40. Autorizimi
1. Nënkapitulli: Ortaku autorizon ortakun në ndarjen e pasurisë dhe punët e tjera
Pejgamberi ﷺ e autorizoi Aliun që t’i therë kurbanet dhe e urdhëroi t’i shpërndajë ato.
2299. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Lejla se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më urdhëroi t'i jap sadaka mbulesat dhe lëkurat e deveve të cilat u prenë kurbane.”
2300. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jezidi, e ky nga Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i dha ca dele atij për t'i ndarë mes sahabëve dhe, në fund, teproi një qengj. Kur ia përmenda Pejgamberit ﷺ, më tha: “There kurban për vete.”
2. Nënkapitulli: Lejohet që muslimani të autorizojë një jobesimtar nga radhët e armikut në tokën armike ose në tokën islame
2301. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Jusuf ibn Maxhishuni, e ky nga Salih ibn Ibrahim ibn Abdurrahman ibn Aufi, e ky nga babai i tij, e pastaj nga gjyshi i tij se Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I shkrova letër Umeje ibn Halefit të ma ruante pasurinë dhe familjen time në Mekë, që unë t'ia ruaja atij pasurinë dhe familjen në Medinë. Kur ia përmenda (emrin e Allahut) Errahman, ai më tha: “Unë nuk e njoh (emrin e Allahut) Errahman. Më shkruaj me emrin tënd, që e ke pasur para Islamit.” Pastaj i shkrova (duke ia përmendur emrin tim të vjetër) Abduamër.
Kështu, ditën e Bedrit, kur njerëzit kishin fjetur, dola ta ruaja, por Bilali e pa dhe shkoi te një grup ensarësh e u tha: “(E pashë) Umeje ibn Halefin. Mos qofsha gjallë nëse shpëton Umeja!” Atij iu bashkëngjitën edhe disa ensarë në kërkim tonin. Kur pashë se po na arrinin, e lashë mbrapa të birin e tij (Umejës), që t'i angazhonte. Ata e vranë dhe vazhduan të na ndiqnin me ngulm. Umeje ka qenë njeri i rëndë dhe, kur na zunë, i thashë: “Gjunjëzohu!” Pasi u gjunjëzua, iu hodha përmbi, që ta mbroja, por, poshtë meje, ata e sulmuan me shpata, derisa e vranë, saqë njëri prej tyre ma plagosi këmbën me shpatë.
(Ibrahimi, i biri i Abdurrahmanit thotë:) Ndonjëherë Abdurrahman ibn Aufi na e tregonte shenjën në shpinën e këmbës.
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Jusufi e ka dëgjuar këtë nga Salihu, kurse Ibrahimi nga babai i vet.”
3. Nënkapitulli: Autorizimi në këmbim të parave dhe peshim
Tregohet se Omeri dhe Ibn Omeri kanë autorizuar dikë tjetër në këmbim të parave.
2302. Nga: Ebu Seid Hudriu - Ebu Hurejra
2302, 2303 - Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdulmexhid ibn Suhejl ibn Abdurrahman ibn Aufi, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ caktoi dikë për udhëheqës në Hajber, i cili, më pas, solli hurma të majme dhe Pejgamberi ﷺ i tha:
- “A janë të gjitha hurmat e Hajberit kështu?”
- Një saë hurma të këtilla i blejmë (duke i këmbyer) me dy saë hurma (të dobëta) dhe dy saë me tri, - iu përgjigj ai.
- “Mos vepro kështu, por hurmat e dobëta shiti me dërhemë, pastaj me dërhemë bli hurma të majme”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
Njëjtë ka thënë edhe për peshim.
2303. Nga: Ebu Seid Hudriu - Ebu Hurejra
2302, 2303
4. Nënkapitulli: Nëse bariu apo i autorizuari sheh se një dele po ngordh apo se një gjë po prishet, e ther delen apo e rregullon atë që frikohet se do të prishet
2304. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Is'hak ibn Ibrahimi na ka treguar se e ka dëgjuar Mutemirin, e këtë e ka lajmëruar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu, e ky e ka dëgjuar djalin e Kab ibn Malikut se babai i tij Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kishin pasur disa dele që kullotnin në kodrën Selë (në Medinë). Një robëreshë jona pa se një dele po ngordhte, andaj theu një gur dhe e theri delen me të. Atëherë Kabi tha: “Mos e hani derisa ta pyes Pejgamberin ﷺ ose të dërgoj dikë që ta pyes. Pasi e pyeti, Pejgamberi ﷺ i tha që ta hajë.”
Ubejdullahu thotë: “Më pëlqen fakti se, ndonëse ajo ka qenë robëreshë, ka therur.”
Abde nga Ubejdullahu (transmetimin e) Mutemirit e fuqizon.
5. Nënkapitulli: Është i lejuar autorizimi i personit të pranishëm dhe atij që mungon
Abdullah ibn Amri i shkroi letër shërbëtorit të vet, sepse ndodhej larg, që ta japë zekatin e fitrit për gjithë familjen e tij, përfshirë të vegjlit e të rriturit.
2305. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Seleme, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i kishte borxh dikujt një deve. Ai erdhi t'ia kërkojë borxhin dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Jepjani (një deve)!” Kërkuan, por nuk gjetën deve të moshës së njëjtë, përveç një vit më të madhe. Pejgamberi ﷺ tha: “Jepjani atë!” Personi në fjalë tha: “Ma ktheve hakun tim tërësisht, Allahu ta ktheftë me të mirë!” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Më i miri prej jush është ai që e kthen huan në formën më të mirë.”
6. Nënkapitulli: Autorizimi në kthimin e borxheve
2306. Nga: Ebu Hurejra
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Seleme ibn Kuhejli, e ky e ka dëgjuar Ebu Seleme ibn Abdurrahmanin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ duke kërkuar me ashpërsi t'i kthente një borxh. Sahabët deshën ta kapin, por i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Lëreni, sepse huadhënësi ka të drejtë të kërkojë borxhin e tij sa herë të dojë.” Pastaj tha:
- “Jepjani një deve të moshës së njëjtë, sikur deveja e tij.”
- O i Dërguari i Allahut, nuk po gjejmë tjetër përveçse më të madhe (në moshë), - i thanë.
- “Jepjani atë, ngase më i miri prej jush është ai që e kthen huan në formën më të mirë.”
7. Nënkapitulli: Të autorizuarit apo ndërmjetësuesit lejohet t’i jepet diçka (si dhuratë)
Pejgamberi ﷺ delegatëve të fisit hevazin, kur vajtën për t'ia kërkuar robërit dhe plaçkat e luftës, u tha: “Pjesa ime ju takon juve.”
2307. Nga: Mervan ibn Hakemi - Misver ibn Mahremi
2307, 2308 - Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Mervan ibn Hakemi dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur delegatët e fisit hevazin, të konvertuar në Islam, erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ që të kërkonin kthimin e pasurive dhe robërve të luftës, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Fjalët më të dashura për mua janë fjalët e vërteta, andaj zgjidhni njërën: ose robërit, ose pasurinë, ngase kam qenë duke ju pritur.”
I Dërguari i Allahut ﷺ i kishte pritur mbi trembëdhjetë ditë pasi ishte larguar nga Taifi. Kur ata kuptuan se i Dërguari i Allahut ﷺ do t'ua kthejë vetëm njërën prej këtyre dy gjërave, thanë: “E po, po i zgjedhim familjarët tanë të zënë robër lufte.”
I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, e lavdëroi Allahun, ashtu siç i takon, dhe tha: “E, më pas; Vërtet, vëllezërit tuaj kanë ardhur të penduar dhe unë mendoj t'ua kthej familjarët e tyre të zënë robër lufte. Andaj, kush dëshiron që vullnetarisht t'ua kthejë, le ta bëjë, e, kush dëshiron t'i mbajë derisa ta paguajmë prej plaçkës së parë që Allahu do të na dhurojë, le të presë.”
Njerëzit thanë: “Po ua kthejmë vullnetarisht, për hir të të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
- “Ne nuk dimë kush po i jep vullnetarisht e kush jo, andaj kthehuni te prijësit tuaj (të flitni me ta), që ata të na tregojnë për secilin prej jush”, - u tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Njerëzit u kthyen dhe biseduan me përfaqësuesit e vet, të cilët shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i treguan se të gjithë po i kthejnë vullnetarisht (robërit e luftës).
2308. Nga: Misver ibn Mahremi
2307, 2308
8. Nënkapitulli: Kur dikush autorizon dikë për të dhënë diçka, pa ia caktuar sasinë, e ai jep sipas zakonit të njohur mes njerëzve
2309. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ata ibn Ebu Rebahu dhe të tjerë, të cilët e plotësojnë njëri-tjetrin, por asnjëri nuk e plotëson vetë transmetimin, se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Po udhëtoja me Pejgamberin ﷺ me një deve të lodhur, e cila rrinte në fund të karvanit. Pejgamberi ﷺ kaloi pranë dhe tha:
- “Kush është?”
- Xhabir ibn Abdullahu, - i thashë.
- “Çfarë ke?”
- Jam mbi një deve të lodhur.
- “Ke shkop me vete?”
- Po.
- “Ma jep.”
Kështu, ia dhashë shkopin, sakaq Pejgamberi ﷺ e godiste dhe e ngërmonte devenë. Prej atij vendi tanimë ecte në fillim të karvanit.
- “Shitma!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Po ta fal, o i Dërguari i Allahut.
- “Jo, shitma. Po ta blej për katër dinarë dhe po të lë ta shalosh deri në Medinë”, - më tha Pejgamberi ﷺ
Kur iu afruam Medinës, fillova të ngutem, ndërsa Pejgamberi ﷺ më tha:
- “Për ku?”
- Jam martuar me një grua të ve.
- “Po pse jo me një të virgjër, që ti të dëfrehesh me të dhe ajo me ty?”
- Kur më vdiq babai, m'i la disa vajza, andaj doja të martohesha me një të ve me përvojë (që të përkujdeset për motrat e mia), - i thashë.
- “Aha, kjo qenka arsyeja.”
Kur arritëm në Medinë, Pejgamberi ﷺ i tha Bilalit:
- “O Bilal, paguaja devenë dhe shtoja (paratë).”
Kështu, m'i dha katër dinarë dhe një kirat shtesë1. Ngado që shkoja, e mbaja me vete shtesën që ma kishte dhënë Pejgamberi ﷺ.
Atai thotë: “Ky kirat gjithmonë ndodhej në këllëfin e Xhabir ibn Abdullahut.”
9. Nënkapitulli: Nëse femra e autorizon prijësin për kurorëzimin e saj
2310. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, po ta dhuroj veten time (që të më martosh).” Sakaq, një burrë i tha Pejgamberit ﷺ: “Martoje me mua!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Po të martojmë me të, e për mehër mësoja pjesët që di përmendsh prej Kuranit.”
10. Nënkapitulli: Nëse i autorizuari shpenzon diçka prej pasurisë së autorizuesit dhe ky i dyti ia miraton, është në rregull, si dhe nëse i huazon dikujt diçka për një afat të caktuar
2311. Nga: Ebu Hurejra
Othman ibn Hejthem Ebu Amri na ka thënë: Na ka treguar Aufi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më autorizoi ta ruaja sadakanë e Ramazanit (fitrit). Kështu, një person kishte ardhur dhe kishte filluar të merrte ushqim (nga sadakaja e fitrit), por unë e zura dhe i thashë:
- Do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Jam nevojtar, kam familje dhe jam në gjendje të vështirë, - më tha, andaj e lëshova.
Në mëngjes Pejgamberi ﷺ më tha:
- “O Ebu Hurejre, si u bë puna me atë që e zure mbrëmë?”
- O i Dërguari i Allahut, m'u ankua se është në gjendje të vështirë dhe se ka familje, kështu që e mëshirova dhe e lirova.
- “Dije se të ka gënjyer dhe do të kthehet sërish”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
E dija se do të vinte sërish, ngase vetë i Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “... do të kthehet sërish.”
Kështu, fillova ta vëzhgoja. Sërish e gjeta duke marrë ushqim, andaj e zura dhe i thashë:
- Do të të çoj te Pejgamberi ﷺ.
- Më lësho, se jam nevojtar dhe kam familje e nuk do ta përsëris më, - më tha, andaj, nga mëshira, e lëshova.
Në mëngjes Pejgamberi ﷺ më tha:
- “O Ebu Hurejre, si u bë puna me atë që e zure?”
- O i Dërguari i Allahut, m'u ankua se është në gjendje të vështirë dhe se ka familje, andaj e mëshirova dhe e lirova.
- “Dije se të ka gënjyer dhe do të kthehet sërish”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
Së treti fillova ta vëzhgoja dhe sërish e gjeta duke marrë ushqim, e zura dhe i thashë:
- Do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ngase kjo është hera e tretë që po thua se nuk do ta përsërisësh, ndërkohë vazhdon ta përsërisësh.
- Më lësho, që të të mësoj diçka me të cilën Allahu do të të bëjë dobi, - më tha ai.
- Çfarë është ajo? - e pyeta.
- Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi deri në fund: “Allahu! S'ka të adhuruar të denjë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (Bekare, 255) Kështu, do të të ruajë një rojtar i Allahut dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes, - më tha ai, andaj e lirova.
Në mëngjes, Pejgamberi ﷺ më tha:
- “Si u bë puna me atë që e zure mbrëmë?”
- O i Dërguari i Allahut, më premtoi se do të më mësonte diçka me të cilën Allahu do të më bëjë dobi, andaj e lirova.
- “Çfarë është ajo?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Më tha: “Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi deri në fund: “Allahu! S'ka të adhuruar të denjë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” Kështu, do të të ruajë një rojtar i Allahut dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes.
- “Ta ka thënë të vërtetën, edhe pse është gënjeshtar i madh. A e di, o Ebu Hurejre, se me kë ke folur këto tri net?”
- Jo, - i thashë.
- “Me shejtanin”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
11. Nënkapitulli: Nëse i autorizuari shet diç të prishur, nuk i pranohet tregtia në fjalë
2312. Nga: Ebu Seid Hudriu
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Salihu, e këtij i ka treguar Muaviu ibn Selami, e ky nga Jahjai, e ky e ka dëgjuar Ukbe ibn Abdulgafirin se Ebu Seid Hudriu transmeton se Bilali i solli Pejgamberit ﷺ disa hurma bernie.
- “Prej nga këto?!” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kisha disa hurma të dobëta, andaj i shita (duke i këmbyer) dy saë me një saë (të hurmave bernie), që t'ia ofrojmë Pejgamberit ﷺ për t'i ngrënë, - iu përgjigj Bilali.
- “Ou ou ou, pikërisht kjo është kamata. Kjo është kamata! Mos vepro më kështu! Nëse dëshiron të blesh hurma të mira, fillimisht shiti hurmat (e dobëta) me diçka tjetër, pastaj me të blini hurma të mira” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 2312
Fjalë të panjohura?
12. Nënkapitulli: Autorizimi në gjërat e lëna vakëf dhe shfrytëzimi i tyre për vete dhe për të ushqyer dikë tjetër me masë, pa e dëmtuar (vakëfin)
2313. Nga: Amër ibn Dinari
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Amër ibn Dinari, në lidhje me sadakanë e Omerit (të lënë vakëf), ka thënë: “Për përgjegjësin nuk është mëkat që pasurinë vakëf ta shfrytëzojë për vete ose me të të ushqejë dikë tjetër, pa u munduar që të grumbullojë pasuri. Ibn Omeri ka pasur në përgjegjësi sadakanë e Omerit, prej së cilës u dhuronte disa mekasve kur shkonte tek ata.”
13. Nënkapitulli: Autorizimi në zbatimin e ndëshkimeve të përcaktuara
2314. Nga: Ebu Hurejra
2314, 2315 Ebu Velidi na ka thënë: Na ka rrëfyer Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullahu, se Zejd ibn Halidi dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shko, o Unejs, te kjo grua dhe, nëse pranon (se ka bërë zina), zbatoja dënimin me gurëzim.”
2315. Nga: Ebu Hurejra
2314, 2315
2316. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehab Thekafiu, e ky nga Ejubi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuajmanin ose Ibn Nuajmanin e sollën të dehur. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi ata që ishin në shtëpi që ta rrihnin. Unë isha në mesin e atyre që e rrahën. E rrahëm me opinga dhe thupra.”
14. Nënkapitulli: Autorizimi për kurbanet dhe përkujdesjen ndaj tyre
2317. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekër ibn Hazmi, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Qaforet e kurbanit të të Dërguarit të Allahut ﷺ i kam thurur me duart e mia, pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ ia vendosi qaforet me duart e veta dhe e dërgoi te babai im (në Mekë). Megjithatë, të Dërguarit të Allahut ﷺ asgjë prej atyre që Allahu ia kishte lejuar, nuk iu bë e ndaluar, derisa u ther kurbani.”
15. Nënkapitulli: Kur autorizuesi i thotë të autorizuarit: "Me të (sadakanë) vepro ashtu siç e sheh më të arsyeshme, ndërsa i autorizuari ia kthen: "Të dëgjova çfarë the."
2318. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Jahjai më ka thënë: Kam lexuar në prani të Malikut, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai ishte më i pasuri ndër ensarë, ndërsa pasuria më e dashur e tij ishte kopshti Bejruha, që ndodhej përpara xhamisë. Herë pas here, i Dërguari i Allahut ﷺ hynte në të dhe pinte ujë nga një burim i pastër uji. Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai shkoi dhe i tha Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, Allahu në Librin e Tij po thotë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...” (Ali Imran, 92) Ndërkaq, pasuria ime më e dashur është kopshti Bejruha, pra, po e dhuroj sadaka për hir të Allahut, duke synuar mirësinë dhe shpërblimin tek Allahu. Andaj, o i Dërguari i Allahut, vepro me të si të duash.
- “Të lumtë! Kjo është pasuri fitimprurëse. Kjo është pasuri fitimprurëse. Të dëgjova çfarë the. Unë propozoj t'ua japësh farefisit”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Ashtu do t'ia bëj, o i Dërguari i Allahut, - tha Ebu Talhai dhe ua ndau kopshtin farefisit dhe djemve të xhaxhait të tij.
(Transmetimin e) Jahja ibn Jahjait e fuqizon Ismaili nga Maliku. Po ashtu, Revhu transmeton nga Maliku se e ka përdorur fjalën "rabih (رابح)": fitimprurëse.
16. Nënkapitulli: Autorizimi i personit të besuar në depo dhe punë të ngjashme
2319. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Punëtori besnik i depos që e jep, - ose ka thënë: e dhuron, - atë që urdhërohet, të plotë dhe të bollshëm, me vetëdëshirë, dhe ia dorëzon atij që është urdhëruar, konsiderohet njëri nga lëmoshëdhënësit.”