër anët e tepsisë, andaj që atëherë më pëlqen kungulli.”
37. Nënkapitulli: Mishi i terur
5437. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Enesi, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha i pranishëm kur Pejgamberit ﷺ iu ofrua një gjellë me copa kungulli dhe mishi të terur. Kështu, pashë se ai i kërkonte copat e kungullit për t'i ngrënë.”
5438. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Abdurrahman ibn Abisi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Pejgamberi ﷺ) ka vepruar kështu vetëm në vitin kur njerëzit vuanin nga skamja, me qëllim që i pasuri ta ushqejë të varfrin, ndërsa ne i nxirrnim kërcinjtë (e thatë) pas pesëmbëdhjetë ditësh. Nuk ka ndodhur që familja e Muhamedit ﷺ të ngopet me bukë të bardhë gruri tri ditë radhazi.”
38. Nënkapitulli: Kur dikush i ofron diçka shokut të tij në tavolinë
Ibn Mubareku thotë: "S’ka gjë t'i shërbejnë njëri-tjetrit, por të mos i bartë diçka prej sofrës te sofra tjetër."
5439. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një rrobaqepës e ftoi të Dërguarin e Allahut ﷺ për të ngrënë një ushqim që kishte përgatitur dhe unë iu bashkëngjita. Ai na shërbeu bukë elbi dhe gjellë të përgatitur me copa kungulli dhe mishi të thatë. Pashë se i Dërguari i Allahut ﷺ i kërkonte copat e kungullit nëpër anët e tepsisë dhe, që atëherë, e pëlqej kungullin.”
Thumame transmeton se Enesi ka thënë: “Fillova t'ia tuboj para vetes copat e kungullit.”
39. Nënkapitulli: Ngrënia e trangullit me hurma
5440. Nga: Abdullah ibn Xhafer ibn Ebu Talibi
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi nga babai i tij se Abdullah ibn Xhafer ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “E kam parë Pejgamberin ﷺ duke ngrënë hurma të freskëta me trangull.”