Sahihu i Buhariut — Hadithi 1362

82. Nënkapitulli: Këshillimi (i njerëzve) tek varri dhe ulja e të pranishmëve përreth ligjëruesit

Ajeti: “... do të dalin nga varret...” (Mearixh, 43), Fjala ﴾الأَجْدَاثُ﴿ (el exhdathu) e ka kuptimin: “varret”. “... (dhe kur varret të) rrotullohen (trazohen)...” (Infitar, 4), Fjala ﴾بُعْثِرَتْ﴿ (buthirat) domethënë: “trazohen”, (ndërsa vjen edhe në kuptimin e rrotullimit dhe përmbysjes së diçkaje, argument për këtë eshtë shprehja) بَعْثَرْتُ حَوْضِي (bathertu havdi) (e kam përmbysur vaskën dhe govatën time) kur ta përmbys atë duke e kthyer pjesën e poshtme në të sipërme. Fjala الإِيفَاضُ (el Ifadu) (në ajetin إِلَىٰ نُصُبٍ يُوفِضُونَ (Mearixh, 43), e ka kuptimin e shpejtimit dhe nxitimit (për diçka), ndërsa Ameshi e ka lexuar fjalën ﴾نُصُبٍ﴿ (nusubin) kështu: “nasbin” (i cili e ka kuptimin: nishan, shenjë e vendosur në rrugë që shërben si orientim), e domethënia e kësaj është se (të vdekurit dalin nga varrezat), sikur të jenë duke bërë gara për ta arritur nishanin. Shprehja: ﴾يَوْمُ الْخُرُوجِ﴿ (jevmul huruxh) (Kaf, 42), e ka kuptimin: “dita e daljes” prej varrezave, ndërsa fjala: ﴾يَنْسِلُونَ﴿ (jensilune) (Jasin, 51) e ka kuptimin: “dalin”.

1362. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Othmani na ka thënë: Më ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahmani se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim të pranishëm në një xhenaze në varrezat e Bekië Garkad, ku erdhi edhe Pejgamberi ﷺ dhe u ul, e ne u ulëm përreth tij.” Ai uli kokën dhe, me një shkop shpupurishte tokën, pastaj tha: “Secilit prej jush, madje çdo shpirti të krijuar, i është caktuar vendi i vet: në Xhenet ose në Zjarr; si dhe i është caktuar nëse do të jetë fatkeq ose fatlum.” Dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut, atëherë pra, a t'i mbështetemi caktimit e t'i lëmë veprat?” Kështu që, ai që është nga fatlumët, do të punojë veprat e fatlumëve, kurse ai që është nga fatkeqët, do të punojë veprat e fatkeqëve.”

Ai u përgjigj: “Fatlumëve do t'u lehtësohen veprat e lumturisë, kurse fatkeqëve do t'u lehtësohen veprat e fatkeqësisë.” Pastaj citoi ajetet: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më së bukurës (besimit), Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.” (Lejl, 5-7)

Referenca: Sahihu i Buhariut 1362

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?