Sahihu i Buhariut — Hadithi 1354
79. Nënkapitulli: A i falet xhenazja fëmijës që vdes pasi e ka pranuar Islamin, si dhe a i parashtrohet Islami fëmijës?
Haseni, Shurejhu, Ibrahimi dhe Katadja kanë thënë: "Kur ndonjëri prej prindërve bëhet musliman, fëmija shkon me prindin musliman." Ibn Abasi qëndronte me nënën e vet (muslimane) në mesin e të shtypurve (në Mekë), e nuk qëndronte me babanë e tij, i cili ishte në fenë e popullit të vet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Islami mbizotëron e nuk mbizotërohet.”
1354. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Ibn Omeri tregon se Omeri dhe disa sahabë të tjerë (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) shkuan me Pejgamberin ﷺ tek Ibn Sajadi (që dyshonin se ishte Dexhalli), të cilin e gjetën duke luajtur me fëmijë, te kulla e fisit benu megale. Atëkohë, Ibn Sajadi ishte afër pubertetit. Nuk e vuri re aspak Pejgamberin ﷺ, derisa e goditi me dorë dhe i tha: “A dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut?” Ibn Sajadi e shikoi dhe tha: “Dëshmoj se ti je i dërguari i analfabetëve (arabëve).” Pastaj iu drejtua të Dërguarit të Allahut ﷺ duke i thënë: “Po ti, a dëshmon për mua se jam i dërguar i Allahut?”
Pejgamberi ﷺ hoqi dorë nga ai dhe tha: “Unë besoj në Allahun dhe në të dërguarit e Tij.” Pastaj e pyeti: “Çfarë po sheh (se po të paraqitet)?”
- Më paraqitet një i vërtetë dhe një gënjeshtar, - iu përgjigj ai.
- “Të është përzier çështja”, - i tha Pejgamberi ﷺ, pastaj vazhdoi: - “Të kam fshehur diçka (në veten time për të të thënë). E di ç'është ajo?”
- Ty..., - tha ai (deshi ta thekson fjalën 'tym' por nuk mundi ta përfundojë deri në fund).
- “Ik që këtej, se është përtej mundësive tua”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, më lejo t'ia heq kokën, - iu drejtua Omeri.
- “Nëse me të vërtetë është ai (Dexhalli), nuk do të kesh mundësi ta mbysësh, e, nëse nuk është ai, nuk ke dobi nga vrasja e tij”, - i tha Pejgamberi ﷺ Omerit.