86. Ndëshkimet e përcaktuara

1. Nënkapitulli: Ndëshkimet për të cilat është tërhequr vërejtja: zinaja dhe konsumimi i alkoolit

Ibn Abasi ka thënë: "Gjatë kohës kur bën zina, i zhvishet drita e imanit."

6772. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri më ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Bekër ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që zinaqari të jetë besimtar teksa bën zina; as ai që pi alkool të jetë besimtar teksa pi alkool; as ai që vjedh të jetë besimtar teksa vjedh dhe as ai që grabit, ndërkohë që njerëzit i kanë drejtuar shikimet nga ai, të jetë besimtar teksa grabit.”

Ibn Shihabi transmeton nga Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme, e këta nga Ebu Hurejra, e ky njëjtë nga Pejgamberi ﷺ, përpos që nuk e ka përmendur grabitjen.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6772

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Çfarë është transmetuar rreth ndëshkimit të atij që pi alkool?

6773. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Katadja, e ky nga Enesi se Pejgamberi ﷺ... [t]: Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e ka ndëshkuar atë që pi alkool, duke e goditur me thupra dhe sandale, ndërkaq Ebu Bekri e ka ndëshkuar me dyzet goditje me kamxhik.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6773

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Kur dikush urdhëron që ndëshkimi të bëhet në shtëpi

6774. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuajmanin ose Ibn Nuajmanin e sollën të dehur. Kështu, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi ata që ishin në shtëpi ta rrihnin (ndëshkonin). Unë isha në mesin e atyre që e rrahën me sandale.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6774

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Ndëshkimi me thupra dhe sandale

6775. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejb ibn Halidi, e ky nga Ejubi, e ky nga Abdullah Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuajmanin ose Ibn Nuajmanin e sollën të dehur. Kjo gjë e ngushtoi Pejgamberin ﷺ dhe menjëherë i urdhëroi ata që ishin në shtëpi ta rrihnin (ndëshkonin). Unë isha në mesin e atyre që e rrahën me thupra dhe sandale.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6775

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6776. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e ka ndëshkuar atë që pi alkool, duke e rrahur me thupra dhe sandale, ndërkaq Ebu Bekri e ka ndëshkuar me dyzet goditje (me kamxhik).

Referenca: Sahihu i Buhariut 6776

Fjalë të panjohura?

6777. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Enes Ebu Damra, e ky nga Jezid ibn Hadi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberit ﷺ i sollën një burrë të dehur, e në atë rast ai tha: “Rriheni!” Ebu Hurejra vazhdon: “Andaj, prej nesh kishte të atillë që e goditën me dorë, me sandale e ca të tjerë me rrobë. Kur u ngrit për të shkuar, dikush prej tyre i tha: “Allahu të poshtëroftë!” Pejgamberi ﷺ tha: “Mos i thoni ashtu! Mos i ndihmoni shejtanit kundër tij!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6777

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6778. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ebu Hasini, e ky e ka dëgjuar Umejr ibn Seid Nehaiun se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Po qe se do të vdiste ndonjëri prej atyre që i kam ndëshkuar me ndonjë prej ndëshkimeve të përcaktuara, nuk do të mërzitesha, përveç për atë që është ndëshkuar për konsumim të alkoolit. Nëse i tilli do të vdiste, do t'ia jepja familjes së tij shpagimin e gjakut, ngaqë Pejgamberi ﷺ nuk e ka përcaktuar saktësisht ndëshkimin për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6778

Fjalë të panjohura?

6779. Nga: Saib ibn Jezidi

Mekij ibn Ibrahimi transmeton nga Xhuejdi, e ky nga Jezid ibn Husajfe se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ dhe gjatë udhëheqjes së Ebu Bekrit, si dhe në fillim të udhëheqjes së Omerit, kishte raste kur sillej ndokush që kishte pirë alkool, ndërkaq ne e rrihnim me duar, sandale dhe me rrobat tona. Kështu vepruam deri nga fundi i udhëheqjes së Omerit, i cili pastaj e ndëshkonte me dyzet goditje me kamxhik. E, kur dikush rebelohej dhe e prishte rendin, e dënonte me tetëdhjetë goditje me kamxhik.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6779

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Urrehet të mallkohet i dehuri përderisa nuk ka dalë nga feja

6780. Nga: Omer ibn Hatabi

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Halid ibn Jezidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga babai i tij se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ ishte një burrë që quhej Abdullah, të cilin e thërrisnin me nofkën Gomar. Ai e bënte Pejgamberin ﷺ të qeshte. Pejgamberi ﷺ e kishte ndëshkuar për shkak të konsumimit të alkoolit. Një ditë, kur ia sollën dhe urdhëroi që të ndëshkohej me goditje me kamxhik, njëri prej të pranishmëve tha: “Allahu e mallkoftë! Sa shpesh që e sjellin!” Pejgamberi ﷺ tha: “Mos e mallkoni, se betohem në Allahun se unë e di se ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6780

Fjalë të panjohura?

6781. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullah ibn Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e këtij i ka treguar Ibn Hadi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberit ﷺ i sollën një burrë të dehur, e në atë rast ai urdhëroi që ta rrahin (ta ndëshkojnë). Andaj, prej nesh kishte të atillë që e goditën me dorë, ca me sandale e ca të tjerë me rrobën e tyre. Kur u ngrit për të shkuar, dikush prej të pranishmëve tha: “Ç'është puna e këtij?! Allahu e poshtëroftë!” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos i ndihmoni shejtanit kundër vëllait tuaj!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6781

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Hajduti gjatë vjedhjes

6782. Nga: Abdullah ibn Abasi

Amër ibn Aliu më ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Davudi, e këtij i ka treguar Fudajl ibn Gazvani, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që zinaqari të jetë besimtar teksa bën zina e as ai që vjedh të jetë besimtar teksa vjedh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6782

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Mallkimi i hajdutit pa e cekur me emër

6783. Nga: Ebu Hurejra

Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Salihun se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e mallkoftë hajdutin! Vjedh një vezë, i këputet dora; vjedh një litar, i këputet dora.”
Ameshi thotë: “Me fjalën vezë kishte për qëllim helmetën e hekurt (në formë të vezës), ndërkaq për litarin është thënë se ka të atillë, vlera e të cilëve arrin në disa dërhemë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6783

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Ndëshkimet e përcaktuara janë shpagim (për mëkatin)

6784. Nga: Ubade ibn Samiti

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Idris Havlaniu se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim me Pejgamberin ﷺ në një ndejë kur tha: “Jepmani besën se nuk do t'i shoqëroni Allahut asgjë, nuk do të vidhni e nuk do të bëni zina”, - pastaj e lexoi në tërësi ajetin përkatës (të besatimit) dhe tha: “Cilido prej jush që e mban besën e tij, do të shpërblehet nga Allahu, e, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë) dhe ndëshkohet në dynja, kjo është shpagim për të (për mëkatin). Ndërkaq, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë), e pastaj Allahu ia mbulon ato, atëherë i përket Allahut: nëse do, e fal, e, nëse do, e dënon.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6784

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Shpina e besimtarit është e mbrojtur, përveç gjatë ndëshkimit a të drejtës së dikujt ndaj tij

6785. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Asim ibn Aliu, e këtij i ka treguar Asim ibn Muhamedi, e ky nga Vakid ibn Muhamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, në Haxhin Lamtumirës, ka thënë:
- “Cili muaj mendoni se është muaji më i shenjtë?”
- Ky muaj në të cilin jemi, - thanë.
- “Cili vend mendoni se është vendi më i shenjtë?”
- Ky vend në të cilin ndodhemi, - thanë.
- “Cila ditë mendoni se është dita më e shenjtë?”
- Kjo ditë në të cilën ndodhemi, - thanë.
- “Allahu i Lartmadhëruar jua ka bërë të shenjtë gjakun tuaj, pasurinë tuaj dhe nderin tuaj, - përveç atëherë kur është me të drejtë, - sikurse shenjtërinë e kësaj dite, në këtë vend dhe në këtë muaj. A e kumtova, vallë?”
Pejgamberi ﷺ për secilën prej këtyre pyeti nga tri herë, e ata iu përgjigjën:
- Po, gjithsesi!
- “Mjerë ju!” - ose ka thënë: “Vaj halli për ju! - Mos u ktheni në kufër pas meje (pas vdekjes sime) e ta luftoni njëri-tjetrin!” - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6785

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Zbatimi i ndëshkimeve të përcaktuara dhe hakmarrja për cenimin e ndalesave të Allahut

6786. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sa herë që Pejgamberit ﷺ i ofrohej të zgjidhte mes dy gjërave, ai zgjidhte më të lehtën, për sa kohë që nuk konsiderohej mëkat, sepse ai ka qenë njeriu që më së shumti distancohej prej mëkatit. Betohem në Allahun se asnjëherë nuk është hakmarrë për veten, përveç kur cenoheshin ndalesat e Allahut, e në atë rast hakmerrej për hir të Allahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6786

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Zbatimi i ndëshkimeve të përcaktuara ndaj një njeriu fisnik dhe ndaj një të përçmuari

6787. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Usame foli me Pejgamberin ﷺ për të ndërmjetësuar për një grua (që kishte vjedhur). Pejgamberi ﷺ i tha: “Ata që ishin para jush u shkatërruan për shkak se, ndaj të dobëtit e zbatonin ndëshkimin, kurse fisnikun e falnin. Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im se, edhe sikur Fatimja të bënte një gjë të tillë, do t'ia prisja dorën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6787

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Urrejtja e ndërmjetësimit për një ndëshkim pasi që të jetë ngritur te prijësi

6788. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Seid ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kurejshët i brente çështja e gruas së fisit mahzum, e cila kishte vjedhur, andaj thanë: “Kush merr guximin të ndërmjetësojë te Pejgamberi ﷺ për këtë?” Thanë: “E kush tjetër, përveç Usame ibn Zejdit, atë që Pejgamberi ﷺ e do shumë?” Kështu, Usame shkoi dhe foli me të, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Po ndërmjetëson në një prej ndëshkimeve të përcaktuara të Allahut?!” Pastaj u ngrit dhe u ligjëroi njerëzve duke thënë: “O ju njerëz! Me të vërtetë ata që ishin para jush humbën për shkak se, kur vidhte fisniku, e tejkalonin, e, kur vidhte i dobëti, e zbatonin ndëshkimin mbi të. Betohem në Allahun se, edhe sikur Fatimja, e bija e Muhamedit, të vidhte, Muhamedi do t'ia priste dorën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6788

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Ajeti: “Vjedhësit dhe vjedhëses prituani duart...” si dhe përmasat e prerjes

Aliu e zbatonte ndëshkimin në kyçin e dorës (shuplakës). Katadja tregon për një grua që kishte vjedhur se i ishte prerë dora e majtë (në kyç), e jo më shumë se kaq.

6789. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dora pritet për një çerek dinari e sipër.”

Transmetimin e Ibrahim ibn Sadit e fuqizojnë Abdurrahman ibn Halidi, i biri i vëllait të Zuhriut dhe Mameri, nga Zuhriu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6789

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6790. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Ebu Uvejsi transmeton nga Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri dhe Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dora e vjedhësit pritet për një çerek dinari.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6790

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6791. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Imran ibn Mejsera na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Husejni, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahman Ensariu se Amra bint Abdurrahmani thotë: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na ka treguar se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dora pritet për një çerek dinari.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6791

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6792. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Abde, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në kohën e Pejgamberit ﷺ dora nuk pritej për vlera më të vogla se vlera e një mburoje.

Othmani na ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Humejd ibn Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Hishami nga babai i tij, e ky nga Aishja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6792

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6793. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Dora e hajdutit nuk pritej për diçka më të vogël se një mburojë, vlera e së cilës çmohej.”

Vekiu dhe Ibn Idrisi e kanë transmetuar nga Hishami, e ky nga babai i tij me zinxhir të shkëputur (mursel).

Referenca: Sahihu i Buhariut 6793

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6794. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jusuf ibn Musai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në kohën e Pejgamberit ﷺ, dora e hajdutit nuk pritej për vlerë më të vogël se ajo e një mburoje lëkure, druri apo hekuri, vlera e të cilave çmohej.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6794

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6795. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Malik ibn Enesi, e ky nga Nafiu, i çrobëruari i Abdullah ibn Omerit, se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka zbatuar prerjen e dorës së vjedhësit të një mburoje, e cila kishte vlerën e tre dërhemëve.

Këtë transmetim e fuqizon Muhamed ibn Is'haku, ndërkohë Lejthiu ka thënë: “Më ka treguar Nafiu (se Abdullahu ka thënë): “... sa vlera e saj (mburojës).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6795

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6796. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka zbatuar prerjen e dorës për vjedhësin e një mburoje që kishte vlerë tre dërhemë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6796

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6797. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka zbatuar prerjen e dorës për vjedhësin e një mburoje që kishte vlerë tre dërhemë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6797

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6798. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibrahim ibn Mundhiri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Damra, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka zbatuar prerjen e dorës për vjedhësin e një mburoje që kishte vlerë tre dërhemë.”

Këtë transmetim e fuqizon Muhamed ibn Is'haku, ndërkohë Lejthiu ka thënë: “Më ka treguar Nafiu (se Abdullahu ka thënë): “... sa vlera e saj (mburojës).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6798

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6799. Nga: Ebu Hurejra

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e mallkoftë hajdutin! Vjedh një vezë, i këputet dora; vjedh një litar, i këputet dora.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6799

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Pendimi i hajdutit

6800. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka treguar se Pejgamberi ﷺ ka zbatuar ndaj një gruaje ndëshkimin me prerje të dorës. Aishja thotë: “Më pas, ajo vinte herë pas here, e unë e njoftoja Pejgamberin ﷺ për nevojat e saj. Ajo u pendua dhe u përmirësua.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6800

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

6801. Nga: Ubade ibn Samiti

Abdullah ibn Muhamed Xhufiu na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Idrisi se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Ia dhamë besën Pejgamberit ﷺ me një grup njerëzish, e në atë rast ai na tha: “Po e lidh besën me ju që: nuk do t'i bëni Allahut ortak asgjë, nuk do të vidhni, nuk do t'i mbysni fëmijët tuaj, nuk do të bëni shpifje në moralin e njëri-tjetrit dhe nuk do të kundërshtoni kur të urdhëroheni për të mirë. Cilido prej jush që e mban besën e tij, do të shpërblehet nga Allahu. E, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë) dhe ndëshkohet në dynja, kjo është shpagim për të dhe pastrim. E, kujtdo që Allahu ia mbulon, atëherë i përket Allahut: nëse do, e, dënon, e nëse do, e fal.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Kur vjedhësi pendohet pasi t'i pritet dora, pranohet dëshmia e tij. Kjo vlen për çdo të penduar tjetër që pendohet pas ndëshkimit, pra, i pranohet dëshmia.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6801

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Kusarët nga radhët e jobesimtarëve dhe felëshuesve

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë është të vriten ose të varen, ose t’u këputen duart dhe këmbët e tyre nga anët e ndryshme (djathtas e majtas), ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim për ta është poshtërim në këtë jetë, e në jetën tjetër ka mundim të madh për ta.” (Maide, 33)

6802. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka treguar Ebu Kilabe Xhermiu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa pjesëtarë të fisit ukël erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe e pranuan Islamin. Atyre nuk u pëlqeu klima e Medinës, andaj Pejgamberi ﷺ i porositi që të shkojnë te devetë e sadakasë e të pinë nga urina dhe qumështi i tyre. Ata shkuan dhe, pasi u shëruan, u bënë renegatë dhe e vranë bariun e Pejgamberit ﷺ e u grahën deveve. Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë në kërkim të tyre dhe, pasi ia sollën, urdhëroi që t'u priten duart dhe këmbët e t'u damkosen sytë. Pastaj, nuk i kuroi, por i la ashtu derisa vdiqën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6802

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ nuk i kuroi kusarët felëshues (pas ndëshkimit) derisa vdiqën

6803. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Salt Ebu Jalai na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ua preu gjymtyrët urejnasve dhe nuk i kuroi, por i la ashtu derisa vdiqën.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6803

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Kusarëve felëshues nuk u është dhënë ujë derisa vdiqën

6804. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musa ibn Ismaili na ka transmetuar nga Vuhejbi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grup njerëzish nga fisi ukël, vajtën te Pejgamberi ﷺ dhe, pasi qëndruan një kohë në sufe, atyre nuk iu përshtat klima e Medinës, andaj thanë: “O i Dërguari i Allahut, na gjej qumësht të mjaftueshëm!” Pejgamberi ﷺ u tha: “Nuk di zgjidhje tjetër, përveçse të shkoni te devetë e të Dërguarit të Allahut.” Ata shkuan dhe pinë nga urina dhe qumështi i tyre, derisa u shëruan dhe shtuan peshë. Pastaj, e vranë bariun dhe i grahën kopesë (së deveve). Kur i erdhi lajmëtari Pejgamberit ﷺ, dërgoi njerëz për t'i kërkuar. Kështu, nuk kaloi kohë e gjatë nga ajo ditë dhe ia sollën. Pejgamberi ﷺ dha urdhër të merren disa gozhda, të skuqen dhe me to t'u damkosen sytë, pastaj ua preu duart e këmbët dhe nuk ua kuroi, por i hodhi në shkretëtirë, që të eteshin e të mos u jepej ujë, derisa vdiqën.
Ebu Kilabe thotë: “Këta vodhën e vranë dhe e luftuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6804

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ ua damkosi sytë kusarëve

6805. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa pjesëtarë të fisit ukël, - ose ka thënë: urejna, - erdhën në Medinë. Pejgamberi ﷺ i urdhëroi të shkonin te devetë që milen e të pinin prej urinës dhe qumështit të tyre. Ata pinë derisa u shëruan, e në atë rast e vranë bariun, e morën kopenë e deveve dhe ia mbathën. Në mëngjes, Pejgamberi ﷺ mori vesh për këtë, andaj dërgoi dikë në kërkim të tyre dhe, nuk kaloi kohë e gjatë nga ajo ditë dhe ia sollën. Ai urdhëroi që t'u priten duart dhe këmbët, t'u damkosen sytë dhe të hidhen në vapën e shkretëtirës, që të eteshin e të mos u jepej ujë.”
Ebu Kilabe thotë: “Këta ishin njerëz që vodhën, vranë, bënë kufër pas imanit (lëshuan fenë) dhe e luftuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6805

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Vlera e atij që i shmanget zinasë

6806. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shtatë lloj personash Allahu do t'i strehojë në hijen e Tij në Ditën e Kiametit, ditën kur nuk ka hije përveç hijes së Tij:
1. Prijësin e drejtë;
2. Të riun, i cili rritet duke e adhuruar Allahun;
3. Personin i cili, kur e përmend Allahun vetëm, i lotojnë sytë;
4. Atë që e ka zemrën të lidhur me xhamitë;
5. Dy persona që duhen mes vete për Allahun;
6. Personin që një grua e bukur dhe me famë e fton për zina, porse ai ia kthen: “Unë i frikohem Allahut";
7. Atë që, kur jep lëmoshë, e fsheh, saqë dora e majtë nuk di sa ka dhënë e djathta.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6806

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6807. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Aliu; [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Aliu, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që ma garanton atë që është mes dy këmbëve dhe atë që është mes dy nofullave, ia garantoj Xhenetin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6807

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Mëkati i zinaqarëve

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Mos bëni zina!” (Furkan, 68) “Dhe mos iu afroni zinasë, ajo është punë e fëlliqur dhe rrugë e shëmtuar!” (Isra, 32)

6808. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Davud ibn Shebibi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kam dëgjuar një hadith nga i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilin askush pos meje s'do t'jua tregojë. E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Nuk do të ndodhë Kiameti përderisa, - ose ka thënë: Ndër shenjat e Kiametit janë: - pakësimi i diturisë, shfaqja e injorancës, konsumimi i alkoolit, shfaqja e zinasë, pakësimi i numrit të meshkujve dhe rritja e numrit të femrave aq shumë, saqë pesëdhjetë femra do të kenë vetëm një mbikëqyrës mashkull.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6808

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6809. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka rrëfyer Is'hak ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Fudajl ibn Gazvani, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që robi të jetë besimtar teksa bën zina, as të jetë besimtar teksa vjedh, as të jetë besimtar teksa pi alkool dhe as të jetë besimtar teksa vret dikë.”
Ikrime thotë: “E pyeta Ibn Abasin: “E si shkulet imani prej tij?” Ai u përgjigj: “Në këtë formë: - i gërshetoi gishtat e tij e pastaj i nxori, - e, nëse pendohet, i kthehet në këtë formë: - i gërshetoi prapë gishtërinjtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6809

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6810. Nga: Ebu Hurejra

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ameshi, e ky nga Dhekvani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që zinaqari të jetë besimtar teksa bën zina; as ai që vjedh të jetë besimtar teksa vjedh dhe as ai që pi alkool të jetë besimtar teksa pi alkool. Ndërkohë, pendimi pas këtyre mbetet i hapur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6810

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6811. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri dhe Sulejmani, e këta nga Ebu Vaili, e ky nga Ebu Mejsera se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ: “Cili është mëkati më i rëndë?” Ai tha: “T'i bësh ortak Allahut, ndërsa Ai të ka krijuar.” Thashë: “Pastaj cili?” Ai tha: “Ta vrasësh fëmijën tënd, nga frika se do të ushqehet së bashku me ty.” Thashë: “Pastaj cili?” Ai tha: “Të bëhet zina me gruan e fqinjit.”

Jahjai ka thënë: “Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Vasili nga Ebu Vaili, e ky nga Abdullahu se ka thënë: “Thashë: “O i Dërguari i Allahut...”, njëjtë. Amri ka thënë: “Këtë ia përmenda Abdurrahmanit, i cili na pat treguar nga Sufjani, e ky nga Ameshi, Mensuri dhe Vasili, nga Ebu Vaili, e ky nga Ebu Mejsera se ka thënë: “Lëre, lëre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6811

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Gurëzimi i të martuarit që bën zina

Hasani thotë: "Ai që bën zina me motrën e tij, ndëshkohet sikurse zinaqari."

6812. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Seleme ibn Kuhejli se Shabiu transmeton se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pasi gurëzoi një grua në ditën e premte, tha: “E gurëzova sipas Sunetit të Pejgamberit ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6812

Fjalë të panjohura?

6813. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai

Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Halidi se Shejbaniu tregon se e ka pyetur Abdullah ibn Ebu Eufain (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A ka gurëzuar ndonjëherë Pejgamberi ﷺ dikë?” Ai pohoi. I thashë: “Para se të zbriste surja Nur apo pastaj?” M'u përgjigj: “Nuk e di.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6813

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6814. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Xhabir ibn Abdullah Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një pjesëtar i fisit eslem erdhi te Pejgamberi ﷺ, i tregoi se ka bërë zina dhe dëshmoi ndaj vetvetes katër herë. Atëherë, Pejgamberi ﷺ urdhëroi që të gurëzohet. Kjo, se ai ishte i martuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6814

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: I çmenduri dhe e çmendura nuk gurëzohen për zina

Aliu i ka thënë Omerit: "Vallë, a nuk e ke ditur se lapsi nuk shkruan për të çmendurin derisa të kthjellet, për foshnjën derisa të kuptojë dhe për të fjeturin derisa të zgjohet?!"

6815. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në xhami, i vajti një burrë, i cili e thirri dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam bërë zina!” Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër, gjë të cilën e përsëriti katër herë. Por, kur burri në fjalë dëshmoi ndaj vetes katër herë, Pejgamberi ﷺ e thirri dhe e pyeti: “Mos ke ndonjë sëmundje mendore?”
- Jo, - i tha ai.
- “A je i martuar?”
- Po, - tha.
Kështu, Pejgamberi ﷺ u tha të pranishmëve: “Merreni dhe gurëzojeni!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6815

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6816. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ibn Shihabi na ka treguar se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), duke rrëfyer hadithin paraprak, tregon: “Kam qenë pjesëmarrës në gurëzimin e tij. E gurëzuam te vendfalja (e hapur) në Medinë. E, kur e plagosi guri (i parë), filloi të ikë, derisa e zumë te pllaja, ku dhe e gurëzuam (derisa vdiq).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6816

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Zinaqarit nuk i përket asgjë

6817. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u grindën Sadi dhe Ibn Zema (për atësinë e një fëmije), Pejgamberi ﷺ u tha: “Të takon ty, o Abd ibn Zema! Fëmija i takon shtratit legjitim. Mbulohu prej tij, oj Sevdë (e bija e Zemës)!”
Kutejbe duke transmetuar nga Lejthiu shton: “(Pejgamberi ﷺ ka thënë:) “Zinaqarit nuk i përket asgjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6817

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

6818. Nga: Ebu Hurejra

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fëmija i takon shtratit legjitim, kurse zinaqarit nuk i përket asgjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6818

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Gurëzimi në Rrasën e Gurit

6819. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Othmani Ibn Kerame na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Mahledi, e ky nga Sulejmani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një hebre dhe një hebreje që kishin bërë zina. Pejgamberi ﷺ u tha: “Çfarë keni në Librin tuaj (Tevratin) rreth kësaj?” Ata u përgjigjën: “Rabinët tanë e kishin praktikë që t'ua nxijnë fytyrat me hi dhe t'i shëtisin në sy të popullit, hipur mbi gomar, shpinë për shpine. Abdullah ibn Selami i tha Pejgamberit ﷺ: “Kërkojua Tevratin!” Kur ia sollën, njëri prej tyre e vendosi dorën mbi citatin e gurëzimit dhe filloi të lexojë citatet para dhe pas tij. Ibn Selami i tha: “Ngrije dorën!” Kur shikuan, panë se citati i gurëzimit kishte qenë nën dorën e tij. Andaj, Pejgamberi ﷺ dha urdhrin dhe u gurëzuan.”
Ibn Omeri thotë: “U gurëzuan te Rrasa e Gurit. E pata parë burrin (që gurëzohej) tek shtrihej mbi femrën për ta mbrojtur nga gurët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6819

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Gurëzimi në namazgja

6820. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një pjesëtar i fisit eslem vajti te Pejgamberi ﷺ dhe, në prani të tij, pohoi se kishte bërë zina. Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër, por personi në fjalë dëshmoi katër herë kundër vetes. Pejgamberi ﷺ e pyeti: “Mos ke ndonjë sëmundje mendore?”
- Jo, - i tha ai.
- “A je i martuar?”
- Po, - tha.
Kështu, Pejgamberi ﷺ u tha të pranishmëve që ta gurëzonin te vendfalja (e hapur). Kur e plagosi guri i parë, ai filloi të ikë, por pastaj u zu dhe u gurëzua për vdekje. Pejgamberi ﷺ foli mirë për të dhe ia fali namazin e xhenazes.

Junusi dhe Ibn Xhurejxhi, në transmetimin e tyre nga Zuhriu, nuk kanë thënë: “... dhe ia fali namazin e xhenazes.” Kur Ebu Abdullahu u pyet për këtë, se a qëndron fjala e tij: “Ia fali xhenazen" apo jo, tha: “Këtë e ka transmetuar Mameri.” E pyetën: “A e ka transmetuar dikush tjetër përveç Mamerit?” U përgjigj: “Jo.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6820

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Kush vepron një mëkat më të vogël sesa mëkatet për të cilat ka ndëshkim të përcaktuar e pastaj i tregon udhëheqësit për të, nuk ka dënim nëse pendohet dhe ka ardhur për të pyetur

Atau thotë: "Pejgamberi ﷺ nuk e ka ndëshkuar personin e tillë (siç përmendet në nënkapitull)." Ibn Xhurejxhi thotë: "Nuk e ka ndëshkuar atë që ka bërë marrëdhënie intime agjërueshëm gjatë Ramazanit e as Omeri nuk e ka ndëshkuar gjahtarin e antilopës, i cili ishte me ihram."

6821. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri kishte bërë marrëdhënie intime me gruan e vet në Ramazan (gjatë ditës). Pasi e pyeti Pejgamberin ﷺ për këtë, ai i tha:
- “A mund të gjesh ndonjë rob (për ta liruar)?”
- Jo, - tha ai.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo, - ia ktheu.
- “Atëherë ushqeji gjashtëdhjetë të varfër!” - i tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6821

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

6822. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Lejthiu transmeton nga Amër ibn Harithi, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Muhamed ibn Xhafer ibn Zubejri, e ky nga Abad ibn Abdullah ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, një burrë vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, u dogja.”
- “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me gruan time në Ramazan (gjatë ditës), - iu përgjigj ai.
- “Jep lëmoshë!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- S'kam, - tha ai.
Kështu, ai ndenji aty për ca çaste, pastaj, një njeri që e ngiste gomarin dhe kishte me vete ca ushqim, erdhi te Pejgamberi ﷺ, - transmetuesi thotë: “Nuk di çfarë ushqimi ishte”, - e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Ku është i djeguri?”
- Ja ku jam, - tha ai.
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Ndonjë më të varfri se unë?! Familja ime s'kanë ushqim, - tha ai.
- “Hajeni ju pra!” - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Transmetimi tjetër ku përmendet shprehja: "Ushqeje familjen tënde me të", është më i qartë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6822

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Kur dikush ia atribuon vetes mëkatin për të cilin ka ndëshkim, por nuk jep detaje, a ka të drejtë prijësi t’ia mbulojë?

6823. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdulkudus ibn Muhamedi më ka thënë: Më ka treguar Amër ibn Asim Kilabiu, e këtij i ka treguar Hemam ibn Jahjai, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njëherë, teksa po rrija te Pejgamberi ﷺ, erdhi një burrë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam bërë një mëkat për të cilin ka ndëshkim, andaj më ndëshko!” Por Pejgamberi ﷺ nuk e pyeti më tepër. Kur erdhi koha e namazit, u fal me Pejgamberin ﷺ. Me të mbaruar namazin, ai iu afrua të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i tha: “Kam bërë një mëkat për të cilin ka ndëshkim, andaj më ndëshko sipas Librit të Allahut!” Pejgamberi ﷺ i tha: “A nuk u fale me ne?!” Ai iu përgjigj: “Po.”

- “Atëherë pra, Allahu ta ka falur mëkatin, - ose ka thënë: ndëshkimin tënd”, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6823

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: A duhet që prijësi ta pyesë atë që e pranon mëkatin: "Ndoshta vetëm e ke prekur, apo e ke ngacmuar?"

6824. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Muhamed Xhufiu më ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky e ka dëgjuar Jala ibn Hakimin, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Maiz ibn Maliku erdhi te Pejgamberi ﷺ, ai i tha: “Ndoshta vetëm e ke puthur, e ke ngacmuar ose e ke shikuar?” Ai iu përgjigj: “Jo, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ e pyeti: “A ke bërë marrëdhënie me të?” Maizi tha: “Ashtu është.” Kështu, Pejgamberi ﷺ urdhëroi që të gurëzohej.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6824

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Prijësi e pyet pohuesin që ka bërë zina: "A je i martuar?"

6825. Nga: Ebu Hurejra

Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Halidi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi dhe Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në xhami, një burrë shkoi dhe i thirri: “O i Dërguari i Allahut! Kam bërë zina”, - duke aluduar në veten e tij. Por, Pejgamberi ﷺ u kthye në anën tjetër. Ai i doli përpara dhe sërish tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam bërë zina!” Por, Pejgamberi ﷺ sërish u kthye në anën tjetër. Personi në fjalë i doli sërish përpara dhe, kur dëshmoi kundër vetes për herë të katërt, Pejgamberi ﷺ iu drejtua: “Mos ke ndonjë sëmundje mendore?”
- Jo, o i Dërguari i Allahut, - iu përgjigj ai.
- “A je i martuar?”
- Po, o i Dërguari i Allahut, - tha ai.
Kështu, Pejgamberi ﷺ tha: “Merreni dhe gurëzojeni atë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6825

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6826. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ibn Shihabi ka thënë: Më ka treguar ai që e ka dëgjuar Xhabirin se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Isha në mesin e atyre që e gurëzuan Maizin. E gurëzuam te namazgjahu. Kur e plagosi guri i parë, ai mori të ikë, derisa e zumë te pllaja, ku dhe e gurëzuam.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6826

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Kur dikush pranon se ka bërë zina

6827. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6827, 6828 - Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka mësuar përmendsh nga goja e Zuhriut, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Teksa po rrinim te Pejgamberi ﷺ, erdhi një burrë dhe i tha: “Po të bëj be në Allahun që të gjykosh mes nesh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij, që kishte dituri më shumë se i pari, u ngrit dhe tha: “Gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut dhe më lejo të flas!”
- “Fol!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Andaj, e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një shërbëtor. Pastaj i pyeta dijetarët, të cilët më thanë se biri im duhet të dënohet me njëqind goditje me kamxhik dhe të dëbohet nga vendi për një vit, kurse gruaja e këtij duhet të gurëzohet, - u përgjigj burri.
Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të gjykoj mes jush sipas Librit të Allahut Lavdiplotë. Sa u përket njëqind deleve dhe shërbëtorit, duhet të të kthehen, kurse biri yt duhet të dënohet me njëqind goditje me kamxhik dhe të dëbohet një vit nga vendi. Shko, o Unejs, te gruaja e këtij dhe, nëse pranon (se ka bërë zina), gurëzoje.”
Unejsi shkoi dhe, pasi ajo pranoi, e gurëzoi.”
Ali ibn Abdullahu thotë: “Sufjanit i thashë se nuk e përmendi pjesën: “(Dijetarët) më treguan se biri im duhej të gurëzohej.” Ai më tha: “Jam në mëdyshje prej Zuhriut, ndoshta e kam thënë, e ndoshta kam heshtur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6827

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

6828. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6827, 6828

Referenca: Sahihu i Buhariut 6828

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

6829. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullahu se Ibn Abasi tregon se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kam frikë se do të vijë një kohë kur njerëzit do të thonë: “Gurëzimin nuk po e gjejmë askund në Librin e Allahut.” Dhe, si pasojë, do të devijojnë duke anashkaluar një obligim të zbritur nga Allahu. S'ka dyshim se dënimi i vetëm meritor për të martuarin që bën zina është gurëzimi; për sa kohë që provat janë ngritur, ose për sa kohë që është shfaqur shtatzënia, ose e ka pranuar fajin.”
Sufjani thotë: “Kështu e kam mbajtur në mend: “Dijeni se Pejgamberi ﷺ e ka zbatuar ndëshkimin me gurëzim, e edhe ne pas tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6829

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Gurëzimi i shtatzënës nga zinaja, kur është e martuar

6830. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë merrja mësim (Kurani) prej disa burrave muhaxhirë, në mesin e të cilëve ishte edhe Abdurrahman ibn Aufi. Një ditë, shkova te vendqëndrimi i tij në Mina, por ai kishte shkuar tek Omer ibn Hatabi. Gjithë kjo ishte në haxhin e fundit të Omerit. Kur u kthye Abdurrahmani, tha: “Sikur të kishe parë sot sesi një burrë erdhi te prijësi i besimtarëve dhe tha: “O prijësi i besimtarëve! Çfarë thua për atë që thotë: “Po qe se Omeri do të vdiste, do t'ia jepja besën filanit, ngaqë, betohem në Allahun se, besatimi i Ebu Bekrit s'ka qenë tjetër veçse një besatim i atypëratyshëm që ka mbetur ashtu.” Omeri u zemërua shumë dhe tha: “Vërtet sonte, në dashtë Allahu, do të dal para njerëzve e do t'ua tërheq vërejtjen atyre që duan t'i fusin hundët në çështjet që nuk u përkasin.”
Abdurrahmani vazhdon: “I thashë: “O prijësi i besimtarëve! Mos e bëj atë, se ky është sezon që i bën bashkë njerëzit e shtresave të ndryshme dhe mendjelehtët; mu këta do të jenë shumica e atyre që do t'i kesh afër kur të flasësh. Kam frikë se do të thuash diçka së cilës do t'i japin kah tjetër ata që janë të prirë për këtë, s'do ta kuptojnë dhe do ta interpretojnë ndryshe, kështu që prit derisa të shkosh në Medinë, sepse atje është vendi i hixhretit dhe Sunetit, do t'u drejtohesh njerëzve fisnikë e që kuptojnë, e në atë rast do ta thuash atë që ke për ta thënë me siguri të plotë dhe njerëzit e dijes do ta kuptojnë e do ta interpretojnë drejt atë.” Omeri tha: “Atëherë, betohem në Allahun se do ta bëj këtë posa të më jepet mundësia e parë kur të arrijmë në Medinë, në dashtë Allahu.”
Ibn Abasi thotë: “Nga fundi i muajit dhul hixhe shkuam në Medinë dhe, kur erdhi dita e premte, unë u nguta për të shkuar më herët, posa dielli filloi të forcohej. Aty e gjeta Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Neufelin, i cili ishte i ulur pranë minberit dhe unë u ula pranë tij, madje i mbështeta gjunjët te gjunjët e tij. Qëndrova aty derisa doli Omer ibn Hatabi. Kur e pashë Omerin që u nis drejt minberit, i thashë Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Neufelit: “Tani ai do të mbajë një fjalim të atillë që nuk ka mbajtur ndonjëherë që kur është në udhëheqje.” Zejdi nuk më besoi dhe më tha: “E prej nga e ditke se ai do të flasë diçka që s'e ka thënë më herët?” Omeri u ul në minber dhe, posa mbaroi muezini, u ngrit dhe e lavdëroi Allahun ashtu siç e meriton Ai e pastaj tha: “E, më pas; Do t'ju mbaj një fjalim që e konsideroj të nevojshëm, ngaqë ndoshta më është afruar vdekja. Andaj, kush e kupton dhe e mban në mend mirë, le ta tregojë atë në cilindo vend që mund ta përshkojë udhëtimi i tij. E, sa i përket atij që ka frikë se nuk e ka kuptuar mirë, nuk ia bëj hallall askujt që të gënjejë për mua. S'ka dyshim se Allahu e ka dërguar Muhamedin ﷺ me të vërtetën, ia ka zbritur Librin dhe prej ajeteve që Allahu ia ka zbritur është edhe ajeti i gurëzimit, të cilin e kemi lexuar, e kemi kuptuar dhe e kemi mbajtur në mend. Pejgamberi ﷺ e ka zbatuar ndëshkimin me gurëzim, e edhe ne pas tij e kemi zbatuar. Kam frikë se njerëzve do t'u vijë një kohë kur ndokush prej tyre do të thotë: “Betohemi në Allahun se gurëzimin nuk po e gjejmë askund në Librin e Allahut"; e kështu ai do të devijojë duke anashkaluar një obligim të zbritur nga Allahu. Gurëzimi gjendet në Librin e Allahut, si dënim i merituar për atë që bën zina duke qenë i martuar, qoftë burrë, qoftë grua, përderisa provat janë ngritur a përderisa është shfaqur shtatzënia, ose e ka pranuar fajin. Gjithashtu, ndër gjërat që i kemi lexuar në Librin e Allahut është: “Mos i mohoni prindërit tuaj, sepse t'i mohoni prindërit tuaj është kufër (mohim i begatisë)”, - ose ka thënë: “Për ju është kufër t'i mohoni prindërit tuaj.”
Pastaj Pejgamberi ﷺ pati thënë: “Mos e teproni duke më lavdëruar ashtu siç u lavdërua Isai, i biri i Merjemes, por thoni: “Rob dhe i Dërguari i Allahut!”
Kam marrë vesh se dikush prej jush ka thënë: “Po qe se Omeri do të vdiste, do t'ia jepja besën filanit!” Prandaj, të mos mashtrohet ndonjëri e të thotë: “Dhënia e besës Ebu Bekrit s'ka qenë tjetër veçse një besatim i atypëratyshëm që ka mbetur ashtu.” Ç'është e vërteta, ajo ka qenë e tillë, porse Allahu na ka ruajtur nga e keqja e saj, ndërkohë asnjëri prej jush nuk ka aso vlere sikurse Ebu Bekri, që njerëzit të tubohen unanimisht rreth tij. Kujtdo që ia jep besën një burri, pa pasur paraprakisht konsultim në mesin e muslimanëve, nuk bën t'i pranohet besatimi, e as atij të cilit ky i fundit ia ka dhënë besën nga frika se mund të vriten që të dy. Kur Allahu ia mori shpirtin të Dërguarit të Tij ﷺ, Ebu Bekri mbeti më i miri prej nesh. Me gjithë faktin se ensarët na kundërshtuan dhe u tubuan të gjithë së bashku te Pushimorja e Fisit Benu Saide, ne, muhaxhirët, përveç Aliut, Zubejrit dhe disave që ishin me ta, u mblodhëm tek Ebu Bekri, të cilit i thashë: “O Ebu Bekër, na u bashkëngjit të shkojmë te vëllezërit tanë ensarë!” U nisëm për të shkuar tek ata dhe, kur u afruam, i takuam dy burra të mirë nga radhët e tyre, të cilët na treguan se për çfarë kishin rënë në ujdi njerëzit. Ata thanë: “Për ku ia keni mësyrë, o muhaxhirë?” Thamë: “Duam t'i takojmë këta vëllezërit tanë ensarë.” Thanë: “Jo, mos iu afroni atyre, por shikoni punët tuaja.” Unë u thashë: “Betohem në Allahun se do të shkojmë tek ata”, - dhe u nisëm derisa iu bashkëngjitëm atyre në Pushimoren e Fisit Benu Saide, në mesin e të cilëve ishte një burrë i mbështjellë. Thashë: “Kush është ky?” Thanë: “Ky është Sad ibn Ubade.” Thashë: “Çfarë ka?” Thanë: “Është i sëmurë.”
Pasi qëndruam pakëz aty, ligjëruesi i tyre filloi me shehadetin, e lavdëroi Allahun ashtu siç e meriton Ai dhe tha: “E, më pas; Ne jemi ndihmëtarët (ensarët) e Allahut dhe batalioni i Islamit, ndërkaq, ju, o muhaxhirë, jeni veç një çetë dhe, përveç kësaj, ju jeni një grup që populli juaj ju ka shpërngulur te ne, të cilët tash duan të na shkëpusin meritën esenciale që na takon e të na privojnë nga udhëheqësia.” Kur mbaroi, desha të flas, ngaqë kisha përgatitur një fjalim që më pat lënë mbresa, andaj desha ta prezantoj atë në prani të Ebu Bekrit, duke dashur të qetësoj një pjesë të hidhërimit që e kishte kapluar ligjëruesin. Kur desha të flas, Ebu Bekri më tha: “Merre shtruar!”, por unë nuk desha ta hidhëroj atë, andaj foli Ebu Bekri, i cili ishte më i matur dhe më i qetë se unë. Betohem në Allahun se nuk la gjë prej atyre gjërave që unë i kisha përgatitur veçse i tha me të njëjtën hijeshi, ose edhe më mirë, derisa heshti.”
Ebu Bekri tha: “Ato mirësi që i përmendët për vetveten, me të vërtetë i meritoni. Mirëpo, çështja e udhëheqësisë nuk do të vijë nga dikush tjetër pos nga kjo pakicë e kurejshëve, sepse ata janë njerëzit më të mirë ndër arabë, qoftë për nga prejardhja, qoftë për nga vendi. Jam i kënaqur që njëri prej këtyre dy burrave të jetë prijës, andaj jepjani besën cilitdo prej këtyre që dëshironi.” Omeri thotë: “Ai na kapi për dore mua dhe Ebu Ubejde ibn Xherrahun, i cili ishte i ulur mes nesh. Deri në atë moment nuk kisha urryer asgjë prej gjërave që kishte thënë, mirëpo, betohem në Allahun se, sikur të më nxirrnin para njerëzve për të ma prerë kokën, gjë e cila të mos ishte mëkat për mua, do të ishte më e dashur sesa të bëhesha prijës i një populli në mesin e të cilëve ndodhej Ebu Bekri. Allahu më faltë, por, (kështu do të ndihesha) vetëm nëse vetja ime do të ma hijeshonte në çastet e vdekjes diçka që s'kam mundësi ta kujtoj tani për tani!”
Njëri nga ensarët tha: “Unë jam më i denji për t'u pyetur rreth kësaj çështjeje, andaj le të jetë një prijës prej nesh dhe një prijës prej jush, o kurejshë!” U shtuan britmat dhe u ngritën zërat, saqë iu frikësova përçarjes, andaj thashë: “Zgjate dorën, o Ebu Bekër!” Ai e zgjati dorën dhe ia dhashë besën, pastaj iu besatuan muhaxhirët, e më pas ia dhanë besën edhe ensarët, ndërsa Sad ibn Ubaden e mundëm. Ndërkohë, njëri prej tyre tha: “E vratë Sad ibn Ubaden!” Thashë: “Allahu është Ai që e vrau Sad ibn Ubaden.” Omeri më vonë tha: “Betohem në Allahun se prej gjithë asaj që diskutuam, nuk gjetëm propozim më të fortë sesa besatimi ndaj Ebu Bekrit dhe u frikësuam se, sikur të ndaheshim prej tyre pa vendosur se kujt do t'ia japim besën, ata do t'i besatoheshin ndonjërit prej burrave të tyre pasi që ne të shkonim, andaj, ose do t'ua jepnim besën atyre për diçka me të cilën nuk ishim të kënaqur, ose do t'i kundërshtonim, rrjedhimisht do të shkaktohej ndonjë trazirë. Andaj, kushdo që i besatohet një burri, pa konsultim paraprak në mesin e muslimanëve, nuk bën që ky njeri të pasohet e as ai të cilit i është dhënë besa, nga frika se mund të vriten që të dy.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6830

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: Të pamartuarit që bëjnë zina, ndëshkohen me goditje kamxhiku dhe dëbim

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Zinaqarin dhe zinaqaren, secilin prej tyre ndëshkoni me nga njëqind goditje kamxhiku, dhe mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve në zbatimin e dispozitave të Allahut, nëse jeni që besoni Allahun dhe botën tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.” (Nur, 2) Ibn Ujejne, në lidhje me zemërbutësinë e përmendur në ajetin e mësipërm, thotë: "Fjala është për dhembshurinë gjatë zbatimit të ndëshkimeve të përcaktuara."

6831. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu

Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulazizi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke urdhëruar që zinaqari i pamartuar të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe të dëbohet për një vit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6831

Fjalë të panjohura?

6832. Nga: Urve ibn Zubejri

Ibn Shihabi ka thënë Urve ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi e ka zbatuar ndëshkimin me dëbim nga vendi, sunet ky që ka vazhduar edhe pas tij.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6832

Fjalë të panjohura?

6833. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, për çështjen e zinaqarit të pamartuar, ka gjykuar që të dënohet me dëbim nga vendi për një vit dhe me zbatimin e ndëshkimit të përcaktuar.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6833

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: Dëbimi nga vendi i mëkatarëve dhe tipave femërorë nga meshkujt

.

6834. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i ka mallkuar tipat femërorë nga meshkujt e tipat mashkullorë nga femrat, dhe ka thënë: “Dëboni ata nga shtëpitë tuaja!” Kështu, ai kishte dëbuar një person, e edhe Omeri kishte dëbuar një person.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6834

Fjalë të panjohura?

34. Nënkapitulli: Kur dikush urdhërohet për ta zbatuar ndëshkimin në vend të prijësit, pa praninë e tij

6835. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6835, 6836 - Asim ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Teksa Pejgamberi ﷺ po rrinte, erdhi një beduin dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, gjyko mes nesh me Librin e Allahut!” Hasmi i tij u ngrit dhe tha: “Mirë e ka, gjyko mes nesh me Librin e Allahut, o i Dërguari i Allahut!” Beduini vazhdoi: “Djali im ishte argat te ky dhe bëri zina me gruan e tij.” Më thanë: “Biri yt duhet të dënohet me gurëzim.” Por, unë e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një shërbëtore. Më pas, i pyeta dijetarët, e ata më thanë: “Biri yt duhet të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe të dëbohet për një vit.”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im se, do të gjykoj mes jush me Librin e Allahut. Sa u përket deleve dhe shërbëtores, duhet të të kthehen, kurse djali yt duhet të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe dëbim nga vendi për një vit. Ndërkaq, ti, o Unejs, shko te gruaja e këtij dhe gurëzoje.” Unejsi shkoi dhe e gurëzoi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6835

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

6836. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6835, 6836

Referenca: Sahihu i Buhariut 6836

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

35. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: "Cilido nga ju, që nuk mund të martohet me gra të lira besimtare, për shkaqe të vështira materiale, le të martohet me një vajzë besimtare që gjendet nën pushtetin tuaj (robëreshë) – E Allahu e di më së miri besimin tuaj, - se ju (të lirët dhe robërit) i përkisni të njëjtit besim. Kurorëzoni ato (robëreshat) me lejen e pronarëve të tyre. Jepuani atyre mehrin si është e zakonshme, duke qenë ato gra të ndershme e jo të pandershme (zinaqare), e as nga ato që jetojnë (çojnë dashuri) me dashnor. Nëse ato, si të kurorëzura bëjnë zina, dënimi i tyre është përgjysmë me dënimin e grave të lira. Kjo martesë (me robëresha) është për ata nga ju, që kanë frikë se do të bëjnë gabim (zina). E, nëse abstenoni (përmbaheni), kjo është edhe më mirë! Allahu është Falës dhe Mëshirues."

Nënkapitulli: Robëresha që bën zina

6837. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6837, 6838 - Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se Pejgamberi ﷺ u pyet rreth robëreshës së pamartuar që bën zina, e në atë rast tha: “Nëse bën zina, zbatojani dënimin. Nëse bën sërish, zbatojani dënimin. E, nëse bën zina sërish, shiteni, qoftë dhe për një litar.”
Ibn Shihabi thotë: “Nuk e di a pas herës së tretë apo pas së katërtës (ka thënë që ajo të shitet).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6837

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

6838. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6837, 6838

Referenca: Sahihu i Buhariut 6838

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

36. Nënkapitulli: Robëresha nuk qortohet kur bën zina dhe nuk dëbohet

6839. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seid Makburiu, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse robëresha bën zina dhe del në shesh zinaja e saj, zbatojani dënimin dhe mos e qortoni. Nëse prapë bën zina, zbatojani dënimin dhe mos e qortoni. E, nëse bën zina edhe për të tretën herë, atëherë shiteni, qoftë dhe për një litar floku.”

Transmetimin e Lejthit e ka fuqizuar Ismail ibn Umeje nga Seidi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6839

Fjalë të panjohura?

37. Nënkapitulli: Dispozitat që kanë të bëjnë me dhimiun rreth çështjes së zinasë, si dhe a merret parasysh se a është i martuar, pasi çështja e tij të jetë ngritur te prijësi musliman

6840. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi se Shejbaniu tregon se e pyeti Abdullah ibn Ebu Eufain (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për çështjen e gurëzimit, i cili iu përgjigj: “Pejgamberi ﷺ e ka zbatuar gurëzimin.”

- Para se të zbriste surja Nur apo pas? - e pyeta.

- Nuk e di, - më tha Abdullahu.

Transmetimin e Abdulvahidit e kanë fuqizuar Ali ibn Mus'hiri, Halid ibn Abdullahu, Muharibi dhe Abide ibn Humejdi, nga Shejbaniu. Disa kanë thënë: “Surja Maide”, porse transmetimi i parë është më i saktë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6840

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6841. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë hebrenjtë erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i treguan se një burrë nga mesi i tyre kishte bërë zina me një grua. Pejgamberi ﷺ u tha: “Çfarë keni në Tevrat rreth çështjes së gurëzimit?” Ata u përgjigjën: “T'i poshtërojmë dhe t'i dënojmë me goditje kamxhiku.” Por, Abdullah ibn Selami u tha: “Po gënjeni! Aty përmendet gurëzimi.” Kështu, ata e morën Tevratin dhe e hapën. Njëri e vendosi dorën mbi citatin e gurëzimit dhe i lexoi citatet para dhe pas tij. Abdullah ibn Selami i tha: “Largoje dorën!” Me ta larguar dorën, u shfaq citati i gurëzimit. Ata thanë: “Ky e tha të vërtetën, o Muhamed! Aty qenka citati i gurëzimit.” Rrjedhimisht, Pejgamberi ﷺ urdhëroi të gurëzohen. Abdullahu thotë: “E pashë burrin (që gurëzohej) duke u shtrirë mbi femrën për ta mbrojtur nga gurët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6841

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

38. Nënkapitulli: Nëse dikush e akuzon gruan e tij ose gruan e tjetërkujt për zina, para gjykatësit a para të tjerëve, a është detyrë e gjykatësit që ta thërrasë gruan për ta pyetur për atë që është akuzuar?

6842. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6842, 6843 - Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Dy persona kërkuan gjykim tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e në atë rast njëri prej tyre tha: “Gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut!” Ndërkaq, tjetri, i cili kishte dituri më shumë sesa i pari, tha: “Po, o i Dërguari i Allahut, gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut dhe më lejo të flas!”
- “Fol!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim. Andaj, e shpagova djalin tim me dyqind dele dhe një robëreshë timen. Pastaj i pyeta dijetarët, e ata më thanë se biri im duhet të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe të dëbohet për një vit, ndërsa gruaja e këtij duhet të gurëzohet, - tha beduini.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im se do të gjykoj mes jush sipas Librit të Allahut. Sa u përket deleve dhe robëreshës sate, duhet të të kthehen.” Pas kësaj, ai e ndëshkoi të birin e tij me njëqind goditje kamxhiku dhe e dëboi për një vit. Pastaj e urdhëroi Unejs Eslemiun të shkojë te gruaja e tjetrit dhe i tha: “Nëse pranon (se ka bërë zina), gurëzoje!” Ajo pranoi, andaj ky e gurëzoi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6842

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

6843. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6842, 6843

Referenca: Sahihu i Buhariut 6843

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

39. Nënkapitulli: Kur dikush merr masa disiplinore ndaj familjes ose dikujt tjetër, pa shkuar te prijësi

Ebu Seidi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush provon të kalojë përpara atij që është duke u falur, ky le ta luftojë.” Ebu Seidi e ka praktikuar vetë këtë.

6844. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Ebu Bekri vajti te Pejgamberi ﷺ, i cili kishte vënë kokën në prehrin tim (duke fjetur) dhe më tha: “E vonove Pejgamberin ﷺ dhe gjithë njerëzit, në një kohë kur ata mbetën pa ujë (për abdes).” Më qortoi dhe filloi të më shpojë me dorën e tij në ijë, por unë, duke mos dashur që Pejgamberi ﷺ ta largojë kokën nga prehri im, nuk lëviza. Ndërkohë, Allahu e shpalli ajetin e tejemumit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6844

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

6845. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Ebu Bekri erdhi tek unë, më mëshoi fort dhe më tha: “I vonove të gjithë njerëzit për një gjerdan!” Ndërkohë, mua, edhe pse ndjeja dhimbje, sa s'më kaploi vdekja nga frika se mos po e lëviz Pejgamberin ﷺ (që flinte në prehrin tim).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6845

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?