7. Tejemumi

Allahu i Lartësuar ka thënë: “... e nëse nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhé të pastër, duke i fërkuar me të fytyrat dhe duart tuaja...” (Maide, 6)

1. Nënkapitull

334. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim dhe, kur arritëm te vendi i quajtur Bejda, - ose ka thënë: Dhatu Xhejsh, - m'u këput gjerdani (dhe më humbi). I Dërguari i Allahut ﷺ qëndroi aty për ta kërkuar atë e bashkë me të edhe njerëzit e tjerë. Ata nuk posedonin ujë (për të marrë abdes), andaj disa shkuan tek Ebu Bekri dhe iu ankuan: “A nuk po sheh çfarë na bëri Aishja?” Bëri që i Dërguari i Allahut ﷺ dhe të tjerët të qëndrojnë (në këtë vend, në kërkim të gjerdanit), ndërkohë, këtejpari as ka ujë, as njerëzit kanë me vete.

Ebu Bekri erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili po flinte me kokën mbështetur mbi prehrin tim, e më tha: “E pengove të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të gjithë njerëzit, ndërkohë, këtejpari as ka ujë, as njerëzit kanë me vete.” Më qortoi e s'më la gjë pa thënë, pastaj filloi të më shpojë me dorë në ijë, por, unë, duke mos dashur që i Dërguari i Allahut ﷺ ta largojë kokën nga prehri im, nuk lëviza. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u zgjua nga gjumi, nuk kishte ujë. Atëherë Allahu ﷻ e zbriti ajetin e tejemumit, andaj të gjithë morën tejemum. Usejd ibn Hudajri tha: “Kjo nuk është begatia juaj e parë, oj familja e Ebu Bekrit!”

Aishja thotë: “Pasi e ngritëm devenë, në të cilën kisha hipur, e gjetëm gjerdanin nën të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 334

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

335. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi [t]: Seid ibn Nadri më ka thënë: Na ka rrëfyer Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Sejari, e këtij i ka treguar Jezid Fekiri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt (prej pejgamberëve) para meje:

1. Jam ndihmuar me lemerinë (që i zë armiqtë e mi) në distancë sa një muaj rrugëtim;

2. Toka më është bërë vendfalje dhe mjet pastrimi, andaj këdo prej umetit tim që namazi e zë, le të falet (aty duke marrë tejemum me dhe të pastër);

3. Më është lejuar plaçka e luftës, gjë që nuk i është lejuar askujt para meje;

4. Më është dhënë e drejta për ndërmjetësim (shefat);

5. (Ndërsa) të dërguarit para meje janë dërguar te një popull i caktuar, unë jam dërguar te të gjithë njerëzit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 335

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Po nëse nuk gjendet as ujë, as dhé?

336. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Zekerija ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Numejri, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se huazoi një gjerdan prej Esmës, mirëpo i kishte humbur, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një person për ta kërkuar. Gjerdanin e gjeti, por i zuri namazi e nuk kishin ujë (për abdes), kështu që u falën (pa abdes). Iu ankuan të Dërguarit të Allahut ﷺ për këtë, pastaj Allahu e zbriti ajetin e tejemumit.

Usejd ibn Hudajri i tha Aishes: “Allahu të shpërbleftë, sepse, betohem në Allahun se, sa herë që të ka ndodhur diçka e padëshiruar, përherë Allahu e ka shndërruar në mirësi për ty e për të gjithë muslimanët!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 336

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Legjitimiteti i tejemumit për vendasin në rast se nuk gjen ujë dhe se ka frikë se do t’i kalojë koha e namazit

Të njëjtën e ka thënë Atai, ndërsa Haseni, për të sëmurin që ka ujë, porse nuk ka dikë që t’ia ofrojë, ka thënë: "Le të marrë tejemum. Ibn Omeri erdhi prej njërës prej arave të tij në Xhuruf, ndërkohë namazi i ikindisë e zuri në torishtë të deleve, andaj u fal aty (me tejemum). Kur u kthye në Medinë, ndonëse dielli ende nuk kishte perënduar, nuk e përsëriti namazin."

337. Nga: Ebu Xhuhejm Ensariu

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Arexhi se Umejri, i çrobëruari i Ibn Abasit, tregon: “Unë dhe Abdullah ibn Jesari, i çrobëruari i Mejmunes, gruas së Pejgamberit ﷺ, shkuam tek Ebu Xhuhejm ibn Harith ibn Sime Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili na rrëfeu: “Pejgamberi ﷺ erdhi prej anës së Pusit të Devesë (vend në rrethinë të Medinës) dhe, në rrugë e sipër, takoi një person, i cili e përshëndeti me selam, por Pejgamberi ﷺ nuk ia ktheu selamin derisa shkoi te një mur, (e përshkoi murin me duar pastaj) e fërkoi fytyrën e tij dhe duart, e pastaj ia ktheu selamin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 337

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: A duhet t'u fryjë duarve ai që merr tejemum?

338. Nga: Amar ibn Jasiri

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Hakemi, e ky nga Dherri, e ky nga Seid ibn Abdurrahman ibn Ebzai, se babai i tij Abdurrahman ibn Ebzai ka thënë: “Një burrë erdhi tek Omer ibn Hatabi dhe i tha: “Unë jam bërë xhunub, por nuk gjeta ujë, (si të veproj)?”

Amar ibn Jasiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Omer ibn Hatabit: “A nuk të kujtohet kur patëm qenë në rrugëtim së bashku?” Ti nuk qe falur, kurse unë qeshë rrokullisur nëpër dhé (pasi kam qenë xhunub), pastaj qeshë falur. Kur ia përmenda këtë Pejgamberit ﷺ, më tha: “Do të të kishte mjaftuar vetëm kjo”, pastaj i mëshoi tokës me pëllëmbë dhe fryu në to, e më pas e përshkoi fytyrën dhe duart me to.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 338

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Tejemumi bëhet duke përshkuar fytyrën dhe shuplakat e duarve

339. Nga: Amar ibn Jasiri

Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Dherri, e ky nga Seid ibn Abdurrahman ibn Ebzai, se babai i tij, Abdurrahman ibn Ebzai transmeton se Amari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ka përshkruar tejemunin kështu: “Shuëbe (duke e përshkruar veprimin e Amarit:) Së pari i mëshoi tokës me pëllëmbët e duarve, pastaj i afroi ato te goja (dhe fryu në to), e më pastaj fshiu fytyrën dhe duart.”

Nadri ka thënë: “Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky e ka dëgjuar Dherrin, e ky nga Ibn Abdurrahman ibn Ebzai.”

Hakemi ka thënë: “E kam dëgjuar po ashtu Ibn Abdurrahmanin nga babai i tij se Amari ka thënë: “Toka e pastër është abdes i muslimanit në rastet kur nuk ka ujë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 339

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

340. Nga: Amar ibn Jasiri

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky e ka dëgjuar Dherrin, e ky nga Ibn Abdurrahman ibn Ebzai, se babai i tij Abdurrahman ibn Ebzai tregon se ka qenë i pranishëm kur Amari i ka thënë Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!): “Qemë në një ekspeditë luftarake, ku u bëmë xhunub.” Pastaj tha: “Fryu në të dy duart.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 340

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

341. Nga: Amar ibn Jasiri

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Dherri, e ky nga Ibn Abdurrahman ibn Ebzai se Abdurrahmani tregon: “Amari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë Omerit: “Qeshë rrokullisur nëpër dhé (për tejemum kur isha xhunub) dhe, kur i pata treguar Pejgamberit ﷺ, më pati thënë: “Të mjafton vetëm (të fërkohet) fytyra dhe shuplakat e duarve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 341

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

342. Nga: Amar ibn Jasiri

Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Dherri, e ky nga Ibn Abdurrahman Ebzai se Abdurrahmani tregon: “Kam qenë i pranishëm kur Amari i ka thënë Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!)...” Në vijim përmendi hadithin paraprak.

Referenca: Sahihu i Buhariut 342

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

343. Nga: Amar ibn Jasiri

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Dherri, e ky nga Ibn Abdurrahman ibn Ebzai, se babai i tij Abdurrahman ibn Ebzai tregon se Amari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i mëshoi tokës me pëllëmbë, pastaj përshkoi fytyrën dhe shuplakat njërën me tjetrën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 343

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Toka e pastër është abdes për muslimanin dhe zëvendëson ujin

Haseni ka thënë se tejemumi mjafton përderisa nuk bëhet ndonjë veprim që e prish atë (siç e prish abdesin). Ibn Abasi u ka prirë njerëzve në namaz duke qenë me tejemum. Jahja ibn Seidi ka thënë: "Nuk paraqet kurrfarë problemi nëse dikush merr tejemum me tokë të kripur dhe falet në të."

344. Nga: Imran ibn Husajni

Musededi na ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Aufi, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Imrani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një prej udhëtimeve tona me Pejgamberin ﷺ, ecëm tërë natën. Nga fundi i natës, na mundi gjumi. Ç'gjë më të ëmbël se gjumi mund të ketë për një udhëtar (pas lodhjes)?! Gjumin na e nxori nxehtësia e diellit. I pari u zgjua filani, pastaj filani, pastaj filani, - Ebu Rexhai vazhdoi t'i përmendte me emra, por Aufi nuk i kujtonte. - I katërti me radhë u zgjua Omer ibn Hatabi. Pejgamberi ﷺ kishte zakon që, kur flinte, të mos e zgjonte askush, derisa zgjohej vetë, sepse nuk e dinim çfarë ndodhte gjatë gjumit të tij.

Pasi Omeri u zgjua dhe pa çfarë u kishte ndodhur njerëzve (ikja e namazit), si njeri i rreptë që ishte, filloi ta ngrejë zërin duke thirrur tekbir dhe vazhdoi së ngrituri zërin, derisa Pejgamberit ﷺ i doli gjumi nga zëri i tij. Njerëzit filluan t'i ankohen Pejgamberit ﷺ për atë që u kishte ndodhur, e në atë rast ai u tha: “S'ka gjë, - ose ka thënë: Nuk prish punë, - zhvendosuni që këtej!”

Të gjithë u zhvendosën dhe, nuk shkoi shumë, e Pejgamberi ﷺ u ndal, kërkoi enën për abdes, mori abdes e pastaj u thirr ezani për namaz. Ua fali njerëzve namazin e, pasi e mbaroi namazin, Pejgamberi ﷺ pa të shmangur mënjanë dikë që nuk ishte bashkëngjitur për t'u falur me xhemat, andaj e pyeti: “Çfarë të pengoi, o filan, që të mos falesh me xhemat?” Ai tha: “Jam bërë xhunub e nuk ka ujë (për pastrim).” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shfrytëzoje dheun, se ajo të mjafton.”

Vazhduan rrugën. Disa filluan të ankoheshin te Pejgamberi ﷺ se ishin etur. Ai u ndal dhe thirri një person, - të cilit Ebu Rexhai ia përmendi emrin, por Aufi e kishte harruar, - së bashku me Aliun, e u tha: “Dilni dhe kërkoni ujë.”

U nisën dhe, në rrugë e sipër, takuan një grua të hipur në deve, e cila kishte dy kacekë, - ose ka thënë: dy shakuj, - me ujë.

- Ku është burimi i ujit? - e pyetën.

- Është nga (një vend në një) largësi sa të udhëtosh një ditë e një natë. Ndërkaq, burrat nuk janë të pranishëm (për shkak se kanë shkuar të kërkojnë ujë), - tha ajo.

- Atëherë eja me ne, - i thanë ata.

- Ku? - pyeti ajo.

- Tek i Dërguari i Allahut ﷺ.

- Tek ai për të cilin thonë se e ka ndërruar fenë? - pyeti ajo.

- Pikërisht, prandaj eja me ne, - i thanë.

E sollën te Pejgamberi ﷺ dhe i treguan për ndodhinë. E zbritën nga deveja, e Pejgamberi ﷺ kërkoi një enë, të cilën e mbushi me ujë nga grykët e kacekëve, - ose ka thënë: “Nga (grykët e) shakujve”, - pastaj ua lidhi grykat dhe i zgjidhi qepat. Pastaj, njerëzit u thirrën që të pinë dhe të marrin ujë. Piu kush piu e mori kush mori ujë dhe, në fund, ia mbushën një enë me ujë edhe atij që ishte bërë xhunub, të cilit Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko e pastrohu me të.”

Gruaja qëndronte në këmbë duke shikuar çfarë po ndodhte me ujin e saj. Betohem në Allahun se, edhe pse iu mor ujë nga enët, ato dukeshin më të fryra se në fillim.

Pejgamberi ﷺ tha: “Tubojani pak ushqim.” Njerëzit filluan të tubojnë ushqime nga më të ndryshmet: hurma axhve, miell, qull dhe disa ushqime të tjera e ia vendosën në një bohçe dhe ia ngarkuan mbi deve. Bohçen e vendosën para saj. Pejgamberi ﷺ iu drejtua: “Dije mirë se, nuk ta kemi harxhuar ujin, por ne na ka furnizuar Allahu.”

Ajo u kthye te familja e vet, të cilët po e prisnin dhe e pyetën: “Përse u vonove, oj filane?”

Ajo tha: “Për çudi, më takuan dy burra dhe më dërguan tek ai njeriu, për të cilin thonë se e ka ndërruar fenë, dhe veproi kështu e ashtu.

Betohem në Allahun se ai, ose është më magjistari ndër të gjithë njerëzit që ndodhen mes këtij e atij”, dhe bëri me gishtin tregues dhe të mesëm drejt qiellit, - duke nënkuptuar qiellin dhe tokën, - “ose me të vërtetë është i Dërguari i Allahut.”

Që nga ajo ditë, sa herë që muslimanët i dërgonin ekspeditat luftarake tek idhujtarët e asaj krahine, kujdeseshin që të mos e goditnin lagjen e kësaj gruaje. Një ditë ajo iu drejtua popullit të vet: “Më duket se këta njerëz po ju kursejnë qëllimisht, kështu që a nuk po mendoni ta pranoni Islamin?” Ata e dëgjuan fjalën e saj dhe e pranuan Islamin.

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Fjala “saba" e ka kuptimin: e ka ndërruar fenë.” Ebu Alije ka thënë: “Sabiinët janë fraksion nga radhët e ithtarëve të Librit, të cilët e këndojnë Zeburin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 344

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Nëse personi xhunub ka frikë se do ta godasë ndonjë sëmundje, vdekja ose etja, merr tejemum

Tregohet se, një natë të ftohtë, Amër ibn Asi u bë xhunub, ndaj mori tejemum e pastaj e lexoi ajetin: “... dhe mos e mbytni vetveten! Allahu është shumë i mëshirshëm ndaj jush.” (Nisa, 29) I treguan Pejgamberit ﷺ dhe ai nuk e qortoi.

345. Nga: Shekik ibn Seleme

Bishr ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamedi, gjegjësisht Gunderi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani se Ebu Vaili tregon se Ebu Musai i tha Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!):

- Nëse (dikush) nuk mund të gjejë ujë, atëherë a të mos falet?

- Sikur t'ia lejoja dikujt këtë (tejemumim në rast të xhunubllëkut), atëherë sa herë që dikush (bëhet xhunub) dhe mban mot i ftohtë vepron kësisoj , - tha Abdullahu.

Ebu Musai e sqaroi këtë me fjalët: “Merr tejemum dhe falet.”

Ebu Musai tregon: “Pastaj i thashë: “E ku po mbetet fjala e Amarit drejtuar Omerit?”

- Nuk më duket që Omeri është bindur nga fjala e Amarit, - ia ktheu Abdullahu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 345

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

346. Nga: Shekik ibn Seleme

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi se Shekik ibn Seleme tregon: “Isha i pranishëm kur Ebu Musai e pyeti Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!):

- O Ebu Abdurrahman, nëse dikush është xhunub dhe nuk gjen ujë, si të veprojë?

- Nuk falet, derisa të gjejë ujë, - tha Abdullahu.

- E çfarë mendon për fjalën që Pejgamberi ﷺ i ka thënë Amarit: “Të mjafton (tejemumi)”, - pyeti Ebu Musai.

- A nuk ke parë se Omeri nuk është bindur në këtë? - i tha Abdullahu.

- Ta lëmë anash fjalën e Amarit, po çfarë vepron me këtë ajet (të sures Maide)? - i tha Ebu Musai.

Abdullahu nuk dinte si t'i përgjigjej, andaj tha:

- Sikur t'u lejohej kjo, frikësohem se, kur të ndiejnë të ftohtë nga uji, do ta braktisin atë e do të marrin tejemum.

(Ameshi thotë:) E pyeta Shekikun: “A vetëm për këtë Abdullahu e urrente marrjen e tejemumit?” Shekiku tha: “Po.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 346

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Mjafton vetëm një prekje e dheut për t’u realizuar tejemumi

347. Nga: Shekik ibn Seleme

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi se Shekiku tregon: “Një ditë isha duke ndenjur me Ebu Musain dhe Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ebu Musai i tha Abdullahut:

- Sikur një njeri të bëhej xhunub dhe për një muaj rresht të mos gjente ujë, a nuk do të duhej të merrte tejemum dhe të falej? Çfarë mendoni për ajetin në suren Maide: “... e nëse nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me tokë të pastër...”? (Maide, 6)

- Sikur t'u lejohej kjo, frikësohem se, kur të ndiejnë të ftohtë nga uji do të marrin tejemum me dhé, - i tha Abdullahu.

Ameshi e pyeti Shekikun: “A për këtë arsye e urren marrjen e tejemumit?”

- Po, - i tha Shekiku, pastaj vazhdoi së rrëfyeri:

Ebu Musai sërish e pyeti Abdullahun:

- A nuk e ke dëgjuar fjalën e Amarit, që ia pati thënë Omerit: “Pejgamberi ﷺ më pati dërguar për të kryer një punë dhe, gjatë rrugës, qeshë bërë xhunub e nuk pata gjetur ujë, andaj qeshë rrokullisur nëpër tokë, siç rrokulliset kafsha. Kur ia pata përmendur këtë Pejgamberit ﷺ, më pati thënë: “Do të të kishte mjaftuar të veproje kështu” - pati prekur tokën me dorë, i pati shkundur duart dhe e pati fshirë shpinën e dorës (së djathtë) me të majtën (dhe anasjelltas) e pastaj, me të dyja, e pati fshirë edhe fytyrën?”

- A nuk e ke vënë re se Omerit nuk i qe mbushur mendja nga fjala e Amarit? - i tha Abdullahu.

Jaëlai në transmetimin e tij nga Ameshi, e ky nga Shekiku ka shtuar: “Isha me Abdullahun dhe Ebu Musain kur ky i fundit iu drejtua Abdullahut: “A nuk e ke dëgjuar fjalën e Amarit, që i pati thënë Omerit: “Pejgamberi ﷺ na pati dërguar ne dy për një punë dhe unë qeshë bërë xhunub, andaj qeshë rrokullisur nëpër dhé. E, kur qemë kthyer te Pejgamberi ﷺ, i patëm treguar për këtë dhe na pati thënë: “Do të të mjaftonte kjo” - pati fshirë fytyrën dhe shuplakat një herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 347

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitull

348. Nga: Imran ibn Husajni

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Aufi, e ky nga Ebu Rexhai se Imran ibn Husajn Huzaiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ pa një njeri që ishte ndarë nga njerëzit dhe nuk ishte falur me xhemat, andaj e pyeti: “O filan, çfarë të pengoi të mos falesh me xhemat?” Ai ia ktheu: “O i Dërguari i Allahut, jam bërë xhunub e nuk ka ujë (për pastrim).” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shfrytëzoje dheun, se ai të mjafton.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 348

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?