Sahihu i Buhariut — Hadithi 240

69. Nënkapitulli: Nëse ndonjë ndyrësirë ose ngordhësirë hidhet në shpinën e atij që falet, kjo nuk ia prish namazin

Kur Ibn Omeri‎ në rrobën e vet vërente gjak duke qenë në namaz, e mënjanonte atë dhe e vazhdonte namazin. Ibn Musejebi dhe Shabiu kanë thënë: "Kur dikush falet, ndërkohë në rrobë ka gjak ose pika të spermës ose falet jo në drejtim të kiblës ose pasi të marrë tejemum gjendet uji brenda kohës së namazit, atëherë nuk e përsërit atë (namazin)."

240. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Abdani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni, e ky nga Abdullahu se, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në sexhde. [t]: Ahmed ibn Othmani na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku, e këtij i ka treguar Amër ibn Mejmuni se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ po falej në Qabe, Ebu Xhehli e disa shokë të tij, që ishin në një ndejë, i thanë njëri-tjetrit: “Kush guxon të sjellë zorrët e devesë së filan fisit dhe t'ia hedhë mbi shpinë Muhamedit kur ai të bjerë në sexhde?” U ngrit më i keqi prej tyre, shkoi e gjeti diçka të tillë dhe priti derisa Pejgamberi ﷺ të binte në sexhde, e në atë rast ia hodhi ato mbi shpinë, mes dy shpatullave. Unë po e shikoja tërë ngjarjen, por nuk mund të ndërmerrja asgjë. Ah, sikur të kisha krahun (e ndokujt që t'i pengoja)! Filluan të qeshnin dhe t'i hidheshin njëri-tjetrit në shpinë (nga të qeshurit e shumtë), kurse i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte në sexhde pa e ngritur kokën, derisa vajti Fatimja dhe ia largoi nga shpina. Pasi e ngriti kokën, Pejgamberi ﷺ u lut tri herë me këto fjalë: “O Allah, shkatërroji këta kurejshë!” Kjo lutje i shqetësoi ata, sepse ishin të bindur se në këtë vend (Mekë) duaja pranohet. Pastaj i përmendi edhe me emra: “O Allah, shkatërroje Ebu Xhehlin, shkatërroje Utbe ibn Rabian, Shejbe ibn Rabian, Velid ibn Utben, Umeje ibn Halefin dhe Ukbe ibn Ebu Muajtin!” E përmendi edhe të shtatin, por nuk më kujtohet emri i tij. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se të gjithë këta të cilëve i Dërguari i Allahut ﷺ ua përmendi emrat, i kam parë të vrarë në pus, në Pusin e Bedrit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 240

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?