Sahihu i Buhariut — Hadithi 428

48. Nënkapitulli: A lejohet të zhvarrosen (eshtrat nga) varret e idhujtarëve dhe mbi vendin e tyre të ndërtohen xhami?

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i mallkoftë hebrenjtë! Varret e pejgamberëve të tyre i kthyen në xhamia.” Ndalesa e faljes së namazit në varre; Omeri e pa Enes ibn Malikun duke u falur pranë një varri dhe i tha: "Varri! Varri! Mirëpo, nuk e urdhëroi ta përsëritë namazin."

428. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Medinë, u ndal në vendin Avali, respektivisht në vendin ku banonte fisi i Benu Amër ibn Aufit. Aty qëndroi katërmbëdhjetë net. Pastaj e thirri fisin benu nexhar, të cilët erdhën me shpata të ngjeshura për brezi. Më duket sikur sot po e shoh: “Pejgamberi ﷺ hipur në deve, ndërsa Ebu Bekri qëndronte pas tij (mbi deve), kurse paria e benu nexharëve ishin përreth tij, derisa (hynë) në oborrin e Ebu Ejubit, ku hoqi shalën e devesë (u ndal). Pejgamberit ﷺ i pëlqente të falej aty ku e zinte namazi.

Në fillim (me të mbërritur në Medinë) falej në një torishtë të dhenve, por, më pas, urdhëroi të ndërtohej xhamia, kështu që i thirri parinë e benu nexharëve (pronarët e parcelës) dhe u tha: “O fisi benu nexhar, ma tregoni çmimin e kopshtit tuaj.” Ata i thanë: “Jo, për Allahun! Nuk kërkojmë shpërblimin e kësaj, përveçse tek Allahu.”

Në atë kopsht ndodheshin varre të idhujtarëve, gërmadha dhe trupa hurmash. Pejgamberi ﷺ urdhëroi që varret e idhujtarëve të zhvarroseshin, gërmadhat të rrafshoheshin dhe pemët e hurmave të priteshin. Murin e përparmë të xhamisë e ndërtuan me trupa të hurmave, kurse ato anash me gurë. I bartnin gurët dhe recitonin poezi, ndërsa Pejgamberi ﷺ ishte me ta dhe thoshte:

“O Allah, mirësi e vërtetë është ajo në ahiret,
Andaj, ensarët dhe muhaxhirët fali krejt!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 428

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?