94. Dëshirat
1. Nënkapitulli: Citatet që kanë ardhur në lidhje me dëshirat, si dhe ai që e dëshiron shehidllëkun
7226. Nga: Ebu Hurejra
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Halidi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se, sikur të mos ishin disa burra, të cilët nuk pranojnë të mbeten mbrapa dhe, në të njëjtën kohë, nuk kam mundësi me se t'i marr me vete, nuk do të lija (asnjë ekspeditë) pa marrë pjesë. Do të dëshiroja të vritesha në rrugën Allahut, pastaj të ringjallesha, pastaj të vritesha sërish dhe të ringjallesha, pastaj të vritesha sërish dhe të ringjallesha e pastaj të vritesha.”
7227. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të dëshiroja të luftoja në rrugën e Allahut dhe të vritesha, pastaj të ringjallesha, pastaj të vritesha sërish dhe të ringjallesha, pastaj të vritesha sërish dhe të ringjallesha e pastaj të vritesha sërish dhe të ringjallesha.”
Ebu Hurejra e thoshte këtë tri herë, duke dëshmuar në Allahun (se Pejgamberi ﷺ e ka thënë këtë).
2. Nënkapitulli: Dëshirimi i së mirës
Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Sikur të posedoja ar sa Uhudi...”
7228. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Edhe sikur të posedoja ar sa Uhudi, nuk do të dëshiroja të më mbetej qoftë dhe një dinar prej tij më shumë se tri ditë, përveç aq sa për të kthyer borxhin e të gjej dikë që e pranon.”
3. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Sikur të mund të kthehesha mbrapa, nuk do të...”
7229. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të mund të kthehesha mbrapa, nuk do ta merrja kurbanin me vete, porse do të lirohesha prej ihramit kur u liruan njerëzit.”
7230. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Hasen ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Jezidi, e ky nga Habibi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Hymë në ihram për haxh me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe në Mekë arritëm pas ditës së katërt të muajit dhul hixhe. Pejgamberi ﷺ na urdhëroi të bëjmë tavaf rreth Qabesë dhe të ecim mes Safasë dhe Mervës. Kështu, këtë ta llogarisnim umre dhe të lirohemi (prej ihramit), përveç atij që ka kurbanin me vete. Asnjëri prej nesh nuk kishte me vete kurban, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait. Më vonë, Aliu erdhi prej Jemenit, i cili kurbanet i kishte me vete dhe tha: “Unë kam hyrë në ihram, siç ka hyrë i Dërguari i Allahut ﷺ.”
Të pranishmit thanë: “Të nisemi për në Mina, ndërkohë kemi bërë marrëdhënie me gratë?!” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Sikur të mund të kthehesha mbrapa, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramit).”
Suraka e takoi Pejgamberin ﷺ në xhemrën Akabe, teksa i hidhte guralecët dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, a vlen kjo vetëm për ne në veçanti (shndërrimi i haxhit kiran në temetu apo kryerja e umrës në muajt e haxhit)?”
- “Jo, por përgjithmonë”, - tha ai.
Ndërkohë, Aishen, e cila në Mekë kishte arritur duke qenë në periudhën menstruale, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi t'i kryejë të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë dhe namazit, derisa të pastrohet. Kur shkuan në Bat'ha, Aishja tha: “O i Dërguari i Allahut!, a po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh?” Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahmanin, të birin e Ebu Bekër Sidikut, për ta çuar atë në Tenëim. Pra, ajo bëri umre në muajin dhul hixhe, pas haxhit.”
4. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Sikur të ishte kështu e kështu.”
7231. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Amir ibn Rebia se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, Pejgamberi ﷺ nuk mund të flinte, andaj tha: “Ah, sikur të më ruante sonte ndonjë burrë i mirë prej shokëve të mi.” Kur ja, papritmas dëgjuam tringëllimën e armëve dhe Pejgamberi ﷺ pyeti: “Kush është?” U përgjigj: “Jam Sadi, o i Dërguari i Allahut, erdha të të ruaj!” Kështu, Pejgamberi ﷺ fjeti qetë, saqë dëgjohej duke gërhitur.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) shton: “Aishja tregon se Bilali thoshte:
"A thua vallë, do të buj ndonjë natë,
Në luginën me idhhir e xhelil";
gjë të cilën ia tregova Pejgamberit ﷺ.”
5. Nënkapitulli: Dëshirimi i Kuranit dhe diturisë
7232. Nga: Ebu Hurejra
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zilia është e ndaluar, përveç në dy raste:
1. Ndaj personit që Allahu ia ka mundësuar të mësojë Kuranin dhe ai e lexon atë natë e ditë, kështu, njeriu thotë: “Po të më mundësohej edhe mua njëjtë sikurse filanit, do të veproja siç vepron ai!”
2. Ndaj personit që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon në mirësi, kështu, njeriu thotë: “Po të më jepej edhe mua sikurse filanit, do të veproja siç vepron ai!”
Po ashtu Kutejbe na ka thënë: “Këtë na ka treguar Xheriri.”
6. Nënkapitulli: Dëshirat e ndaluara
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Nisa, 32)
7233. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasen ibn Rebiu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Asimi, e ky nga Nadër ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Sikur të mos kisha dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Mos e kërkoni vdekjen”, do ta kërkoja.”
7234. Nga: Habab ibn Ereti
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abde, e ky nga ibn Ebu Halidi se Kajs ibn Ebu Hazimi tregon: “Shkuam te Habab ibn Ereti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ta vizituar, teksa ishte i sëmurë, ndërkaq ai ishte mjekuar me kauterizim shtatë herë, e në atë rast tha: “Sikur i Dërguari i Allahut ﷺ të mos na kishte ndaluar ta kërkojmë vdekjen, unë do të lutesha që të vdes.”
7235. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Ubejd Sad ibn Ubejdi, i çrobëruari i Abdurrahman ibn Ez'herit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush të mos e dëshirojë vdekjen, sepse, po qe bamirës, ndoshta shton vepra të mira, e, po qe punëkeq, ndoshta pendohet.”
7. Nënkapitulli: Fjala e dikujt: "Sikur të mos ishte Allahu, nuk do të udhëzoheshim."
7236. Nga: Bera ibn Azibi
Abdani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hendekut, Pejgamberi ﷺ bartte dhé me ne, saqë e pashë se dheu ia kishte mbuluar të bardhët e barkut dhe recitonte:
“Pa Ty (O Allah) ne nuk do të udhëzoheshim,
As do të jepnim lëmoshë e as do të faleshim.
Zbrite qetësinë ndër ne!
Armiqtë po na bezdisin dhe po na sulmojnë,
Kur ata kërkojnë trazira, ne refuzojmë.”
Dhe, kur arrinte te fjalët e fundit “ne refuzojmë”, e ngrinte zërin.”
8. Nënkapitulli: Dëshira për tu përballur me armikun është e ndaluar
Këtë e transmeton edhe Arexhi nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
7237. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Muavi ibn Amri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku, e ky nga Musa ibn Ukbe se Salim Ebu Nadri, i çrobëruari dhe qatipi i Omer ibn Ubejdullahut, tregon: “Abdullah ibn Ebu Eufai i shkroi (një letër) Omer ibn Ubejdullahut, të cilën e lexova, ku shkruante se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e dëshironi përballjen me armikun, por kërkoni prej Allahut paqen.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7237
Fjalë të panjohura?
9. Nënkapitulli: Në cilin rast shprehja “sikur” është e lejuar
Allahu i Madhëruar i rrëfen fjalët e Lutit ﷺ në librin e Tij: “Sikur të kisha fuqi kundër jush...” (Hud, 80)
7238. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi: Njëherë Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përmendi mallkimin e ndërsjellë mes bashkëshortëve, e në atë rast Abdullah ibn Shedadi tha: “A ka qenë ajo për të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ pati thënë: “Sikur të gurëzoja ndonjë grua pa fakte, (do ta gurëzoja atë).”?”
- Jo. Ajo ka qenë një grua që e shfaqte haptas zinanë, - tha Ibn Abasi.
7239. Nga: Abdullah ibn Abasi
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri se Atai tregon: “Një natë, Pejgamberi ﷺ e vonoi namazin e jacisë, e atëherë Omeri doli dhe tha: “Namazi, o i Dërguari i Allahut! Gratë dhe fëmijët janë kotur.”
Kështu, Pejgamberi ﷺ doli, teksa koka i pikonte ujë dhe tha: “Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, - ose ka thënë: për njerëzit, - e edhe Sufjani e ka transmetuar shprehjen: për umetin tim, - do t'i urdhëroja ta falnin (jacinë) në këtë kohë.”
Ibn Xhurejxhi transmeton nga Atai, e ky nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Një natë, Pejgamberi ﷺ e vonoi këtë namaz (jacinë), andaj Omeri erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, gratë dhe fëmijët janë kotur. Kështu, Pejgamberi ﷺ doli, teksa ujin e fshinte prej anës së tij dhe tha: “Kjo është koha e saj (më e preferuar), sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim.”
ِAmri ka thënë: “Na ka treguar Atai, në zinxhirin e të cilit nuk ndodhet Ibn Abasi, se: “Sa i përket Amrit, ka thënë: “Koka i pikonte ujë”, kurse Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Ujin e fshinte prej anës së tij.” Po ashtu, Amri e ka transmetuar: “... sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim.” Ndërkaq, Ibn Xhurejxhi e ka transmetuar: “Kjo është koha e saj (më e preferuar), sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim.” Ibrahim ibn Mundhiri ka thënë: “Na ka treguar Mani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Muslimi nga Amri, e ky nga Atai, e ky nga Ibn Abasi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”
7240. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, do t'i urdhëroja ta përdorin misvakun (për çdo namaz).”
7241. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ajash ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulala, e këtij i ka treguar Humejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i lidhi ditët e agjërimit (pa iftar dhe pa syfyr) në fund të muajit Ramazan. Ashtu vepruan edhe disa njerëz. Me të marrë vesh për këtë, Pejgamberi ﷺ tha: “Sikur muaji të zgjaste më shumë, do t'i lidhja ditët, derisa shtrënguesit (e fesë) ta lënë shtrëngimin e tyre. Unë nuk jam sikurse ju, sepse Zoti im më ushqen me ngrënie e pije.”
Transmetimin e Humejdit e fuqizon Sulejman ibn Mugira nga Thabiti, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
7242. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu; [t]: Lejthiu na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Halidi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e pati ndaluar lidhjen e ditëve të agjërimit (pa iftar dhe pa syfyr), dikush e pyeti: “Por ti po i lidh!” Ai ia ktheu: “Po cili prej jush është si unë? Zoti im, gjatë natës, më ushqen me ngrënie e pije.” E, kur ata refuzuan të ndaleshin, Pejgamberi ﷺ e lidhi agjërimin edhe një ditë, më pas edhe një tjetër, e pastaj e panë hënën e re, e në atë rast tha: “Sikur të vonohej, do t'jua shtoja” - si ndëshkim për ta (pasi refuzuan të ndaleshin).”
7243. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e këtij i ka treguar Eshathi, e ky nga Esved ibn Jezidi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ për murin (që gjendet afër Qabesë): “A është pjesë e Qabesë?” Ai më tha:
- “Po.”
- Vallë, përse nuk e kanë ngjitur me Qabenë? - e pyeta.
- “A nuk e di se populli yt nuk kishte pasuri të mjaftueshme (për ta ndërtuar)?”
- Po dera, vallë, përse është e ngritur?
- “Kështu e kanë vendosur populli yt, që të fusin në Qabe kë të duan dhe të ndalojnë kë të duan. Sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e injorancës dhe sikur të mos kisha frikë se zemrat e tyre do ta refuzonin, murin (harkor) do ta përfshija në Qabe dhe derën do ta vija në nivel me tokën.”
7244. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të bëhesha nga ensarët. Sikur njerëzit të shkonin nga një luginë dhe ensarët të shkonin nga një luginë, - ose ka thënë: grykë, - do të shkoja luginës, - ose ka thënë: grykës, - së ensarëve.”
7245. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Amër ibn Jahjai, e ky nga Abad ibn Temimi se Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të bëhesha nga ensarët. Sikur njerëzit të shkonin nga një luginë ose një grykë, do të shkoja luginës dhe grykës së ensarëve.”
Këtë transmetim e fuqizon edhe Ebu Tejahu nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ, në lidhje me grykën.