Sahihu i Buhariut — Hadithi 509

100. Nënkapitulli: Namazliu nuk lë dikë të kalojë para tij teksa ky falet

Ibn Omeri nuk lejonte t'i kalonte dikush përpara gjatë teshehudit (qëndrimit ulur në namaz), madje edhe në Qabe. Ai thoshte: "Nëse refuzon të ndalet, t'i kundërvihesh me forcë!"

509. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Junusi, a ky nga Humejd ibn Hilali, e ky nga Ebu Salihu, e ky nga Ebu Seidi se Pejgamberi ﷺ ka thënë. [t]: Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Mugire, e këtij i ka treguar Humejd ibn Hilal Adeviu se Ebu Salih Semani tregon: “Një ditë të premte, e kam parë Ebu Seid Hudriun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke u falur në drejtim të një sutre. Një djalosh, pjesëtar i fisit të Ebu Muajtit, tentoi të kalonte mes tij dhe sutrës, por Ebu Seidi e shtyu në gjoks. Djaloshi e shikoi dhe sërish tentoi t'i kalojë përpara, atëherë Ebu Seidi e shtyu edhe më shumë se herën e parë. Djaloshi shkoi te Mervani dhe iu ankua për veprimin e Ebu Seidit. Ebu Seidi e pasoi djaloshin dhe, kur hyri brenda, Mervani e pyeti: “Çfarë ke me djalin e vëllait tënd, o Ebu Seid?”

Ebu Seidi tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Nëse dikush falet në drejtim të sutrës, ndërkohë dikush tjetër tenton t'i kalojë përpara tij, le ta ndalojë. Nëse refuzon (të kthehet), le t'i kundërvihet, sepse i tilli është shejtan.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 509

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?