Sahihu i Buhariut — Hadithi 421

42. Nënkapitulli: Lejimi i ndarjes së pasurisë dhe varjes së kalaveshit të hurmave brenda xhamisë

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: Fjala القِنْوُ (El kinvu) e ka kuptimin: Kalaveshi i hurmave. Dysia dhe shumësi i tij është: قِنْوَان (kinvanun) sikurse që dysia dhe shumësi i fjalës صِنْو (sinvun) është : صِنْوَان (sinvanun).

421. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ibrahim ibn Tahmani ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën një grumbull mallrash prej Bahrejnit, e në atë rast tha: “Derdhini në xhami!” Kurrë më parë nuk i kanë sjellë të Dërguarit të Allahut ﷺ mall më shumë sesa këtë herë. I Dërguari i Allahut ﷺ doli për namaz, ndërsa pasurisë as që ia lëshoi sytë. Pas namazit, erdhi e u ul pranë. Nuk ndodhte të shihte dikë e të mos i jepte diçka. Abasi erdhi dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Më jep edhe mua, sepse e kam shpaguar veten dhe Akilin (prej robërisë në Luftën e Bedrit).

- “Merr!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.

Abasi e mbushi rrobën e tij, por, ngaqë nuk mund ta bartte, tha:

- O i Dërguari i Allahut! A mund të urdhërosh dikë të ma ngarkojë?

- “Jo!” - i tha Pejgamberi .

- Atëherë, a mund të ma ngarkosh ti? - pyeti Abasi.

- “Jo!” - iu përgjigj sërish Pejgamberi ﷺ.

E zbrazi një sasi të saj, por ende nuk mund ta ngrinte. Iu drejtua Pejgamberit ﷺ:

- O i Dërguari i Allahut! A mund të urdhërosh dikë të ma ngarkojë?

- “Jo!” - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

- E po, a mund të ma ngarkosh ti?

- “Jo!” - i tha Pejgamberi ﷺ.

Ai zbrazi edhe një pjesë të saj dhe e ngarkoi në supet e veta e u nis. I Dërguari i Allahut ﷺ e përcolli me sytë e tij derisa ai u largua, i habitur me lakminë e tij.

Atë ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit nga aty vetëm atëherë kur nuk kishte mbetur asnjë dërhem.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 421

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?