51. Dhurata, vlera e saj dhe nxitja për dhurim

1. Nënkapitulli: Vlera e dhuratës

2566. Nga: Ebu Hurejra

Asim ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Makburi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O ju gra muslimane! Fqinja të mos e përçmojë gjënë që mund t'ia dhurojë fqinjes së saj, qoftë dhe një thundër deleje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2566

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2567. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdulaziz ibn Abdullah Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij, e ky nga Jezid ibn Rumani se Urve tregon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “O biri i motrës sime! Kishte raste kur e shihnim hënën e re, pastaj tjetrën, e edhe të tretën, pra, për dy muaj rresht, ndërkohë në shtëpitë e të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk ndizej zjarri.”
- Oj teze, po si mbijetonit?
- Me dy ushqime: me hurma dhe ujë, përveç kur disa ensarë fqinjë të të Dërguarit të Allahut ﷺ, që posedonin bagëti, herë pas here i dhuronin të Dërguarit të Allahut ﷺ qumësht, të cilin na jepte për ta pirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2567

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Dhurata modeste

2568. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të ftohesha në gosti për një kofshë ose kërci (deleje), do të përgjigjesha, dhe, nëse do të më dhurohej një kofshë ose kërci (deleje), do ta pranoja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2568

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Ai që u kërkon shokëve t’i dhurojnë diçka

Ebu Seidi tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ma ndani edhe mua një hise, bashkë me tuajën.”

2569. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë te një grua muhaxhire, e cila kishte një shërbëtor zdrukthëtar, për t'i thënë: “Urdhëroje shërbëtorin tënd të na i punojë shkallët e minberit.”
Gruaja në fjalë ashtu veproi. Urdhëroi shërbëtorin, i cili, me drurë tarfe, ia ndërtoi minberin Pejgamberit ﷺ. Pasi e përfundoi, përmes dikujt, e lajmëroi se minberi ishte gati, e Pejgamberi ﷺ i tha: “Ma dërgo me dikënd!” Kur e sollën, Pejgamberi ﷺ e mori dhe e vendosi aty ku po e shihni edhe sot.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2569

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

2570. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Ebu Hazimi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katade Selemiu se Ebu Katade Selemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, teksa po rrija me disa shokë të të Dërguarit të Allahut ﷺ, në një vend diku përgjatë rrugës për Mekë, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ndalur diku para nesh dhe të gjithë ishin në ihram, përveç meje, shoqëruesit e mi e panë një zebër, ndërsa unë isha i zënë duke rregulluar një opingë timen. Ata nuk më lajmëruan (për zebrën), edhe pse, në vete, donin që unë ta shihja. Papritmas, kur shikova tutje, e pashë zebrën. U ngrita, e shalova kalin dhe i hipa, por harrova ta marr kamxhikun dhe shtizën, andaj u thashë:
- Ma afroni kamxhikun dhe shtizën!
- Jo, për Allahun, nuk do të të ndihmojmë me asgjë në lidhje me të! - më thanë ata.
Kështu, u zemërova dhe zbrita për t'i marrë vetë.
Sërish i hipa kalit dhe e ndoqa zebrën derisa e qëllova me shtizë. Zebrën e vrarë ua çova shokëve, të cilët (pasi e përgatitën) filluan të hanë. Por, më pas, meqë ishin në ihramë, filluan të dyshojnë në ngrënien e mishit të saj. Ndërkohë, unë kisha fshehur një copë mishi nga këmba e përparme e zebrës dhe kështu u nisëm për ta arritur të Dërguarin e Allahut ﷺ e për ta pyetur rreth ngrënies së zebrës. Ai tha:
- “Ju ka mbetur diç prej mishit të saj?”
- Po, - i thashë dhe ia dhashë pjesën që e kisha ruajtur, të cilën Pejgamberi ﷺ e hëngri të tërën, edhe pse ishte në ihram.

Këtë ma ka treguar Zejd ibn Eslemi nga Ata ibn Jesari, e ky nga Ebu Katadja, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2570

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Kur dikush kërkon për të pirë

Sehli tregon: Pejgamberi ﷺ më tha: "Më jep për të pirë."

2571. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Abdurrahman Ebu Tuvale se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në shtëpinë tonë dhe kërkoi diç për të pirë. Ne molëm një dele, pastaj qumështin e përzjeva me pak ujë nga pusi ynë dhe ia dhashë Pejgamberit ﷺ. Ebu Bekri ndodhej në të majtë të tij, Omeri përballë, ndërsa në të djathtë një beduin. Pasi Pejgamberi ﷺ piu, Omeri i tha: “Këtej është Ebu Bekri!” Por, Pejgamberi ﷺ ia dha enën beduinit për të pirë dhe tha: “Nga e djathta në të djathtë! Jepini përparësi së djathtës.”
Pastaj Enesi tha tri herë: “Kjo është sunet, kjo është sunet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2571

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Pranimi i dhuratës nga gjahu

Pejgamberi ﷺ e ka pranuar nga Ebu Katade kofshën e gjahut (zebrës së gjahtuar).

2572. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hisham ibn Zejd ibn Enes ibn Maliku se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në Merr Dhahran trembëm një lepur dhe iu lëshuam pas derisa e zumë. Unë e mora dhe ia dërgova Ebu Talhait, i cili e theri dhe kofshët ia dërgoi të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai i pranoi.”
Hisham ibn Zejdi thotë: “E pyeta Enesin: “Vallë, (Pejgamberi ﷺ) i hëngri kofshët?”
- Po, - iu përgjigj ai.
Por, më vonë, ka thënë vetëm: “I pranoi (Pejgamberi ﷺ).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2572

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Pranimi i dhuratës

2573. Nga: Sab ibn Xhethame Lejthiu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi, e ky nga Abdullah ibn Abasi se Sab ibn Xhethame (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa ishte në Ebva, - ose ka thënë: Vedan, - të Dërguarit të Allahut ﷺ i dhuroi një zebër, por ai ia refuzoi. Mirëpo, kur ia vërejti hidhërimin në fytyrë, i tha: “Nuk ta refuzuam për diç tjetër, por vetëm pse jemi në ihramë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2573

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Pranimi i dhuratës

2574. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Abde, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, kur sahabët dëshironin t'i dhuronin diçka Pejgamberit ﷺ, i rrinin gati ditës kur ai ishte tek Aishja, duke synuar kënaqësinë e të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2574

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2575. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Xhafer ibn Ijasi, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Umu Hufejdi, tezja e Ibn Abasit, i dhuroi Pejgamberit ﷺ pak djathë, gjalpë dhe një zvarranik të quajtur dab. Pejgamberi ﷺ hëngri djathë e gjalpë, por, nga neveria, e la dabin.
Zvarraniku dab është ngrënë në sofër të Dërguarit të Allahut ﷺ, andaj, po të ishte haram, nuk do të hahej në sofrën e të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2575

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2576. Nga: Ebu Hurejra

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Meani, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Tahmani, e ky nga Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur dikush i sillte ndonjë ushqim të Dërguarit të Allahut ﷺ, pyeste: “Është dhuratë apo sadaka?” Nëse i thuhej sadaka, u thoshte sahabëve: “Hani!”, porse vetë nuk hante, e, nëse i thuhej dhuratë, e zgjaste dorën dhe hante bashkë me ta.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2576

Fjalë të panjohura?

2577. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën pak mish dhe i treguan se ishte sadaka që i është dhënë Berirës. Në atë rast ai tha: “Për të (Berirën) është lëmoshë, kurse për ne është dhuratë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2577

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2578. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Abdurrahman ibn Kasimin, e ky nga Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se donte ta blinte Berirën, por pronarët e saj kushtëzonin përkatësinë e saj. Kur këtë gjë ia përmendën Pejgamberit ﷺ, tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.”
Më pas, Berira i dhuroi Aishes mish. Pejgamberi ﷺ pyeti:
- “Ç'është kjo?”
- I është dhënë sadaka Berirës, - i tha Aishja.
- “Për të është sadaka, kurse për ne është dhuratë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
Berirës i ishte dhënë e drejta për të zgjedhur nëse donte të vazhdonte të jetonte ose jo nën kurorë me burrin e vet.
Abdurrahman ibn Kasimi thotë: “Burri i saj ka qenë i lirë ose rob.”
Shuëbe thotë: “E kam pyetur Abdurrahmanin për burrin e Berirës, e ai më ka thënë: “Nuk di nëse ka qenë i lirë apo rob.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2578

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?

2579. Nga: Umu Atija Ensarja

Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Halid ibn Abdullahu, e ky nga Halid Hadhai, e ky nga Hafsa bint Sirini se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ shkoi tek Aishja dhe e pyeti: “A keni diçka (për të ngrënë)?”
- Jo, përveç pak mish deleje që na e ka dërguar Umu Atija, së cilës i është dhënë sadaka, - iu përgjigj Aishja.
- “Ka arritur në vendin e vet”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2579

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Kur njeriu i dhuron diç shokut të vet e i jep përparësi ditës së ndonjërës prej grave të tij kur ndodhet tek ajo

2580. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur njerëzit dëshironin t'i dhuronin diç Pejgamberit ﷺ, i rrinin gati ditës kur ai ishte tek unë.”
Umu Seleme tregon: “Gratë e Pejgamberit ﷺ u mblodhën tek unë dhe folën për këtë gjë, pastaj ia përmenda Pejgamberit ﷺ, por ai nuk ma vuri veshin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2580

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2581. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gratë e të Dërguarit të Allahut ﷺ ishin të ndara në dy grupe: në njërin grup ishin: Aishja, Hafsa, Safija dhe Sevda, kurse në tjetrin: Umu Seleme dhe gratë e tjera të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Muslimanët e dinin se në ç'masë e donte i Dërguari i Allahut ﷺ Aishen. Andaj, nëse dikush kishte ndonjë dhuratë për të Dërguarin e Allahut ﷺ, priste derisa vinte dita e Aishes, kur i Dërguari i Allahut ﷺ ndodhej në shtëpinë e saj, në mënyrë që t'ia jepte.
Grupi tjetër iu drejtuan Umu Selemes duke i thënë: “Fol me të Dërguarin e Allahut ﷺ, le t'u thotë njerëzve se, kur kanë për t'i dhuruar diçka, le t'ia dhurojnë, pavarësisht në cilën shtëpi të grave të tij ndodhet.”
Kështu, Umu Seleme ia tha këto gjëra të Dërguarit të Allahut ﷺ, por ai nuk iu përgjigj gjë. Ato e pyetën nëse kishte folur me të dhe kjo u tha: “Nuk më tha asgjë.” Por, ato këmbëngulën që të flasë sërish me të.
Umu Seleme, për së dyti, ia tha të njëjtat gjëra të Dërguarit të Allahut ﷺ, ditën kur ai ishte në shtëpinë e saj, por ai sërish nuk i ktheu asnjë përgjigje.
Ato i thanë: “Fol me të, derisa të të japë ndonjë përgjigje.” Herën tjetër, kur i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi në shtëpinë e saj, ajo i foli për këtë punë. Atëherë Pejgamberi ﷺ ia ktheu:
- “Mos më prek në Aishen, se nuk ka ndodhur që të më vijë shpallja duke qenë afër ndonjërës prej grave, përveç afër Aishes.”
- Pendohem tek Allahu nëse të kam lënduar, o i Dërguari i Allahut! - tha Umu Seleme.
Më pas, ato iu drejtuan Fatimes, së bijës së të Dërguarit të Allahut ﷺ, e cila dërgoi dikë tek i Dërguari i Allahut ﷺ për t'i thënë: “Gratë e tua po të bëjnë be në Allahun të tregosh drejtësi në raport me të bijën e Ebu Bekrit.”
Pasi biseduan, Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Oj bija ime, a nuk e do atë që dua unë?”
- Posi, - iu përgjigj Fatimja.
Ato kërkuan që Fatimja sërish të shkojë e të flasë me Pejgamberin ﷺ, por ajo nuk pranoi. Pastaj e dërguan Zejnebe bint Xhahshin, e cila erdhi dhe me vrazhdësi tha: “Gratë e tua po të betohen të tregosh drejtësi me të bijën e Ibn Ebu Kuhafës.” E ngriti zërin, saqë filloi të flasë, madje edhe ta ofendojë Aishen, e cila po qëndronte ulur. I Dërguari i Allahut ﷺ e shikonte Aishen, nëse donte të fliste apo jo. Atëherë Aishja filloi të flasë e t'i kundërpërgjigjej Zejnebes, derisa e bëri të heshtë. Pejgamberi ﷺ e shikoi Aishen dhe tha: “Ajo është e bija e Ebu Bekrit.”

Buhariu ka thënë: “Pjesa e fundit e tregimit, përkatësisht tregimi i Fatimes, përmendet nga Hisham ibn Urve, e ky nga një person, e ky nga Zuhriu, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahmani, kurse Ebu Mervani e ka transmetuar nga Hishami, e ky nga Urve: “... i rrinin gati ditës kur ai ishte tek Aishja.” Po ashtu, transmetohet nga Hishami, e ky nga një burrë kurejsh, dhe një burrë nga të çrobëruarit, e këta nga Zuhriu, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami se Aishja ka thënë: “Teksa isha tek Pejgamberi ﷺ, Fatimja kërkoi leje për të hyrë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2581

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Dhurata që nuk bën të refuzohet

2582. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi se Azre ibn Thabit Ensariu tregon: “Shkova te Thumame ibn Abdullahu, i cili më ofroi parfum dhe më tha: “Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk e kishte zakon ta refuzonte parfumin. Madje, Enesi ka treguar se vetë Pejgamberi ﷺ nuk e refuzonte parfumin (kur i dhurohej).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2582

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Dhurimi i diçkaje që nuk është e pranishme

2583. Nga: Misver ibn Mahremi - Mervan ibn Hakemi

2583, 2584 - Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se ka thënë: Misver ibn Mahremi dhe Mervani (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur erdhi delegacioni i fisit hevazin, Pejgamberi ﷺ u ngrit ndër njerëz, e lavdëroi Allahun, ashtu siç i takon Atij, dhe tha: “E, më pas; Vërtet, vëllezërit tuaj na kanë ardhur të penduar, andaj, unë mendoj t'ua kthejmë robërit e zënë në luftë, kështu që kush dëshiron t'ua kthejë vullnetarisht, le ta bëjë, e, kush dëshiron, le t'i mbajë, derisa Allahu të na furnizojë me ndonjë plaçkë, që t'ia japim (në këmbim të robërve).”
- Po ua kthejmë me gjithë qejf, - thanë sahabët.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2583

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2584. Nga: Misver ibn Mahremi

2583, 2584 -

Referenca: Sahihu i Buhariut 2584

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Shpërblimi për dhuratën

2585. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Isa ibn Junusi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur ndokush i jepte të Dërguarit të Allahut ﷺ ndonjë dhuratë, ai e pranonte dhe e shpërblente dhuruesin me diçka.

Vekiu dhe Muhadiri nuk e kanë përmendur në transmetimet e tyre Hishamin nga babai i tij, nga Aishja.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2585

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Dhurimi i diçkaje fëmijës

Nuk lejohet që prindi t’u dhurojë diç disa fëmijëve të tij e të mos tregohet i drejtë me të gjithë, por të gjithëve duhet t’u japë njësoj. Mirëpo, edhe nëse i veçon disa kundrejt të tjerëve, nuk i refuzohet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tregohuni të drejtë ndaj fëmijëve tuaj kur u dhuroni diçka!” A i lejohet prindit ta rimarrë gjënë e dhuruar? Prindi e shfrytëzon pasurinë e fëmijës së vet, pa e tepruar. Pejgamberi ﷺ ka blerë një deve prej Omerit, të cilën më pas ia kishte dhuruar Ibn Omerit dhe i kishte thënë: “Me të vepro ç’të duash.”

2586. Nga: Numan ibn Beshiri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani dhe Muhamed ibn Numan ibn Beshiri se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ së bashku me babanë e vet, i cili tha:
- Këtij birit tim i kam dhuruar një shërbëtor.
- “Vallë, të gjithë fëmijëve të tu u ke dhuruar diçka të tillë?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - iu përgjigj ai.
- “Atëherë ktheje!” - i tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2586

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Prania e dëshmitarëve gjatë dhurimit

2587. Nga: Numan ibn Beshiri

Hamid ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Husajni, e ky nga Amiri se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke ligjëruar në minber, ka treguar: “Babai im më bëri një dhuratë, por Amra bint Revaha tha: “Nuk pranoj kështu pa dëshmuar edhe i Dërguari i Allahut ﷺ.” Andaj, ai shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “Djalit tim, që e kam prej Amra bint Revahas, i kam dhuruar diçka, por ajo ma kërkoi dëshminë tënde për të, o i Dërguari i Allahut.”
- “U ke dhënë edhe fëmijëve të tjerë diçka të tillë?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - tha ai.
- “Frikojuni Allahut dhe jini të drejtë ndaj fëmijëve tuaj!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Pasi u kthye, e rimori dhuratën që ma kishte dhënë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2587

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Dhurata e burrit ndaj gruas dhe anasjelltas

Ibrahim Nehaiu ka thënë: Kjo gjë është e lejuar. Omer ibn Abdulazizi ka thënë: "Nuk e rimarrin atë që e dhurojnë. Pejgamberi ﷺ u ka kërkuar leje grave të veta për t'u mjekuar në shtëpinë e Aishes." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e rikthen dhuratën e dhënë është sikurse qeni që e gëlltit vjelljen e vet.” Zuhriu, në lidhje me atë që i thotë bashkëshortes së vet: "Më jep një pjesë ose tërë mehrin tënd, e, pas një kohe të shkurtër e shkurorëzon, ndërsa ajo e kërkon pjesën që ia ka dhënë atij, ka thënë: "Nëse e ka mashtruar, duhet t’ia kthejë, e, nëse ajo ia ka dhënë vullnetarisht, pa kurrfarë mashtrimi prej tij, i lejohet ta marrë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... nëse ato ju falin me dëshirën e vet diçka prej atyre dhuratave...” (Nisa, 4)

2588. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberit ﷺ iu rëndua dhe iu ashpërsua sëmundja, u kërkoi leje grave të tij që të mjekohej në shtëpinë time. Ato i dhanë leje. Një ditë, doli duke e mbajtur dy burra për krahësh, ndërsa këmbët e tij i shkonin zvarrë. Qëndronte mes Abasit dhe një burri tjetër.
Ubejdullahu thotë: “I tregova Abdullah ibn Abasit (për këto fjalë të Aishes), e ai më tha: “A e di kush ka qenë burri tjetër, të cilit Aishja nuk ia ka përmendur emrin?” I thashë: “Jo.” Ai tha: “Ka qenë Ali ibn Ebu Talibi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2588

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?

2589. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e rimerr dhuratën e dhënë është sikurse qeni që vjell e pastaj i kthehet vjellje së vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2589

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Femrës së martuar i lejohet t’i dhurojë diçka atij që s'e ka burrë dhe të lirojë ndonjë rob, për sa kohë që nuk është mendjelehtë, në të kundërtën nuk i lejohet

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Pasurinë tuaj mos e lini në dorë të atyre që janë mendjelehtë...” (Nisa, 5)

2590. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Abad ibn Abdullahu se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk posedoj pasuri, përveç asaj që ma jep Zubejri. Vallë, a të jap sadaka?” Ai m'u përgjigj: “Jep sadaka e mos e mbyll (enën), sepse Allahu ta mbyll ty pastaj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2590

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2591. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Ubejdullah ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Numejri, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga Fatimja se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “Jep sadaka e mos i numëro, sepse Allahu t'i numëron ty pastaj, si dhe mos e mbyll (enën), sepse Allahu ta mbyll ty pastaj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2591

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2592. Nga: Mejmune bint Harithi

Jahja ibn Bukejri na ka treguar nga Lejthiu, e ky nga Jezidi, e ky nga Bukejri, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Mejmune bint Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ajo liroi një robëreshë pa lejen e Pejgamberit ﷺ. Kur i erdhi dita që Pejgamberi ﷺ të shkonte tek ajo, i tha: “O i Dërguari i Allahut, a e ke vënë re se e kam liruar robëreshën time?”
- “Vallë, ashtu paske vepruar?” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Po.
- “Sikur t'ua dhuroje dajallarëve të tu, do të shpërbleheshe më shumë”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

Bekër ibn Mudarri transmeton nga Amri, e ky nga Bukejri, e ky nga Kurejbi: “Mejmunia liroi një robëreshë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2592

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2593. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Hiban ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ donte të udhëtonte, hidhte short mes grave të tij. Asaj që i binte shorti, shkonte me të. Ndërkaq, secilës bashkëshorte ia ndante nga një ditë e një natë, përveç Sevdë bint Zemës, e cila (në pleqërinë e saj) ma pati dhuruar mua ditën dhe natën e saj, gjë me të cilën synonte të kënaqte të Dërguarin e Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2593

Hadithe të ngjashme: Shiko (17)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Nga kush fillon dhënia e dhuratës?

2594. Nga: Mejmune bint Harithi

Bekër ibn Amri transmeton nga Bukejri, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, liroi një robëreshë të saj, e atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Sikur t'ia jepje ndonjërit prej dajallarëve të tu, do të shpërbleheshe më shumë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2594

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2595. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Imran Xhevniu, e ky nga Talha ibn Abdullahu, - njëri nga burrat e fisit benu tejm ibn murra, - se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, i kam dy fqinje, por cilës prej tyre t'i dërgoj dhuratë?”
- “Atij, derën e së cilës e ke më afër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2595

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Ai që nuk e pranon dhuratën për ndonjë arsye të caktuar

Omer ibn Abdulazizi ka thënë: "Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhurata ka qenë me plot kuptimin e fjalës dhuratë, ndërsa sot është kthyer në ryshfet."

2596. Nga: Sab ibn Xhethame Lejthiu

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe, e ky nga Abdullah ibn Abasi se Sab ibn Xhethame Lejthiu, një prej shokëve të Pejgamberit ﷺ, tregon se i dhuroi Pejgamberit një zebër teksa ishte në ihram, në vendin e quajtur Ebva. - ose ka thënë: Vedan, - porse Pejgamberi ﷺ ia refuzoi. Mirëpo, kur Pejgamberi ﷺ i vërejti hidhërimin në fytyrë se i ishte refuzuar dhurata, i tha: “Nuk kemi asgjë kundër teje, por jemi në ihramë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2596

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2597. Nga: Ebu Humejd Saidiu

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve ibn Zubejri se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Pejgamberi ﷺ punësoi një burrë nga fisi ezd, që quhej Ibn Lutbije, për të mbledhur zekatin. Pasi u kthye, tha: “Kjo është për ju, ndërsa kjo më është dhuruar mua. Pejgamberi ﷺ tha: “Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet, e të shohë nëse po i dhuron dikush diçka apo jo! Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se, Ditën e Gjykimit, ai që merr nga zekati (padrejtësisht), do të vijë duke e bartur në shpinë: nëse është deve, bulurin; nëse është lopë, pëllet, e, nëse është dele, blegëron.” Pastaj i ngriti duart, saqë i dallohej bardhësia e sqetullave, dhe tha tri herë: “O Allah, a ua kumtova? O Allah, a ua kumtova?”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2597

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Nëse dhuron ose premton diçka, por vdes para se t’i arrijë pranuesit të dhuratës

Abide ka thënë: "Nëse të dyja palët vdesin dhe, në momentin kur është nisur dhurata, pranuesi i dhuratës ka qenë gjallë, atëherë ajo u takon trashëgimtarëve të tij. Por, nëse dhurata nuk është nisur ende, u takon trashëgimtarëve të dhuruesit." Haseni ka thënë: "Pa marrë parasysh se cili ka vdekur i pari, dhurata u takon trashëgimtarëve të pranuesit prej momentit që transportuesi e merr dhuratën."

2598. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më tha: “Nëse na vjen plaçka e Bahrejnit, do të të jap kaq”, - pra, tri grushte dinarë. Por, plaçka e Bahrejnit nuk erdhi deri pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ. Atëherë Ebu Bekri dërgoi një tellall të thërrasë: “Atij që Pejgamberi ﷺ i ka premtuar diçka ose i ka pasur borxh, le të vijë këtu. Unë shkova dhe i thashë se Pejgamberi ﷺ më ka premtuar, kështu që m'i derdhi tri grushte (dinarë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2598

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Mënyra e marrjes së robit a gjësendeve në pronësi

Ibn Omeri ka thënë: (Në një udhëtim) Kam qenë i hipur mbi një deve të vështirë, të cilën Pejgamberi ﷺ e bleu dhe më tha: “(Merre) Është e jotja o Abdullah.”

2599. Nga: Misver ibn Mahremi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ shpërndau disa xhybe, por Mahremit nuk i dha asgjë. Ai tha: “O biri im, eja të shkojmë tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Kështu, shkuam së bashku dhe, kur arritëm, më tha: “Hyr e thirre.” Kur e thirra, ai doli me një xhybe në dorë dhe tha: “Këtë ta kemi ruajtur ty.” Mahremi e shikoi Pejgamberin ﷺ dhe tha: “Tani Mahremi është i kënaqur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2599

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Kur dikush i dhuron dikujt diçka e ky i dyti e merr pa thënë: "E pranova."

2600. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Mahbubi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “Jam shkatërruar!”
- “Si ashtu, vallë?” - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me gruan, në Ramazan.
- “Ke ndonjë rob?”
- Jo.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
Atëherë, një burrë ensar, solli një shportë me hurma. Pejgamberi ﷺ i tha personit në fjalë:
- “Merre këtë dhe shpërndaje lëmoshë ndër njerëz.”
- Dikujt që është më i nevojshëm se ne, o i Dërguari i Allahut? Betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se në mes dy pllajave (të Medinës) s'ka familje më të varfër se ne.
- “Shko ushqeje me të familjen tënde, pra” - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2600

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Dhurimi i borxhit një personi tjetër

Shuëbe transmeton nga Hakemi se ka thënë: "Kjo gjë është e lejuar. Hasen ibn Aliu borxhin e vet ia ka dhuruar një personi tjetër." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse dikush i ka borxh dikujt, le t’ia kthejë ose le t’ia kërkojë hallallin.” Xhabiri tregon: "Babai im u vra dhe la një borxh. Pejgamberi ﷺ kërkoi prej borxhlinjve t’i pranojnë hurmat e kopshtit tim dhe t’ia falin pjesën e mbetur të borxhit babait tim."

2601. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi; gjithashtu Lejthiu thotë: Më ka treguar Junusi; e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar i biri i Kab ibn Malikut se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se babai i tij ishte vrarë shehid ditën e Uhudit. Borxhlinjtë filluan të bëjnë presion për t'ua kthyer borxhet (që ua kishte babai i Xhabirit). Kështu, shkova dhe bisedova me të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili u kërkoi t'i pranojnë hurmat e kopshtit tim dhe t'ia falin pjesën e mbetur të borxhit të babait, gjë që e refuzuan. Rrjedhimisht, i Dërguari i Allahut ﷺ as ua dha kopshtin tim, as ua ndau atyre, por më tha:(Nesër) do të vij te ti, inshallah.” Mëngjesin e së nesërmes erdhi dhe shëtiti nëpër kopsht duke bërë dua që frutat të jenë të bereqetshme. Më pas, i tubova dhe ua ktheva gjithë borxhin, madje edhe neve na mbeti një pjesë. Pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova, teksa ishte i ulur, e bashkë me të edhe Omeri, të cilit i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Dëgjoje, o Omer!” Omeri tha: “Vallë, a nuk e dinim se ti je i Dërguari i Allahut? Betohem në Allahun se ti, përnjëmend, je i Dërguari i Allahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2601

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Kur një person i dhuron diçka një grupi njerëzish

Esma i ka thënë Kasim ibn Muhamedit dhe Ibn Ebu Atikut: "Nga motra ime, Aishja, kam trashëguar një copë tokë në Gabe, për të cilën Muaviu m’i ka ofruar njëqind mijë (dinarë), por po jua dhuroj juve."

2602. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberit ﷺ i sollën një pije, ndërsa në të djathtë të tij gjendej një djalosh, kurse në të majtë gjendeshin të moshuarit. Pasi piu, Pejgamberi ﷺ i tha djaloshit: “Nëse më lejon, do t'ua jepja këtyre (për të pirë).”
- Nuk do t'i jepja përparësi askujt për të pirë atë që më takon mua, prej asaj që ka mbetur nga ti, o i Dërguari i Allahut! - ia ktheu djaloshi.
Atëherë, ia lëshoi ibrikun në dorë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2602

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Dhurata që është marrë dhe që s'është marrë në pronësi, e ndara dhe e pandara

Pejgamberi ﷺ dhe sahabët ua dhuruan fisit hevazin gjërat e fituara mes tyre nga plaçka e luftës, edhe pse plaçka ende nuk ishte ndarë.

2603. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Thabiti më ka thënë: Na ka treguar Misari, e ky nga Muharibi se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ në xhami dhe ai më pagoi (për devenë e blerë), madje më dha më tepër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2603

Hadithe të ngjashme: Shiko (25)

Fjalë të panjohura?

2604. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Muharibi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i shita një deve teksa ishim në udhëtim. Kur u kthyem në Medinë, më tha: “Eja në xhami dhe fali dy rekate!” Pastaj i peshoi (monedhat), - Shuëbe ka thënë: “Kujtoj se ka thënë: m'i peshoi, - madje më dha më tepër. Kjo pasuri më mbeti deri kur ma rrëmbyen banorët e Shamit, ditën e Betejës së Harrës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2604

Hadithe të ngjashme: Shiko (25)

Fjalë të panjohura?

2605. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe na ka treguar nga Maliku, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një pije, ndërsa në të djathtë të tij gjendej një djalosh, kurse në të majtë gjendeshin të moshuarit. Pejgamberi ﷺ i tha djaloshit:
- “A më lejon t'ua jap këtyre?”
- Jo, për Allahun! Nuk do t'i jepja përparësi askujt për të pirë atë që më takon, prej asaj që ka mbetur nga ti, - ia ktheu djaloshi.
Atëherë, ia lëshoi ibrikun në dorë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2605

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

2606. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Othman ibn Xhebele na ka treguar: Më ka rrëfyer babai im nga Shuëbe, e ky nga Seleme, e ky e ka dëgjuar Ebu Selemen se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ i kishte një borxh një njeriu (i cili kishte ardhur t'ia kërkonte dhe i foli ashpër), andaj sahabët iu vërsulën, por Pejgamberi ﷺ u tha: “Lëreni, sepse huadhënësi ka të drejtë të kërkojë borxhin e tij sa herë të dojë.” Pastaj u tha: “Blini një deve njëvjeçare dhe jepjani.” Ata i thanë: “Nuk gjetëm të moshës së njëjtë, përveçse një më të vjetër.” Ai u tha: “Blijeni atë dhe jepjani, sepse më i miri prej jush është ai që e kthen huan në formën më të mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2606

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Nëse një grup njerëzish i dhurojnë diç një personi të vetëm

2607. Nga: Mervan ibn Hakemi - Misver ibn Mahremi

2607, 2608 - Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Mervan ibn Hakemi dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur erdhi delegacioni i fisit hevazin te muslimanët dhe i kërkuan t'ua kthejë pasuritë dhe robërit e zënë në luftë, Pejgamberi ﷺ u tha: “Ju po shihni kë kam me vete. Unë i dua fjalët e sinqerta, andaj zgjidhni njërën prej këtyre të dyjave: ose robërit e luftës, ose pasurinë. Unë kam pritur se do të vini për ta.”
Pejgamberi ﷺ i kishte pritur dhjetë net e më shumë pasi ishte larguar prej Taifit. Kur atyre iu bë e qartë se Pejgamberi ﷺ nuk do t'ua kthejë të dyja, thanë: “Po i zgjedhim robërit e luftës.”
Pejgamberi ﷺ u ngrit në mesin e njerëzve, e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon Atij dhe tha: “E, më pas; Vërtet, vëllezërit tuaj na kanë ardhur të penduar, kështu që unë mendoj t'ua kthej robërit e luftës. Andaj, kush prej jush vendos t'i lirojë me dëshirë, le ta bëjë, e, kush dëshiron që ta mbajë pjesën e vet (robin e luftës) derisa t'i japim diç prej plaçkës së parë me të cilën do të na furnizojë Allahu, le ta mbajë.”
Njerëzit thanë: “Do ta bëjmë këtë, o i Dërguari i Allahut!”
- “Nuk po dimë kush prej jush po lejon lirimin e robërve e kush jo, andaj kthehuni nëpër vendet tuaja që përfaqësuesit tuaj të na lajmërojnë për secilin prej jush”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
Njerëzit u kthyen dhe biseduan me përfaqësuesit e tyre, të cilët shkuan dhe e lajmëruan Pejgamberin ﷺ se pajtoheshin t'i lironin robërit e luftës me dëshirë.
Këto gjëra na janë transmetuar rreth pjesëtarëve të fisit hevazin të zënë robër lufte.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2607

Fjalë të panjohura?

2608. Nga: Misver ibn Mahremi

2607, 2608

Referenca: Sahihu i Buhariut 2608

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Kur dikujt i dhurohet një dhuratë duke qenë në shoqërimin e një grupi njerëzish, është më meritor ta marrë ai (e jo ta ndajë me shoqëruesit)

Përmendet se Ibn Abasi ka thënë se, pranuesi i dhuratës e ndan atë me shoqëruesit e vet. Por, e vërteta qëndron se kjo nuk është thënë nga Ibn Abasi.

2609. Nga: Ebu Hurejra

Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Seleme ibn Kuhejli, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ mori borxh një deve njëvjeçare dhe, kur pronari vajti t'ia kërkojë borxhin, sahabët u treguan të rreptë (për shkak të vrazhdësisë së tij me Pejgamberin ﷺ), por Pejgamberi ﷺ u tha: “Huadhënësi ka të drejtë ta kërkojë borxhin e tij sa herë të dojë.” Pastaj ia ktheu borxhin me një deve më të vjetër sesa që ia kishte marrë dhe tha: “Më i miri prej jush është ai që e kthen huan në formën më të mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2609

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

2610. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Amri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka qenë me Pejgamberin ﷺ në një udhëtim, i hipur mbi një deve të sertë të Omerit, e cila kishte raste që e tejkalonte Pejgamberin ﷺ. Babai i tij (Omeri) i thoshte: “O Abdullah, askush nuk duhet ta tejkalojë Pejgamberin ﷺ.” Pejgamberi ﷺ i tha Omerit: “Shitma (devenë)!” Omeri ia ktheu: “Po ta fal.” Por, ai ia bleu, pastaj i tha Abdullahut: “Po ta fal, ty, o Abdullah. Bëj ç'të duash me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2610

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Lejohet dhurimi i devesë dikujt që është i hipur mbi të

2611. Nga: Abdullah ibn Omeri

Humejdi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka qenë me Pejgamberin ﷺ në një udhëtim, i hipur mbi një deve të sertë. Pejgamberi ﷺ i tha Omerit: “Shitma (devenë).” Kështu, ia shiti. Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Po ta fal, ty, o Abdullah.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2611

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Dhurimi i një gjësendi që është i ndaluar të vishet

2612. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pa një palë rroba të reja prej mëndafshi para derës së xhamisë, andaj i tha Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, sikur t'i blije këto e t'i vishje ditën e premte dhe nëpër takime me delegacione?
- “Këto i veshin vetëm ata që nuk kanë hise në botën tjetër”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas një kohe, sollën disa palë rrobash prej mëndafshi. I Dërguari i Allahut ﷺ një palë prej tyre ia dërgoi Omer ibn Hatabit. Omeri shkoi e i tha:
- M'i dërgove t'i vesh, ndërkohë për të tilla rroba the fjalë jo të mira.
- “Nuk t'i kam dërguar për t'i veshur ti”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, Omeri ia dërgoi ato vëllait të vet idhujtar, të cilin e kishte në Mekë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2612

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

2613. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Xhafer Ebu Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Fudajli, e ky nga babai i tij, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ shkoi te Fatimja, por nuk hyri në shtëpinë e saj. Kur erdhi Aliu, ajo ia përmendi rastin, i cili sakaq shkoi te Pejgamberi ﷺ për ta pyetur. Pejgamberi ﷺ i tha: “Në derën e saj pashë një perde shumëngjyrëshe.” Dhe vazhdoi: “Ç'kam të bëj unë me dynjanë?!”
Aliu u kthye the i tregoi, e ajo tha: “Le të më urdhërojë çfarë të bëj me të.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Dërgoja filanit!” - një familjeje nevojtare.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2613

Fjalë të panjohura?

2614. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Abdulmelik ibn Mejsera, e ky e ka dëgjuar Zejd ibn Vehbiun se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më dhuroi një rrobë mëndafshi, të cilën e vesha, por, kur vërejta pakënaqësinë në fytyrën e tij, ua ndava atë rrobë grave të familjes sime.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2614

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Pranimi i dhuratës nga idhujtarët

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Ibrahimi ﷺ emigroi me Sarën, shkuan në një vendbanim ku sundonte një mbret - ose ka thënë: një tiran -, i cili tha: "Jepjani Haxherën.” Pejgamberit ﷺ i është dhuruar një dele, në të cilën ishte hedhur helm." Ebu Humejdi ka thënë: "Mbreti i Ejlës i dhuroi Pejgamberit ﷺ një mushkë të bardhë, ndërsa Pejgamberi ﷺ i dhuroi një xhybe dhe e la edhe më tutje ta udhëheqë vendin e tij."

2615. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Junus ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Shejbani, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ iu dhurua një xhybe mëndafshi, ndërkohë kishte ndaluar të përdorej mëndafshi (për meshkuj). Njerëzit u mahnitën nga bukuria e saj, por Pejgamberi ﷺ u tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se mindilët (shamitë e dorës) e Sad ibn Muadhit në Xhenet janë më të çmueshme se kjo.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2615

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2616. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Seidi transmeton nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ukejdir Dume i dhuroi diç Pejgamberit ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2616

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2617. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hisham ibn Zejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një hebreje i solli Pejgamberit ﷺ një dele në të cilën kishte hedhur helm e ai hëngri diçka prej saj. Më pas atë e sollën te Pejgamberi ﷺ dhe thanë:
- Ta vrasim?
- “Jo”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
Enesi thotë: “Që nga ajo ditë, mund t'i dalloja shenjat e helmit në gojë (përkatësisht në pjesën e njerithit) të të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2617

Fjalë të panjohura?

2618. Nga: Abdurrahman ibn Ebu Bekri

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Muëtemir ibn Sulejmani, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Othmani se Abdurrahman ibn Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim me Pejgamberin ﷺ (në një udhëtim) përafërsisht njëqind e tridhjetë persona. Pejgamberi ﷺ pyeti: “A ka dikush ushqim?” Kështu, një burrë kishte përafërsisht një saë ushqim, të cilin e gatuan. Më pas erdhi një burrë idhujtar flokëshprishur e i gjatë, duke i grahur një kopeje delesh, të cilit Pejgamberi ﷺ i tha:
- “A po na shet apo po na jep?” - ose ka thënë: “... apo po na e dhuron?”
- Jo, po jua shes, - iu përgjigj bariu.
Atëherë Pejgamberi ﷺ bleu prej tij një dele, të cilën e përgatitën dhe urdhëroi që mushkëritë të piqen.
Betohem në Allahun se, nga njëqind e tridhjetë personat, asnjë nuk mbeti pa i ndarë Pejgamberi ﷺ një pjesë nga mushkëritë. Atyre që ishin të pranishëm, ua jepte menjëherë, e atyre që mungonin, ua ruante. Mishin e deles e vendosi në dy tepsi, nga të cilat hëngrën të gjithë dhe u ngopën, madje edhe teproi. Tepricën e morëm me vete në deve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2618

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Dhurata ndaj idhujtarit

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (Mumtehine, 8)

2619. Nga: Abdullah ibn Omeri

Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pa një njeri duke shitur një palë rroba të reja, andaj i tha Pejgamberit ﷺ:
- Bliji këto rroba dhe vishi ditën e premte dhe nëpër takime me delegacione?
- “Këto i veshin vetëm ata që nuk kanë hise në botën tjetër”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas një kohe, të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën disa palë rroba prej mëndafshi, prej të cilave, një palë ia dërgoi Omerit. Omeri shkoi e i tha:
- E si t'i vesh, ndërkohë për rrobat e tilla ti the fjalë jo të mira.
- “Nuk t'i kam dërguar për t'i veshur ti, por mund t'i shesësh ose t'ia dhurosh ndokujt”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, Omeri ia dërgoi vëllait të vet idhujtar që ishte në Mekë, para se të bëhej musliman.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2619

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

2620. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ erdhi nëna ime idhujtare për të më takuar. Andaj, e pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Nëna ime ka ardhur tek unë dhe dëshiron të më vizitojë, a t'i mbaj lidhjet me të?”
- “Po, mbaji lidhjet me nënën tënde”, - u përgjigj Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2620

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Askujt nuk i lejohet t'ia marrë dikujt dhuratën a sadakanë që vetë ia ka dhënë

2621. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami dhe Shuëbe, e këtyre i ka treguar Katadja, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e rimerr dhuratën e dhënë është sikurse ai që vjell e pastaj i kthehet vjelljes së vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2621

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2622. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdurrahman ibn Mubareku më ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli i keq nuk përkon me ne. Ai që e rimerr dhuratën e dhënë është sikurse qeni që vjell e pastaj i kthehet vjelljes së vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2622

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2623. Nga: Omer ibn Hatabi

Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga babai i tij se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dhashë një kalë në rrugën e Allahut. Mirëpo, ai që e mori, nuk përkujdesej për të, andaj doja ta blija dhe mendoja se do ta shiste lirë. E pyeta Pejgamberin ﷺ, i cili në atë rast më tha: “Mos e bli, edhe nëse ta jep për një dërhem, sepse ai që e rimerr lëmoshën e vet është sikurse qeni që i kthehet vjelljes së vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2623

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitull

2624. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi se Abdullah ibn Ubejdullah ibn Ebu Mulejke tregon se djemtë e Suhejbit, i çrobëruari i Ibn Xhudanit, pretendonin se i Dërguari i Allahut ﷺ ia kishte dhuruar Suhejbit dy shtëpi dhe një dhomë. Mervani tha: “Kush dëshmon për këtë në favorin tuaj?” Ata i thanë: “Ibn Omeri.”
Ai e thirri Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili dëshmoi se me të vërtetë i Dërguari i Allahut ﷺ ia kishte dhuruar Suhejbit dy shtëpi dhe një dhomë. Së këndejmi, Mervani gjykoi në bazë të dëshmisë së tij në favorin e tyre.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2624

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: Çfarë është thënë për umraen dhe rukbanë

Umraja: "Dhënia e shtëpisë dikujt për banim, e cila, nëse nuk kushtëzohet në fillim, pas vdekjes së banuesit vazhdon të qëndrojë nën pronësinë e pasardhësve të tij."

Rukbaja: "Kur dikush e jep shtëpinë për shfrytëzim, duke kushtëzuar që, nëse pronari vdes para banuesit, atëherë shtëpia i mbetet banuesit, e, nëse banuesi vdes para pronarit, shtëpia i kthehet pronarit."

Kur dikush thotë: "E vura të banojë (amertuhu) në shtëpi. "... dhe ju vuri të jetoni në të." (Hud, 61)

2625. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka gjykuar se umraja është legjitime dhe se shtëpia e tillë i takon atij që i është dhënë për shfrytëzim.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2625

Fjalë të panjohura?

2626. Nga: Ebu Hurejra

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Nadër ibn Enesi, e ky nga Beshir ibn Nehiku se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Umraja është legjitime.”
Atai ka thënë: “Të njëjtën gjë ma ka transmetuar edhe Xhabiri prej Pejgamberit ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2626

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: Huazimi i kuajve nga të tjerët

2627. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, në Medinë u përhap një panik. Pejgamberi ﷺ e huazoi kalin e Ebu Talhait, që e quanin Mendub, dhe i hipi.” Pasi u kthye, tha: “Nuk vërejta gjë, kurse ky kalë qenka i furishëm si deti.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2627

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

34. Nënkapitulli: Kur nusja huazon ndonjë gjë për natën e dhëndërisë

2628. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Ejmeni se babai i tij Ejmen Habeshiu tregon: “Shkova tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila kishte të veshur një fustan nga stofi i vrazhdë, që kushtonte pesë dërhemë.” Ajo tha: “Shikoje robëreshën time, ajo refuzon ta veshë nëpër shtëpi, ndërsa në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ unë posedoja një të tillë dhe çdo grua medinase, që dëshironte të zbukurohej për bashkëshortin e vet (natën e dhëndërisë), vinte dhe ma huazonte.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2628

Fjalë të panjohura?

35. Nënkapitulli: Vlera e dhënies së gjërave për shfrytëzim

2629. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa mirë është që të dhurohet për shfrytëzim deveja ose delja me plot qumësht, të mbushë nga një enë mëngjes e mbrëmje!”
Abdullah ibn Jusufi dhe Ismaili na kanë treguar nga Maliku se (Pejgamberi ﷺ) ka thënë: “Sa sadaka e mirë që është...!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2629

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2630. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur muhaxhirët erdhën nga Meka në Medinë, nuk posedonin asgjë, ndërsa ensarët posedonin toka dhe troje, andaj u morën vesh që çdo vit t'u jepnin pjesë të produkteve, me kusht që ata ta punonin tokën. Nëna e Enesit, Umu Sulejmi, në të njëjtën kohë ishte edhe nëna e Abdullah ibn Ebu Talhait. Ajo i dha të Dërguarit të Allahut ﷺ ca pemë hurmash, të cilat Pejgamberi ﷺ ia dha Umu Ejmenit, shërbëtores së vet, nënës së Usame ibn Zejdit.
Ibn Shihabi ka thënë: “Më ka rrëfyer Enes ibn Maliku se Pejgamberi ﷺ, pasi mbaroi luftën me banorët e Hajberit dhe u kthye në Medinë, muhaxhirët ia kthyen të gjitha pronat e huazuara ensarëve, të cilat ua kishin dhënë për shfrytëzim.
Pejgamberi ﷺ ia ktheu nënës së Enesit pemët e hurmave, ndërsa Umu Ejmenit i dha ca të tjera nga kopshti i tij personal.”

Ahmed ibn Shebibi ka thënë: “Këtë na ka treguar babai im nga Junusi, dhe ka thënë: “... nga pjesa e tij e veçantë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2630

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2631. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Isa ibn Junusi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e ky nga Hasan ibn Atije, e ky nga Ebu Kebshe Seluliu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Janë dyzet virtyte, më e vlefshmja e të cilave është dhurimi i dhisë për shfrytëzim. Atë që i praktikon ato, duke shpresuar dhe besuar shpërblimin e premtuar për to, Allahu do ta fusë në Xhenet.”
Hasani thotë: “Filluam t'i numëronim me radhë të tjerat, përveç dhënies së deles për shfrytëzim: kthimin e selamit, lutjen për atë që teshtin, largimin e pengesës nga rruga, e të tjera, por, nuk arritëm t'i numërojmë as pesëmbëdhjetë të tilla.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2631

Fjalë të panjohura?

2632. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë ensar posedonte troje me tepricë, andaj thamë: “Le t'i lëshojmë me qira, në këmbim të një të tretës, një të katërtës ose të gjysmës së produkteve. Por, Pejgamberi ﷺ tha: “Kush posedon tokë, le ta mbjellë ose le t'ia dhurojë vëllait të vet për ta punuar. Nëse refuzon, atëherë le ta mbajë për vete.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2632

Fjalë të panjohura?

2633. Nga: Ebu Seid Hudriu

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka treguar Ata ibn Jezidi se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin erdhi dhe e pyeti Pejgamberin ﷺ rreth hixhretit. Pejgamberi ﷺ iu përgjigj:
- “Mjerë ti, hixhreti është i vështirë. Por, a ke deve?”
- Po, - tha ai.
- “E jep zekatin e tyre?”
- Po.
- “A u dhuron njerëzve deve për shfrytëzim?”
- Po.
- “I mjel kur të shkojnë për të pirë?”
- Po.
- “E po, puno (qoftë) edhe përtej fshatrave, sepse Allahu nuk do të ta humbë mundin aspak”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2633

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

2634. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Amri, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ shkoi në një arë, që gufonte nga të mbjellat, dhe tha:
- “Të kujt janë këto?”
- Filani i ka lëshuar me qira, - i thanë.
- “Sikur t'i lëshonte falas për shfrytëzim, do të ishte më mirë për të sesa të marrë pagesë për to”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2634

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

36. Nënkapitulli: Nëse thotë: Po ta lë këtë robëreshë të të shërbejë, në këmbim të një çmimi të caktuar sipas zakonit, është e lejuar

Disa dijetarë kanë thënë se kjo formë quhet huazim. E, nëse thotë: "Po ta fal këtë rrobë, quhet dhuratë."

2635. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ibrahimi ﷺ dhe Sara u shpërngulën në një vend, ku Sarës ia dhuruan Haxherën. Pasi Sara u kthye, i tha Ibrahimit: “A nuk e pe se si Allahu e poshtëroi jobesimtarin dhe ne na furnizoi me një shërbëtore?!”
Ibn Sirini transmeton prej Ebu Hurejrës se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ia la Haxherën, që t'i shërbejë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2635

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

37. Nënkapitulli: Dhurimi i kalit në rrugën e Allahut e ka dispozitën e umras dhe sadakasë

Disa dijetarë kanë thënë se lejohet rimarrja e kalit të dhuruar në rrugën e Allahut.

2636. Nga: Omer ibn Hatabi

Humejdiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky e ka dëgjuar Malikun se e ka pyetur Zejd ibn Eslemin, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dhashë një kalë në rrugën e Allahut, të cilin më vonë e pashë në shitje.” E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili në atë rast më tha: “Mos e bli e as mos e rimerr lëmoshën tënde!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2636

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?