Sahihu i Buhariut — Hadithi 394
29. Nënkapitulli: Kibla e medinasve, banorëve të Shamit dhe lindorëve
Nuk ka kibël as në lindje, as në perëndim, argumentuar me fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Mos u drejtoni nga kibla teksa e kryeni nevojën fiziologjike ose urinoni. Mirëpo, drejtohuni nga lindja ose perëndimi.” (Ky rregull vlen për banorët e Medinës, sepse për ta kibla ndodhet në anën jugore.)
394. Nga: Ebu Ejub Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezidi se Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur doni t'i kryeni nevojat fiziologjike, as mos u drejtoni nga kibla, as mos ia ktheni shpinën, por drejtohuni nga lindja ose nga perëndimi.”
Ebu Ejubi thotë: “Kur erdhëm në Sham, nevojtoret i gjetëm të ndërtuara në drejtim të kiblës. Andaj, ndërronim drejtimin. (Pasi dilnim), i kërkonim falje Allahut të Lartësuar.”
Po ashtu transmetohet nga Zuhriu, e ky nga Atai se ka thënë: “E kam dëgjuar Ebu Ejubin duke transmetuar njëjtë nga Pejgamberi ﷺ.”