4. Abdesi

1. Nënkapitulli: Citatet rreth abdesit

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat dhe duart tuaja deri në bërryla; jepni mes'h kokave dhe këmbët lani deri në nyja...” (Maide, 6) Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: "Pejgamberi ﷺ ka shpjeguar se është obligim që, gjatë abdesit, gjymtyrët të lahen nga një herë. Po ashtu, ai i ka larë ato edhe nga dy-tri herë, por jo më shumë se tri sosh. Dijetarët urrenin të shpenzohej ujë i tepërt pa nevojë dhe të shtonin diçka në praktikën e Pejgamberit ﷺ."

2. Nënkapitulli: Namazi nuk pranohet pa abdes

135. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Ibrahim Handhaliu na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk pranohet namazi i atij që e prish abdesin, derisa të marrë sërish.”

Një burrë nga Hadramevti pyeti: “E si prishet abdesi, o Ebu Hurejre?”

Ebu Hurejra tha: “Duke liruar ndonjë gaz (me ose pa zë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 135

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Vlera e abdesit dhe ndriçimi i gjymtyrëve nga gjurmët e tij

136. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Halidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali se Nuajm Muxhmiri tregon: “Së bashku me Ebu Hurejrën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) hipëm mbi xhami.” Ai mori abdes dhe tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Ditën e Kiametit umeti im do të paraqitet me ballë dhe gjymtyrë të shndritura nga gjurmët e abdesit. Andaj, kushdo që mund ta rritë shndritjen, le ta bëjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 136

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Nuk rimerret abdes për shkak të dyshimit (se mos e kemi prishur), derisa të bindemi (se e kemi prishur)

137. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu

Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Abad ibn Temimi se xhaxhai i tij Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu ankua të Dërguarit të Allahut ﷺ se çfarë duhet të veprojë personi me dyshimin që i ndodh gjatë namazit, nëse e ka prishur ose jo abdesin. Ai tha: “Të mos largohet (nga namazi), pa dëgjuar zë ose pa ndier erë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 137

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: (Lejimi i) marrjes së abdesit shpejt (lehtë dhe duke u mjaftuar me larjene gjymtyrëve vetëm njëherë)

138. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ fjeti derisa filloi të gërhiste, e pastaj u ngrit për t'u falur, - ose ndoshta ka thënë: “U shtri derisa filloi të gërhiste, - pastaj u ngrit për t'u falur.”

Po ashtu këtë na ka treguar Sufjani disa herë, e ky nga Amri, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi thotë: “Një natë bujta te tezja ime, Mejmunia dhe, gjatë natës, Pejgamberi ﷺ fali namaz. Dikur vonë, u ngrit dhe mori abdes lehtë nga një shakull i varur, - Amri herë ka thënë: lehtë, e herë ka thënë: duke përdorur pak ujë (dhe duke u mjafuar me larjen gjymtyrëve vetëm një herë), - dhe filloi të falej. Njëjtë veprova edhe unë e iu bashkëngjita për t'u falur në anën e tij të majtë, por ai më qiti në të djathtë të tij dhe vazhdoi të falej, aq sa deshi Allahu. Pastaj u shtri për të fjetur, madje filloi të gërhiste. Pastaj erdhi muezini dhe e vuri në dijeni për faljen e namazit, u ngrit dhe shkoi për në namazin e sabahut, pa rimarrë abdes.”

I thamë Amrit: “Njerëzit po thonë se të Dërguarit të Allahut ﷺ i flenë sytë, por jo zemra.”

Amri tha: “E kam dëgjuar Ubejd ibn Umejrin duke thënë: “Ëndrrat e të dërguarve janë shpallje dhe e lexoi ajetin: “O biri im, kam parë në ëndërr se duhet të të ther!” (Safat, 102)"

Referenca: Sahihu i Buhariut 138

Hadithe të ngjashme: Shiko (18)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Përsosja e abdesit

Ibn Omeri ka thënë: "Përsosja e abdesit arrihet me pastrim të mirëfilltë."

139. Nga: Usame ibn Zejdi

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u largua prej Arafatit derisa arriti te qafëmali, tek u ndal dhe urinoi, pastaj mori abdes shkarazi.” I thashë: “Namazin, o i Dërguari i Allahut!” Ai tha: “Namazin do ta falim më tutje.” Kështu, hipi mbi kafshë e udhëtoi, derisa arriti në Muzdelife, ku zbriti, mori abdes duke e përsosur atë. Pasi u thirr ikameti për namaz, e fali namazin e akshamit dhe çdonjëri e pushoi devenë afër tendës së vet. Pas kësaj u thirr ikameti sërish dhe e fali jacinë, e nuk fali asgjë mes tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 139

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Larja e fytyrës me dy duar, por me një grusht ujë

140. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Seleme Huzai Mensur ibn Seleme, e këtij i ka rrëfyer Sulejman Ibn Bilali, e ky nga Zejd ibn Eslemi se Ata ibn Jesari tregon se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) mori abdes (ku fillimisht) lau fytyrën, pastaj me një grusht të mbushur me ujë shpëlau gojën dhe hundën. Pastaj mori një grusht tjetër ujë, i bëri dy duart bashkë dhe ashtu e lau fytyrën. Mori një grusht ujë dhe e lau dorën e djathtë, pastaj me ujë tjetër lau dorën e majtë. I dha mes'h kokës, pastaj mbushi një grusht me ujë dhe e derdhi në këmbën e djathtë, derisa e lau, e me një grusht tjetër e lau të majtën. Pasi e kreu, tha: “Kështu e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke marrë abdes.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 140

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Të thënët ‘bismilah’ në fillim të çdo veprimi, madje edhe para intimitetit bashkëshortor

141. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush prej jush i afrohet bashkëshortes së vet (për intimitet) dhe thotë: “Bismilah, Allahume xhenibna shejtane ve xhenibi shejtane ma razaktena (Me emrin e Allahut. O Allah, largoje shejtanin prej nesh dhe largoje prej pasardhësit tonë), nëse u është caktuar të begatohen me fëmijë, atëherë ai (shejtani) nuk do të mund ta dëmtojë atë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 141

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Çfarë duhet thënë para hyrjes në nevojtore

142. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: Pejgamberi ﷺ, para se të hynte në nevojtore, thoshte: “Allahume ini eudhu bike minel hubuthi vel habaith. (O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt së keqes dhe të këqijave - shejtanëve meshkuj dhe femra)!”

Transmetimin e Ademit prej Shuëbes e përforcon Ibn Arare. Gunderi transmeton nga Shuëbe se ka thënë: “Kur i afrohej nevojtores.” Musai transmeton nga Hamadi se ka thënë: “Kur hynte.” Seid ibn Zejdi ka thënë: Na ka treguar Abdulazizi se (ka thënë): “Kur dëshironte të hynte.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 142

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Vendosja e ujit për abdes afër nevojtores

143. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hashim ibn Kasimi, e këtij i ka treguar Verkai, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Jezidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ hyri në nevojtore, ia afrova enën për abdes, e në atë rast ai pyeti: “Kush e solli këtë?” Pasi i treguan, tha: “O Allah, mësoja fenë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 143

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Nuk kthehemi nga kibla gjatë nevojës së madhe apo të vogël, përveç brenda diçkaje të ndërtuar sikurse muri ose diçkaje të tillë

144. Nga: Ebu Ejub Ensariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush prej jush dëshiron t'i kryejë nevojat fiziologjike, as të mos drejtohet nga kibla, as të mos ia kthejë shpinën asaj. Kthehuni nga lindja ose nga perëndimi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 144

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Kryerja e nevojës duke qenë ulur mbi dy tulla

145. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Habani, e ky nga xhaxhai i tij, Vasi ibn Habani, se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Disa njerëz po thonë: “Kur të ulesh për ta kryer nevojën, mos u drejto as nga kibla, as nga Kudsi.”

Ai rrëfen: “Hipa mbi një shtëpi tonën dhe brenda mureve e pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ (ulur) mbi dy tulla për të kryer nevojën, duke qenë i drejtuar nga Kudsi.”

Pastaj iu drejtua një të pranishmi: “Vallë, a mos je prej atyre që gjatë sexhdes i bashkojnë kofshët me barkun?”

Vasiu i tha: “Nuk e di, për Allah!”

Maliku sqaron se Ibn Omeri kishte për qëllim atë që, kur bie në sexhde, nuk ngrihet mjaftueshëm nga toka, por qëndron ngjitur me tokën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 145

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Dalja e grave jashtë për të kryer nevojën

146. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se gratë e Pejgamberit ﷺ gjatë natës dilnin për të kryer nevojën në Menasi, një sipërfaqe e gjerë (vend në Medinë). Ndërkaq, Omeri i thoshte Pejgamberit ﷺ: “Mbuloji gratë e tua.” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ nuk i mbulonte.”

Një natë Sevda bint Zema, gruaja e Pejgamberit ﷺ, e cila ishte shtatgjatë, doli, sakaq Omeri, nga dëshira që të zbriste urdhri për mbulesën, e thirri: “Po të njohim, oj Sevdë.” Atëherë Allahu e zbriti urdhrin e mbulesës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 146

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

147. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Zekerija na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i vet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Juve (grave) ju është lejuar që të dilni për të kryer nevojat tuaja.”

Hishami thotë: “Është për qëllim nevojat fiziologjike.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 147

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Kryerja e nevojës në nevojtoren e shtëpisë

148. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Habani, e ky nga Vasi ibn Habani se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “M'u desh të hipja mbi shtëpinë e Hafsës dhe pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke kryer nevojën, duke qenë me shpinë i kthyer nga kibla e me fytyrë nga Shami.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 148

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

149. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Haruni, e këtij i ka rrëfyer Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Habani, e këtij i ka treguar xhaxhai i tij, Vasi ibn Habani, se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë hipa mbi shtëpinë tonë dhe brenda mureve e pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ të ulur mbi dy tulla (për të kryer nevojën e tij), duke qenë i drejtuar nga Kudsi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 149

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Pastrimi me ujë pas kryerjes së nevojës

150. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Velid Hisham ibn Abdulmeliku na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Muadh Ata ibn Ebu Mejmune, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ dilte për të kryer nevojën, unë dhe një djalosh tjetër i afronim një shakull me ujë, që të pastrohej nga nevoja fiziologjike.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 150

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Bartja e ujit me vete për të marrë abdes

Ebu Derdai ka thënë: A nuk është në mesin tuaj bartësi i nallaneve, i enës për pastrim dhe i shtrojave?

151. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Muadh Ata ibn Ebu Mejmune se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ dilte për të kryer nevojën, unë dhe një djalosh tjetër e përcillnim për t'ia afruar shakullin me ujë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 151

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Bartja e shkopit dhe e ujit për t'u pastruar pas nevojës

152. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ata Ibn Ebu Mejmune se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ hynte në nevojtore, unë dhe një djalosh tjetër ia mbanim shkopin e tij dhe shakullin me ujë, me të cilën pastrohej.”

Transmetimin e Muhamed ibn Xhaferit nga Shuëbe e forcojnë Nadri dhe Shedhani. Shkopi e kishte majën e metaltë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 152

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Ndalesa e pastrimit nga jashtëqitja me dorën e djathtë

153. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hisham Destevaiu, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Abdullahu, i biri i Ebu Katades, se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush të pijë, të mos marrë frymë brenda enës; kur të hyjë në nevojtore, të mos e mbajë organin gjenital me dorën e djathtë dhe të mos pastrohet me të nga jashtëqitja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 153

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Ndalesa e mbajtjes së organit gjenital me dorën e djathtë gjatë urinimit

154. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Abdullahu, i biri i Ebu Katades, se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush të urinojë, të mos e mbajë organin gjenital me dorën e djathtë, të mos pastrohet me të nga jashtëqitja si dhe të mos marrë frymë brenda enës (gjatë pirjes).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 154

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Pastrimi i vrimës së jashtëqitjes me gurë pas kryerjes së nevojës

155. Nga: Ebu Hurejra

Ahmed ibn Muhamed Mekiu na ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Jahja ibn Seid ibn Amër Mekiu, e ky nga gjyshi i vet se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E përcolla Pejgamberin ﷺ duke dalë për të kryer nevojën: nuk shikonte as djathtas, as majtas. Pasi iu afrova, më tha: “Më sill disa gurë, që të pastrohem me ta, - ose diçka të këtillë, - por mos më sill eshtra e as bajga.”

Ia çova gurët me cepin e rrobës sime, ia lashë pranë dhe u largova. Pasi e kreu nevojën, u pastrua me ta.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 155

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Bajga nuk përdoret për t'u pastruar pas kryerjes së nevojës

156. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e ky nga Ebu Is'haku se ka thënë: Ebu Ubejde nuk e ka përmendur, por Abdurrahman ibn Esvedi nga babai i tij, se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ shkoi për të kryer nevojën dhe më porositi t'ia çoja tre gurë. I gjeta dy sosh. Të tretin e kërkova sa e kërkova, por nuk e gjeta, andaj mora një bajgë dhe ia çova. Ai i mori gurët, kurse bajgën e hodhi tutje dhe tha: “Kjo është ndyrësirë.”

Ibrahim ibn Jusufi transmeton nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku se ka thënë: “Abdurrahmani më ka treguar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 156

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Marrja e abdesit duke i pastruar gjymtyrët nga një herë

157. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ mori abdes duke i larë gjymtyrët vetëm nga një herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 157

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Marrja e abdesit duke i pastruar gjymtyrët nga dy herë

158. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu

Husejn ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Junus ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekër ibn Amër ibn Hazmi, e ky nga Abad ibn Temimi se Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ mori abdes duke i larë gjymtyrët nga dy herë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 158

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Marrja e abdesit duke i pastruar gjymtyrët nga tri herë

159. Nga: Othman ibn Afani

Abdulaziz ibn Abdullah Uvejsi na ka thënë: Më ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jezidi se Humrani, i çrobëruari i Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se një ditë Othman ibn Afani kërkoi një enë me ujë (për të marrë abdes). Kështu, fillimisht e derdhi (ujin nga ena dhe i) lau pëllëmbët tri herë, pastaj futi dorën e djathtë në ujë dhe e shpëlau gojën e hundën, pastaj lau fytyrën dhe duart deri në bërryla nga tri herë, i dha mes'h kokës dhe, në fund, i lau këmbët deri te nyjat tri herë. Pastaj tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që merr abdes në këtë formë dhe i fal dy rekate, pa u shpërqendruar, i falen mëkatet e së kaluarës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 159

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

160. Nga: Othman ibn Afani

Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Salih ibn Kejsani se Ibn Shihabi ka thënë: Por Urve tregon se Humrani tregon: “Kur Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) mori abdes, tha: “A t'ju tregoj një hadith, të cilin, po të mos ishte një ajet kuranor, nuk do t'ju tregoja: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Sa herë që dikush merr abdes duke e përsosur atë, e pastaj e fal namazin, i falen mëkatet, prej namazit në fjalë deri në namazin tjetër.”

Urve thotë: “Ajeti (në të cilin aludon Othmani) është: “Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Tevrat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (melekë e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë.” (Bekare, 159)

Referenca: Sahihu i Buhariut 160

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Fryrja e hundëve gjatë abdesit

E kanë përmendur Othmani, Abdullah ibn Zejdi dhe Abdullah ibn Abasi nga Pejgamberi ﷺ.

161. Nga: Ebu Hurejra

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Idrisi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që merr abdes, le të shpëlajë hundën, ndërsa ai që pastrohet me gurë nga jashtëqitja, le ta bëjë në numër tek.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 161

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Pastrimi me gurë pas nevojës duhet të bëhet me numër tek (të gurëve)

162. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Araxhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që merr abdes, le ta futë ujin në hundë dhe le t'i fryjë, ndërsa ai që pastrohet me gurë nga jashtëqitja, le ta bëjë në numër tek. Kur dikush zgjohet nga gjumi, së pari le ta pastrojë dorën e tij, para se ta fusë në enën e abdesit, sepse nuk e di ku i ka qëndruar dora gjatë gjumit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 162

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Larja e këmbëve gjatë abdesit, duke mos u mjaftuar me mes'h mbi këmbë (të zbathura)

163. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Jusuf ibn Maheku se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në një prej rrugëtimeve tona Pejgamberi ﷺ ngeli mbrapa nesh. Kur na zuri, namazit të ikindisë pothuajse i kishte ikur koha (e rregullt). Ne filluam t'i pastronim këmbët (gjatë abdesit) me nguti dhe jo mirë. Atëherë Pejgamberi ﷺ, dy-tri herë, thirri me zë të lartë: “Mjerë thembrat (që do të preken) nga Zjarri!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 163

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Shpëlarja e gojës gjatë abdesit

Këtë e ka transmetuar Ibn Abasi dhe Abdullah ibn Zejdi, nga Pejgamberi ﷺ.

164. Nga: Othman ibn Afani

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jezidi se Humrani, i çrobëruari i Othman ibn Afanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se një ditë Othman ibn Afani kërkoi një enë me ujë (për të marrë abdes). Kështu, fillimisht derdhi (ujin nga ena) në duart e tij dhe i lau duart tri herë, pastaj futi dorën e djathtë në ujë dhe shpëlau gojën dhe hundën, pastaj lau fytyrën dhe duart deri në bërryla nga tri herë, i dha mes'h kokës dhe, në fund, lau këmbët nga tri herë. Pastaj tha: “E kam parë Pejgamberin ﷺ duke marrë abdes në këtë formë pastaj tha: “Atij që merr abdes sikurse ky abdesi im dhe i fal dy rekate, pa u shpërqendruar, Allahu do t'ia falë mëkatet e së kaluarës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 164

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Larja e thembrave (dhe e pjesëve të skajshme të gjymtyrëve)

Ibn Sirini, gjatë abdesit, e lante edhe vendin e unazës.

165. Nga: Ebu Hurejra

Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Muhamed ibn Zijadi tregon: “Teksa njerëzit po merrnin abdes prej enëve, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kaloi pranë nesh, e në atë rast e dëgjova duke thënë: “Merrni abdes me përpikëri, sepse Ebu Kasimi ﷺ ka thënë: “Mjerë thembrat (që do të preken) nga Zjarri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 165

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Kur jemi me nallane, këmbët duhet të lahen, dhe nuk mjafton vetëm mes'hu mbi nallane

166. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Seid Makburi se Ubejd ibn Xhurejxhi i tha Abdullah ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “O Ebu Abdurrahman, të kam parë duke i bërë katër veprime që asnjërin prej shokëve të tu nuk e kam parë duke i bërë.

- Cilat janë ato, o Ibn Xhurejxh? - i tha Ibn Omeri.

- Kam vënë re se:

1. Nuk prek asnjërin prej këndeve të Qabesë, përveç dy këndeve jemenase,

2. Mbath opinga prej lëkurës së lopës,

3. Lyen (flokët dhe mjekrën) me ngjyrë të verdhë dhe,

4. Të kam vënë re që, kur ke qenë në Mekë, teksa njerëzit hynin në ihram me të parë hënën e re, ti nuk hyje deri në ditën e tetë, - i tha Ibn Xhurejxhi.”

Abdullahu tha: “Sa u përket këndeve të Qabesë, nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ t'i prekë ato, me përjashtim të këtyre dy këndeve jemenase, kurse për opingat prej lëkurës së regjur të lopës, e kam parë Pejgamberin ﷺ duke mbathur opinga prej lëkurës pa qime dhe duke marrë abdes me to, andaj edhe mua më pëlqen t'i mbath. E përdor ngjyrën e verdhë për të ngjyrosur mjekrën e flokët sepse e kam parë Pejgamberin ﷺ duke përdorur këtë ngjyrë, andaj edhe mua më pëlqen ta bëj të njëjtën gjë. Ndërkaq, sa i përket hyrjes në ihram, nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ të hyjë në ihram, përveçse kur bëhej nisja për në haxh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 166

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Fillimi nga e djathta gjatë abdesit dhe guslit

167. Nga: Umu Atija Ensarja

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Hafsa bint Sirini se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, atyre që ia lanin xhenazen e së bijës, u tha: “Filloni prej anës së saj të djathtë dhe prej gjymtyrëve të abdesit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 167

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

168. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Eshath ibn Sulejmi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberit ﷺ, gjatë mbathjes së sandaleve, krehjes së flokëve, pastrimit dhe çdo pune tjetër, i pëlqente të fillonte nga ana e djathtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 168

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: Kërkimi i ujit për abdes kur hyn koha e namazit

Aishja ka thënë: "Kur hyri koha e sabahut, filluan të kërkonin ujë (për abdes), por nuk gjetën, andaj zbriti urdhri për tejemum."

169. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, kur hyri koha e namazit të ikindisë, njerëzit filluan të kërkojnë ujë për abdes, por nuk gjetën. Atëherë, të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një enë me ujë, ku ai vendosi dorën dhe urdhëroi njerëzit të merrnin abdes nga ajo enë. Kam parë ujin tek buronte nga gishtërinjtë e tij derisa të gjithë njerëzit morën abdes.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 169

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: Uji me të cilin njeriu mund t'i lajë flokët

Atai thotë se nuk ka problem nëse prej flokësh bëhen penj dhe litarë ose nëse merret abdes prej surit të (ujit të mbetur nga pirja e) qenit, si dhe nuk prish punë nëse qeni kalon nëpër xhami. Zuhriu thotë: "Nëse qeni lëpin ndonjë enë, ndërkohë nuk ka ujë tjetër përveç ujit në fjalë, uji i tillë lejohet të shfrytëzohet për abdes." Sufjani (duke e komentuar fjalën e Zuhriut) thotë: "Ja, kështu kuptohet feja, prej fjalës së Allahut ﷻ: “... e nëse nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum...” (Nisa, 43) Pra, (nënkupton që, edhe pse në atë ujë ka pirë qeni), ai ende cilësohet si ujë, (andaj ka përparësi kundrejt tejemumit)." (Buhariu thotë:) "Por, unë kam rezerva për këtë mendim, prandaj duhet të merr abdes dhe pastaj tejemum."

170. Nga: Muhamed ibn Sirini

Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Asimi se Ibn Sirini (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I thashë Abides: “Ne kemi disa qime të Pejgamberit ﷺ, të cilat na i ka lënë Enesi, - ose ka thënë: familja e Enesit.” Abidja ia ktheu: “Të kem një qime të Pejgamberit ﷺ, për mua është më e dashur sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 170

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

171. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Seid ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Abadi, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Ibn Sirini se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ e rroi kokën, Ebu Talhai ishte i pari që mori qime nga flokët e tij.

Referenca: Sahihu i Buhariut 171

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

Nënkapitulli: Nëse qeni pi në enën e ndokujt, le ta pastrojë atë (enën) shtatë herë

172. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka treguar nga Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Araxhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse qeni pi në enën e ndokujt, le ta pastrojë atë shtatë herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 172

Fjalë të panjohura?

173. Nga: Ebu Hurejra

Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdusamedi, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Abdullah ibn Dinari, e ky e ka dëgjuar nga babai i tij, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një njeri pa një qen duke ngrënë (lëpirë) dhé nga etja. Kështu, e mori këpucën e vet, e mbushi me ujë dhe ia shoi etjen qenit. Allahu i ishte mirënjohës për veprën, prandaj e futi në Xhenet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 173

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

174. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ahmed ibn Shebibi ka thënë: Na ka treguar babai im nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Hamza ibn Abdullahu se babai i tij Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ qentë urinonin dhe hynin e dilnin nëpër xhami, ndërkohë ne nuk derdhnim ujë për ta pastruar vendin e urinimit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 174

Fjalë të panjohura?

175. Nga: Adij ibn Hatimi

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ibn Ebu Seferi, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ (për normën e gjuetisë së qenit të stërvitur), i cili më tha: “Kur ta ndërsesh qenin tënd të stërvitur për të gjuajtur dhe ai e vret gjahun, atëherë haje atë, por, nëse qeni ha diçka prej gjahut, atëherë mos e ha atë, sepse ai ka gjuajtur për vete.”

I thashë: “E nëse e ndërsej qenin tim, por bashkë me të gjej edhe ndonjë qen tjetër pranë gjahut?”

Pejgamberi ﷺ i tha: “Atëherë mos e ha gjahun, sepse ti ke thënë “bismilah" për qenin tënd, e jo për qenin tjetër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 175

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

34. Nënkapitulli: Ai që mendon se abdesi prishet vetëm atëherë kur del diçka nga dy vrimat, organit gjenital dhe anusit

Allahu ﷻ thotë: “... ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës...” (Maide, 6) Atai thotë se ai të cilit i del krimbi nga zorra e trashë ose ndonjë insekt nga kanali urinar obligohet të ripërtrijë abdesin. Xhabir ibn Abdullahu ka thënë: "Kur dikush qesh në namaz, duhet ta përsërisë vetëm namazin, e jo abdesin." Haseni ka thënë: "Atij që i shkurton flokët ose thonjtë, ose i zhvesh mestet, nuk i obligohet abdesi." Ebu Hurejra ka thënë: "Abdesi duhet marrë vetëm nëse lirohet ndonjë gaz. Përmendet nga Xhabiri se Pejgamberi ﷺ ishte pjesëmarrës në Betejën Dhatu Rika, ku një person ishte plagosur me shigjetë, ndërkohë gjaku i rridhte (duke qenë në namaz), pastaj ra në ruku e në sexhde dhe e vazhdoi namazin." Haseni ka thënë: "Muslimanët faleshin edhe kur kishin plagë nëpër trup." Tavusi, Muhamed ibn Aliu, Atai dhe dijetarët e Hixhazit kanë thënë: "Nuk merret abdes për shkak të gjakut. Ibn Omeri shtrydhi një puçërr, prej së cilës i doli gjak, por nuk e ripërtriu abdesin. Ibn Ebu Eufai pështyu gjak dhe e vazhdoi namazin më tutje." Ibn Omeri dhe Haseni, për atë që bën hixhame, kanë thënë: "Nuk i obligohet asgjë tjetër përveçse ta lajë vendin e hixhames."

176. Nga: Ebu Hurejra

Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi vazhdon të jetë në namaz derisa qëndron në xhami duke e pritur namazin tjetër, me kusht që të mos e prishë abdesin.”

Një burrë i huaj pyeti: “E si prishet abdesi, o Ebu Hurejra?” Ai tha: “Duke liruar gazra (me ose pa zë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 176

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

177. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Abad ibn Temimi se xhaxhai i tij Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të mos largohet (nga namazi), derisa të dëgjojë zë ose të ndiejë erë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 177

Fjalë të panjohura?

178. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Mundhir Ebu Jala Theuriu, e ky nga Muhamed ibn Hanefije se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Shpesh më rridhte lëngu paraspermal, por, nga turpi, nuk mund ta pyesja të Dërguarin e Allahut ﷺ, andaj e porosita Mikdad ibn Esvedin ta pyesë Pejgamberin ﷺ për këtë. Ai ﷺ iu përgjigj: Mjafton vetëm abdesi.”

E transmeton (po ashtu) Shuëbe nga Ameshi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 178

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

179. Nga: Othman ibn Afani

Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme, e këtij i ka treguar Ata ibn Jesari se Zejd ibn Halidi tregon se e ka pyetur Othman ibn Afanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Çfarë duhet të veprojë ai që kryen marrëdhënie me gruan e vet, por nuk ejakulon?”

Othmani iu përgjigj: “Merr abdes sikurse për namaz dhe e pastron organin gjenital. Këtë e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ.”

Për të njëjtën gjë kam pyetur edhe Aliun, Zubejrin, Talhain dhe Ubej ibn Kabin, që të gjithë më urdhëruan të njëjtën gjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 179

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

180. Nga: Ebu Seid Hudriu

Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Dhekvan Ebu Salihu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dikë për të thirrur një ensar. Ai erdhi, ndërsa koka i pikonte ujë. Atëherë, Pejgamberi ﷺ e pyeti: “Ndoshta të ngutëm paksa?”

- Po, - i tha ensariu.

- “Në rast se ndokush të ngut, ose nuk ejakulon gjatë marrëdhënieve intime, atëherë të mjafton abdesi”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.

Transmetimin e Nadrit e forcon Vehbiu, i cili ka thënë: “Ma ka treguar Shuëbe.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Përpos që Gunderi dhe Jahjai nuk e kanë transmetuar nga Shuëbe “abdesin”.

Referenca: Sahihu i Buhariut 180

Fjalë të panjohura?

35. Nënkapitulli: Shoku e ndihmon shokun për abdes

181. Nga: Usame ibn Zejdi

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Jezid ibn Haruni, e ky nga Jahjai, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u largua nga Arafati, u skajua në një qafëmal dhe e kreu nevojën. Pastaj unë i hodha ujë për të marrë abdes dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, a do të falesh?” Ai tha: “Namazin do ta falim më tutje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 181

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

182. Nga: Mugire ibn Shuëbe

Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky e ka dëgjuar Jahja ibn Seidin, e këtij i ka rrëfyer Sad ibn Ibrahimi, e këtij i ka rrëfyer Nafi ibn Xhubejr ibn Mutëimi, e ky e ka dëgjuar Urven, të birin e Mugire ibn Shuëbes, se Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, njëherë, kur ishte në një udhëtim së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ, ai u ndal për ta kryer nevojën. (Pasi u kthye), Mugire i shërbeu me ujë për të marrë abdes. Ai lau fytyrën dhe duart, pastaj u dha mes'h kokës dhe mesteve.

Referenca: Sahihu i Buhariut 182

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

36. Nënkapitulli: Këndimi i Kuranit apo bërja e diçkaje tjetër (sikurse shkrimi i Kuranit) pas prishjes së abdesit

Mensuri transmeton nga Ibrahimi se ka thënë: "Nuk prish punë leximi (i Kuranit) brenda vendit të hamamit ose shkrimii ndonjë shkrese pa abdes." Hamadi transmeton nga Ibrahimi (për atë që gjendet në banjë) se ka thënë: "Nëse është i veshur, atëherë përshëndete me selam, e, nëse jo, mos e përshëndet."

183. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se si një natë bujti te tezja e vet, Mejmunia, gruaja e Pejgamberit ﷺ: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ dhe gruaja e tij u shtrinë për së gjati. I Dërguari i Allahut ﷺ fjeti deri në mesnatë, ose diç më shumë a më pak, pastaj u zgjua dhe e fërkoi fytyrën me dorë, që t'i largohej gjumi. I këndoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, pastaj shkoi te një shakull i varur, nga i cili mori abdes në mënyrë të përkryer. Pastaj filloi të falej.”

Ibn Abasi vazhdon: “Unë u ngrita dhe veprova të njëjtën gjë, iu bashkëngjita duke u falur pranë tij (në anën e majtë). Ai ma vendosi dorën e djathtë mbi kokë (që të më bartte në anën e djathtë të tij) dhe ma përdrodhi veshin e djathtë. I fali dy rekate, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, e, në fund, e fali vitrin dhe u shtri derisa i erdhi muezini (për të kërkuar leje për ta thirrur ezanin). Atëherë u ngrit, i fali edhe dy rekate të shkurta dhe doli për ta falur namazin e sabahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 183

Hadithe të ngjashme: Shiko (18)

Fjalë të panjohura?

37. Nënkapitulli: Nuk merret abdes, përveçse pas gjumit të thellë

184. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga bashkëshortja e tij Fatimja se gjyshja e saj Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Shkova tek Aishja, bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, kur u bë eklipsi i Diellit, e në atë rast pashë se njerëzit ishin ngritur për t'u falur. Edhe ajo ishte ngritur për t'u falur, andaj e pyeta: “Çfarë kanë njerëzit?”

Ajo më bëri me shenjë nga qielli.

- Subhanallah! - tha ajo.

- Diçka e jashtëzakonshme? - e pyeta.

Ajo bëri me kokë, në shenjë pohimi. Fillova të falem, derisa ishte gati të më binte të fikët, andaj i hidhja vetes ujë mbi kokë (për ta larguar plogështinë). I Dërguari i Allahut ﷺ, me të mbaruar namazin, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun Fuqiplotë e pastaj tha: “Çdo gjë që s'kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë më parë, më është shfaqur tani në këtë vend, madje edhe Xheneti dhe Zjarri. M'u shpall se ju të gjithë do të sprovoheni në varret tuaja, sikurse, - ose ka thënë: ngjashëm me sprovën e Dexhallit, nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma -. Do t'ju thuhet secilit prej jush: “Çfarë di për këtë njeri (Pejgamberin ﷺ)?” Besimtari, - ose ka thënë: i binduri, nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Ai është Muhamedi, i Dërguari i Allahut, na ka ardhur me argumente të qarta e udhëzim, e ne i jemi përgjigjur, i kemi besuar dhe e kemi pasuar. I thuhet: “Fli i qetë, e dimë mirë se ke qenë i bindur për këtë.” Ndërkaq, hipokriti, - ose ka thënë: i lëkundshmi, nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Nuk di, dëgjoja njerëzit teksa thoshin diçka, e unë e përsërisja pas tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 184

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

38. Nënkapitulli: Dhënia mes'h tërë kokës

Allahu i Lartësuar ka thënë: “... kurse kokave jepni mes’h...” (Maide, 6) Ibn Musejebi ka thënë: "Edhe gruaja, njëjtë si burri, i jep mes’h kokës." Maliku është pyetur: "A mjafton t’i japë mes’h një pjese të kokës?" Ai u argumentua me hadithin e Abdullah ibn Zejdit.

185. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Amër ibn Jahja Maziniu se babai i tij Jahja Maziniu tregon se një burrë e pyeti Abdullah ibn Zejdin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili është gjyshi i Amër ibn Jahjait: “A mund të më tregosh si merrte abdes i Dërguari i Allahut ﷺ?”

Abdullah ibn Zejdi i tha: “Po, e më pas kërkoi një enë me ujë, derdhi ujë mbi duar dhe i lau ato dy herë, e shpëlau gojën dhe hundën tri herë, pastaj lau fytyrën tri herë, i lau duart deri në bërryla nga dy herë dhe i dha mes'h kokës me dy duar, duke filluar nga pjesa e përparme e kokës deri te qafa dhe sërish i ktheu aty nga filloi. Në fund, i lau edhe këmbët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 185

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

39. Nënkapitulli: Larja e këmbëve deri në nyja

186. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Amri se babai i tij Jahja Maziniu ka thënë: “Qeshë i pranishëm kur Amër ibn Ebu Haseni e pyeti Abdullah ibn Zejdin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth abdesit të Pejgamberit ﷺ. Ai kërkoi një enë me ujë dhe mori abdes ashtu siç bënte Pejgamberi ﷺ: u qiti duarve ujë nga ena dhe i lau ato tri herë, e futi dorën në enë dhe e shpëlau gojën e hundën tri herë me tri grushte ujë. Sërish e futi dorën në enë dhe e lau fytyrën tri herë, pastaj i lau duart dy herë deri në bërryla, e futi dorën në ujë dhe i dha mes'h kokës, duke e përshkuar nga para-mbrapa dhe anasjelltas, një herë të vetme. E, në fund, i lau këmbët deri në nyja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 186

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?