75. Sëmundjet

1. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur për sëmundjen si shpagim për mëkatet

Allahu i Madhëruar ka thënë: “... kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për të...” (Nisa, 123)

5640. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Jeman Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo fatkeqësi që e godet muslimanin, Allahu me të ia fshin mëkatet, qoftë dhe duke iu ngulur ndonjë gjemb.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5640

Fjalë të panjohura?

5641. Nga: Ebu Seid Hudriu - Ebu Hurejra

5641. 5642. Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdulmelik ibn Amri, e këtij i ka treguar Zuhejr ibn Muhamedi nga Muhamed ibn Amër ibn Halhale, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo fatkeqësi që mund ta godasë muslimanin, qoftë lodhje a sëmundje, qoftë brengë a pikëllim, qoftë shqetësim a mërzi, madje dhe një shpim gjembi, përmes saj Allahu do t'ia fshijë një pjesë të mëkateve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5641

Fjalë të panjohura?

5642. Nga: Ebu Seid Hudriu - Ebu Hurejra

5641. 5642.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5642

Fjalë të panjohura?

5643. Nga: Kab ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Sufjani, e ky nga Sadi, e ky nga Abdullahu, i biri i Kabit, se babai i tij Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Besimtari i shëmbëllen bimës së njomë: nganjëherë era e lakon atë, nganjëherë e drejton. Ndërkaq, hipokriti i shëmbëllen bredhit: qëndron i palakuar, por, kur shkulet, shkulet përnjëherësh.”

Zekerija ka thënë: “Më ka treguar Sadi, e këtij i ka treguar i biri i Kabit nga babai i tij Kabi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5643

Fjalë të panjohura?

5644. Nga: Ebu Hurejra

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Më ka treguar Muhamed ibn Fulejhu, e këtij i ka treguar babai i tij nga Hilal ibn Aliu, nga fisi i Amër ibn Luejit, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari i shëmbëllen bimës së njomë: era e lakon atë nga cilado anë që e godet, e, kur era ndalet, ai e pranon fatkeqësinë qetësisht.
Ndërkaq, mëkatari
(hipokriti) është sikurse bredhi: i fortë e i drejtë, por Allahu e thyen atë kur të dojë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5644

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5645. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Muhamed ibn Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebu Saësa, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Jesar Ebu Hubabin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atë të cilit Allahu ia dëshiron të mirën, e sprovon.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5645

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Vështirësia e sëmundjes

5646. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ameshi; Po ashtu më ka treguar Bishr ibn Muhamedi, e këtij i ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk kam parë dikë që ta ketë rënduar sëmundja më shumë se të Dërguarin e Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5646

Fjalë të panjohura?

5647. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith ibn Suvejdi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ gjatë sëmundjes së tij, ndërkohë që kishte dhimbje të mëdha.” I thashë: “Me të vërtetë, po përjeton dhimbje të mëdha. A është kjo për shkak se edhe shpërblimin e ke të dyfishuar?”
- “Ashtu është. Nuk ndodh që muslimanin ta godasë ndonjë shqetësim, veçse Allahu përmes tij ia shkund mëkatet ashtu siç shkunden gjethet e pemës”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5647

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Njerëzit më të sprovuar janë pejgamberët, pastaj më të dalluarit, e kështu me radhë

5648. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Abdani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Hamzai nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith ibn Suvejdi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hyra tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërkohë që kishte dhimbje.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, paske dhimbje të mëdha!”
- “Ashtu është. Unë kam dhimbje sa dy prej jush”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Kjo, se ti ke shpërblim të dyfishuar? - e pyeta.
- “Po, ashtu është. Çdo muslimani, të cilin e godet një shqetësim, gjemb a diçka më shumë, Allahu ia fshin mëkatet ashtu siç i shkund pema gjethet e saj”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5648

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Obligueshmëria e vizitimit të të sëmurit

5649. Nga: Ebu Musa Eshariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ushqeni të uriturit, vizitoni të sëmurët dhe lironi robërit e luftës!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5649

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5650. Nga: Bera ibn Azibi

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Eshath ibn Sulejmi, e ky e ka dëgjuar Muaviu ibn Suvejd ibn Mukarrinin se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra e na ka ndaluar shtatë sosh. Na ka ndaluar:
1. Unazat e arit,
2. Veshjen e mëndafshit,
3. Armaçin,
4. Mëndafshin e vrazhdë (istebrak),
5. Veshjet e mëndafshta (kasije) dhe
6. Shalën (shtrojën) e mëndafshtë.
Ndërkaq, na ka urdhëruar: të përcjellim xhenazen, të vizitojmë të sëmurin, të përhapim selamin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5650

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Vizitimi i të alivanosurit

5651. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa isha i sëmurë rëndë, Pejgamberi ﷺ me Ebu Bekrin erdhën në këmbë për të më vizituar, e në atë rast më gjetën të alivanosur. Pejgamberi ﷺ kishte marrë abdes e më kishte spërkatur me ujë të abdesit. Kur m'u kthye vetëdija, e pashë Pejgamberin ﷺ e i thashë: “O i Dërguari i Allahut, si të veproj me pasurinë time? Si ta ndaj atë?”
Ai nuk më dha ndonjë përgjigje derisa zbriti ajeti i trashëgimisë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5651

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Mirësia e atij që e godet epilepsia

5652. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Imran Ebu Bekri se Ata ibn Ebu Rebahu tregon: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më tha: “A dëshiron të ta tregoj një grua që është banore e Xhenetit?” - Posi, - i thashë. Ai vazhdoi: Kjo grua e zezë pati ardhur te Pejgamberi ﷺ e i pati thënë: “Unë herë pas here alivanosem, kështu që zbulohem, andaj lute Allahun për mua!” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëse do, duro, do ta kesh Xhenetin, e, nëse do, do ta lus Allahun të të shërojë.” Ajo tha: “Do të duroj, pra. Por, unë zbulohem, andaj lute Allahun që të mos zbulohem.” Ibn Abasi tha: “Kështu, Pejgamberi ﷺ u lut për të.”
Muhamedi na ka thënë: “Na ka rrëfyer Mahledi nga Ibn Xhurejxhi se ka thënë: “Më ka rrëfyer Atai se e ka parë Umu Zuferin, atë grua të gjatë e të zezë, te mbulesa e Qabesë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5652

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Mirësia e atij që e ka humbur shikimin

5653. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Hadi nga Amri, i çrobëruari i Mutalibit, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka thënë: “Nëse robin tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (sytë) dhe ai bën durim, ata të dy do t'ia kompensoj me Xhenet.”

Transmetimin e Ibn Hadit e fuqizojnë Eshath ibn Xhabiri dhe Ebu Dhilali nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5653

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Vizita e grave bërë burrave (të sëmurë)

Umu Derdai vizitoi një burrë ensar (të sëmurë), që ishte banor i xhamisë.

5654. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe na ka treguar se Maliku transmeton nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, Ebu Bekri dhe Bilali u sëmurën. Unë shkova tek ata dhe i pyeta: “O babai im, si je? O Bilal, si je?” Kur Ebu Bekrin e kapte zjarrmia, thoshte:

"Çdo njeri gdhihet në familjen e vet,

E më afër se lidhësen e këpucës ka vdekjen që e pret.”

Ndërkaq, kur Bilalit i kalonte pakëz zjarrmia, e ngrinte zërin duke thënë:

"Sikur të mund të kaloja një natë të vetme në një luginë,

I rrethuar me idhhir e xhelil!

A do të vijë dita kur do të mund të pi ujë në mixhene,

Dhe a do të shohë më kodrinat Shameh e Tafil?”

Aishja shton: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova për këtë, i cili në atë rast më tha: “O Allah, na e bëj të dashur Medinën ashtu siç e donim Mekën, ose më shumë, dhe bëje atë të shëndetshme për ne! Na begato në mudin dhe sain e saj! Ndërkaq, zjarrminë e saj dërgoji në Xhuhfe!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5654

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Vizita e fëmijëve (të sëmurë)

5655. Nga: Usame ibn Zejdi

Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Asimi, e ky e ka dëgjuar Ebu Othmanin se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa unë, Sadi dhe Ubeji ishim me Pejgamberin ﷺ, njëra nga bijat e Pejgamberit ﷺ (Zejnebja) dërgoi dikë për ta thirrur Pejgamberin ﷺ, duke i thënë: “Eja te ne, se vajza ime po vdes!” Pejgamberi ﷺ i dërgoi selam nëpërmjet dikujt duke i thënë: “Allahut i takon ajo që ka marrë e që ka dhënë dhe çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar. Le ta shpresojë shpërblimin dhe le të bëjë durim.”
Ajo prapë dërgoi dikë, duke i bërë be që t'i vente. Atëherë Pejgamberi ﷺ shkoi, e edhe ne shkuam me të.
Kur Pejgamberit ﷺ ia vunë fëmijën në prehër, i cili gërhiste, i rrodhën lotët. Sadi i tha: “O i Dërguari i Allahut, pse kështu?” Ai tha: “Kjo është mëshirë që Allahu e ka vendosur në zemrat e robërve të Tij. Ndër robërit e Tij Allahu mëshiron vetëm të mëshirshmit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5655

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Vizita e beduinëve (të sëmurë)

5656. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muhtari, e këtij i ka treguar Halidi nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ shkoi te një beduin për ta vizituar. Ai, sa herë që vizitonte ndonjë të sëmurë, thoshte: “La bes, tahur inshallah (S'ka gjë, shpresojmë të jetë pastrim, në dashtë Allahu)!”
Ai ia ktheu: “Pastrim the? Përkundrazi, kjo është zjarrmi që vlon në trupin e një plaku të vjetër, që e dërgon drejt varrit.” Pejgamberi ﷺ i tha: “E po, ashtu qoftë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5656

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Vizita e idhujtarit (të sëmurë)

5657. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një djalosh i hebrenjve, që i shërbente Pejgamberit ﷺ, u sëmur, andaj Pejgamberi ﷺ i shkoi në vizitë dhe i tha: “Bëhu musliman.” Kështu, djaloshi e pranoi Islamin.
Seid ibn Musejebi transmeton nga i ati (se ka thënë): “Kur iu afrua vdekja Ebu Talibit, Pejgamberi ﷺ shkoi tek ai.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5657

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Nëse e viziton të sëmurin dhe hyn koha e namazit, ndërkohë ai (i sëmuri) ua fal namazin me xhemat

5658. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa njerëz hynë te Pejgamberi ﷺ për ta vizituar teksa ishte i sëmurë. Ai, duke qenë ulur, ua fali namazin, ndërsa ata filluan të falen në këmbë. Atëherë ai ua bëri me shenjë: “Uluni.” Pasi e kreu namazin, tha: “Imami duhet pasuar: kur të bëjë rukunë, bëjeni edhe ju, e, kur të ngrihet, ngrihuni edhe ju, e, nëse falet ulur, edhe ju faluni ulur.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) transmeton nga Humejdiu se ka thënë: “Ky hadith është shfuqizuar, sepse, kur Pejgamberi ﷺ është falur për herë të fundit, është falur ulur, ndërsa njerëzit pas tij janë falur në këmbë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5658

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Vendosja e dorës mbi të sëmurin

5659. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Xhuajdi nga Aishe bint Sadi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa isha në Mekë, u sëmura rëndë dhe Pejgamberi ﷺ erdhi të më vizitojë, e unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, unë po lë pasuri, ndërsa trashëgimtar kam vetëm një vajzë, andaj a t'i lë testament (lëmoshë) dy të tretat e pasurisë, kurse një të tretën (për vajzën)?”
- “Jo”, - më tha ai.
- A ta lë testament gjysmën, ndërsa gjysmën jo? - i thashë.
- “Jo”, - më tha ai.
- Atëherë, po e lë testament një të tretën, kurse dy të tretat për vajzën? - i thashë.
- “Një të tretën, e edhe një e treta është shumë”, - më tha ai.
Pastaj, e vendosi dorën në ballë, e fërkoi me dorë fytyrën e barkun tim dhe tha: “O Allah, shëroje Sadin dhe plotësoja hixhretin (të kthehet prapë në Medinë)!”
(Sadi thoshte:) “Vazhdoj ta ndiej freskinë e dorës së tij në mëlçinë time dhe ta parafytyroj deri në këtë moment.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5659

Fjalë të panjohura?

5660. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith ibn Suvejdi se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Hyra tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërkohë që përjetonte dhimbje të mëdha. Ia vura dorën sipër dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, vërtet paske dhimbje të mëdha!” Më tha: “Ashtu është, unë kam dhimbje sa dy prej jush.” I thashë: “Kjo, se ti ke shpërblim të dyfishuar?” Më tha: “Po.” Pastaj tha: “Çdo muslimani, të cilin e godet një shqetësim, sëmundje a diçka tjetër, Allahu ia shkund mëkatet e tij ashtu siç i shkund pema gjethet e saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5660

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Çfarë i thuhet të sëmurit dhe me çfarë duhet përgjigjur?

5661. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith ibn Suvejdi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ gjatë sëmundjes së tij dhe e preka, ndërkaq ai kishte dhimbje të mëdha. I thashë: “Vërtet ti ke dhimbje të rënda për shkak se ke shpërblim të dyfishuar (apo jo)?”
- “Sigurisht. Çdo muslimani, të cilin e godet një shqetësim, i shkunden mëkatet ashtu siç i shkunden gjethet pemës”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5661

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5662. Nga: Abdullah ibn Abasi

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu nga Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi te një person për ta vizituar dhe i tha: “La bes, tahur inshallah (S'ka gjë, shpresojmë të jetë pastrim, në dashtë Allahu)!

Ai ia ktheu: “Përkundrazi, kjo është zjarrmi që vlon në trupin e një plaku të vjetër, që e dërgon drejt varrit.” Pejgamberi ﷺ i tha: “E po, ashtu qoftë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5662

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Vizita e të sëmurit hipur (në mjet udhëtimi), në këmbë, ose hipur pas dikujt mbi gomar

5663. Nga: Usame ibn Zejdi

Jahja ibn Bukejri më ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ikrime se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ hipi mbi një gomar të shaluar me një përkavë kadifeje nga Fedeku, ndërsa Usamen e kishte ulur mbrapa tij dhe u nis për ta vizituar Sad ibn Ubaden, para Luftës së Bedrit. Vazhdoi kështu derisa kaloi pranë një ndeje, ku ndodhej edhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli. Tërë kjo para se Abdullahu ta pranonte Islamin. Në ndejë kishte muslimanë, idhujtarë që adhuronin idhuj, si dhe hebrenj. Në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibn Revaha. Kur ndejën e mbuloi pluhuri i gomarit, Abdullah ibn Ubeji e mbuloi hundën me rrobën e tij dhe tha: “Mos na çoni pluhur!”
Pejgamberi ﷺ u dha selam, u ndal dhe zbriti. I thirri për tek Allahu dhe u lexoi Kuran. Abdullah ibn Ubeji tha: “Ore burrë, s'ka fjalë më të mira se këto që po i thua, po qe se do të ishin të vërteta. Andaj, mos na shqetëso me to në këto ndeja tonat! Hipi kafshës sate, e kushdo prej nesh që të vjen pas, rrëfeji këto tregime atij!” Abdullah ibn Revaha reagoi duke thënë: “Përkundrazi, o i Dërguari i Allahut, na i pushto ndejat me të, sepse ne e duam këtë!” Kështu, muslimanët, idhujtarët dhe hebrenjtë filluan të shaheshin mes vete, saqë pothuajse iu vërsulën njëri-tjetrit. Pejgamberi ﷺ përpiqej t'i qetësonte derisa pushuan. Pastaj i hipi kafshës së vet dhe vazhdoi rrugën për te Sad ibn Ubade. Me të shkuar tek ai, i tha: “O Sad! Vallë, ke dëgjuar çfarë ka thënë Ebu Hubabi? - aludonte në Abdullah ibn Ubejin. - Ai ka thënë kështu e kështu.” Sad ibn Ubade tha: “O i Dërguari i Allahut, fale dhe mos ia vër re, sepse, përderisa Allahu të ka dhënë ty çfarë të ka dhënë, banorët e këtij vendi (të Medinës) kishin rënë në ujdi qysh më parë që (Abdullahun) ta kurorëzonin e t'i jepnin post udhëheqësi. Por, kur Allahu refuzoi të bëhej kështu, duke të ta dhënë ty të vërtetën, atij iu zu fryma. Kjo, pra, është arsyeja pse ka vepruar ashtu siç e ke parë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5663

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5664. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Amër ibn Abasi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ erdhi të më vizitonte, por nuk i kishte hipur mushkës, as kalit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5664

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Të sëmurit i lejohet të thotë: "Jam i sëmurë!", ose: "Oh, koka ime!", ose: "Kam dhimbje të madhe!"

Fjala e Ejubit ﷺ: “... Mua, më ka goditur vështirësia, e Ti je më i Mëshirshmi prej mëshiruesve!” (Enbija, 83)

5665. Nga: Kab ibn Uxhrai

Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani Ibn Ebu Nexhihu dhe Ejubi, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Lejla se Kab ibn Uxhrai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po e ndizja zjarrin nën tenxhere, Pejgamberi ﷺ kaloi pranë meje dhe më tha: “Vallë, po të mundojnë morrat e kokës?”
- Po, - i thashë.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ e thirri berberin, i cili m'i rroi flokët, pastaj më urdhëroi ta bëj shpagimin (meqë isha në ihram).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5665

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

5666. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Jahja Ebu Zekerija na ka thënë: Na ka rrëfyer Sulejman ibn Bilali nga Jahja ibn Seidi se Kasim ibn Muhamedi tregon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ah, ç'po më dhemb koka!” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Nëse ndodh kjo (të vdesësh) duke qenë unë gjallë, unë kërkoj falje dhe lutem për ty.”
Aishja tha: “Oh, çfarë sprove! Për Allahun, unë mendoj se ti dëshiruake që unë të vdes. Po të ndodhte kjo, ti do të vazhdoje në fund të ditës të hyje dhëndër te ndonjë nga gratë e tua.” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Në të vërtetë, edhe mua po më dhemb shumë koka! Unë desha të dërgoja dikë tek Ebu Bekri dhe djali i tij e të caktoja halifen (në vendin tim), që njerëzit të mos flasin e lakmitarët të mos lakmojnë. Allahu refuzon (dikë tjetër pos Ebu Bekrit), e edhe besimtarët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5666

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5667. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Musai na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Sulejmani nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith Ibn Suvejdi se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hyra te Pejgamberi ﷺ, ndërkohë kishte dhimbje të mëdha. E preka dhe i thashë: “Paske dhimbje të mëdha!”
- “Ashtu është. Unë kam dhimbje sa dy prej jush”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Ti e ke shpërblimin të dyfishtë? - e pyeta.
- “Po, çdo muslimani, të cilin e godet një shqetësim, sëmundje a diçka tjetër, Allahu ia shkund mëkatet e tij ashtu siç i shkund pema gjethet e saj”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5667

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

5668. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Abdullah ibn Ebu Seleme, e këtij i ka rrëfyer Zuhriu nga Amir ibn Sadi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi të më vizitojë në vitin e Haxhit Lamtumirës, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që kisha, e në atë rast i thashë: “Më ka goditur një sëmundje e rëndë (prej së cilës ndoshta edhe do të vdes), siç po e sheh. Unë kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë. A të jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime?”
- “Jo”, - tha ai.
- A të jap lëmoshë gjysmën? - e pyeta.
- “Jo.”
- Po një të tretën?
- “Një të tretën, madje edhe një e treta është shumë. T'i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë (të varfër) e t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5668

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Kur i sëmuri thotë: "Largohuni!"

5669. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Hishami nga Mameri. [t]: Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ndodhej në agoninë e vdekjes, në shtëpinë e tij ndodheshin ca burra, mes tyre edhe Omer ibn Hatabi. Pejgamberi ﷺ tha: “Më sillni një letër, që t'ju shkruaj një amanet, pas të cilit nuk do të devijoni më!” Në atë rast Omeri tha: “Vërtet Pejgamberin ﷺ e ka kapluar dhimbje e rëndë, ndërkaq ju tanimë e keni Kuranin, andaj na mjafton Libri i Allahut.” Të pranishmit filluan të debatonin dhe të grindeshin. Disa thoshin: “Afrojani, le t'ju shkruajë Pejgamberi ﷺ një letër, pas së cilës nuk do të devijoni.” Disa të tjerë thoshin atë që e tha Omeri. Pasi e tepruan me shamatë dhe mospajtim pranë Pejgamberit ﷺ, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Largohuni!”
Ibn Abasi thoshte: “Vërtet është fatkeqësi e madhe të bëhesh pengesë mes të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe shkrimit të asaj letre; gjithë kjo për shkak të përçarjes me njëri-tjetrin dhe shamatës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5669

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Ai që e dërgon fëmijën e sëmurë (te dikush), që të lutet për të

5670. Nga: Saib ibn Jezidi

Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Ismaili nga Xhuajdi se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Tezja ime më dërgoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i tha: “O i Dërguari i Allahut, djali i motrës sime është i sëmurë.” Pejgamberi ﷺ ma lëmoi kokën dhe u lut për mua për bekim, pastaj mori abdes dhe unë piva nga uji i mbetur. Dola mbrapa shpinës së tij dhe mes dy shpatullave ia pashë vulën e pejgamberisë në formë të vezës së pëllumbit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5670

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Kur i sëmuri e dëshiron vdekjen

5671. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Thabit Bunaniu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askush të mos e kërkojë vdekjen për shkak të vështirësisë që e ka goditur. Por, nëse i duhet medoemos ta kërkojë atë, atëherë le të thotë: “O Allah, më jep jetë, nëse jeta është me e mirë për mua dhe ma merr shpirtin, nëse vdekja është më e mirë për mua!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5671

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

5672. Nga: Habab ibn Ereti

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Ismail ibn Ebu Halidi se Kajs ibn Ebu Hazimi tregon: “Shkuam te Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ta vizituar, ndërkohë ishte mjekuar me kauterizim shtatë herë dhe tha: “Shokët tanë të mëhershëm kanë vdekur, por dynjaja nuk ua ka pakësuar shpërblimin (e ahiretit). Ndërkaq, ne kemi fituar aq shumë saqë nuk po u gjejmë vend ku t'i lëmë, përveçse t'i fusim në ndërtime. Sikur Pejgamberi ﷺ të mos na kishte ndaluar ta kërkojmë vdekjen, unë do të lutesha që të vdes.” (Kajsi vazhdoi:) “Pastaj prapë shkuam tek ai, ndërkohë që ishte duke ndërtuar një mur dhe tha: “Muslimani shpërblehet për çdo shpenzim të tijin, përveç shpenzimeve që i fut në këso gjërash prej dheu (ndërtime).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5672

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

5673. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Abdurrahman ibn Aufit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askënd prej jush nuk do ta fusë në Xhenet vepra e vet.”
- As ty, o i Dërguari i Allahut? - i thanë ata.
- “Jo, as mua, përveç nëse Allahu më përfshin me mirësinë dhe me mëshirën e Tij. Jini mesatarë dhe afrojuni përsosurisë. Askush të mos e dëshirojë vdekjen, sepse, ose është bamirës dhe shton vepra të mira, ose është punëkeq dhe mbase pendohet”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5673

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

5674. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame nga Hishami, e ky nga Abad ibn Abdullah ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte mbështetur tek unë, tha: “O Allah! Më fal e më mëshiro dhe më bashko me shoqërinë e lartë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5674

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Lutja e vizitorit për të sëmurin

Sadi tregon se Pejgamberi ﷺ është lutur për të: “O Allah, shëroje Sadin.”

5675. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i vente ndonjë i sëmurë, - ose ka thënë: ia sillnin atë, - ai lutej: “Edhhibil bes rabe nas, veshfi, ente shafi, la shifae ila shifauke, shifaen la jugadiru sekamen (O Zoti i njerëzve! Largoje dhimbjen, shëro, sepse Ti je Shëruesi, nuk ka shërim përpos shërimit Tënd, shërim i cili nuk lë sëmundje!)!”

Amër ibn Ebu Kajsi dhe Ibrahim ibn Tahmani transmetojnë nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi dhe Ebu Duha se: “... kur i sillnin ndonjë të sëmurë.” Xheriri transmeton nga Mensuri, e ky nga Ebu Duha, i vetëm, se ka thënë: “Kur ai shkonte te ndonjë i sëmurë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5675

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Abdesi i vizitorit për të sëmurin

5676. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ erdhi të më vizitonte, ndërsa unë isha i sëmurë (pa vetëdije). Ai mori abdes dhe më spërkati me ujë, ose tha: "Spërkateni atë!”, kështu që m'u kthye vetëdija.
- O i Dërguari i Allahut, askush nuk më trashëgon, përveç kelales. Si është çështja me trashëgiminë time? - e pyeta.
Kështu zbriti ajeti i trashëgimisë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5676

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Ai që lutet për largimin e epidemisë dhe gripit

5677. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi (në Medinë), Ebu Bekri dhe Bilali u sëmurën. Unë shkova tek ata dhe i pyeta: “O babai im, si je? O Bilal, si je?” Kur Ebu Bekrin e kapte zjarrmia, thoshte:

"Çdo njeri gdhihet në familjen e vet,

E më afër se lidhësen e këpucës ka vdekjen që e pret.”

Ndërkaq, kur Bilalit i kalonte pakëz zjarrmia, e ngrinte zërin duke thënë:

"Sikur të mund të kaloja një natë të vetme në një luginë,

I rrethuar me idhhir e xhelil!

A do të vijë dita kur do të mund të pi ujë në mixhene,

Dhe a do të shoh më kodrinat Shameh e Tafil?”

Aishja shton: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova për këtë, i cili në atë rast më tha: “O Allah, na e bëj të dashur Medinën ashtu siç e donim Mekën, ose më shumë, dhe bëje atë të shëndetshme për ne! O Allah, na begato në sain dhe mudin e saj! Ndërkaq, zjarrminë e saj dërgoji në Xhuhfe!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5677

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?