Sahihu i Buhariut — Hadithi 1355

79. Nënkapitulli: A i falet xhenazja fëmijës që vdes pasi e ka pranuar Islamin, si dhe a i parashtrohet Islami fëmijës?

Haseni, Shurejhu, Ibrahimi dhe Katadja kanë thënë: "Kur ndonjëri prej prindërve bëhet musliman, fëmija shkon me prindin musliman." Ibn Abasi qëndronte me nënën e vet (muslimane) në mesin e të shtypurve (në Mekë), e nuk qëndronte me babanë e tij, i cili ishte në fenë e popullit të vet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Islami mbizotëron e nuk mbizotërohet.”

1355. Nga: Abdullah ibn Omeri

Salimi ka thënë: Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pas një kohe, i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ubej ibn Kabi shkuan te palmat, ku qëndronte Ibn Sajadi. Pejgamberi ﷺ afrohej tinëz dhe përpiqej ta zë në befasi Ibn Sajadin që të dëgjonte diçka prej tij, para se ai ta hetonte. Pejgamberi ﷺ e zuri të shtrirë, në një shtrojë kadifeje, duke pëshpëritur diçka, ose duke bërë shenjë (me duart e tij). Nëna e Ibn Sajadit e pa të Dërguarin e Allahut ﷺ duke u fshehur pas trungjeve të palmave, e në atë rast i thirri Ibn Sajadit: “O Safi (ky ishte emri i Ibn Sajadit)! Ka ardhur Muhamedi.” Ibn Sajadi brofi në këmbë. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Sikur ta linte, do të qartësohej (çështja e tij).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1355

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?