74. Pijet

1. Nënkapitulli: Ajeti: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!”

5575. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që pi verë në këtë botë dhe nuk pendohet nga kjo vepër, do të privohet nga pirja e saj në ahiret.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5575

Fjalë të panjohura?

5576. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, natën e Israsë, kur i Dërguari i Allahut ﷺ ndaloi në Kuds, ia sollën dy enë: njërën me verë e tjetrën me qumësht. Ai ua hodhi një shikim dhe e mori qumështin. Xhibrili i tha: “Falënderimi i takon Allahut që të frymëzoi drejt natyrshmërisë së pastër! Sikur ta merrje verën, umeti yt do të devijonte.”

Transmetimin e Shuajbit e kanë fuqizuar Mameri, Ibn Hadi, Othman ibn Omeri dhe Zubejdiu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5576

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5577. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kam dëgjuar një hadith nga i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilin askush pos meje s'do t'jua tregojë. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Disa prej shenjave të Kiametit janë: përhapja e injorancës, pakësimi i diturisë, përhapja e zinasë, përhapja e pirjes së alkoolit, pakësimi i numrit të meshkujve dhe rritja e numrit të femrave aq shumë, saqë pesëdhjetë femra do të kenë mbikëqyrës një mashkull të vetëm.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5577

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5578. Nga: Ebu Hurejra

Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Ibn Shihabi, e ky e ka dëgjuar Ebu Seleme ibn Abdurrahmanin dhe Ibn Musejebin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që zinaqari të jetë besimtar teksa bën zina, as ai që pi alkool të jetë besimtar teksa pi alkool, as ai që vjedh të jetë besimtar teksa vjedh.”
Ibn Shihabi ka thënë: “Më ka rrëfyer Abdulmelik ibn Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami, e këtij i ka treguar Ebu Bekri, i cili hadithit të Ebu Hurejrës i bashkëngjiste edhe këto fjalë: “E as ai që grabit diçka të vlefshme, ndërkohë njerëzit e shohin, e të jetë besimtar teksa grabit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5578

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Vera e prodhuar prej rrushit dhe gjërave të tjera

5579. Nga: Abdullah ibn Omeri

Hasen ibn Sabahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Sabiku, e këtij i ka treguar Malik ibn Migveli nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur alkooli u bë i ndaluar, në Medinë nuk kishte raki rrushi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5579

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5580. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Shihab Abdurabih ibn Nafiu nga Junusi, e ky nga Thabit Bunaniu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën kur konsumimi i alkoolit u bë i ndaluar, në Medinë kishte fare pak raki rrushi. Shumica e alkoolit që e përdornim ishte prej hurmave të posapjekura dhe atyre të pjekura mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5580

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

5581. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja nga Ebu Hajani, e këtij i ka treguar Amiri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, kur Omeri u ngjit në minber, tha: “Kur zbriti ndalesa për alkoolin, përfshinte verën e prodhuar prej pesë gjërave:
1. Rrushit,
2. Hurmave,
3. Mjaltit,
4. Grurit dhe
5. Elbit.

Pra, alkool konsiderohet çdo gjë që ta humb mendjen.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5581

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Kur zbriti ndalesa për alkoolin, ai kryesisht prodhohej prej hurmave të posapjekura dhe të pjekura mirë

5582. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Malik ibn Enesi nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Ebu Ubejdes, Ebu Talhait dhe Ubej ibn Kabit u shërbeja verë hurmash të posapjekura dhe atyre të pjekura mirë, erdhi një njeri dhe tha: “U ndalua alkooli!” Atëherë Ebu Talhai tha: “Çohu, o Enes! Derdhe atë!” Sakaq, unë u çova dhe e derdha.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5582

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

5583. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri nga babai i tij se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndroja në këmbë në lagje dhe po u shërbeja xhaxhallarëve të mi verë hurmash, ndërkohë që isha më i riu prej tyre, dikush tha: “U ndalua alkooli!” Ata më thanë: “Derdhe atë!” Sakaq, unë e derdha.”
Transmetuesi (Sulejman ibn Tarhani) tha: “E pyeta Enesin: “Çfarë lloj pijeje ishte ajo?”
- Prej hurmave të njoma dhe të posapjekura, - tha Enesi.
Ebu Bekër ibn Enesi shtoi: “Ky lëng hurmash ishte alkooli i tyre. Ndërkaq, Enesi nuk e mohoi këtë gjë.”
(Sulejmani) Thotë: “Dikush prej shokëve të mi e ka dëgjuar Enesin të ketë thënë: “Atëkohë, ai lëng ishte alkooli i tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5583

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

5584. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi na ka thënë: Na ka treguar Jusuf Ebu Masher Berai, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Abdullahun, e këtij i ka treguar Bekër ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur u ndalua alkooli, ai ishte prej hurmave të posapjekura dhe atyre të pjekura mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5584

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Alkooli i prodhuar prej mjaltit

Mani tregon: "E kam pyetur Malik ibn Enesin për fukanë (lëng prej rrushit të thatë ose prej diçkaje tjetër), e në atë rast ai më ka thënë: "Nëse nuk deh, nuk ka problem të pihet." Ibn Deraverdi tregon: "I patëm pyetur (dijetarët) për të (fukanë) dhe na patën thënë: "Ai nuk deh, andaj nuk ka problem të pihet."

5585. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u pyet për mushtin e prodhuar prej mjaltit, e në atë rast tha: “Çdo pije dehëse është haram.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5585

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5586. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u pyet për mushtin prej mjaltit, të cilin e pinin banorët e Jemenit, e në atë rast tha: “Çdo pije dehëse është haram.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5586

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5587. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Zuhriu transmeton se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos bëni musht në enë kungulli dhe vorbë të katranosur.”

Ebu Hurejra këtyre dyjave ua bashkëngjiste edhe shtambën dhe varelën.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5587

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Transmetimet që shpjegojnë se alkool konsiderohet ajo pije që deh mendjen

5588. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ahmed ibn Ebu Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Jahja nga Ebu Hajan Tejmiu, e ky nga Shabiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Omeri ligjëroi prej minberit të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe tha: “Kur zbriti ndalesa për alkoolin, përfshinte pesë lloje:
1. Rrushin,
2. Hurmat,
3. Grurin,
4. Elbin dhe
5. Mjaltin.

Alkool konsiderohet çdo gjë që merr mendjen. Do të dëshiroja që i Dërguari i Allahut ﷺ të mos ndahej prej nesh pa na i sqaruar tri gjëra:
1. (Trashëgiminë) e gjyshit,
2. Kelalen (trashëgiminë e atij që s'ka lënë as prindër, as fëmijë) dhe,
3. Disa kapituj të kamatës.”
Transmetuesi (Ebu Hajani) e pyeti Shabiun: “O Ebu Amër, ç'është diçka që bëhet me oriz në Sind (emër vendi në Indi)?”
- Kjo nuk ekzistonte në kohën e Pejgamberit ﷺ, - ose ka thënë: - ... në kohën e Omerit.
Haxhaxhi transmeton nga Hamadi, e ky nga Ebu Hajani se në vend të rrushit, përmendet rrushi i thatë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5588

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5589. Nga: Abdullah ibn Omeri

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Abdullah ibn Ebu Seferi, e ky nga Shabiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Omeri ka thënë: “Alkooli prodhohet prej pesë gjërave:
1. Rrushit të thatë,
2. Hurmave,
3. Grurit,
4. Elbit dhe
5. Mjaltit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5589

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Transmetimet që flasin për atë që e lejon alkoolin duke e emërtuar ndryshe

5590. Nga: Abdullah ibn Omeri

Hisham ibn Amari na ka thënë: Na ka treguar Sadaka ibn Halidi, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Jezid ibn Xhabiri, e këtij i ka treguar Atije ibn Kajs Kilabiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Ganëm Eshariu se Ebu Amiri ose Ebu Malik Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Prej umetit tim do të ketë njerëz që do t'i lejojnë: zinanë, mëndafshin (për burra), alkoolin dhe veglat muzikore. Teksa disa prej tyre do të jenë duke qëndruar rrëzë një kodre, kur bariu kthehet në mbrëmje me kafshët që ua kishte kullotur, atyre u shkon një nevojtar i varfër, por ata i thonë: “Kthehu nesër te ne.” Ndërkohë, Allahu i shkatërron ata gjatë natës duke ua shembur kodrën sipër tyre e disa i shndërron në majmunë dhe në derra, deri në Ditën e Kiametit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5590

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Përgatitja e mushtit në enë (të ndryshme) dhe në teur (enë prej guri)

5591. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani nga Ebu Hazimi se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Usejd Saidiu erdhi dhe e ftoi të Dërguarin e Allahut ﷺ në dasmë. Atyre u shërbente gruaja e tij, e cila ishte nuse. Sehli tha: “A e dini çka i dha për të pirë të Dërguarit të Allahut ﷺ?” Lëngun e hurmave që kishin qëndruar gjatë natës në ujë, në një enë prej guri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5591

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ e lejoi përdorimin e enëve në të cilat përgatitej alkooli pasi ishin ndaluar më parë

5592. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Jusuf ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ebu Ahmed Zubejri, e këtij i ka treguar Sufjani nga Mensuri, e ky nga Salimi se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar nga përdorimi i disa enëve (për fermentimin e mushtit), e në atë rast ensarët thanë: “Ne patjetër duhet t'i përdorim ato.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk janë të ndaluara, pra.

Halife ka thënë: “Këtë na ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Sufjani nga Menuri, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Xhabiri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5592

Fjalë të panjohura?

5593. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Sulejman ibn Ebu Muslim Ahveli, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Ebu Ijadi se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi që Pejgamberi ﷺ ndaloi përdorimin e enëve të pijes (në të cilat përgatitej alkooli), dikush i tha: “Jo të gjithë njerëzit kanë enë (të tjera të mjaftueshme).” Atëherë Pejgamberi ua lejoi të përdorin vorbat e palyera me zift.”

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: “Këtë na ka treguar Sufjani dhe ka thënë: “Pasi që Pejgamberi ﷺ ndaloi përdorimin e enëve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5593

Fjalë të panjohura?

5594. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Sufjani, e këtij i ka treguar Sulejmani, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith ibn Suvejdi se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar përdorimin e enës prej kungulli dhe vorbës së katranosur (për fermentimin e mushtit).”

Othmani na ka thënë: “Këtë na ka treguar Xheriri nga Ameshi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5594

Fjalë të panjohura?

5595. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Othmani më ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Mensuri se Ibrahimi tregon: “E pyeta Esvedin: “A e ke pyetur ndonjëherë Aishen, nënën e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se cilat enë janë të ndaluara për t'u përgatitur mushti?”
- Po, - tha Esvedi dhe vazhdoi: “I kam thënë: “Oj nëna e besimtarëve, cilat enë i ka ndaluar Pejgamberi ﷺ për t'u përgatitur mushti?”
Ajo tha: “Neve, familjes së tij, na ka ndaluar që mushtin ta përgatisim në enë prej kungulli dhe vorba të katranosura.”
- A nuk e pate përmendur më parë edhe qypin dhe shtambën? - tha Esvedi.
- Unë po të tregoj për atë që kam dëgjuar. Vallë, mos dëshiron të të tregoj për diçka që nuk e kam dëgjuar?! - tha Aishja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5595

Fjalë të panjohura?

5596. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Shejbaniu se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar përdorimin e vorbës së gjelbër.”
(Shejbaniu thotë:) E pyeta Abdullahun: “Atëherë, a të pimë prej së bardhës?”
- Jo, - tha Abdullahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5596

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Lëngu i hurmave kur ende nuk është dehës

5597. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahman Kaëriu nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Usejd Saidiu e ftoi Pejgamberin ﷺ në dasmë. Atë ditë atyre u shërbente gruaja e tij, e cila ishte nuse.” Ajo tha: “A e dini çka i përgatita të Dërguarit të Allahut ﷺ?” Lëngun e hurmave që kishin qëndruar gjatë natës në ujë, në një enë prej guri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5597

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Badheku (lloj alkooli)

Ai që e bën të ndaluar çdo pije dehëse. Omeri, Ebu Ubejde dhe Muadhi ishin të mendimit për tilanë (lloj pijeje prej rrushi prej së cilës, pas zierjes, ngel vetëm një e treta) se lejohet të pihet nëse ka ngelur vetëm një e treta. Berai dhe Ebu Xhuhejfe e kanë pirë, edhe nëse pas zierjes ka ngelur vetëm gjysma. Ibn Abasi ka thënë: "Pije lëngun për sa kohë që është i freskët (i pafermentuar)." Omeri ka thënë: "Pata nuhatur tek Ubejdullahu erën e një pijeje teksa po e merrja në pyetje. Po të ishte pije dehëse, do ta dënoja."

5598. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani se Ebu Xhuvejriu tregon: “E pyeta Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për badhekun, e ai m'u përgjigj: “Muhamedi ﷺ tanimë i ka paraprirë gjykimit për badhekun kur ka thënë: “Çdo pije dehëse është haram.”
Ibn Abasi shtoi: “Pije është ajo që është hallall dhe e mirë, e pas hallallit të mirë ka vetëm haram të ndytë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5598

Fjalë të panjohura?

5599. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberit ﷺ i pëlqenin ëmbëlsirat dhe mjalti.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5599

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Ai që është i mendimit se nuk bën të përzihen hurmat e posapjekura me hurmat e pjekura mirë, nëse janë dehëse, e as të përzihen dy ngjërata në një ngjëratë.

5600. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi që alkooli u ndalua, Ebu Talhait, Ebu Duxhanes dhe Suhejl ibn Bejdait u jepja për të pirë një përzierje lëngu të hurmave të posapjekura dhe atyre të pjekura mirë, ngaqë isha më i riu ndër ta. Por, kur alkooli u bë haram, e hodha atë. Asokohe, këtë pije e konsideronim alkool.”

Omer ibn Harithi ka thënë: “Katadja na ka treguar se e ka dëgjuar Enesin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5600

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

5601. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar përdorimin e rrushit të thatë, hurmave të pjekura mirë, hurmave të posapjekura dhe hurmave të njoma (për të prodhuar musht me to).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5601

Fjalë të panjohura?

5602. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Jahja ibn Ebu Kethiri nga Abdullah ibn Ebu Katadja se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar përzierjen e hurmave të pjekura mirë me hurma të posapjekura, si dhe të hurmave të pjekura mirë me rrush të thatë, por mushti i secilës prej tyre le të përgatitet veç e veç.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5602

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Pirja e qumështit

Fjala e Allahut të Madhëruar: “... mes ushqimit të tyre dhe gjakut, ju japim të pini qumësht të pastër, të shijshëm (të lehtë) për ata që e pinë.” (Nahl, 66)

5603. Nga: Ebu Hurejra

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Natën e Israsë, të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një enë me qumësht dhe një enë me verë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5603

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5604. Nga: Umu Fadël bint Harithi

Humejdiu na ka treguar se e ka dëgjuar Sufjanin, e këtij i ka rrëfyer Salim Ebu Nadri, e ky e ka dëgjuar Umejrin, të çrobëruarin e Umu Fadlit, se Umu Fadli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Arafatit njerëzit dyshonin se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte agjërueshëm. Andaj, Pejgamberit ﷺ i çova një enë me qumësht, të cilën ai e piu.”

Ka mundësi që Sufjani ka transmetuar (si në vijim): “Ditën e Arafatit njerëzit dyshonin se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte agjërueshëm, andaj Umu Fadli i dërgoi diçka (qumështin). Kur mbërriti tek ai, i tha: “E ke nga Umu Fadli.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5604

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5605. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Ameshi, e ky nga Ebu Salihu dhe Ebu Sufjani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Ebu Humejdi erdhi me një enë me qumësht nga Nekia (emër vendi), e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Sikur ta mbuloje, qoftë dhe duke vendosur një shkop mbi të!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5605

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5606. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Salihun të ketë përmendur se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Humejdi, një burrë ensar, erdhi me një enë me qumësht nga Nekia (emër vendi) te Pejgamberi ﷺ. Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Sikur ta mbuloje, qoftë dhe duke vendosur një shkop mbi të!”

Këtë ma ka treguar edhe Ebu Sufjani nga Xhabiri, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5606

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5607. Nga: Bera ibn Azibi

Mahmudi më ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi prej Mekës, Ebu Bekri, i cili ishte bashkë me të, tha: “Kaluam pranë një bariu, ndërkohë që të Dërguarin e Allahut ﷺ e pati zënë etja.” Ebu Bekri vazhdoi: “Unë mola pak qumësht në një enë prej së cilës ai piu, aq sa më kënaqi. Ndërkohë, Suraka ibn Xhuëshumi na arriti me kalin e tij, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u lut kundër tij. Pastaj Suraka i kërkoi Pejgamberit ﷺ të tërhiqte lutjen kundër tij, në mënyrë që të kthehej nga kishte ardhur. Pejgamberi ﷺ veproi ashtu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5607

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5608. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi nga Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa sadaka e mirë është që të dhurohet për shfrytëzim deveja ose delja përplot me qumësht, të mbushë nga një enë mëngjes e mbrëmje!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5608

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5609. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ piu qumësht e pastaj e shpëlau gojën dhe tha: “Ai përmban yndyrë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5609

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5610. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ibrahim ibn Tahmani transmeton nga Shuëbe, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “U ngrita te Sidreja dhe, ç'të shihje, aty ishin katër lumenj: dy lumenj të dukshëm dhe dy të fshehur. Dy të dukshmit janë: Nili dhe Eufrati, kurse dy të fshehtët janë dy lumenj të Xhenetit. Pastaj, m'i sollën tri enë:
1. Një enë me qumësht,
2. Një me mjaltë dhe
3. Një me verë. Unë e mora atë që kishte qumësht dhe piva prej saj, e në atë rast më thanë: “E qëllove natyrshmërinë e pastër, ti dhe umeti yt.”

Hishami, Seidi dhe Hemami e transmetojnë nga Enes ibn Maliku, e ky nga Malik ibn Saësae, e ky nga Pejgamberi ﷺ, në lidhje me lumenjtë, por nuk i kanë përmendur tri enët.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5610

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Kërkimi i ujit të pijshëm

5611. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar se Maliku transmeton nga Is'hak ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai ka pasur më së shumti hurma ndër të gjithë ensarët në Medinë. Pasuria më e dashur e tij ka qenë kopshti Bejruha. Ngaqë kopshti në fjalë ndodhej përballë xhamisë, herë pas here i Dërguari i Allahut ﷺ hynte dhe pinte nga uji i tij i mirë. Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu i Madhëruar po thotë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...” (Ali Imran, 92) Ndërkaq, pasuria ime më e dashur është Bejruha. Po e jap lëmoshë për Allahun, duke shpresuar mirësinë dhe shpërblimin e saj tek Allahu. E ti, o i Dërguari i Allahut, jepe kudo që Allahu të frymëzon.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Të lumtë! Kjo është pasuri fitimprurëse! Të dëgjova çfarë the. Unë propozoj t'ua japësh farefisit.” Ebu Talhai tha: “Ashtu do t'ia bëj, o i Dërguari i Allahut.” Pastaj, ua ndau atë farefisit dhe djemve të xhaxhait të tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5611

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Pirja e qumështit me ujë

5612. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka parë të Dërguarin e Allahut ﷺ të pijë qumësht. Ai thotë: “Kështu, shkova në shtëpinë time dhe mola një dele. Qumështin e përzjeva me ujë të pusit për t'ia dhënë të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai e mori enën, piu qumësht dhe, pjesën që teproi, ia dha një beduini që e kishte në të djathtë, ndërsa Ebu Bekri ndodhej në të majtë, dhe tha: “Nga e djathta në të djathtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5612

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5613. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Fulejh ibn Sulejmani nga Seid ibn Harithi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ shkoi te një ensar me një shok të vetin dhe i tha: “Nëse ke ujë që ka qëndruar natën në kacek (na sill enën të pimë), ose po pimë me gojë direkt prej pusit.” Sehli thotë: “Personi në fjalë, teksa po e drejtonte ujin në kopshtin e tij, tha: “O i Dërguari i Allahut, kam pak ujë që ka qëndruar. Të shkojmë te tenda!” Kështu, ata shkuan. Pronari hodhi pak ujë në një kupë, në të cilën moli edhe një dele dhe kështu i Dërguari i Allahut ﷺ dhe personi që erdhi me të pinë prej saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5613

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Pirja e gjërave të ëmbla dhe mjaltit

Zuhriu ka thënë: "Pirja e urinës së njerëzve nuk është e lejuar as në raste vështirësie, ngase ajo është e ndyrë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “... ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra...” (Maide, 5) Ibn Mesudi, për pijet dehëse, ka thënë: "Allahu nuk e ka bërë shërimin tuaj në gjërat e ndaluara."

5614. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka rrëfyer Hishami nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i pëlqenin ëmbëlsirat dhe mjalti.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5614

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Pirja duke qëndruar në këmbë

5615. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Misari nga Abdulmelik ibn Mejsera se Nezali tregon: “Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i sollën pak ujë teksa ishte te dera e oborrit të xhamisë, e në atë rast piu duke qëndruar në këmbë dhe tha: “Disa njerëz e urrejnë të pinë duke qëndruar në këmbë, ndërsa unë e kam parë Pejgamberin ﷺ duke vepruar ashtu siç më patë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5615

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5616. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdulmelik ibn Mejsera se Nezal ibn Sebrai tregon: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e fali namazin e drekës, pastaj u ndal në oborrin e xhamisë së Kufës për t'iu përgjigjur nevojave të njerëzve, derisa erdhi koha e namazit të ikindisë. Atij i sollën pak ujë, sakaq piu prej tij, e lau fytyrën, duart, pastaj (fërkoi) kokën dhe këmbët. Më pas u ngrit në këmbë, e piu pjesën e mbetur të ujit teksa ishte në këmbë dhe tha: “Disa njerëz e urrejnë të pinë duke qëndruar në këmbë, ndërsa Pejgamberi ﷺ ka vepruar ashtu siç veprova unë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5616

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5617. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Asim Ahveli nga Shabiu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka pirë ujë Zemzemi duke qenë në këmbë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5617

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Pirja duke qenë hipur në deve

5618. Nga: Umu Fadël bint Harithi

Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e këtij i ka rrëfyer Ebu Nadri se Umejri, i çrobëruari i Ibn Abasit, tregon: “Umu Fadël bint Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në pasditen e Arafatit, i dërgoi Pejgamberit ﷺ një gotë qumësht teksa ai ishte në këmbë, e në atë rast ai e mori dhe e piu.”
Maliku, duke transmetuar nga Ebu Nadri, shton: “... ishte i hipur në devenë e vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5618

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Shërbimi i pijes nga e djathta në të djathtë

5619. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën pak qumësht të përzier me ujë. Në anën e djathtë kishte një beduin, kurse në të majtë Ebu Bekrin. Pasi piu për vete, ia dha beduinit dhe tha: “Nga e djathta në të djathtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5619

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: A duhet t'i kërkohet leje atij që është në anën e djathtë për t’i dhënë më të vjetrit të pijë?

5620. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ebu Hazim ibn Dinari se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një enë prej së cilës piu, ndërkohë që në të djathtë kishte një djalosh, ndërsa në të majtë ndodheshin të moshuarit.” Pejgamberi ﷺ iu drejtua djaloshit:
- “A po më lejon t'ua jap këtyre?”
- Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, nuk do t'i jepja përparësi askujt për të pirë atë që më takon mua, prej asaj që ka mbetur nga ti, - ia ktheu djaloshi.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ ia vendosi (ibrikun) në dorë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5620

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Pirja direkt prej pusit

5621. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Jahja ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Fulejh ibn Sulejmani nga Seid ibn Harithi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ së bashku me një shok të tijin hynë te një ensar. Pejgamberi ﷺ dhe shoku i tij i dhanë selam, e ai ua ktheu selamin dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kurban t'u bëfsha me babë e nënë!”
Sehli vazhdoi: “Ishte shumë vapë, ndërsa burri në fjalë po e drejtonte ujin nëpër kopshtin e tij. Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëse ke ujë që ka qëndruar natën në kacek (na sill enë të pimë), ose po pimë me gojë direkt prej pusit.” Teksa vazhdonte ta drejtonte ujin nëpër kopsht, tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam ujë që ka qëndruar natën në kacek.” Ai shkoi te tenda, hodhi ujë në enë, pastaj moli delen në të. Kështu, Pejgamberi ﷺ piu, pastaj ai prapë e mbushi dhe piu burri që ishte me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5621

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Të vegjlit u shërbejnë të mëdhenjve

5622. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri nga babai i tij se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndroja në këmbë, në lagje, dhe po u shërbeja xhaxhallarëve të mi lëng hurmash, ndërkohë që isha më i riu prej tyre, dikush tha: “Alkooli u ndalua!” Pastaj tha: “Derdheni atë!” Sakaq, ne e derdhëm.”
Transmetuesi (Sulejman ibn Tarhani) tha: “E pyeta Enesin: “Çfarë lloj pijeje ishte ajo?”
- Prej hurmave të njoma dhe të posapjekura, - tha Enesi.
Ebu Bekër ibn Enesi shtoi: “Ky lëng hurmash ishte alkooli i tyre.” Ndërkaq, Enesi nuk e mohoi këtë gjë.
(Sulejmani thotë:) “Dikush nga shokët e mi më ka treguar se Enes ibn Maliku ka thënë: “Atëkohë, ai lëng ishte alkooli i tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5622

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Mbulimi i enëve

5623. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Revh ibn Ubade, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur fillon të bjerë errësira e natës, mbani fëmijët tuaj brenda, sepse atëkohë shpërndahen shejtanët. Pasi të kalojë një pjesë e mbrëmjes, lejoni të dalin. Po ashtu, mbyllini dyert duke thënë “bismilah”, sepse shejtani nuk mund të hapë një derë të mbyllur. Po ashtu lidhni kacekët tuaj, duke thënë “bismilah" dhe mbuloni enët tuaja duke thënë “bismilah”, qoftë dhe duke vendosur diçka mbi to, si dhe fikni kandilat tuaj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5623

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

5624. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami nga Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Fikini kandilat kur të flini, mbyllni dyert, lidhini kacekët, mbuloni ushqimet dhe pijet, - kujtoj se gjithashtu ka thënë: - qoftë dhe duke vendosur një thupër mbi to.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5624

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Përthyerja e (grykës së) calikut dhe pirja direkt prej tij

5625. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhibi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar të pihet drejtpërdrejt prej grykave të enëve (kacekëve).”
(Zuhriu shtoi:) “Domethënë, të përthyhet gryka e kacekut dhe të pihet prej tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5625

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5626. Nga: Ebu Seid Hudriu

Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Abdullahu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar të pihet drejtpërdrejt prej grykave të enëve (kacekëve).”

Abdullahu ka thënë: “Mameri, ose dikush tjetër, ka thënë: “Domethënë, të pihet nga grykat e tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5626

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Pirja prej grykës së calikut

5627. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ejubi se Ikrime ka thënë: “A doni t'ju tregoj disa gjëra të shkurtra që na i ka rrëfyer Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar të pihet prej grykës së kacekut ose prej enës me grykë, si dhe ka ndaluar që dikush të mos e lejojë fqinjin e vet të mbështesë ndonjë dru në murin e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5627

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5628. Nga: Ebu Hurejra

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka rrëfyer Ejubi, e ky nga Ikrime se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar të pihet prej grykës së kacekut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5628

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5629. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Halidi nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar të pihet prej grykës së kacekut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5629

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Ndalesa që të merret frymë brenda enës

5630. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani nga Jahjai, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush të pijë, të mos marrë frymë brenda enës; kur të urinojë, të mos e mbajë organin gjenital me dorën e djathtë dhe të mos pastrohet nga jashtëqitja me dorën e djathtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5630

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Pirja me dy-tri frymëmarrje

5631. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Asimi dhe Ebu Nuajmi na kanë thënë: Na ka treguar Azra ibn Thabiti se Thumame ibn Abdullahu tregon: “Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pushonte dy-tri herë gjatë pirjes, që të merrte frymë, ndërsa pohonte se Pejgamberi ﷺ e bënte këtë tri herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5631

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Pirja prej enëve të arit

5632. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Hakemi se Abdurrahman ibn Ebu Lejla tregon: “Teksa Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte në Medain, kërkoi ujë. Dihkani i solli një enë të argjendtë, por ai i gjuajti me të dhe tha: “Nuk i gjuajta për tjetër, veçse për shkak se unë ia ndalova këtë, e ai nuk iu bind ndalesës. Pejgamberi ﷺ na ka ndaluar mëndafshin, veshjet e përziera me mëndafsh, pirjen në enë prej ari e argjendi dhe ka thënë: “Ato janë për ta (jobesimtarët) në dynja, kurse për ju në ahiret.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5632

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Enët e argjendit

5633. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu nga Ibn Avniu, e ky nga Muxhahidi se Abdurrahman ibn Ebu Lejla tregon: “(Njëherë) dolëm me Hudhejfen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili e përmendi Pejgamberin ﷺ të ketë thënë: “Mos pini në enë të arit e të argjendit dhe mos vishni mëndafsh e as veshje të përziera me mëndafsh, sepse ato janë për ta (jobesimtarët) në dynja, kurse për ju në ahiret.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5633

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5634. Nga: Umu Seleme

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Malik ibn Enesi nga Nafiu, e ky nga Zejd ibn Abdullah ibn Omeri, e ky nga Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebu Bekër Sidiku se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, në barkun e atij që pi në enë të argjendit gurgullon zjarri i Xhehenemit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5634

Fjalë të panjohura?

5635. Nga: Bera ibn Azibi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Eshath ibn Sulejmi, e ky nga Muaviu ibn Suvejd ibn Mukarrini se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra e na ka ndaluar shtatë sosh. Na ka urdhëruar:
1. Të vizitojmë të sëmurin,
2. Të përcjellim xhenazen,
3. Të lutemi për atë që teshtin,
4. T'i përgjigjemi ftesës,
5. Ta përhapim selamin,
6. T'i ndihmojmë atij që i bëhet padrejtësi dhe
7. Ta përmbushim atë për të cilën dikush na është betuar.
Ndërkaq, na ka ndaluar: unazat e arit, pirjen nga argjendi - ose ka thënë: nga enët e argjendta -, shalat (shtrojat) e mëndafshta dhe veshjet e mëndafshta (kasije), si dhe nga veshja e armaçit, mëndafshit (të zakonshëm), dhe mëndafshit të vrazhdë (istebrak).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5635

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Pirja në tasa

5636. Nga: Umu Fadël bint Harithi

Amër ibn Abasi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani nga Salim ibn Nadri, e ky nga Umejri, i çrobëruari i Umu Fadlit, se Umu Fadli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Arafatit, njerëzit dyshonin se Pejgamberi ﷺ ishte agjërueshëm. Andaj, atij i çuan një tas me qumësht, sakaq ai e piu atë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5636

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Pirja në tasin dhe enët e Pejgamberit ﷺ

Ebu Burde tregon: "Abdullah ibn Selami më tha mua: "A të të shërbej me tasin në të cilin ka pirë Pejgamberi ﷺ?"

5637. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Seid ibn Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i përmendën një grua nga radhët e arabëve, e në atë rast ai e urdhëroi Ebu Usejd Saidiun që ta ftojë atë. Kështu, ai e ftoi dhe ajo erdhi e u vendos në Kullën e Fisit Benu Saide. Pejgamberi ﷺ u nis për ta takuar. Pasi hyri tek ajo, ç'të shohësh, ishte një grua kokulur, e cila, kur Pejgamberi ﷺ i foli, tha: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt teje!”
- “Qofsh e sigurt prej meje!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Dikush i tha asaj: “A e di kush është ky?”
- Jo, - tha ajo.
- Ky është Pejgamberi ﷺ. Ka ardhur të të kërkojë, - i thanë ata.
- Unë jam edhe më e pafat se kaq! - tha ajo.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ u kthye dhe u vendos te streha e fisit benu saide, së bashku me shokët e tij, pastaj tha: “Na sill pak ujë, o Sehël!”
Unë shkova me këtë tas dhe u dhashë për të pirë.
Transmetuesi (Ebu Hazimi) tha: “Sehli na e nxori atë tas dhe ne pimë me të.”
Më pas Omer ibn Abdulazizi i kërkoi t'ia dhuronte atë tas, gjë që Sehli e bëri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5637

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5638. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Hasen ibn Mudriku na ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Hamadi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Avane se Asim Ahveli tregon: “E kam parë tasin e Pejgamberit ﷺ tek Enes ibn Maliku, i cili ishte çarë, andaj ai e kishte riparuar me ca copëza argjendi. Ishte tas i mirë dhe i gjerë prej druri.”
Asimi tregon se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Me këtë tas i kam shërbyer ujë të Dërguarit të Allahut ﷺ shumë herë.”
Ibn Sirini tregon: “Tasi kishte një unazë prej hekuri, të cilin Enesi deshi ta zëvendësojë me një prej ari ose argjendi, por Ebu Talhai i tha: “Mos e ndrysho atë që e ka punuar i Dërguari i Allahut ﷺ.” Andaj, Enesi e la ashtu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5638

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Pirja e bereqetshme dhe pirja e ujit të bereqetshëm

5639. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Ameshi, e këtij i ka treguar Salim ibn Ebu Xhadi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa isha me Pejgamberin ﷺ, na zuri koha e ikindisë, ndërkaq me vete nuk kishim ujë, përveçse pak sa kishte mbetur. Kështu, e vunë në një enë dhe ia sollën Pejgamberit ﷺ, e në atë rast ai e futi dorën në të, i hapi gishtërinjtë dhe tha: “Ejani, o ju që jeni për abdes! Bereqeti është prej Allahut.” Unë e pashë ujin duke shpërthyer mes gishtave të tij, ndërkaq njerëzit morën abdes dhe pinë. Unë nuk ndalesha duke pirë prej tij, prej nga dhe e kuptova se ishte i bereqetshëm.”
Transmetuesi tha: “E pyeta Xhabirin: “Sa veta ishit?”
- Një mijë e katërqind, - tha Xhabiri.

Transmetimin e Salim ibn Ebu Xhadit e fuqizon Amri nga Xhabiri. Husajni transmeton nga Amër ibn Murra dhe Salimi, e këta nga Xhabiri (se ka thënë): “Një mijë e pesëqind. Po ashtu transmetimin e Salim ibn Ebu Xhadit e fuqizon Seid ibn Musejebi nga Xhabiri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5639

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?