Hadithet e ngjashme me hadithin 346

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

346. Nga: Shekik ibn Seleme

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi se Shekik ibn Seleme tregon: “Isha i pranishëm kur Ebu Musai e pyeti Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!):

- O Ebu Abdurrahman, nëse dikush është xhunub dhe nuk gjen ujë, si të veprojë?

- Nuk falet, derisa të gjejë ujë, - tha Abdullahu.

- E çfarë mendon për fjalën që Pejgamberi ﷺ i ka thënë Amarit: “Të mjafton (tejemumi)”, - pyeti Ebu Musai.

- A nuk ke parë se Omeri nuk është bindur në këtë? - i tha Abdullahu.

- Ta lëmë anash fjalën e Amarit, po çfarë vepron me këtë ajet (të sures Maide)? - i tha Ebu Musai.

Abdullahu nuk dinte si t'i përgjigjej, andaj tha:

- Sikur t'u lejohej kjo, frikësohem se, kur të ndiejnë të ftohtë nga uji, do ta braktisin atë e do të marrin tejemum.

(Ameshi thotë:) E pyeta Shekikun: “A vetëm për këtë Abdullahu e urrente marrjen e tejemumit?” Shekiku tha: “Po.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 346

Fjalë të panjohura?

347. Nga: Shekik ibn Seleme

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi se Shekiku tregon: “Një ditë isha duke ndenjur me Ebu Musain dhe Abdullah ibn Mesudin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ebu Musai i tha Abdullahut:

- Sikur një njeri të bëhej xhunub dhe për një muaj rresht të mos gjente ujë, a nuk do të duhej të merrte tejemum dhe të falej? Çfarë mendoni për ajetin në suren Maide: “... e nëse nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me tokë të pastër...”? (Maide, 6)

- Sikur t'u lejohej kjo, frikësohem se, kur të ndiejnë të ftohtë nga uji do të marrin tejemum me dhé, - i tha Abdullahu.

Ameshi e pyeti Shekikun: “A për këtë arsye e urren marrjen e tejemumit?”

- Po, - i tha Shekiku, pastaj vazhdoi së rrëfyeri:

Ebu Musai sërish e pyeti Abdullahun:

- A nuk e ke dëgjuar fjalën e Amarit, që ia pati thënë Omerit: “Pejgamberi ﷺ më pati dërguar për të kryer një punë dhe, gjatë rrugës, qeshë bërë xhunub e nuk pata gjetur ujë, andaj qeshë rrokullisur nëpër tokë, siç rrokulliset kafsha. Kur ia pata përmendur këtë Pejgamberit ﷺ, më pati thënë: “Do të të kishte mjaftuar të veproje kështu” - pati prekur tokën me dorë, i pati shkundur duart dhe e pati fshirë shpinën e dorës (së djathtë) me të majtën (dhe anasjelltas) e pastaj, me të dyja, e pati fshirë edhe fytyrën?”

- A nuk e ke vënë re se Omerit nuk i qe mbushur mendja nga fjala e Amarit? - i tha Abdullahu.

Jaëlai në transmetimin e tij nga Ameshi, e ky nga Shekiku ka shtuar: “Isha me Abdullahun dhe Ebu Musain kur ky i fundit iu drejtua Abdullahut: “A nuk e ke dëgjuar fjalën e Amarit, që i pati thënë Omerit: “Pejgamberi ﷺ na pati dërguar ne dy për një punë dhe unë qeshë bërë xhunub, andaj qeshë rrokullisur nëpër dhé. E, kur qemë kthyer te Pejgamberi ﷺ, i patëm treguar për këtë dhe na pati thënë: “Do të të mjaftonte kjo” - pati fshirë fytyrën dhe shuplakat një herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 347

Fjalë të panjohura?

345. Nga: Shekik ibn Seleme

Bishr ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamedi, gjegjësisht Gunderi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani se Ebu Vaili tregon se Ebu Musai i tha Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!):

- Nëse (dikush) nuk mund të gjejë ujë, atëherë a të mos falet?

- Sikur t'ia lejoja dikujt këtë (tejemumim në rast të xhunubllëkut), atëherë sa herë që dikush (bëhet xhunub) dhe mban mot i ftohtë vepron kësisoj , - tha Abdullahu.

Ebu Musai e sqaroi këtë me fjalët: “Merr tejemum dhe falet.”

Ebu Musai tregon: “Pastaj i thashë: “E ku po mbetet fjala e Amarit drejtuar Omerit?”

- Nuk më duket që Omeri është bindur nga fjala e Amarit, - ia ktheu Abdullahu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 345

Fjalë të panjohura?