82. Kaderi (Përcaktimi)

1. Nënkapitull

6594. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ebu Velid Hisham ibn Abdulmeliku na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtë e ka lajmëruar Sulejman Ameshi, e ky e ka dëgjuar Zejd ibn Vehbiun se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, i sinqerti që i është thënë e vërteta, ka thënë: “Çdo njeri nga ju ngjizet në mitrën e nënës së tij për dyzet ditë, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në copë të varur gjaku, më pas, për po aq ditë, shndërrohet në copë mishi (sikurse mishi i përtypur). Pastaj, Allahu dërgon një melek, të cilin e urdhëron me katër gjëra: (të shkruajë) furnizimin e tij, jetëgjatësinë, si dhe nëse do të jetë fatzi apo i lumtur (në botën tjetër). Betohem në Allahun se ka raste kur ndokush punon vepra të banorëve të Zjarrit, saqë nuk mbetet mes tij dhe Zjarrit më shumë se një pash a një kut, por libri i tij ia parakalon, andaj punon vepra të banorëve të Xhenetit dhe hyn në të, si dhe anasjelltas, ka raste kur ndokush punon vepra të banorëve të Xhenetit, saqë nuk mbetet mes tij dhe Xhenetit më shumë se një a dy kute, por libri ia parakalon, andaj punon vepra të banorëve të Zjarrit dhe hyn në të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6594

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6595. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i ka lënë një meleku për detyrë mitrën, i cili (për secilën fazë) thotë: “O Zoti im, embrion. O Zoti im, gjak i ngjizur. O Zoti im, copë mishi.”
E, kur të vijë koha që Allahu ta kompletojë krijimin e tij,
(meleku) thotë: “O Zoti im, mashkull apo femër? O Zoti im, fatzi apo i lumtur? Sa furnizim e sa jetëgjatësi?” Pra, këto i shkruhen duke qenë në barkun e nënës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6595

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Lapsi është tharë (ka mbaruar shkrimi i kaderit) në përputhshmëri me diturinë e Allahut

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “... të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje...” (Xhathije, 23) Ebu Hurejra ka thënë: "Pejgamberi ﷺ më ka thënë: “Lapsi është tharë (është caktuar kaderi) për atë që ti do ta gjesh.” Ibn Abasi, në lidhje me ajetin: “... ata garojnë për të...”, (Muminun, 61) ka thënë: "Atyre (me kader) u parapriu lumturia."

6596. Nga: Imran ibn Husajni

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Jezid Rrishku, e ky e ka dëgjuar Mutarrif ibn Abdullah ibn Shihirrin se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a dallohen banorët e Xhenetit nga banorët e Zjarrit?”
- “Po”, - iu përgjigj ai.
- E për çfarë të punojnë njerëzit, pra? - e pyeti.
- “Secili punon për atë që është krijuar - ose ka thënë: për atë që i është lehtësuar”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6596

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Allahu e di më së miri çfarë do të punonin

6597. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u pyet për fëmijët e idhujtarëve, u përgjigj: “Allahu e di më së miri çfarë do të punonin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6597

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6598. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jezidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet për fëmijët e idhujtarëve, tha: “Allahu e di më së miri çfarë do të punonin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6598

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6599. Nga: Ebu Hurejra

Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmëri të pastër, porse më pas prindërit e bëjnë hebre ose të krishterë, siç i pjellin kafshët tuaja të vegjlit e tyre: vallë, a gjeni në to të meta para se t'i gjymtoni ju vetë?!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6599

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6600. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se në një ndejë të pranishmit e pyetën Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, çfarë ndodh nëse dikush vdes duke qenë i vogël?”
- “Allahu e di më së miri çfarë do të punonin”, - u përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6600

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Ajeti: “... E urdhri i Allahut është caktim i kryer.”

6601. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shemra (gruaja e dytë) të mos kërkojë shkurorëzimin e gruas së parë, në mënyrë që të përvetësojë të drejtën e saj tek ai burrë. Por, le të martohet, se asaj i takon aq sa i është caktuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6601

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

6602. Nga: Usame ibn Zejdi

Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Asimi, e ky nga Ebu Othmani se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Isha tek i Dërguari i Allahut ﷺ së bashku me Sadin, Ubej ibn Kabin dhe Muadhin kur erdhi një lajmëtar nga njëra prej bijave të Pejgamberit ﷺ për t'i treguar se i biri i saj po vdiste. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “E Allahut është çdo gjë që ka marrë dhe e Tij është çdo gjë që ka dhënë. Gjithçka ka afatin e vet, andaj (ajo) le të bëjë durim dhe le të shpresojë shpërblimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6602

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6603. Nga: Ebu Seid Hudriu

Hiban ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Muhajriz Xhumehiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrija me Pejgamberin ﷺ, erdhi një ensar dhe pyeti: “O i Dërguari i Allahut, ka raste kur zëmë robëresha, e, në anën tjetër, e duam pasurinë. Çfarë thua për ejakulimin jashtë organit gjenital?” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Vallë, kështu vepruakeni?! Nuk prish punë nëse veproni kështu, se, nëse Allahu ka caktuar që ajo të lindë, do të lindë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6603

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6604. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Musa ibn Mesudi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na mbajti një ligjëratë, ku përmendi çdo ndodhi deri në Kiamet. E ka mbajtur në mend kush e ka mbajtur dhe e ka harruar kush e ka harruar. Kishte raste kur shihja diçka që e kisha harruar, porse më pas më kujtohej, sikurse njeriut që i kujtohet diçka e harruar kur e sheh sërish.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6604

Fjalë të panjohura?

6605. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Abdani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Sad ibn Ubade, e ky nga Ebu Abdurrahman Sulemiu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa po rrinim me Pejgamberin ﷺ, ai mori një shkop dhe bëri ca vija në tokë, pastaj tha: “Secilit prej jush i është caktuar vendi i vet: në Zjarr ose në Xhenet.”

Njëri nga të pranishmit tha: “Atëherë, pra, o i Dërguari i Allahut, a të mbështetemi (në caktim e t'i lëmë veprat)?”
- “Jo, por punoni, se çdonjërit do t'i lehtësohet (ajo që i është caktuar)”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ, pastaj citoi ajetet: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më së bukurës (besimit), Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.” (Lejl, 5-7)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6605

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Veprat janë sipas përfundimit

6606. Nga: Ebu Hurejra

Hiban ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Morëm pjesë në Betejën e Hajberit së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Aty, i Dërguari i Allahut ﷺ, për një burrë që pretendonte se ishte musliman, tha: “Ai është banor i Zjarrit.”
Kur filloi lufta, burri në fjalë luftoi furishëm dhe mori shumë plagë, të cilat e rrëzuan përdhe. Njëri prej shokëve të Pejgamberit ﷺ erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, personi për të cilin the se është banor i Zjarrit, luftoi furishëm në rrugën e Allahut dhe mori shumë plagë?!” Pejgamberi ﷺ sërish tha: “Ai është banor i Zjarrit.” Atëherë, disa muslimanë pothuajse u lëkundën nga besimi.
Por, duke qenë në këtë gjendje, burri në fjalë ndjeu dhembjet e plagëve, andaj zgjati dorën dhe nga trasta nxori një shigjetë, me të cilën vrau veten. Kështu, disa muslimanë shpejtuan për tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut, Allahu ta vërtetoi fjalën: filani vrau veten.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “O Bilal, ngrihu dhe lajmëroji njerëzit se në Xhenet do të hyjë vetëm besimtari dhe se Allahu e ndihmon këtë fe edhe me njeriun e prishur!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6606

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6607. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, në një betejë, ku mori pjesë një burrë, më trimi ndër muslimanët, Pejgamberi ﷺ e shikoi dhe tha: “Po qe se dikush dëshiron të shohë një banor të Zjarrit, le ta shikojë këtë!” Si rrjedhojë, një tjetër i shkoi pas për ta përcjellë. Teksa ai luftonte me ashpërsi kundër idhujtarëve, u plagos rëndë dhe vendosi ta përshpejtojë vdekjen duke u rënduar me gjoks në majën e shpatës, saqë i doli mbrapa mes shpatullave.
Personi që po e përcillte, me nxitim, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “Unë dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut!”
- “Përse ashtu?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Personi për të cilin the: “Po qe se dikush dëshiron të shohë një banor të Zjarrit, le ta shikojë këtë!” - që ishte më trimi ndër muslimanët, u binda se ai nuk do të vdesë në atë gjendje, prandaj, kur u plagos, e përshpejtoi vdekjen dhe e vrau veten, - tha ai.
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ka raste kur robi (në sy të njerëzve) punon vepra të banorëve të Zjarrit, por, ç'është e vërteta, ai është banor i Xhenetit. Po ashtu, ka raste kur ndokush punon vepra të banorëve të Xhenetit, por, ç'është e vërteta, ai është banor i Zjarrit. Pra, veprat llogariten sipas përfundimit të tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6607

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Zotimi e shpie robin në caktim

6608. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Abdullah ibn Murra se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar zotimin (nedhrin) dhe ka thënë: “Ai nuk ndryshon asgjë (të caktuar), porse nëpërmjet tij nxirret diçka prej koprracit (lëmoshë a diçka e tillë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6608

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6609. Nga: Ebu Hurejra

Bishr ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: (Allahu thotë:) Zotimi nuk i sjell birit të Ademit diçka që Unë nuk ia kam caktuar, por caktimi e shpie në zotim për diçka që ia kam caktuar që më parë. Kështu, nëpërmjet zotimit, Unë nxjerr diçka prej koprracit (lëmoshë a diç të tillë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6609

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: La havle ve la kuvete ila bilah (nuk ka ndryshim e as fuqi, përveçse me Allahun)

6610. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Halid Hadhai, e ky nga Ebu Othman Nehdiu se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një ekspeditë luftarake me të Dërguarin e Allahut ﷺ, sa herë që ngriheshim a hipnim në lartësi, ose kur zbrisnim në ndonjë luginë, bënim tekbire me zë të lartë. Si rrjedhojë, i Dërguari i Allahut ﷺ u afrua dhe na tha: “O njerëz, mos e ngrini zërin, se nuk po i luteni të shurdhrit a të largëtit. Ju po e lusni Atë që dëgjon dhe sheh çdo gjë.”
Pastaj Pejgamberi ﷺ më tha: “O Abdullah ibn Kajs, a të të mësoj një fjalë që është prej thesareve të Xhenetit? La havle ve la kuvete ila bilah (S'ka ndryshim e as fuqi, përveçse me Allahun).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6610

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: I mbrojtur është ai të cilin e mbron Allahu

6611. Nga: Ebu Seid Hudriu

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ebu Seleme se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sa herë që vjen ndonjë halife, ai i ka dy lloj këshilltarësh:
1. Këshilltarë që e urdhërojnë dhe e nxisin për të mirë, dhe,
2. Këshilltarë që e urdhërojnë dhe e nxisin për të keq, ndërsa i mbrojtur është ai të cilin e mbron Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6611

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: “Dhe e pamundur është që banorët e një vendi, të cilët i kemi zhdukur Ne, të mos kthehen (te Ne, në Ditën e Kiametit).”

“Nuk do të besojë më askush nga populli yt, përveç atyre që kanë besuar (deri më tash)...” (Hud, 36) “… dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë!” (Nuh, 27)

6612. Nga: Abdullah ibn Abasi

Mahmud ibn Gajlani më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuk kam dëgjuar diçka që e shpjegon lememin (mëkatin e vogël) më mirë sesa fjala e Ebu Hurejrës, i cili transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ia ka përcaktuar të birit të Ademit hisen e tij në zina, e cila do ta gjejë medoemos. Zinaja e syrit është të shikuarit (në haram), zinaja e gjuhës është të folurit (për haram), ndërkohë shpirti dëshiron dhe lakmon, ndërsa organi gjenital thjesht e miraton tërë këtë ose e përgënjeshtron.”

Shebabe ka thënë: “Na ka treguar Verkai nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6612

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: “... Pamjen që ta treguam, e bëmë vetëm sprovë për njerëzit...”

6613. Nga: Abdullah ibn Abasi

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Umejri, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “... E atë pamjen që të treguam (natën e Miraxhit) dhe pemën e mallkuar (të përmendur) në Kuran, i bëmë vetëm sprovë për njerëzit...”, (Isra, 60) ka thënë: “Ajo ka qenë pamje që e ka parë zgjuar, e cila të Dërguarit të Allahut ﷺ iu shfaq natën kur u bart në Bejtu Makdis (xhaminë Aksa). Ndërkaq, për ajetin: “...si dhe pemën e mallkuar në Kuran...” (Isra, 60) ka thënë: “Bëhet fjalë për pemën zekum.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6613

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Ademi dhe Musai debatuan tek Allahu

6614. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, i cili ka thënë: E kemi mësuar përmendsh nga Amri, e ky nga Tavusi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ademi dhe Musai debatuan mes vete, e në atë rast Musai tha: “O Adem, ti je babai ynë, na zhgënjeve dhe na nxore prej Xhenetit!” Ademi ia ktheu: “O Musa, Allahu të veçoi duke të të folur drejtpërdrejt dhe Tevratin ta shkroi me Dorën e Vet! Vallë, po më qorton për një gjë që Allahu ma ka caktuar dyzet vjet para se të më krijojë?!” Kështu Ademi triumfoi ndaj Musait. Ademi triumfoi ndaj Musait”, - tha tri herë.”

Sufjani ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Ebu Zinadi nga Arexhi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6614

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Askush nuk mund ta pengojë atë që e jep Allahu

6615. Nga: Mugire ibn Shuëbe

Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e këtij i ka treguar Abde ibn Ebu Lubabe se Verradi, i çrobëruari i Mugire ibn Shuëbes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Muaviu i shkroi një letër Mugirës, ku thoshte: “Më shkruaj çfarë e ke dëgjuar të thoshte Pejgamberin ﷺ pas namazit.” Në atë rast Mugire më diktoi: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ, pas namazit, të thotë: “La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh. Allahume la mania lima atejte, ve la mu'tije lima menate. Ve la jenfeu dhel xhedi minkel xhed (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak. Zoti ynë! Askush nuk mund të pengojë nëse Ti jep dhe askush nuk mund të japë nëse Ti e pengon. Askujt nuk mund t'i bëjnë dobi pasuria e prejardhja në raport me Ty).”

Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Më ka rrëfyer Abde se Verradi i ka treguar këtë. Pastaj udhëtova te Muaviu dhe e dëgjova duke i urdhëruar njerëzit me këtë fjalë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6615

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Ai që kërkon mbrojtjen e Allahut nga gjërat që çojnë në shkatërrim dhe nga caktimi që dëmton

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Thuaj: "Kërkoj mbrojtjen nga Zoti i agimit prej të keqes së çdo krijese që Ai e krijoi.” (Felek, 1-2)

6616. Nga: Ebu Hurejra

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kërkoni Allahut mbrojtje nga belaja, nga gjërat që çojnë në përfundim të keq, nga caktimi që dëmton dhe nga gëzimi i armikut (me fatkeqësinë tuaj).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6616

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Allahu ndërhyn mes njeriut dhe zemrës së tij

6617. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Musa ibn Ukbe, e ky nga Salimi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ shpeshherë betohej duke thënë: “Betohem në Atë që i rrotullon zemrat.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6617

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6618. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ali ibn Hafsi dhe Bishr ibn Muhamedi na kanë thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ Ibn Sajadit (për të cilin dyshohej se ishte Dexhalli) i tha: “Të kam fshehur diçka (a e di çka është)?”
- Ty..., - tha ai (deshi ta theksojë fjalën “tym" por nuk mundi ta përfundojë deri në fund).
- “Hesht, se nuk do të arrish asgjë (nga të fshehtat), - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- Më lejo t'ia heq kokën, - iu drejtua Omeri.
- “Lëre! Nëse me të vërtetë është ai (Dexhalli), nuk do ta mbysësh, e, nëse nuk është ai, nuk ke dobi nga vrasja e tij”, - i tha Pejgamberi ﷺ Omerit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6618

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu.”

Muxhahidi, përkitazi me shprehjen ﴾بِفَاتِنِينَ﴿ 'fatinine', ka thënë: "Devijues. Kurse, sa i përket ajetit në fjalë, ka thënë: "Do të hidhet në Xhahim (Zjarr) vetëm ai që Allahu ia ka caktuar. ﴾قَدَّرَ فَهَدَى﴿ 'ka caktuar dhe ka udhëzuar', domethënë: "Ka caktuar të qenët fatkeq (në Zjarr) apo i lumtur (në Xhenet), rrjedhimisht, edhe kafshët i ka udhëzuar drejt kullosave të tyre..."

6619. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Is'hak ibn Ibrahim Handhaliu më ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka treguar Davud ibn Ebu Furati, e ky nga Abdullah ibn Burejde, e ky nga Jahja ibn Jameri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth murtajës, e në atë rast ai më tha: “Murtaja është dënim që Allahu e çon mbi kë të dojë, ndërsa për besimtarët e ka bërë mëshirë. Nëse një besimtar qëllon në një vend ku ka rënë murtaja dhe vazhdon të qëndrojë aty e nuk del prej atij vendi, duke bërë durim dhe duke llogaritur shpërblimin, i bindur se nuk do ta godasë asgjë përveç asaj që Allahu ia ka caktuar, do të shpërblehet sikurse shehidi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6619

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: “Nuk do të udhëzoheshim sikur të mos na udhëzonte Allahu.”

“Sikur të më udhëzonte Allahu, do të isha prej të devotshmëve.” (Zumer, 57)

6620. Nga: Bera ibn Azibi

Ebu Numani na ka thënë: Na ka rrëfyer Xherir ibn Hazimi, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hendekut e pashë Pejgamberin ﷺ tek bartte dhé së bashku me ne dhe thoshte:
“Për Allah! Pa Allahun nuk do të udhëzoheshim,
As do të agjëronim e as do të faleshim.
Zbrite qetësinë ndër ne!
Dhe na forco këmbët nëse përballemi!
Idhujtarët po na bezdisin dhe po na sulmojnë,
Kur ata kërkojnë trazira, ne refuzojmë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6620

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?