73. Kurbani

1. Nënkapitulli: Kurbani është sunet

Ibn Omeri ka thënë: Ai është sunet dhe mirësi.

5545. Nga: Bera ibn Azibi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Zubejd Ijamiu, e ky nga Shabiu se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjëja e parë me të cilën e fillojmë këtë ditë është namazi, e pastaj kthehemi dhe i therim kurbanet. Kush vepron kështu, ia ka qëlluar Sunetit tonë, ndërkaq, kush ther përpara kësaj (namazit), ai thjesht i ka ofruar mish familjes së vet e s'ka të bëjë fare me kurbanin.”
Ebu Berde ibn Nijari, i cili kishte therur (para namazit), u ngrit dhe tha:
- Posedoj një kec.
- “There atë, por askujt tjetër pas teje nuk i lejohet kjo”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Mutarrifi transmeton nga Amiri, e ky nga Berai se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e ther (kurbanin) pas namazit, kurbani i tij është i plotë dhe e ka qëlluar Sunetin e muslimanëve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5545

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

5546. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e ther kurbanin para namazit, ka therur për vetveten, kurse ai që e ther pas namazit, kurbani i tij është i plotë dhe e ka qëlluar sunetin e muslimanëve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5546

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Udhëheqësi i ndan kurbanet mes njerëzve

5547. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu

Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami nga Jahjai, e ky nga Baxha Xhuheniu se Ukbe ibn Amir Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ndau ca kurbane mes shokëve të tij dhe mua më takoi një dhi më e vogël se një vjeçe. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më mbeti vetëm një dhi më e vogël se një vjeçe?”
- “There atë për kurban”, - më tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5547

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Kurbani që theret për udhëtarin dhe për gratë

5548. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa ishim në Serif, para se të hynim në Mekë, më erdhën menstruacionet, andaj fillova të qaja. Pejgamberi ﷺ më tha: “Çfarë ke? Të kanë ardhur menstruacionet?”
- Po, - i thashë.
Ai tha: “Këtë gjë Allahu ua ka caktuar bijave të Ademit, andaj kryeji të gjitha veprimet e haxhit, përveç tavafit rreth Qabesë.”
Aishja thotë: “Kur ishim në Mina, më sollën mish lope, andaj pyeta: “Çka është ky?”
- I Dërguari i Allahut ﷺ theri kurban një lopë për gratë e tij, - më thanë ata.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5548

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Në ditën e Bajramit të Kurbanit njerëzve u pëlqen të hanë mish

5549. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Sadaka na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Uleje nga Ejubi, e ky nga Ibn Sirini se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, ditën e Bajramit të Kurbanit Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e ther kurbanin para namazit të Bajramit, le ta përsëritë atë (pas namazit).”
Një burrë u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, në këtë ditë njerëzve u pëlqen të hanë mish, - pastaj përmendi disa fqinjë të tij (që kishin nevojë për mish). - Unë kam një dhi më të vogël se një vjeçe, por ajo ka më shumë mish sesa dy dele.”
Pejgamberi ﷺ ia lejoi, por nuk e di nëse ky lehtësim ishte edhe për të tjerët apo vetëm për të. Më pas, Pejgamberi ﷺ shkoi te dy desh dhe i theri, ndërsa njerëzit ua mësynë deleve të vogla dhe i shpërndanë ato, - ose ka thënë: “... i ndanë ato.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5549

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Ai që thotë se Bajrami i Kurbanit është në ditën e therjes së kurbaneve (ditën e dhjetë të muajit dhul hixhe)

5550. Nga: Ebu Bekrete

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi nga Muhamedi, e ky nga Ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Koha është rikthyer siç ka qenë atëherë kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë: tre radhazi: dhul kade, dhul hixhe dhe muharremi, si dhe muaji rexheb i fisit mudar1, që gjendet mes muajve xhumada dhe shaban.” Pastaj Pejgamberi ﷺ pyeti: "Në cilin muaj jemi?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është muaji dhul hixhe?”
- Po, ashtu është.
- “Cili qytet është ky?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është qyteti i shenjtë?”
- Po, ashtu është.
- “Çfarë dite është sot?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit?
- Po, ashtu është.
- “Dijeni mirë se: gjaqet, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë vend, në këtë muaj. Ju do ta takoni Zotin tuaj, i Cili do t'ju pyesë për veprat tuaja. Mos u ktheni në humbje pas meje (pas vdekjes sime) e të vrisni njëri-tjetrin. Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, sepse atij që do t'i kumtohet ndoshta e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë.” Pastaj tha: “A e kumtova, vallë? A e kumtova, vallë?”
Kur Muhamed ibn Sirini e kujtonte (këtë hadith), thoshte: “Pejgamberi ﷺ e ka thënë të vërtetën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5550

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Falja e namazit të Bajramit të Kurbanit dhe therja në namazgjah

5551. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu se Nafiu tregon se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) therte kurban në thertore. Ubejdullahu thotë: “Në thertoren e Pejgamberit ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5551

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5552. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Kethir ibn Ferkadi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e bënte therjen (e kurbaneve) në namazgjah.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5552

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ theri kurban dy desh me brirë, tregohet se kanë qenë të shëndoshë.

Jahja ibn Seidi ka thënë: "E kam dëgjuar Ebu Umame ibn Sehlin të thotë: "Teksa ishim në Medinë, i trashnim kurbanet. Kështu vepronin të gjithë muslimanët."

5553. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ therte për kurban dy desh, andaj edhe unë kam vazhduar t'i ther nga dy desh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5553

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5554. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ shkoi te dy desh të larmë me brirë dhe i theri me dorën e vet.”

Transmetimin e Abdulvehabit e fuqizon Vuhejbi nga Ejubi. Ndërkaq, Ismaili dhe Hatim ibn Verdani e transmetojnë nga Ejubi, e ky nga Ibn Sirini, e ky nga Enesi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5554

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5555. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu

Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jezidi, e ky nga Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Pejgamberi ﷺ më dha ca dele për t'i ndarë mes sahabëve për kurban. Në fund, më mbeti edhe një kec dhie (më i vogël se një vjeç), për të cilin e njoftova Pejgamberin ﷺ, e në atë rast ai më tha: “There kurban për vete.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5555

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ drejtuar Ebu Burdes: “There ti një dhi më të vogël se një vjeçe, por askujt tjetër pas teje nuk i lejohet kjo.”

5556. Nga: Bera ibn Azibi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu, e këtij i ka treguar Mutarrifi nga Amiri se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Daja im, që quhej Ebu Burde, e theri kurbanin para namazit të Bajramit, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ i tha atij: “Delja jote konsiderohet therje për mish.”
- O i Dërguari i Allahut, unë kam një edh dhie, - tha ai.
- “There atë, por askujt tjetër pas teje nuk i lejohet kjo”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Kush e ther (kurbanin) para namazit, e ka therur për vete, e kush e ther atë pas namazit, kurbani i tij është i plotë dhe e ka qëlluar Sunetin e muslimanëve.”

Transmetimin e fuqizon Ubejde nga Shabiu dhe Ibrahimi. Po ashtu, atë e fuqizon edhe Vekiu nga Hurejthi, e ky nga Shabiu. Ndërkohë, Asimi dhe Davudi transmetojnë nga Shabiu të ketë thënë (Ebu Burde tha): “... kam një kec qumështi.” Zejdi dhe Firasi transmetojnë nga Shabiu të ketë thënë: “... kam një dhi më të vogël se një vjeçe.” Ebu Ahvasi thotë: “Mensuri na ka transmetuar: “... një kec qumështi.” Ibn Avniu ka thënë: “... dhi më të vogël se një vjeçe, konkretisht kec qumështi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5556

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

5557. Nga: Bera ibn Azibi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Seleme, e ky nga Ebu Xhuhajfe se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Burde e theri kurbanin para namazit të Bajramit, andaj Pejgamberi ﷺ i tha: “Ther një tjetër në vend të saj.”
- Nuk posedoj, përveçse një kec, i cili, në fakt, është më i mirë sesa një dhi njëvjeçe, - tha ai.
- “There atë, në vend të së parës, por kjo nuk i lejohet askujt pas teje!” - tha Pejgamberi ﷺ.

Hatim ibn Verdani transmeton nga Ejubi, e ky nga Muhamedi, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ, dhe thotë: “... kec më të vogël se njëvjeçar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5557

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Ai që i ther kurbanet me dorën e vet

5558. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i theri dy desh të larmë. E pashë duke vendosur këmbën e tij në faqen e tyre, duke thënë “bismilah (me emrin e Allahut)" dhe duke bërë tekbir (duke thënë: “Allahu ekber"). Që të dy i theri me dorën e vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5558

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Ai që e ther kurbanin e tjetrit

Një njeri i ndihmoi Ibn Omerit për ta therur devenë e tij. Ebu Musai i urdhëroi të bijat e tij që të therin me duart e veta.

5559. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa ishim në Serif, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri tek unë, ndërkohë unë isha duke qarë. Ai më pyeti: “Çfarë ke? Të kanë ardhur menstruacionet?”
- Po, - i thashë.
Pastaj më tha: “Këtë gjë Allahu ua ka caktuar bijave të Ademit, andaj kryeji të gjitha veprimet e haxhit, përveç tavafit rreth Qabesë.”
I Dërguari i Allahut ﷺ theri kurban një lopë për gratë e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5559

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Therja e kurbanit pas namazit

5560. Nga: Bera ibn Azibi

Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Zubejdi, e ky e ka dëgjuar Shabiun se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, teksa mbante hutbe, tha: “Gjëja e parë me të cilën fillojmë këtë ditë është namazi, e pastaj kthehemi dhe i therim kurbanet. Kush vepron kështu, ia ka qëlluar Sunetit tonë, ndërkaq, kush ther përpara kësaj (faljes), ai thjesht i ka ofruar mish familjes së vet e s'ka të bëjë fare me kurbanin.”
Ebu Burde tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam therur para namazit. Por, posedoj një kec, i cili, në fakt, është më i mirë sesa një dhi njëvjeçare.”
- “There këtë në vend të saj (së parës). Mirëpo, ky lehtësim nuk vlen për askënd tjetër pas teje”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5560

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Ai që e ther kurbanin para namazit, duhet ta zëvendësojë me një tjetër

5561. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e ther kurbanin para namazit të Bajramit, le ta përsëritë (therjen e kurbanit).”
Një burrë u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, në këtë ditë njerëzve u pëlqen të hanë mish, - pastaj përmendi disa fqinjë të tij që kishin nevojë për mish, - e në atë rast u duk sikur Pejgamberi ﷺ e arsyetoi -. Unë kam një dhi më të vogël se një vjeçe, e që është më e mirë sesa dy dele.”
Pejgamberi ﷺ ia lejoi, por nuk e di nëse ky lehtësim ishte edhe për të tjerët apo jo. Pastaj Pejgamberi ﷺ shkoi te dy desh dhe i theri, ndërsa njerëzit ua mësynë deleve të vogla dhe i therën ato.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5561

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5562. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Esved ibn Kajsi se Xhundub ibn Sufjan Bexheliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Bajramit të Kurbanit, isha me Pejgamberin ﷺ kur tha: “Kush ka therur kurban para namazit, le të therë edhe një tjetër në vend të tij (pas namazit). Ndërkaq, ai që (akoma) nuk e ka kryer therjen, le të therë tani!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5562

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5563. Nga: Bera ibn Azibi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Firasi, e ky nga Amiri se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ u fal dhe tha: “Ai që falet sikurse ne dhe kthehet nga kibla jonë, të mos e therë kurbanin derisa ta përfundojë namazin.”
Ebu Berde ibn Nijari u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë e kam kryer (therjen para namazit).”
- “Ky është nxitim nga ana jote”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Posedoj një kec, por që është më i majme sesa dy njëvjeçare. A ta ther atë? - pyeti sërish.
- “Po, mirëpo kjo nuk vlen për të tjerët pas teje”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Amiri thotë: “Ajo është më e mirë sesa dy kurbane.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5563

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Vendosja e këmbës në qafën e kurbanit

5564. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Hemami nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i therte dy desh të larmë e me brirë. E vendoste këmbën e tij në qafën e tyre dhe i therte me dorën e vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5564

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Tekbiri (Allahu ekber) gjatë therjes

5565. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i theri dy desh të larmë e me brirë. Që të dy i theri me dorën e vet, duke thënë “bismilah" (me emrin e Allahut) e duke bërë tekbir (duke thënë: “Allahu ekber") dhe duke ua vendosur këmbën në faqe.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5565

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Nëse e dërgon kurbanin që të theret në Mekë, atij nuk i bëhet e ndaluar asgjë

5566. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ahmed ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ismaili nga Shabiu se Mesruku tregon: “Shkova tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe e pyeta: “Oj nëna e besimtarëve, nëse një njeri e dërgon kurbanin në Qabe (Mekë), ndërsa vetë qëndron në vendin e tij, si dhe porosit që kurbanit t'i vihet qaforja, a do të jetë prej asaj dite si në ihram, derisa të lirohen haxhilerët? Atëherë e dëgjova goditjen e duarve të saj (si miratim) mbrapa perdes dhe tha: “Unë vetë i thurja qaforet e kurbanit të të Dërguarit të Allahut ﷺ, pastaj ai i dërgonte kurbanet në Qabe. Por, asgjë prej gjërave të lejuara për burrat, në raport me gratë e tyre, nuk bëhej e ndaluar (me këtë veprim), derisa ktheheshin haxhilerët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5566

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Ç'mund të hahet nga mishi i kurbanit dhe ç'mund të ruhet?

5567. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Amri, e këtij i ka rrëfyer Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, mishin e kurbaneve e merrnim me vete (nga Mina) për në Medinë.”
Disa herë ka thënë: “Mishin e kurbaneve (të Mekës).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5567

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5568. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Sulejmani nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Kasimi se Ibn Hababi i ka treguar se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka treguar se një ditë, kur ishte kthyer prej udhëtimit, i kishin ofruar pak mish. I kishin thënë: “Ky është mish i kurbaneve tona.” Në këtë rast ai kishte thënë: “Largomani! As që do ta kërkoj.”

Ebu Seidi tregon: “U ngrita dhe dola, derisa mbërrita te vëllai im, Ebu Katadja, - të cilin e kishte vëlla prej nënës dhe ishte pjesëmarrës në Bedër. - Ia përmenda këtë, e në atë rast ai më tha: “Pas teje (gjatë mungesës sate) ka ardhur një urdhër i ri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5568

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5569. Nga: Seleme ibn Ekvai

Ebu Asimi na ka treguar nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
- “Kush ther kurban, të mos mbesë në shtëpinë e tij, pas tri ditësh, asnjë copë mishi!”
Pastaj, kur erdhi viti tjetër, i thanë: “O i Dërguari i Allahut, a të veprojmë siç vepruam vitin e kaluar?”
- “Hani, ushqeni të tjerët dhe depononi, sepse vitin e kaluar njerëzit ishin në varfri, andaj desha t'u ndihmoni atyre”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5569

Fjalë të panjohura?

5570. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar vëllai im nga Sulejmani, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Mishin e kurbaneve e kriposnim dhe ia sillnim Pejgamberit ﷺ në Medinë.”
Njëherë, na tha: “Mos hani prej tij më shumë se tri ditë!” Kjo nuk ishte vendim i prerë, por dëshironte t'i ushqenim të tjerët. Allahu e di më së miri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5570

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5571. Nga: Omer ibn Hatabi

Hiban ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu se Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Ibn Ez'herit, ka thënë: “Në namazin e Bajramit të Kurbanit kam qenë i pranishëm tek Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili e fali namazin para hutbes, pastaj ua mbajti njerëzve hutben duke u thënë: “O ju njerëz, i Dërguari i Allahut ﷺ jua ka ndaluar agjërimin në këto dy bajrame. Sa i përket të parit, është dita kur e çelni agjërimin tuaj (dita e Bajramit të Fitrit), e, sa i përket tjetrit, është dita kur hani prej kurbaneve (dita e Bajramit të Kurbanit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5571

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5572. Nga: Omer ibn Hatabi

Ebu Ubejdi tregon: “Ishte ditë xhumaje kur isha i pranishëm në namazin e Bajramit tek Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Kështu, ai e fali namazin para hutbes, u ngrit në hutbe dhe tha: “O ju njerëz, në këtë ditë ju janë bashkuar dy festa (Bajrami dhe Xhumaja)! Andaj, ai që është banor i Avalit (i fshatrave përreth Medinës) dhe dëshiron ta presë xhumanë, le ta presë, kurse ai që nga radhët e tyre dëshiron të kthehet, prej meje është i lirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5572

Fjalë të panjohura?

5573. Nga: Othman ibn Afani

Ebu Ubejdi tregon: “Teksa isha i pranishëm (në namazin e Bajramit) tek Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), namazin e fali para hutbes, pastaj u ngjit në hutbe dhe tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ju ka ndaluar ngrënien e mishit të kurbaneve tuaja për më shumë se tri ditë.”

Ngjashëm transmeton edhe Mameri nga Zuhriu, e ky nga Ebu Ubejdi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5573

Fjalë të panjohura?

5574. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Jakub ibn Ibrahim ibn Sadi nga i biri i vëllait të Ibn Shihabit, e ky nga xhaxhai i tij Ibn Shihabi, e ky nga Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Hani prej mishit të kurbaneve tri ditë.”
Salimi tregon: “Kështu, kur Abdullahu dilte prej Minas, hante vetëm bukë me vaj, për shkak të mishit të kurbaneve (ndalesës pas tri ditësh).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5574

Fjalë të panjohura?