79. Kërkimi i lejes
1. Nënkapitulli: Zanafilla e selamit
6227. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin sikurse Pamja e Tij dhe e bëri gjashtëdhjetë kute të gjatë. E, pasi e krijoi, i tha: “Shko jepu selam atyre melekëve të ulur dhe dëgjoje përshëndetjen e tyre, e cila do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu.” Ai u tha: “Eselamu alejkum (paqja qoftë mbi ju)!” Ata ia kthyen: “Eselamu alejke ve rahmetullah (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty)!” Pra, i shtuan fjalët: “dhe mëshira e Allahut.” Çdokush që do të hyjë në Xhenet, do të jetë në formën e Ademit. Ndërkaq, që atëherë njerëzit vazhduan të zvogëlohen, deri më sot.”
2. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty askënd, atëherë mos hyni në to derisa t’ju jepet leja, e nëse ju thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. Allahu di çdo gjë që veproni ju. Nuk është për ju ndonjë mëkat nëse hyni në shtëpi të pabanuara, e që në to keni ndonjë përfitim. Allahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani fshehtë.”
Seid ibn Ebu Haseni i ka thënë Hasenit: "Gratë e huaja (jomuslimanet) i zbulojnë gjokset dhe kokat e tyre!" Ai i tha: "Largoje shikimin prej tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju besimtarëve le t’i ulin shikimet dhe le t’i ruajnë organet e tyre gjenitale...” (Nur, 30) Katadja, në lidhje me këtë ajet, thotë: Është për qëllim (ulja e shikimit) ndaj atyre që nuk u lejohen. “Thuaju edhe besimtareve le t’i ulin shikimet dhe le t’i ruajnë organet e tyre gjenitale...” (Nur, 31) Ajeti: “... shikimin e përvjedhur të syrit...”, (Gafir, 19) nga ajo që është e ndaluar. Zuhriu, në lidhje me femrat që nuk e kanë arritur pubertetin, ka thënë: "Nuk është mirë të shikohet në ndonjë pjesë të tyre që nxit lakmi, edhe nëse janë të vogla. Atai e urrente shikimin e robëreshave që shiteshin në Mekë, përveç nëse kishte për qëllim blerjen e tyre."
6228. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Sulejman ibn Jesari se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Ditën e Bajramit të Kurbanit, i Dërguari i Allahut ﷺ e hipi Fadël ibn Abasin mbrapa në kafshën e tij. Fadli ishte djalosh i pashëm. Kur Pejgamberi ﷺ u ndal para njerëzve për t'iu përgjigjur pyetjeve të tyre, një grua e bukur e fisit hatham erdhi për ta pyetur diçka të Dërguarin e Allahut ﷺ. Fadli filloi ta shikonte atë dhe e mahniti bukuria e saj. Kur Pejgamberi ﷺ ktheu kokën nga ajo, pa Fadlin që po e shikonte, andaj, duke e zgjatur dorën prapa, e kapi Fadlin për mjekre dhe ia shmangu shikimin tutje.”
Ajo pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Kur Allahu ua bëri obligim haxhin robërve të Tij, babai im ishte i thyer në moshë, saqë nuk mund të qëndronte as mbi kafshën e udhëtimit. A i llogaritet atij haxhi nëse unë e kryej në vend të tij?”
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
6229. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Zuhejri, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini kujdes, mos u ulni nëpër rrugë!”
- O i Dërguari i Allahut, nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse aty i bëjmë ndejat dhe bisedojmë mes vete, - i thanë.
- “Atëherë, nëse tuboheni për ndeja, respektoni rregullat e rrugës”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Cilat janë rregullat e rrugës, o i Dërguari i Allahut!?
- “Të ulet shikimi, të mos pengohet tjetri, të kthehet selami, të urdhërohet në mirësi dhe të ndalohet e keqja”, - u tha Pejgamberi ﷺ."
3. Nënkapitulli: “Es-Selam” është një prej emrave të Allahut të Madhëruar
“Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju kthejeni me përshëndetje më të mirë, ose me të njëjtën...” (Nisa, 86)
6230. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur faleshim pas Pejgamberit ﷺ, thoshim: “Eselamu ala Allahi kable ibadihi, eselamu ala Xhibrile, eselamu ala Mikaile, eselamu ala fulanin ve fulan (selami qoftë për Allahun, para robërve të Tij, selami qoftë për Xhibrilin, selami qoftë për Mikailin, selami qoftë për filanin e filanin)!” Kur Pejgamberi ﷺ e mbaroi, u kthye me fytyrë nga ne dhe tha: “Vetë Allahu quhet Es-Selam. Kur dikush falet, le të thotë: “Etehijatu lilahi ve salavatu ve tajibatu.” Eselamu alejke ejuhe nebiju ve rahmetullahi ve berekatuhu. Eselamu alejna ve ala ibadilahi salihin (Përshëndetjet, lutjet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë)!” Duke e thënë këtë, përfshini çdo rob të mirë, në qiell dhe në Tokë. (Pastaj le të vazhdojë:) “Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu ene Muhameden abduhu ve resuluhu.” Pas kësaj, le të zgjedhë ç'lutje të dojë.”
4. Nënkapitulli: Pakica i jep selam shumicës
6231. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “I vogli i jep selam të madhit, këmbësori i jep selam atij që është ulur dhe pakica i jep selam shumicës.”
5. Nënkapitulli: I hipuri mbi mjet i jep selam këmbësorit
6232. Nga: Ebu Hurejra
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Mahledi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Zijadi, e ky e ka dëgjuar Thabitin, të çrobëruarin e Abdurrahman ibn Zejdit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I hipuri mbi mjet i jep selam këmbësorit, këmbësori i jep selam atij që është ulur dhe pakica i jep selam shumicës.”
6. Nënkapitulli: Këmbësori i jep selam atij që është ulur
6233. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Zijadi, e këtij i ka treguar Thabiti, i çrobëruari i Abdurrahman ibn Zejdit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I hipuri mbi mjet i jep selam këmbësorit, këmbësori i jep selam atij që është ulur dhe pakica i jep selam shumicës.”
7. Nënkapitulli: I vogli i jep selam të madhit
6234. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahimi transmeton nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Safvan ibn Sulejmi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I vogli i jep selam të madhit, këmbësori i jep selam atij që është ulur dhe pakica i jep selam shumicës.”
8. Nënkapitulli: Përhapja e selamit
6235. Nga: Bera ibn Azibi
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Shejbaniu, e ky nga Eshath ibn Ebu Shethai, e ky nga Muavi ibn Suvejd ibn Mukarrini se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra:
1. Të vizitojmë të sëmurin,
2. Të përcjellim xhenazen,
3. Të lutemi për atë që teshtin,
4. T'i ndihmojmë të dobëtit,
5. T'i ndihmojmë atij që i bëhet padrejtësi,
6. Ta përhapim selamin, dhe
7. Ta përmbushim atë për të cilën dikush na është betuar.
Ndërkaq, na ka ndaluar pirjen nga enët e argjendit, na ka ndaluar unazat e arit, të ulemi në shala (shtroja) të mëndafshta, nga veshja e mëndafshit, armaçit, rrobave të mëndafshta (kasije) dhe mëndafshin e vrazhdë (istebrak).”
9. Nënkapitulli: Selami u jepet atyre që i njeh dhe atyre që nuk i njeh
6236. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jezidi, e ky nga Ebu Hajri se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një burrë e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Cila është vepra më e mirë në Islam?” Ai iu përgjigj: “Të ushqesh të uriturit e të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh.”
6237. Nga: Ebu Ejub Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Ejubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk i lejohet një muslimani ta bojkotojë vëllanë e tij më shumë se tri ditë, saqë, kur takohen, i shmangin shikimet nga njëri-tjetri. Më i miri prej tyre është ai që fillon i pari me selam.”
Sufjani përmend se e ka dëgjuar këtë nga Zuhriu tri herë.
10. Nënkapitulli: Ajeti i mbulesës
6238. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, unë isha dhjetëvjeçar. Të Dërguarit të Allahut ﷺ gjatë jetës së tij i kam shërbyer dhjetë vjet me radhë, andaj, kur zbritën ajetet e mbulesës, isha njeriu më i ditur për këtë çështje, saqë Ubej ibn Kabi më pyeste mua për të. Ajetet e para që kanë zbritur (për mbulesën) janë ato që kanë të bëjnë me martesën e të Dërguarit të Allahut ﷺ me Zejnebe bint Xhahshin. Ditën që Pejgamberi ﷺ hyri dhëndër me të, i ftoi njerëzit (në gosti). Të gjithë hëngrën dhe dolën, përveç një grupi, të cilët mbetën tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e zgjatën ndejën. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe doli. Edhe unë dola pas tij, në mënyrë që edhe ata të dilnin. Pejgamberi ﷺ eci, e edhe unë bashkë me të, derisa arriti te pragu i dhomës së Aishes. Pasi të Dërguarit të Allahut ﷺ ia mori mendja se mund të kenë shkuar, u kthye, e edhe unë u ktheva me të. Kur hyri në dhomën e Zejnebes, ja, ata ende po rrinin ulur, nuk ishin shpërndarë. Pejgamberi ﷺ sërish u kthye, e edhe unë u ktheva me të, derisa arriti te pragu i dhomës së Aishes. Pasi ia mori mendja se mund të kishin shkuar, u kthye, e edhe unë u ktheva me të. Ata tashmë kishin shkuar. Si rrjedhojë, zbriti ajeti i hixhabit dhe Pejgamberi ﷺ e lëshoi perden mes meje dhe tij.”
6239. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e këtij i ka thënë babai i tij, e këtij i ka treguar Ebu Mixhlezi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u martua me Zejneben, disa burra erdhën (në gosti) dhe hëngrën, pastaj vazhduan ndejën duke biseduar. Pejgamberi ﷺ bënte sikur donte të ngrihej, por ata nuk u ngritën. Kur e pa këtë, ai u ngrit, e në atë rast disa prej tyre u ngritën, disa mbetën aty. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye dhe deshi të hyjë brenda, pa se ata ende ishin duke ndenjur. Më vonë, kur ata u ngritën dhe shkuan, unë shkova dhe e lajmërova Pejgamberin ﷺ, e në atë rast ai erdhi dhe u fut brenda. Unë desha të hyj me të, por ai e lëshoi perden mes meje dhe tij. Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t'ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t'jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t'jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Pejgamberit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij kurrë. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (Ahzab, 53)
Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Prej dobive të hadithit është se Pejgamberi ﷺ nuk kërkoi leje prej tyre kur u ngrit dhe doli. Po ashtu, ai bënte sikur po ngrihej, por në të vërtetë donte që ata të ngriheshin.”
6240. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Jakubi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Omer ibn Hatabi i thoshte të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Mbuloji gratë e tua.” Por, ai nuk e bënte këtë. Gratë e Pejgamberit ﷺ dilnin natë pas nate (për të kryer nevojën) në Menas (vend i njohur në Medinë). Një natë, Sevda bint Zema, e cila ishte shtatgjatë, doli, sakaq Omer ibn Hatabi, duke qenë në ndejë, e pa atë dhe e thirri: “Po të njoh, oj Sevdë!” - kishte dëshirë të zbriste urdhri për t'u mbuluar. Atëherë Allahu e shpalli ajetin e hixhabit.”
11. Nënkapitulli: Kërkimi i lejes është legjitimuar për shkak të shikimit
6241. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu dhe i ka thënë: E kam mësuar përmendsh kështu sikurse ti që je këtu, se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, një njeri zuri të shikonte në shtëpinë e Pejgamberit ﷺ përmes një vrime, teksa Pejgamberi ﷺ e krihte kokën me krehër.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Sikur ta dija se po shikoje, do të ta qorroja syrin me këtë. Mu për këtë gjë është vendosur kërkimi i lejes, për shkak të shikimit.”
6242. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Bekri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, një njeri zuri të shikonte (përmes një vrime) në njërën nga shtëpitë e Pejgamberit ﷺ, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u drejtua nga ai me një majë shigjete, - ose ka thënë: me disa maja shigjetash. - Sikur po e shoh tani teksa i shkonte fshehurazi për ta goditur (në sy).”
12. Nënkapitulli: Zinaja e gjymtyrëve tjera dallon nga zinaja e organit gjenital
6243. Nga: Abdullah ibn Abasi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ibn Abasi se ka thënë: Nuk kam parë diçka që e shpjegon më mirë lememin sesa fjala e Ebu Hurejrës; [t]: Mahmudi më ka treguar: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuk kam parë diçka që e shpjegon më mirë lememin (mëkatin e vogël) sesa fjala e Ebu Hurejrës, kur transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ia ka shkruar birit të Ademit pjesën e tij të zinasë, e cila patjetër do ta gjejë. Kështu, syri bën zina përmes shikimit, gjuha bën zina përmes të folurit. E, ndërsa shpirti dëshiron dhe lakmon, organi gjenital ose do t'i aprovojë të gjitha këto, ose do t'i përgënjeshtrojë.”
13. Nënkapitulli: Përshëndetja me selam dhe kërkimi i lejes tri herë
6244. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdusamedi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Muthena, e këtij i ka treguar Thumame ibn Abdullahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ përshëndeste dikë me selam, e bënte këtë tri herë dhe, kur fliste diçka, e përsëriste tri herë.
6245. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Jezid ibn Husajfe, e ky nga Busr ibn Seidi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha në një ndejë të ensarëve, Ebu Musai, sikur të ishte i trishtuar, erdhi dhe tha: “I kërkova leje Omerit tri herë (për të hyrë) dhe, meqë nuk më dha leje, u ktheva!” Pastaj më tha: “Çka të pengoi?” Unë i thashë: “Kërkova leje tri herë, e, meqë nuk m'u dha leja, u ktheva, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush kërkon leje tri herë dhe nuk i jepet leje, le të kthehet.”
Omeri më tha: “Betohem në Allahun se për këtë duhet të më sjellësh argument!”
Atëherë Ebu Musai pyeti: “A ka ndonjë prej jush që e ka dëgjuar këtë prej Pejgamberit ﷺ?”
Ubej ibn Kabi tha: “Për Allahun, me ty do të vijë vetëm më i vogli prej nesh.” (Ebu Seidi thotë:) “Unë isha më i vogli prej tyre, andaj shkova me të dhe i tregova Omerit se Pejgamberi ﷺ e ka thënë këtë.”
Ibn Mubareku ka thënë: “Më ka rrëfyer Ibn Ujejne, e këtij i ka treguar Jezidi nga Busri se ka thënë: “E kam dëgjuar këtë nga Ebu Seidi.”
14. Nënkapitulli: Nëse ftohet një person, a duhet të kërkojë leje për të hyrë kur të vijë?
Seidi transmeton nga Katade, e ky nga Ebu Rafiu, e ky nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kjo (ftesa) është leje për të.”
6246. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Dherri. [t]: Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Omer ibn Dherri, e këtij i ka rrëfyer Muxhahidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova me të Dërguarin e Allahut ﷺ (në shtëpinë e tij), ku ai gjeti një tas me qumësht dhe tha: “Ebu Hirr, shko te banorët e sufes dhe ftoji tek unë.” Unë shkova dhe i ftova, kështu që ata erdhën dhe kërkuan leje për të hyrë. Kur Pejgamberi ﷺ u dha leje, ata hynë.”
15. Nënkapitulli: Përshëndetja e fëmijëve me selam
6247. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Xhadi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Jesari se Thabit Bunaniu tregon: “Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kaloi pranë disa fëmijëve, i përshëndeti me selam dhe tha: “Pejgamberi ﷺ vepronte kështu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6247
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Burrat i përshëndesin gratë me selam e edhe ato i përshëndesin burrat
6248. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar i biri i Ebu Hazimit se Ebu Hazimi tregon: “Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Ditëve të premte gëzoheshim përherë.” E pyeta: “Përse ashtu?” Ai u përgjigj: “Një plakë jona dërgonte dikë në kopshtin Budae, - Ibn Mesleme ka thënë: kopsht palmash në Medinë, - për të marrë rrënjë të rrepës, të cilat pastaj i vinte në një kusi së bashku me ca kokrra elbi. Pasi e falnim xhumanë, ne e vizitonim atë dhe e përshëndesnim me selam, ndërkaq ajo na sillte ushqimin në fjalë. Kjo gjë na bënte të gëzoheshim (ditën e premte). As dremitnim, as hanim drekë, përveçse pas xhumasë.”
6249. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua asaj: “Oj Aishe, Xhibrili po të jep selam.” Aishja iu përgjigj: “Edhe mbi të qoftë paqja dhe mëshira e Allahut! Ti sheh gjëra që ne nuk i shohim”, - kishte për qëllim të Dërguarin e Allahut ﷺ.
Junusi dhe Numani kanë transmetuar nga Zuhriu (se Aishja ka shtuar): “... dhe bekimi i Tij.”
Transmetimin e fuqizon Shuajbi.
17. Nënkapitulli: Kur dikush pyet: "Kush është?", ndërsa tjetri i përgjigjet: "Unë"
6250. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Abdulmeliku, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “ٍShkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ për një borxh që kishte babai im dhe trokita në derë.” Ai pyeti: “Kush është?” I thashë: “Unë.” Ai ma ktheu: “Unë, unë!” - u duk sikur e urreu këtë gjë.”
18. Nënkapitulli: Ai që e kthen selamin duke thënë: "Alejke selam (edhe mbi ty qoftë paqja)!"
Aishja tha: "Ve alejhi selam ve rahmetullahi ve bereketuhu (edhe mbi të qoftë paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut)! Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Melekët ia kthyen Ademit selamin: "Eselamu alejke ve rahmetullah (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty)!”
6251. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Numejri, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë hyri në xhami teksa i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte ulur në një skaj të xhamisë. Pasi u fal, erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam. I Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: “Ve alejke selam (edhe mbi ty qoftë paqja)! Kthehu dhe falu sërish, se nuk u fale.”
Ai u kthye dhe u fal, pastaj erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam, e ai sërish i tha:
- “Ve alejke selam (edhe mbi ty qoftë paqja)! Kthehu dhe falu, se nuk u fale.”
Herën e dytë ose të tretën ai tha: “Më mëso, o i Dërguari i Allahut!” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Kur të ngrihesh për namaz, merr abdes mirë, pastaj kthehu nga kibla dhe merr tekbirin. Pastaj këndo prej Kuranit çka të vjen më lehtë. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh mirë në këmbë, pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Pastaj ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.”
E, në fund, Ebu Usame thotë (Pejgamberi ﷺ i tha): “... derisa të drejtohesh mirë në këmbë.”
6252. Nga: Ebu Hurejra
Ibn Beshari na ka thënë: Më ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastaj ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh.”
19. Nënkapitulli: Kur dikush thotë: "Filani të bën selam"
6253. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky e ka dëgjuar Amirin, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua asaj: “Xhibrili po të jep selam.” Aishja i tha: “Edhe mbi të qoftë paqja dhe mëshira e Allahut!”
20. Nënkapitulli: Dhënia selam në një ndeje ku ka muslimanë dhe idhujtarë së bashku
6254. Nga: Usame ibn Zejdi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve ibn Zubejri se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hipi mbi një gomar të shaluar me një përkavë kadifeje nga Fedeku, së bashku me Usame ibn Zejdin, të cilin e kishte ulur mbrapa. Ishte nisur për ta vizituar Sad ibn Ubaden në fisin e Harith ibn Hazrexhit, para Luftës së Bedrit. Gjatë rrugës kaloi pranë një ndeje ku kishte muslimanë e idhujtarë, adhurues putash dhe hebrenj. Në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli dhe Abdullah ibn Revaha.
Kur ndejën e mbuloi pluhuri i kafshës, Abdullah ibn Ubeji e mbuloi hundën me rrobën e tij dhe tha: “Mos na pluhurosni!” Pejgamberi ﷺ u dha selam dhe zbriti. I thirri për tek Allahu dhe u lexoi Kuran. Abdullah ibn Ubej ibn Seluli tha: “O burrë, nuk ka fjalë më të mira se këto që po i thua, vetëm sikur të ishin të vërteta. Andaj, mos na pengo në ndejat tona. Kthehu në shtëpinë tënde dhe rrëfejua këto tregime atyre që të vijnë pas.” Abdullah ibn Revaha reagoi duke thënë: “Përkundrazi, na i pushto ndejat me të, sepse ne e duam këtë.” Kështu, muslimanët, idhujtarët dhe hebrenjtë filluan të shaheshin mes vete, saqë pothuajse iu vërsulën njëri-tjetrit. Pejgamberi ﷺ përpiqej t'i qetësonte, pastaj i hipi kafshës së vet dhe vazhdoi rrugën për te Sad ibn Ubade. Me të shkuar tek ai, i tha: “O Sad! Vallë, ke dëgjuar çfarë tha Ebu Hubabi? - aludonte në Abdullah ibn Ubejin. - Ai tha kështu e ashtu.” Sad ibn Ubade tha: “O i Dërguari i Allahut, fale dhe mos ia vër re, sepse, betohem në Allahun, se Allahu na e solli të vërtetën nëpërmjet asaj që ta ka zbritur ty, ndërkaq këto dy fise të këtij vendi (të Medinës), më parë kishin rënë në ujdi që ta kurorëzonin atë e t'i jepnin post udhëheqësi. Por, kur Allahu refuzoi të bëhej kështu, duke të ta dhënë ty të vërtetën, atij iu zu fryma, prandaj ka vepruar ashtu siç e ke parë edhe vetë.” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ ia fali.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6254
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Kur dikush nuk i jep selam atij që ka bërë mëkat e as ia kthen selamin, derisa të vërtetohet pendimi i tij, si dhe sa kohë kërkohet për t'u vërtetuar pendimi i mëkatarit?
Abdullah ibn Amri ka thënë: "Mos u jepni selam atyre që pinë alkool."
6255. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdurrahman ibn Abdullahu, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Kabi se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke rrëfyer për mospjesëmarrjen në Betejën e Tebukut, thoshte: “I Dërguari i Allahut ﷺ ua ndaloi që të na flisnin. Shkoja tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i jepja selam dhe thosha me vete: “A i lëvizi buzët për të ma kthyer selamin apo jo?” Kështu ngjau derisa kaluan pesëdhjetë net. Paskëtaj, Pejgamberi ﷺ, pas namazit të sabahut, lajmëroi se Allahu na e kishte pranuar pendimin.”
22. Nënkapitulli: Si u kthehet selami atyre që janë ehlu dhimeh?
Ehlu dhimeh janë jomuslimanët që jetojnë në shtetin islam.
6256. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup hebrenjsh erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “Esamu alejke (vdekja qoftë mbi ty)!” Unë e kuptova atë, andaj ua ktheva: “Alejkum esamu ve laneh (mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi)!” I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Ngadalë, oj Aishe, se Allahu e do butësinë në çdo gjë.”
- O i Dërguari i Allahut, a nuk dëgjove çfarë thanë? - i thashë.
- “Ua thashë unë: “Ve alejkum (edhe mbi ju)!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”
6257. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur hebrenjtë t'ju përshëndesin me selam, ajo që në të vërtetë ata thonë është: “Esamu alejke (vdekja qoftë mbi ty)!”, andaj thuaji: “Ve alejke (edhe mbi ty)!”
6258. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur ithtarët e Librit t'ju përshëndesin me selam, thoni: “Ve alejkum (edhe mbi ju)!”
23. Nënkapitulli: Lejohet të shikohet shkresa, përmes së cilës kërkohet kujdesi për muslimanët, në mënyrë që të sqarohet puna e shkruesit
6259. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Jusuf ibn Buhluli na ka thënë: Na ka treguar Ibn Idrisi, e këtij i ka treguar Husajn ibn Abdurrahmani, e ky nga Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahman Sulemiu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na dërgoi (në një punë): mua, Zubejr ibn Avamin dhe Ebu Merthed Ganeviun, sepse ishim kalorës, e në atë rast na tha: “Nisuni dhe shkoni në kopshtin Hah, ku do të gjeni një grua idhujtare, e cila mban një letër të Hatib ibn Ebu Beltait dërguar idhujtarëve.”
Kur e arritëm, ajo ishte hipur në deve, mu aty ku i Dërguari i Allahut ﷺ na tregoi dhe i thamë: “Ku e ke letrën, që e ke me vete?” Ajo tha: “Nuk kam asnjë letër.” E ulëm devenë, e kontrolluam shalën, por nuk gjetëm asnjë letër. Dy shokët e mi thanë: “Nuk po shohim letër.” Unë thashë: “Unë e di se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk gënjen, prandaj betohem në Atë, në të Cilin duhet betuar, se ose do të na japësh letrën, ose do të të zhvesh (për të të kontrolluar).” Kur pa seriozitetin tim, ia mësyu shokës, që e kishte rreth saj, dhe e nxori letrën.” Kështu, ne shkuam me letër tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tha Hatibit: “O Hatib, ç'të shtyri të veprosh kështu?” Hatibi iu përgjigj: “Nuk është që nuk besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij ﷺ. Nuk kam ndryshuar e as kam zëvendësuar (besimin me mosbesim). Desha të kem dorë (pozitë) mbi fisin tim, që Allahu, nëpërmjet tyre, të ma mbrojë familjen dhe pasurinë. Ndërkohë, të gjithë shokët e tu atje kanë ndonjë familjar, nëpërmjet të cilëve Allahu ua mbron familjet dhe pasuritë.” Pejgamberi ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën. Të flisni vetëm mirë për të!”
Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, ai (Hatibi) e ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, andaj më lejo t'ia pres kokën!”
Pejgamberi ﷺ i tha: “O Omer, e çfarë di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, sepse ju është siguruar Xheneti.” Atëherë, Omerit i lotuan sytë dhe tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”
24. Nënkapitulli: Si shkruhet shkresa drejtuar ithtarëve të Librit?
6260. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Ebu Sufjan ibn Harbin duke treguar se, teksa ndodhej në Sham me një karvan tregtarësh, Herakliu e ftoi atë bashkë me një grup kurejshish. Pasi shkuan tek ai, Herakliu e kërkoi letrën e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Teksa po e lexonin, në të shkruante:
“Në emër të Allahut, Mëshirëplotit, Mëshirëbërësit. Prej Muhamedit, robit dhe të Dërguarit të Allahut, për Herakliun, mbretin e Romës. Paqja qoftë mbi pasuesit e udhëzimit. E, më pas...”
25. Nënkapitulli: Me kë e fillon shkresën?
6261. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka treguar ndodhinë e një burri nga benu israilët, i cili kishte marrë një dru, e kishte shpuar dhe brenda kishte futur një mijë dinarë e bashkë me ta edhe një letër për shokun e tij.
Omer ibn Ebu Seleme transmeton nga babai i tij se e ka dëgjuar Ebu Hurejrën të ketë thënë: “Pejgamberi ﷺ tha: “Shpoi një dru dhe e vendosi pasurinë brenda tij, ndërsa në letër shkroi: “Prej filanit te filani.”
26. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Ngrihuni për zotërinë tuaj.”
6262. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Umame ibn Sehël ibn Hunejfi se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Fisi kurejdha kërkuan që Sadi të gjykonte për ta, andaj Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë për ta thirrur. Kur erdhi, Pejgamberi ﷺ tha: “Ngrihuni në këmbë për zotërinë tuaj, - ose tha: për më të mirin tuaj.” Kështu, ai u ul te Pejgamberi ﷺ, i cili i tha: “Këta kërkuan që t'i gjykosh ti.” Ai tha: “Unë gjykoj që luftëtarët të vriten, kurse gratë e fëmijët të robërohen.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Gjykove sipas gjykimit të Mbretit (Allahut Fuqiplotë).”
27. Nënkapitulli: Përshëndetja për dore
Ibn Mesudi ka thënë: Pejgamberi ﷺ ma mësoi teshehudin, ndërkohë shuplaka ime ishte mes dy shuplakave të tij. Kab ibn Maliku ka thënë: "Kur hyra në xhami, aty ishte i Dërguari i Allahut ﷺ. Talha ibn Ubejdullahu u ngrit nga unë duke vrapuar, derisa më përshëndeti për dore dhe më uroi."
6263. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Asimi na ka thënë: Na ka treguar Hemami se Katadja tregon: “E pyeta Enesin: “A përshëndeteshin për dore shokët e Pejgamberit ﷺ?”
- Po, - u përgjigj ai.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6263
Fjalë të panjohura?
6264. Nga: Abdullah ibn Hishami
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Hajve, e këtij i ka treguar Ebu Akil Zuhra ibn Mabedi se Abdullah ibn Hishami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, teksa ishim me Pejgamberin ﷺ, ai e kapi për dore Omer ibn Hatabin.”
28. Nënkapitulli: Përshëndetja me të dyja duart
Hamad ibn Zejdi e përshëndeti Ibn Mubarekun me të dyja duart.
6265. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sejfi, e ky e ka dëgjuar Muxhahidin, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Sahbera Ebu Mameri se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ma mësoi teshehudin sikurse më mësonte një sure të Kuranit, ndërkohë shuplaka ime ishte mes dy shuplakave të tij: “Etehijatu lilahi ve salavatu ve tajibatu. Eselamu alejke ejuhe nebiju ve rahmetullahi ve berekatuhu. Eselamu alejna ve ala ibadilahi salihin. Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu ene Muhameden abduhu ve resuluhu (Përshëndetjet, lutjet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë! Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij).”
Ibn Mesudi shton: “Kështu thoshim derisa ishte në mesin tonë, e, pasi vdiq, thoshim: “Eselamu ale nebiji (paqja qoftë mbi Pejgamberin ﷺ)!”
29. Nënkapitulli: Përqafimi dhe thënia e njeriut: "Si u gdhive?"
6266. Nga: Abdullah ibn Abasi
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Bishr ibn Shuajbi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Kabi se Abdullah ibn Abasi i ka treguar se Aliu, - e kishte fjalën për Ibn Ebu Talibin, - kishte dalë prej (dhomës së) Pejgamberit ﷺ [t:] Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Kab ibn Maliku se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur Ali ibn Ebu Talibi doli nga Pejgamberi ﷺ, i cili po e përjetonte sëmundjen e vdekjes, njerëzit i thanë: “O Ebu Hasen, si është gdhirë i Dërguari i Allahut ﷺ?”
- Është gdhirë më mirë, elhamdulilah! - tha Aliu.
Pastaj Abasi e mori për dore dhe i tha:
- A nuk po e sheh se, për Allahun, ti pas tri ditësh do të jesh rob i shkopit (do të udhëhiqesh nga tjetërkush), kurse unë, për Allahun, po vërej se i Dërguari i Allahut ﷺ do të vdesë nga kjo sëmundje, sepse i njoh fytyrat e benu abdulmutalibëve kur janë në prag të vdekjes. Eja të shkojmë tek i Dërguari i Allahut ﷺ ta pyesim kujt i takon kjo çështje (hilafeti). Po na takoi neve, atëherë e marrim vesh, po qe se ia lë dikujt tjetër, flasim me të që të na e lërë neve.” Aliu tha: “Për Allahun, nëse ia kërkojmë këtë (hilafetin) të Dërguarit të Allahut ﷺ e ai nuk na e jep, atëherë, pas tij, as njerëzit nuk do të na e japin. Andaj, kurrë nuk do t'ia kërkoj këtë gjë Pejgamberit ﷺ.”
30. Nënkapitulli: Ai që, kur përgjigjet, thotë: "Të përgjigjem me kënaqësi"
6267. Nga: Muadh ibn Xhebeli
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja, e ky nga Enesi se Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha ulur mbrapa Pejgamberit ﷺ (në kafshë), Pejgamberi ﷺ më tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - i thashë.
Këtë e përsëriti tri herë, pastaj më tha: “E di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?”
- Jo, - i thashë.
- “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj eci një kohë dhe sërish tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - i thashë.
- “E di cila është e drejta e njerëzve kundrejt Allahut, nëse ata e bëjnë këtë? Të mos i dënojë ata”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Hudbe na ka thënë: “Këtë na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja nga Enesi, e ky nga Muadhi.”
6268. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha duke ecur me Pejgamberin ﷺ nëpër pllajën e Medinës gjatë mbrëmjes, u kthyem nga Uhudi dhe tha: “Edhe sikur të më shndërrohej i tërë Uhudi në ar, asnjë dinar nuk do të kisha pasur dëshirë të më mbetej më shumë se një ose tri net, përveç dinarit të rezervuar për kthim të borxhit, ose nëse e jap për robërit e Allahut, kështu, kështu e kështu”, - dhe bëri me duar.
Pastaj më tha: “O Ebu Dherr.”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - i thashë.
- “Ata që kanë shumë, në të vërtetë kanë pak, përveç atyre që japin kështu e kështu.”
Pastaj më tha:
- “Prit aty ku je, mos lëviz derisa të vij”, - dhe u largua tutje derisa nuk e pashë më.
Ndërkohë, dëgjova një zë dhe pata frikë mos i ndodhi gjë të Dërguarit të Allahut ﷺ, andaj desha të shkoj, por m'u kujtua fjala e tij: “Mos lëviz!” Kështu, qëndrova aty derisa u kthye dhe i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, dëgjova një zë dhe u frikësova mos të ka ndodhur gjë, por, kur m'u kujtua fjala jote, nuk lëviza.
- “Ai ishte Xhibrili ﷺ. Erdhi dhe më tha: “Kushdo që vdes prej umetit tënd pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet.”
- Edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh? - e pyeta.
- “Po, edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh”, - u përgjigj Pejgamberi ﷺ.
Ameshi ka thënë: “I thashë Zejdit: “Sipas asaj që më është thënë mua, ky është Ebu Derdai!” Ai më tha: “Dëshmoj se këtë ma ka treguar Ebu Dherri në Rabdhe.” Ameshi tha: “Porse mua ma ka treguar Ebu Salihu nga Ebu Derdai ngjashëm.” Ndërkaq, Ebu Shihabi, duke transmetuar nga Ameshi, thotë (se Pejgamberi ﷺ ka thënë): ”... të më mbetej më shumë se tri net.”
31. Nënkapitulli: Askush të mos e ngrejë tjetrin prej vendit për t'u ulur vetë në të
6269. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askush të mos e ngrejë tjetrin prej vendit për t'u ulur pastaj vetë në të.”
32. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Kur ju thuhet t’u hapni vend të tjerëve në tubim, atëherë bëni vend, se Allahu do t’ju bëjë vend (në Xhenet)! E kur ju thuhet të ngriheni, atëherë bëni kështu, se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që punoni.”
6270. Nga: Abdullah ibn Omeri
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar që një person ta ngrejë tjetrin nga vendi për t'u ulur dikush tjetër aty, por ngushtohuni dhe bëni vend.
Nafiu tregon: “Ibn Omeri urrente që një person të ngrihej nga vendi për t'i lëshuar vendin një tjetri.”
33. Nënkapitulli: Ai që ngrihet prej ndejës a shtëpisë së tij pa kërkuar leje prej shokëve, ose bën sikur po ngrihet, në mënyrë që ata të ngrihen
6271. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasen ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij duke e përmendur nga Ebu Mixhlezi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u martua me Zejnebe bint Xhahshin, i ftoi njerëzit (në dasmë). Ata hëngrën, pastaj vazhduan ndejën duke biseduar. Kështu, Pejgamberi ﷺ bënte sikur donte të ngrihej, por ata nuk u ngritën. Kur pa se nuk po ngrihen, Pejgamberi ﷺ u ngrit vetë. Kur u ngrit, u ngritën edhe një pjesë e njerëzve, ndërsa tri veta vazhduan të qëndrojnë aty. Më pas, Pejgamberi ﷺ erdhi që të hyjë, porse ata ende qëndronin ulur. Më vonë, ata u ngritën dhe shkuan, e në atë rast e lajmërova Pejgamberin ﷺ se ata kishin shkuar, andaj erdhi dhe hyri brenda. Desha të hyj edhe unë, por ai e lëshoi perden mes meje dhe tij. Në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t'ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte Pejgamberin e ai turpërohej (që t'jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t'jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Pejgamberit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (Ahzab, 53)
34. Nënkapitulli: Ulja e quajtur ‘ihtiba’, duke u mbajtur me duar, që quhet edhe ‘kurfusa’
.
6272. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Ebu Galibi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibrahim ibn Mundhir Hizamiu, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Fulejhu, e ky nga babai i tij, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ në oborrin e Qabesë, ulur me këmbë të mbledhura rrëzë gjoksit, duke i mbajtur me duar kështu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6272
Fjalë të panjohura?
35. Nënkapitulli: Ai që qëndron mbështetur në prani të shokëve
Hababi tregon: "Shkova te Pejgamberi ﷺ, i cili ishte mbështetur në një pardesy dhe i thashë: "Pse nuk po e lut Allahun për ne?" Atëherë ai u ul."
6273. Nga: Ebu Bekrete
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Xhurejriu, e ky nga Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekretes, se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ pyeti: “A doni t'ju tregoj për mëkatet më të mëdha?”
- Posi, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigjën të pranishmit.
- “Të bërët ortak Allahut dhe mosrespektimi i prindërve.”
6274. Nga: Ebu Bekrete
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishri, njëjtë (me hadithin paraprak) se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton (duke vazhduar hadithin paraprak) se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte mbështetur, pastaj u ul dhe vazhdoi: “Po ashtu, fjala dhe dëshmia e rrejshme!” - të cilën e përsëriste vazhdimisht, saqë thamë (me vete): “Sikur të ndalej!”
36. Nënkapitulli: Ai që shpejton ecjen për një nevojë a qëllim të caktuar
6275. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Seidi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “(Një ditë) Pejgamberi ﷺ e fali ikindinë, sakaq shpejtoi dhe hyri në shtëpi.”
37. Nënkapitulli: Shtrati
6276. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Duha, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ falej nga mesi i shtratit, ndërsa unë isha e shtrirë në mes tij dhe kiblës. Edhe po të kisha ndonjë nevojë, më vinte keq të ngrihesha e t'i drejtohesha atij, andaj zvarritesha ngadalë (për të dalë nga shtrati).”
38. Nënkapitulli: Atij që i ofrohet jastëku
6277. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Halidi. [t]: Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Avniu, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Halidi, e ky nga Ebu Kilabe, e këtij i ka rrëfyer Ebu Melihu, i cili tregon se, pasi ka hyrë bashkë me Zejdin te babai i tij (Ebu Kilabe), Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ ia kishin përmendur agjërimin tim. Kur erdhi tek unë, i ofrova një jastëk prej lëkure, të mbushur me fije palme, por ai u ul në tokë, e jastëku mbeti mes meje e tij dhe tha:
- “A nuk të mjaftojnë tri ditë për çdo muaj?”
- O i Dërguari i Allahut..., - i thashë.
- “Pesë?” - tha ai.
- O i Dërguari i Allahut...
- “Shtatë?”
- O i Dërguari i Allahut...
- “Nëntë?”
- O i Dërguari i Allahut...
- “Njëmbëdhjetë?”
- O i Dërguari i Allahut...
Pastaj tha: “Nuk ka agjërim më shumë se agjërimi i Davudit ﷺ. Ai agjëronte gjysmën e kohës: një ditë agjërim, një ditë ngrënie.”
6278. Nga: Ebu Derdai
Jahja ibn Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Jezidi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Mugire, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame, se pati shkuar në Sham. [t]: Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Mugire se Ibrahim Nehaiu tregon: “Kur Alkame shkoi në Sham, hyri në xhami dhe i fali dy rekate, pastaj tha: “O Allah, më sill një shoqërues!” Kështu, u ul pranë Ebu Derdait, i cili e pyeti:
- Prej nga je?
- Prej Kufes, - iu përgjigj Alkame.
- A nuk është te ju ai që i di sekretet e Pejgamberit ﷺ, të cilat nuk i di askush tjetër? - pyeti Ebu Derdai, - duke aluduar në Hudhejfen.
- A nuk është në mesin tuaj, - ose ka thënë: nuk ishte në mesin tuaj, - ai që Allahu e ka mbrojtur prej shejtanit, nëpërmjet gjuhës së Pejgamberit ﷺ? - pyeti Ebu Derdai, - duke aluduar në Amarin.
- A nuk është te ju bartësi i misvakut dhe jastëkut (të Pejgamberit ﷺ)? - pyeti sërish Ebu Derdai, - duke aluduar në Ibn Mesudin.
- Si e lexonte Abdullah ibn Mesudi ajetin: “Betohem në natën që me errësirë mbulon gjithësinë!”? (Lejl, 1) - pyeti Ebu Derdai.
- “Betohem në mashkullin dhe femrën!” - lexoi Alkame.
Ebu Derdai vazhdoi: “Këta vazhdimisht këmbëngulën, saqë pothuajse më detyruan të braktis atë që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ (mënyrën e leximit të këtyre ajeteve).”
39. Nënkapitulli: Dremitja pas namazit të xhumasë
6279. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Dremitnim dhe hanim drekë pas namazit të xhumasë.”
40. Nënkapitulli: Dremitja e mesditës në xhami
6280. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Turab (Babai i Dheut) ishte emri më i dashur për Aliun, me të cilin, kur thirrej, gëzohej.
I Dërguari i Allahut ﷺ vajti në shtëpinë e Fatimes, por nuk e gjeti Aliun aty, andaj pyeti:
- “Ku është djali i xhaxhait tënd?”
- Patëm diçka mes vete (u fjalosëm) dhe më hidhëroi, andaj doli dhe nuk e bëri pushimin e mesditës tek unë, - tha Fatimja.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha dikujt: “Shiko ku është ai!” Kur u kthye personi në fjalë, i tha: “O i Dërguari i Allahut, ishte shtrirë në xhami.”
I Dërguari i Allahut ﷺ shkoi dhe e gjeti të shtrirë. Rroba e sipërme i kishte rënë nga supi, kështu që krahu i ishte bërë me dhé. I Dërguari i Allahut ﷺ filloi t'ia fshijë krahun duke i thënë: “Çohu, o Ebu Turab (Baba i Dheut)! Çohu, o Ebu Turab!”