Sahihu i Buhariut — Hadithi 757
95. Nënkapitulli: Obligueshmëria e leximit (të Fatihasë) për imamin dhe xhematin në të gjitha namazet, qoftë vendas, qoftë udhëtar, qoftë namaz me zë, qoftë pa zë
757. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në xhami e pas tij hyri një burrë, i cili u fal dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam. Ai ia ktheu selamin dhe i tha:
- “Kthehu e falu sërish, se nuk u fale.”
Ai përsëri u fal sikurse herën e parë, erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ, i cili sërish i tha:
- “Kthehu e falu, se nuk u fale”, - tri herë.
- Betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën se nuk di më mirë, andaj më mëso! - tha burri në fjalë.
Atëherë Pejgamberi ﷺ tha:
- “Kur të ngrihesh për namaz, merr tekbirin dhe këndo prej Kuranit çka të vjen më lehtë. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh mirë në këmbë, pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.”