Sahihu i Buhariut — Hadithi 466
80. Nënkapitulli: Deriçka dhe korridori në xhami
466. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e këtij i ka treguar Ebu Nadri, e ky nga Ubejd ibn Hunejni, e ky nga Busr ibn Seidi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, në ligjërim e sipër, tha: “Allahu i Lartësuar i dha të drejtën një robi për të bërë zgjedhjen mes dynjasë dhe asaj që gjendet tek Ai. Robi zgjodhi atë që gjendet tek Allahu.” Ebu Bekri zuri të qajë. Thashë me vete: “Përse po qan ky burrë, vallë? Me gjasë, pse Allahu e paska lënë të lirë një rob që të zgjedhë dynjanë ose atë që gjendet tek Ai, e ky paska zgjedhur atë që është tek Allahu.”
Mirëpo, robi në fjalë ishte vetë i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa Ebu Bekri ishte më i dituri në mesin tonë (dhe e kuptoi këtë gjë).
Pejgamberi ﷺ tha: “O Ebu Bekër! Mos qaj! Njeriu që më së shumti më ka ofruar, në shoqërim dhe pasuri, është Ebu Bekri. Sikur të zgjidhja dikë prej umetit tim për mik të ngushtë, do ta zgjidhja Ebu Bekrin. Mirëpo, vëllazëria dhe dashuria islame (janë më parësore). Të mos mbetet asnjë deriçkë e xhamisë pa u mbyllur, përveç asaj të Ebu Bekrit.”