29. Vlera e Medinës
1. Nënkapitulli: Haremi (shenjtëria) i Medinës
1867. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Thabit ibn Jezidi, e këtij i ka treguar Asim Ebu Abdurrahman Ahveli se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Medina është harem (e shenjtë), prej këtu deri atje. Andaj, nuk priten pemët e saj dhe nuk bëhet risi në të. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që bën risi në të!”
1868. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ erdhi në Medinë dhe urdhëroi që të ndërtohet xhamia, pastaj tha: “O fisi benu nexhar, më caktoni çmim (për vendin e xhamisë)?” Ata thanë: “Çmimin e tij e kërkojmë vetëm prej Allahut. Atëherë urdhëroi të nxirren varret e idhujtarëve, pastaj të rrafshohet dheu dhe të priten hurmat. Trungjet e hurmave i renditën te muri nga kibla e xhamisë.”
1869. Nga: Ebu Hurejra
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pjesa e Medinës, që ndodhet ndërmjet dy pllajeve, është bërë e shenjtë me gjuhën time.”
Kështu, Pejgamberi ﷺ shkoi te fisi benu harithe dhe tha: “O benu harithë, më duket se paskeni dalë prej (kufijve të) Haremit.” Pastaj shikoi përreth dhe tha: “Qenkeni brenda.”
1870. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga babai i tij se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk kemi asgjë nga Pejgamberi ﷺ, përveç Librit të Allahut dhe kësaj fletushke (ku shkruan): “Medina është harem prej Airit deri në filan vendin. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që bën risi në të ose strehon dikë që bën risi. Të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare. Besa e muslimanëve është një. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që tradhton ndonjë musliman! Të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë (rob të liruar) që meritën e çrobërimit të tij ia jep dikujt, pa lejen e atyre që e kanë liruar! Të atillit nuk i pranohen as farzet, as punët vullnetare.”
2. Nënkapitulli: Vlera e Medinës dhe se ajo i largon njerëzit (e këqij)
1871. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky e ka dëgjuar Ebu Hubab Seid ibn Jesarin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar (të shpërngulem) në një qytet që do t'i sundojë qytetet e tjera, të cilit i thonë Jethrib. Është Medina, e cila i largon njerëzit (e këqij) sikurse gjyryku që e largon të keqen e hekurit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1871
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Medina është Tabe (e Mira)
1872. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e këtij i ka treguar Amër ibn Jahjai, e ky nga Abas ibn Sehël ibn Sadi se Ebu Humejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa po ktheheshim me Pejgamberin ﷺ nga Tebuku, iu afruam Medinës, e në atë rast ai tha: “Kjo është Tabe (e Mira).”
4. Nënkapitulli: Dy pllajat me gurë vullkanikë të Medinës
1873. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Sikur t'i shihja drerët duke kullotur në Medinë, nuk do t'i trazoja, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Hapësira që ndodhet ndërmjet dy pllajave të saj konsiderohet Harem.”
5. Nënkapitulli: Ai që nuk e do Medinën
1874. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Do ta braktisin Medinën përkundër të mirave që i ka, e në të do të qëndrojnë vetëm egërsirat dhe shpezët që kërkojnë ushqim. Të fundit që do të ringjallen (Ditën e Kiametit) janë dy barinj nga fisi muzejne: shkojnë nga Medina duke i ndjellë delet, të cilën e gjejnë të shkretë, derisa të arrijnë në Thenije Vedaë, ku bien me fytyrat përdhe (vdesin).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1874
Fjalë të panjohura?
1875. Nga: Sufjan ibn Ebu Zuhejri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij, e ky nga Abdullah ibn Zubejri se Sufjan ibn Ebu Zuhejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Do të çlirohet Jemeni, sakaq një popull (nga Medina) do t'i shpejtojnë kafshët (për të dalë nga ajo). Do t'i marrin familjet e veta dhe ata që u nënshtrohen, ndërkohë Medina është më e mirë për ta, sikur ta dinin. Do të çlirohet Shami, sakaq një popull (nga Medina) do t'i shpejtojnë kafshët (për të dalë nga ajo). Do t'i marrin familjet e veta dhe ata që u nënshtrohen, ndërkohë Medina është më e mirë për ta, sikur ta dinin. Do të çlirohet Iraku, sakaq një popull (nga Medina) do t'i shpejtojnë kafshët (për të dalë nga ajo), do t'i marrin familjet e tyre dhe ata që u nënshtrohen, ndërkohë Medina është më e mirë për ta, sikur ta dinin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1875
Fjalë të panjohura?
6. Nënkapitulli: Besimi (imani) do të struket në Medinë
1876. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimi (imani) do të struket në Medinë siç struket gjarpri në vrimën e vet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1876
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Mëkati i atij që u bën kurthe banorëve të Medinës
1877. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Husejn ibn Hurejthi na ka thënë: Na ka rrëfyer Fadli, e ky nga Xhuejdi, e ky nga Aishja se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Kushdo që u bën kurthe banorëve të Medinës, do të shkrihet ashtu siç shkrihet kripa në ujë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1877
Fjalë të panjohura?
8. Nënkapitulli: Kullat e Medinës
1878. Nga: Usame ibn Zejdi
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Usame (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hipi në një kullë të Medinës dhe tha: “A po e shihni, vallë, atë që po e shoh unë? Po i shoh vendet e sprovave, ndërmjet shtëpive tuaja, sikurse vendet e pikave të shiut.”
Transmetimin e Sufjanit nga Zuhriu e kanë fuqizuar Mameri dhe Sulejman ibn Kethiri.
9. Nënkapitulli: Dexhalli nuk do të hyjë në Medinë
1879. Nga: Ebu Bekrete
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e pastaj nga gjyshi i tij se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në Medinë nuk do të hyjë tmerri i mesihut Dexhall. Atëkohë ajo do t'i ketë shtatë porta. Në secilën portë do të jenë nga dy melekë (që e mbrojnë).”
1880. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Nuajm ibn Abdullah Muxhmiri se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në hyrjet e Medinës ka melekë (që e ruajnë atë). Në të nuk hyn as murtaja e as Dexhalli.”
1881. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Ebu Amri, e këtij i ka treguar Is'haku se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dexhalli do të shkelë në çdo vend, përveç Mekës dhe Medinës. Në çdo hyrje të tyre (Mekës dhe Medinës) ka melekë të rreshtuar, që i ruajnë ato. Medina do të dridhet me banorët e saj tri herë dhe Allahu do të nxjerrë (prej saj) çdo jobesimtar dhe hipokrit.”
1882. Nga: Ebu Seid Hudriu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na rrëfeu një hadith të gjatë për Dexhallin dhe, në mes tjerash, tha: “Dexhalli do të vejë deri në disa zona të shkreta rreth Medinës, porse do ta ketë të ndaluar të hyjë brenda saj. Atë ditë do t'i dalë një njeri, që do të llogaritet si njeriu më i mirë, - ose ka thënë: ndër njerëzit më të mirët, - dhe do t'i thotë: “Dëshmoj se ti je Dexhalli, për të cilin na ka treguar i Dërguari i Allahut ﷺ.” Dexhalli u thotë (ithtarëve të tij): "Nëse e vras këtë e pastaj e ringjall, a do të keni dyshim në çështjen (vërtetësinë) time?”
- Jo, - i thonë ata.
Kështu, e vret atë e më pas e ringjall. Kur njeriu në fjalë ringjallet, i thotë: “Betohem në Allahun se asnjëherë nuk kam qenë më i bindur se sot (se ti je Dexhalli).” Dexhalli thotë: “Dua ta vras atë, por nuk mundem.”
10. Nënkapitulli: Medina e largon të keqen
1883. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Amër ibn Abasi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ e i dha besën për Islam (dhe qëndrim në Medinë).” Të nesërmen erdhi i sëmurë me ethe dhe tha: “Më lejo të tërhiqem (nga Medina)”, por ai e refuzoi tri herë radhazi dhe tha: “Medina është sikurse gjyryku. Ajo e largon të keqen dhe e shfaq të mirën e saj.”
1884. Nga: Zejd ibn Thabiti
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Adij ibn Thabiti, e ky nga Abdullah ibn Jezidi se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ u nis për në Betejën e Uhudit, një pjesë e njerëzve, që kishin dalë me të, u kthyen. Atëherë një grup thanë: “T'i vrasim!”, kurse të tjerët thanë: “Nuk bën t'i vrasim.” Sakaq, zbriti ajeti: “Përse jeni ndarë në dy grupe për çështjen e hipokritëve...” (Nisa, 88) Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Ajo (Medina) i pastron njerëzit sikurse zjarri që e pastron të keqen e hekurit.”
Nënkapitull
1885. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky e ka dëgjuar Junusin, e ky nga Ibn Shihabi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ është lutur: “O Allah, ço bereqet në Medinë sa dyfishi që ke çuar në Mekë!”
Këtë transmetim e fuqizon Othman ibn Omeri nga Junusi.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1885
Fjalë të panjohura?
1886. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ kthehej prej udhëtimit dhe i shihte muret e Medinës, e shpejtonte devenë, e, nëse ishte (i hipur në) ndonjë kafshë tjetër, e ngërmonte nga dashuria për të (Medinën).”
11. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ ka urryer që të zbrazet Medina (ndonjë pjesë e saj)
1887. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Fezariu, e ky nga Humejd Tavili se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se fisi benu selime donin të vendoseshin më afër xhamisë, por të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk i pëlqente që pjesë të Medinës të mbeteshin të zbrazëta, andaj u tha: “O fisi benu selime! A nuk po e llogarisni shpërblimin për gjurmët tuaja (hapat që bëni për të ardhur në xhami nga larg)?” Kështu, ata qëndruan aty ku ishin.
12. Nënkapitull
1888. Nga: Ebu Hurejra
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullah ibn Omeri, e këtij i ka treguar Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pjesa mes shtëpisë dhe minberit tim është një prej kopshteve të Xhenetit, ndërsa minberi im është mbi Hauzin tim.”
1889. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, Ebu Bekri dhe Bilali u sëmurën. Kur Ebu Bekrin e kapte zjarrmia, thoshte:
"Çdo njeri gdhihet në familjen e vet,
E më afër lidhëses së këpucës ka vdekjen që e pret.”
Ndërkaq, kur Bilalit i kalonte pakëz zjarrmia, e ngrinte zërin duke thënë:
"Sikur të mund të kaloja një natë të vetme në një luginë,
I rrethuar me idhhir e xhelil!
A do të vijë dita kur do të mund të pi ujë në mixhene,
Dhe a do të shohë më kodrinat Shameh e Tafil?”
Dhe vazhdonte: “O Allah, mallkoje Shejbe ibn Rabian, Utbe ibn Rabian dhe Umeje ibn Halefin siç na kanë nxjerrë prej tokës sonë në tokën e epidemisë (Medinë)!”
Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Allah, na e bëj të dashur Medinën ashtu siç e donim Mekën, ose edhe më shumë! O Allah, na begato në sain e mudin tonë dhe bëje Medinën të shëndetshme për ne, ndërsa zjarrminë e saj dërgoji në Xhuhfe!”
Aishja thotë: “Kur erdhëm në Medinë, ajo ishte vendi më epidemik në tokën e Allahut e në luginën But'han rridhte ujë i ndotur.”
1890. Nga: Omer ibn Hatabi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Halid ibn Jezidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali, e ky nga Zejd ibn Eslemi se babai i tij Eslemi tregon se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) thoshte: “O Allah! Ma mundëso shehidllëkun në rrugën Tënde dhe ma mundëso të vdes në qytetin e të Dërguarit Tënd ﷺ!”
Ibn Zureji transmeton nga Revh ibn Kasimi, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga nëna e tij, e kjo nga Hafsa bint Omeri se ka thënë: “E kam dëgjuar Omerin duke thënë; ngjashëm. Hishami transmeton nga Zejdi, e ky nga babai i tij, e ky nga Hafsa se e ka dëgjuar Omerin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1890
Fjalë të panjohura?