81. Qetësimi i zemrës
1. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur për shëndetin, kohën e lirë dhe faktin se jeta e vërtetë është ajo e ahiretit
6412. Nga: Abdullah ibn Abasi
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Seid ibn Ebu Hindi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndaj dy mirësive shumica e njerëzve janë të shkujdesur:
1. Ndaj shëndetit dhe
2. Kohës së lirë.”
Abas Anberiu ka thënë: “Na ka treguar Safvan ibn Isa nga Abdullah ibn Seid ibn Ebu Hindi, e ky nga babai i tij se ka thënë: “E kam dëgjuar Ibn Abasin, i cili transmeton nga Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6412
Fjalë të panjohura?
6413. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muavi ibn Kurra se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“O Allah, jeta e vërtetë është ajo në ahiret,
Bëji të mbarë ensarët dhe muhaxhirët!”
6414. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ahmed ibn Mikdami më ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa ishim me të Dërguarin e Allahut ﷺ në Hendek, ku ai gërmonte e ne bartnim dheun, kalonte pranë nesh dhe thoshte:
“O Allah, jeta e vërtetë është ajo në ahiret,
Andaj, ensarët dhe muhaxhirët fali krejt!”
Këtë transmetim e fuqizon Sehël ibn Sadi nga Pejgamberi ﷺ, njëjtë.
Referenca: Sahihu i Buhariut 6414
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Dynjaja në raport me ahiretin
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.” (Hadid, 20)
6415. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një copë toke sa kamxhiku në Xhenet është më e çmueshme se dynjaja dhe çfarë ka në të. Marshimi në rrugën e Allahut, në mëngjes dhe në mbrëmje, është më i çmueshëm sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.”
3. Nënkapitulli: Hadithi: “Ji në dynja sikurse të jesh i huaj ose kalimtar rruge.”
6416. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdurrahman Ebu Mundhir Tafaviu, e ky nga Sulejman Ameshi, e këtij i ka treguar Muxhahidi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më kapi për supi dhe më tha: “Ji në dynja sikurse të jesh i huaj ose kalimtar rruge.”
Ibn Omeri thoshte: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin, e, kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. Puno sa je shëndoshë, për sëmundjen tënde, dhe sa je gjallë, për vdekjen tënde.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6416
Fjalë të panjohura?
4. Nënkapitulli: Shpresa për jetë të gjatë
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... E kush i shmanget Zjarrit dhe futet në Xhenet, ai ka fituar, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.” (Ali Imran, 185) Po ashtu, Ai ka thënë: “Lëri ata, të hanë, të dëfrehen dhe t’i preokupojë shpresa (për këtë botë), e më vonë do të kuptojnë.” (Hixhër, 3) Ali ibn Ebu Talibi ka thënë: "Dynjaja po na e kthen shpinën, kurse ahireti po vjen drejt nesh. Secila prej këtyre i ka bijtë e vet, andaj bëhuni bijë të ahiretit e mos u bëni bijë të dynjasë, sepse sot ka vetëm punë e jo llogaritje, kurse nesër ka llogaritje e nuk ka punë."
6417. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Sadaka ibn Fadli na ka thënë: Na ka rrëfyer Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Mundhiri, e ky nga Rebi ibn Huthejmi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na vizatoi një katror e në mes të tij vizatoi një vijë, e cila e tejkalonte katrorin. Më pas, anash kësaj (në sipërfaqen brenda katrorit), skicoi disa vija të tjera të shkurtra që ishin të kthyera nga ajo e mesit dhe tha: “Ky është njeriu, ndërsa ky këtu (katrori) është fundi i tij (vdekja) që e rrethon. Kjo që ka dalë tejpërtej katrorit është shpresa e tij. Këto vijat e shkurtra janë pengesa që, po qe se njëra dështon, e godet tjetra.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6417
Fjalë të panjohura?
6418. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ vizatoi ca vija dhe tha: “Kjo është shpresa (për jetë të gjatë), kurse kjo tjetra është vdekja e tij. Andaj, duke qenë në këtë gjendje (shprese), papritmas atë e godet vija më e afërt (vdekja).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6418
Fjalë të panjohura?
5. Nënkapitulli: Ai që i ka mbushur gjashtëdhjetë vjet, Allahu tashmë i ka dhënë mjaft jetë për të mos i lënë vend për arsyetim
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... Vallë, a nuk ju kemi dhënë Ne jetë, aq sa të marrë mësim ai që e ka pasur ndërmend të marrë mësim, e juve madje, ju pat ardhur paralajmëruesi...” (Fatir, 37) * - Paralajmëruesi: është për qëllim thinja e flokut.
6419. Nga: Ebu Hurejra
Abduselam ibn Mutahiri më ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Aliu, e ky nga Mean ibn Muhamed Gifariu, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu nuk i ka lënë vend për arsyetim njeriut që i ka dhënë jetë deri në moshën gjashtëdhjetëvjeçare.”
Transmetimin e Mean ibn Muhamed Gifariut e fuqizon Ebu Hazimi dhe Ibn Axhlani nga Makburi.
Referenca: Sahihu i Buhariut 6419
Fjalë të panjohura?
6420. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Safvan Abdullah ibn Seidi, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zemra e plakut mbetet e re për dy gjëra:
1. Dashurinë për dynjanë dhe
2. Shpresën e gjatë (për jetë).”
Lejthiu ka thënë: “Më ka treguar Junusi, - si dhe Ibn Vehbiu nga Junusi, - nga Ibn Shihabi, i cili ka thënë: “Më ka rrëfyer Seidi dhe Ebu Seleme.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6420
Fjalë të panjohura?
6421. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa mosha e birit të Ademit shtohet, bashkë me të shtohen edhe dy gjëra:
1. Dashuria për pasuri dhe
2. Për jetëgjatësi.”
Këtë e transmeton edhe Shuëbe nga Katadja.
Referenca: Sahihu i Buhariut 6421
Fjalë të panjohura?
6. Nënkapitulli: Vepra me të cilën kërkohet shpërblimi i Allahut
Këtë e transmeton edhe Sadi.
6422. Nga: Mahmud ibn Rabi Ensariu
Muadh ibn Esedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Mahmud ibn Rebiu se Mahmudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, qysh i vogël, e mbante në mend të Dërguarin e Allahut ﷺ. I kujtohej kur ai e kishte mbushur gojën me ujë prej një kove dhe ia kishte hedhur në fytyrë (për ashikëri, shaka ose bekim), në shtëpinë e tyre.
6423. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi herët në mëngjes tek unë dhe tha: “Nëse robi vjen Ditën e Kiametit me fjalën “la ilahe il-lallah”, me të cilën ka kërkuar shpërblimin e Allahut, Allahu do t'ia bëjë atij haram Zjarrin.”
6424. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani, e ky nga Omeri, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse robit Tim besimtar ia marr të dashurin e tij të familjes në dynja e ai llogarit në shpërblim (duke bërë durim), për të nuk ka kompensim tjetër përveç Xhenetit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6424
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Ruajtja nga bukuritë e dynjasë dhe nga garimi për të
6425. Nga: Misver ibn Mahremi
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ismail ibn Ibrahim ibn Ukbe, e ky nga Musa ibn Ukbe, e këtij i ka thënë Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Misver ibn Mehrame se Amër ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte aleat i fisit të Amir ibn Luejit dhe kishte qenë pjesëmarrës në Bedër me të Dërguarin e Allahut ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e kishte dërguar Ebu Ubejde ibn Xherrahun në Bahrejn për ta mbledhur xhizjen prej tyre. I Dërguari i Allahut ﷺ lidhi marrëveshje paqeje me banorët e Bahrejnit, e në atë rast Ala ibn Hadremiun e vuri në krye të tyre. Më vonë, Ebu Ubejde u kthye nga Bahrejni me shumë mallra. Me të dëgjuar se ai ishte kthyer, posa e fali namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ, kur Pejgamberi ﷺ e mbaroi namazin, ensarët i dolën përpara e ai buzëqeshi kur i pa, pastaj u tha: “Më duket se keni dëgjuar që Ebu Ubejde është kthyer dhe ka sjellë diçka me vete?” Ata thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Përgëzohuni dhe shpresoni për diçka që ju bën të lumtur, sepse, betohem në Allahun se, nuk frikësohem për ju nga varfëria, por kam frikë se do t'ju zgjerohet dynjaja ashtu siç u ishte zgjeruar atyre që ishin para jush, e pastaj të garoni për të siç garuan ata e t'ju mashtrojë siç i ka mashtruar ata.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6425
Fjalë të panjohura?
6426. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jezid ibn Ebu Habibi, e ky nga Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi e ua fali namazin e xhenazes të vrarëve në Uhud, pastaj u kthye në minber dhe tha: “Unë do t'ju paraprij (te Hauzi) e do të jem dëshmitari juaj. Betohem në Allahun se në këto momente jam duke e parë Hauzin tim. Më janë dhënë çelësat e thesareve të Tokës, - ose tha: çelësat e Tokës. - Betohem në Allahun se nuk kam frikë se do të bëni shirk pas meje, por kam frikë se do të garoni për të (dynjanë).”
6427. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Gjëja prej së cilës kam frikë më së shumti për ju është fakti se Allahu do t'jua hapë begatitë e Tokës.” Dikush pyeti:
- Çka janë begatitë e Tokës?
- “Bukuritë e dynjasë”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- A ka mundësi që prej së mirës të vijë e keqja? - pyeti ai.
Pejgamberi ﷺ heshti, derisa e kuptuam se po i zbret shpallja. Më pas, e fshiu fytyrën e djersitur dhe tha:
- “Ku është pyetësi?
- Ja tek jam, - tha pyetësi.
Ebu Seidi shton: “Ne e lavdëruam atë për paraqitjen e tij.”
- “Prej së mirës gjithmonë vjen e mira. Pasuria është e hijshme (e bukur për sy) dhe e ëmbël. Gjelbërimi i pranverës e mbyt kafshën duke e fryrë ose e sjell në prag të ngordhjes, përveç asaj që është mësuar me bar të njomë (atë nuk e dëmton), (e cila ha) derisa t'i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze), përtypet, bajgos e urinon, dhe prapë kullot. Pasuria është e ëmbël. Për atë që e fiton me të drejtë dhe e harxhon me të drejtë, sa ndihmë e mirë që është ajo! Ndërkaq, ai që fiton pasuri padrejtësisht është sikurse ai që ha e nuk ngopet”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
6428. Nga: Imran ibn Husajni
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Ebu Xhemren, e këtij i ka treguar Zehdem ibn Mudarribi se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më të mirët nga ju janë gjenerata ime, pastaj pasardhësit e tyre.” Nuk di nëse ka përmendur dy a tri gjenerata pas tij. Pastaj Pejgamberi ﷺ shtoi: “Pas tyre do të vijnë njerëz që dëshmojnë, edhe pse nuk u kërkohet; që tradhtojnë dhe nuk u zihet besë; që zotohen, por nuk e përmbushin atë dhe të tillë që mbipesha do të jetë e përhapur në mesin e tyre.”
6429. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjenerata ime janë njerëzit më të mirë, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e këtyre. Më pas do të vijnë gjenerata që nxitojnë në dëshmi dhe betime.”
6430. Nga: Habab ibn Ereti
Jahja ibn Musai më ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e këtij i ka treguar Ismaili se Kajs ibn Ebu Hazimi tregon: “E kam dëgjuar Hababin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili atë ditë ishte mjekuar me kauterizim shtatë herë, duke thënë: “Sikur i Dërguari i Allahut ﷺ të mos na e kishte ndaluar ta kërkojmë vdekjen, unë do të lutesha që të vdisja. Shokët e Muhamedit ﷺ kanë vdekur, por dynjaja nuk ua ka pakësuar shpërblimin (e ahiretit), kurse ne kemi fituar aq shumë, saqë nuk po kemi ku t'i lëmë përveçse t'i fusim nëpër ndërtime.”
6431. Nga: Habab ibn Ereti
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili se Kajs ibn Ebu Hazimi tregon: “Shkova te Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) teksa ai po ndërtonte një mur dhe tha: “Shokëve tanë, të cilët kanë vdekur, dynjaja nuk ua ka pakësuar shpërblimin (e ahiretit), kurse ne pas tyre kemi fituar aq shumë, saqë nuk po kemi ku t'i lëmë përveçse t'i fusim në ndërtime.”
6432. Nga: Habab ibn Ereti
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ne kemi bërë hixhret me Pejgamberin ﷺ...” pastaj rrëfeu hadithin.
8. Nënkapitulli: Ajeti: “O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë, pra të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ndaj Allahut i mashtruari (shejtani). Shejtani është armik juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të Zjarrit.”
6433. Nga: Othman ibn Afani
Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim Kureshiu, e këtij i ka rrëfyer Muadh ibn Abdurrahmani se Humran ibn Ebani tregon: “Othman ibn Afanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i solla një enë me ujë teksa ai ishte ulur në Mekaid (vend në Medinë). Ai mori abdes mirë, pastaj tha: “E kam parë Pejgamberin ﷺ duke marrë abdes në këtë vend dhe, pasi e përsosi abdesin, tha: “Atij që merr abdes në këtë formë, pastaj shkon në xhami, i fal dy rekate dhe qëndron aty, i falen mëkatet e kaluara.” Po ashtu, Pejgamberi ﷺ tha: “Mos u mashtroni!”
9. Nënkapitulli: Vdekja e njerëzve të mirë
6434. Nga: Mirdas ibn Malik Eslemiu
Jahja ibn Hamadi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Bejani, e ky nga Kajs ibn Ebu Hazimi se Mirdas Eslemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të mirët do të vdesin një nga një dhe do të mbesin vetëm mbeturinat, sikurse mbeturinat e elbit ose të hurmave. Allahu nuk i përfill ata.”
10. Nënkapitulli: Si të mbrohemi nga sprova e pasurisë?
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë sprovë për ju...” (Tegabun, 15)
6435. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Jusufi më ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Bekri, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Është shkatërruar robi i dinarit dhe dërhemit e i shtrojave dhe rrobave. Nëse i jepet diçka, shprehet i kënaqur, e, nëse nuk i jepet, nuk kënaqet.”
6436. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur i biri i Ademit të kishte dy lugina me pasuri, do ta kërkonte edhe të tretën, kështu që barkun e tij s'mund ta ngopë asgjë tjetër pos dheut, por Allahu e fal atë që pendohet.”
6437. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Mahledi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar Atain se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur i biri i Ademit të posedonte pasuri sa një luginë, do të dëshironte edhe një tjetër të tillë. Vetëm dheu e ngop syrin e birit të Ademit, por Allahu ia fal atij që pendohet.”
Ibn Abasi thoshte: “Nuk e di nëse kjo është prej Kuranit apo jo.”
Atai ka thënë: “E kam dëgjuar Abdullah ibn Zubejrin duke thënë të njëjtën gjë, duke qenë në minber.”
6438. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Sulejman ibn Gasili se Abas ibn Sehël ibn Sadi tregon: “E kam dëgjuar Ibn Zubejrin në Mekë, duke ligjëruar në minber, tek thoshte: “O ju njerëz, Pejgamberi ﷺ thoshte: “Sikur të birit të Ademit t'i jepej një luginë plot me ar, do ta dëshironte edhe të dytën, e, po t'i jepej e dyta, do ta dëshironte edhe të tretën, kështu që barkun e birit të Ademit nuk e ngop gjë tjetër pos dheut. Ndërkaq, atë që pendohet, Allahu e fal.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6438
Fjalë të panjohura?
6439. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur i biri i Ademit të kishte një luginë me ar, do të dëshironte t'i kishte dy lugina, kështu që gojën e tij nuk e ngop asgjë tjetër pos dheut. Ndërkaq, atë që pendohet, Allahu e fal.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6439
Fjalë të panjohura?
6440. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Seleme, e ky nga Thabiti se Enesi tregon se Ubeji (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Këtë1 e konsideronim pjesë të Kuranit, derisa zbriti ajeti: “Juve ju preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, fëmijëve, pozitës)!” (Tekathur, 1)
Referenca: Sahihu i Buhariut 6440
Fjalë të panjohura?
11. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Kjo pasuri është e hijshme (e bukur për sy) dhe e ëmbël.”
Fjala e Allahut të Madhëruar: “U është hijeshuar njerëzve lakmia ndaj grave, fëmijëve, arit dhe argjendit të grumbulluar, kuajve të bukur, bagëtive dhe të lashtave. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete; por tek Allahu është vendi më i bukur për t'u kthyer.” (Ali Imran, 14) Omeri ka thënë: "O Allah, ne nuk mund të mos i gëzohemi asaj që na e ke zbukuruar, ndaj të lutem, o Allah, që pasurinë ta shpenzoj drejt!"
6441. Nga: Hakim ibn Hizami
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Zuhriun, e këtij i ka rrëfyer Urve dhe Seid ibn Musejebi se Hakim ibn Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I lypa Pejgamberit ﷺ e ai më dha. I lypa sërish, sakaq sërish më dha. E, kur i lypa për herë të tretë, ai prapë më dha e më tha: “O Hakim, pasuria është jeshil dhe e ëmbël. Atij që e merr me zemërgjerësi, i ka bereqet. Ndërkaq, atij që e merr me makutëri, nuk i ka bereqet, sikurse ai që ha e nuk ngopet. Dora e sipërme është më e mirë se dora e shtrirë.”
12. Nënkapitulli: Kush e jep pasurinë, e ka për vete
6442. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi më ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahim Tejmiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pyeti: “Për cilin nga ju pasuria e trashëgimtarit të tij është më e dashur se pasuria e vet?”
- O i Dërguari i Allahut, për secilin prej nesh pasuria e vet është më e dashur, - iu përgjigjën të pranishmit.
- “Ç'është e vërteta, pasuri e tij është vetëm ajo që e ka dhënë, kurse ajo që e ka ruajtur është pasuri e trashëgimtarëve të tij”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6442
Fjalë të panjohura?
13. Nënkapitulli: Ata që grumbullojnë (në këtë botë) janë ata që kanë pak (në ahiret)
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua plotësojmë shpërblimin e veprave të tyre në dynja, dhe nuk do t’u mungojë gjë. Këta janë të cilët në botën tjetër nuk do të kenë kurrgjë, përveç Zjarrit. Do t’u shkatërrohet çdo gjë që kanë bërë në të (këtë botë) dhe e kotë është ajo që e kanë punuar. (Hud, 15-16)
6443. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Abdulaziz ibn Rufeji, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, dola dhe pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ tek ecte vetëm, s'kishte askënd me vete. Duke menduar se nuk ka dëshirë që dikush të ecë me të, unë vazhdova të eci nën hijen e hënës (për të mos u parë), mirëpo ai u kthye papritmas, më pa dhe tha: “Kush është?”
- Ebu Dherri. Allahu më bëftë kurban për ty! - iu përgjigja.
- “O Ebu Dherr, eja!” - m'u drejtua ai.
Kështu, unë eca me të për një kohë, pastaj më tha: “Ata që grumbullojnë, ata do të kenë pak Ditën e Kiametit, përveç atij që Allahu i ka dhënë mirësi e ai jep djathtas e majtas, para e mbrapa dhe bën vepra të mira me të.”
Ecëm dhe pak kohë, pastaj më tha: “Pritmë këtu!” Më uli në një luginë të rrethuar me gurë dhe më tha: “Prit këtu, derisa të kthehem.”
Ai shkoi drejt pllajës, saqë më humbi nga sytë, ku qëndroi gjatë. Teksa po kthehej, e dëgjova duke thënë: “Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina.”
Pasi arriti, nuk m'u durua pa e pyetur:
- O i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, kujt i flisje teksa ishe në pllajë? Nuk dëgjova askënd të të përgjigjej.
- “Ai qe Xhibrili ﷺ. Më erdhi në pllajë dhe më tha: “Përgëzoje umetin tënd se, kushdo që vdes pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet, - u përgjigj i Dërguari i Allahut ﷺ. - O Xhibril, edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta.
- Po, - më tha Xhibrili.
- Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta prapë.
- Po.
- Edhe nëse vjedh, edhe nëse bën zina? - e pyeta sërish.
- Po, - m'u përgjigj ai, - madje edhe nëse pi alkool.”
Nadri ka thënë: “Na ka rrëfyer Shuëbe dhe na ka treguar Habib ibn Ebu Thabiti nga Ameshi dhe Abdulaziz ibn Rufeji, e këtij ia ka treguar këtë Zejd ibn Vehbiu. Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Hadithi i Ebu Salihut nga Ebu Derdai është i shkëputur (mursel), pra nuk është i saktë.” E kemi transmetuar sa për ta pasur parasysh, kurse hadithi i saktë është hadithi i Ebu Dherrit.” Dikush i tha Ebu Abdullahut: “(Ç'thua për) hadithin e Ata ibn Jesarit nga Ebu Derdai?” Tha: “Edhe ai është i shkëputur (mursel), nuk është i saktë, kurse hadithi i saktë është hadithi i Ebu Dherrit.” Po ashtu tha: “Fshijeni këtë hadith të Ebu Derdait: “Kushdo që vdes me fjalën: “La ilahe il-lallah.”
14. Nënkapitulli: Hadithi: “Nuk më gëzon të kem ar sa Uhudi.”
6444. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Hasen ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po ecja me Pejgamberin ﷺ nëpër pllajën e Medinës, u kthyem nga Uhudi dhe më tha: “O Ebu Dherr!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
- “Edhe sikur tërë ky Uhud të më shndërrohej në ar, nuk do të kisha pasur dëshirë të më mbetej asnjë dinar më shumë se tri net, përveç dinarit të rezervuar për kthim të borxhit, veçse do t'ua jepja robërve të Allahut, kështu, kështu e kështu”, - (dhe bëri me duar) në të djathtë të tij, në të majtë dhe mbrapa.
Pastaj eci dhe më tha: “Ata që kanë shumë, në realitet kanë pak Ditën e Kiametit, përveç atyre që japin kështu, kështu e kështu” - (dhe bëri me duar) në të djathtë të tij, në të majtë e mbrapa dhe vazhdoi: “Por ata janë të paktë.”
Pastaj më tha: “Prit aty ku je! Mos u largo derisa të kthehem!” - dhe shkoi më tutje, në errësirën e natës, saqë nuk e pashë. Dëgjova një zë të lartë që më bëri të frikësohesha se mos dikush po i bënte ndonjë gjë Pejgamberit ﷺ, andaj doja të shkoja, por m'u kujtua fjala e tij: “Mos u largo derisa të kthehem!” Kështu, qëndrova aty, derisa u kthye dhe i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, dëgjova një zë që më bëri të frikësohem..., - dhe i tregova ç'më kishte shkuar në mendje.
- “E dëgjove, vallë?” - më tha.
- Po.
Atëherë Pejgamberi ﷺ më tha: “Ai ishte Xhibrili ﷺ. Erdhi dhe më tha se, kushdo prej umetit tënd që vdes pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet.
- Edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh? - e pyeta.
- Po, edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh, - u përgjigj Xhibrili ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6444
Fjalë të panjohura?
6445. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Shebibi më ka thënë: Na ka treguar babai im, e ky nga Junusi. [t]: Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Edhe sikur të posedoja ar sa Uhudi, nuk do të dëshiroja të më mbetej asgjë prej tij më shumë se tri ditë, përveç sa për të kthyer borxhin.”
15. Nënkapitulli: Pasuri e vërtetë është pasuria e shpirtit
Allahu i Madhëruar ka thënë: “A mos mendojnë ata që Ne duke u ndihmuar atyre me pasuri dhe djem, po nxitojmë nga të mirat e tyre?! Kurrsesi, por ata nuk vërejnë. Me të vërtetë, ata që prej frikës së madhe ndaj Zotit të tyre, frikësohen (nga dënimi i Tij), dhe ata që besojnë në argumentet e Zotit të tyre, dhe ata që nuk i bëjnë shok Zotit të tyre, dhe ata që japin nga ajo që u është dhënë, e zemrat i kanë të frikësuara, meqë do të kthehen te Zoti i tyre, - ata nxitojnë në vepra të mira dhe për to i kalojnë të tjerët. Ne askënd nuk e ngarkojmë përtej mundësive të tij; te Ne është Libri që flet të vërtetën, dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Por, zemrat e mohuesve janë të pakujdesshme ndaj kësaj (Kuranit), e ata kanë punë të tjera më të këqija se këto që i bëjnë.” (Muminun, 55-63) Ibn Ujejne ka thënë: "Punë të tjera më të këqija" janë për qëllim veprat që ata ende nuk i kanë bërë, porse do t’i bëjnë gjithsesi.
6446. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekri, e këtij i ka treguar Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk është pasuri të kesh shumë mall, porse pasuri e vërtetë është pasuria e shpirtit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6446
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Vlera e varfërisë
6447. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, një njeri kaloi pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast Pejgamberi ﷺ pyeti një burrë që ishte ulur afër tij:
- “Çfarë thua për të?”
- Është burrë që i përket elitës së njerëzve. Betohem në Allahun se është i denjë që, nëse kërkon dorë për martesë, martohet, e, nëse ndërmjetëson, i pranohet, - tha ai.
I Dërguari i Allahut ﷺ heshti. Pas pak kaloi një njeri tjetër, e në atë rast ai pyeti prapë:
- “Po për të, çfarë thua?”
- O i Dërguari i Allahut!, është një ndër varfanjakët muslimanë. Nëse kërkon dorë për martesë, nuk i jepet; nëse ndërmjetëson, nuk i pranohet, e, nëse flet, nuk i ecën fjala, - tha ai.
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ç'është e vërteta, ky është më i mirë sesa toka plot me njerëz sikurse ai i pari.”
6448. Nga: Habab ibn Ereti
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kemi bërë hixhret me Pejgamberin ﷺ duke synuar Fytyrën e Allahut dhe shpërblimi ynë ka mbetur tek Allahu i Lartësuar. Dikush prej nesh tashmë ka vdekur, pa e gëzuar aspak shpërblimin e tij (në këtë botë), bie fjala, Musab ibn Umejri, i cili është vrarë ditën e Uhudit dhe pas vetes kishte lënë vetëm një rrobë, me të cilën, kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e, kur ia mbulonim këmbët, i zbulohej koka. I Dërguari i Allahut ﷺ na pati urdhëruar që t'ia përfshinim kokën me të, kurse këmbëve t'u hidhnim idhhir. Ndërkaq, disa të tjerëve prej nesh tanimë u janë pjekur frutat dhe po i vjelin.”
6449. Nga: Imran ibn Husajni
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Selm ibn Zeriri, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shikova në Xhenet dhe pashë se shumica e banorëve të tij ishin të varfrit, pastaj shikova në Zjarr dhe pashë se shumica e banorëve të tij ishin gratë.”
Transmetimin e Selm ibn Zeririt e fuqizojnë Ejubi dhe Aufi; kurse Sahri dhe Hamad ibn Nexhihu transmeton nga Ebu Rexhai, e ky nga Ibn Abasi.
6450. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Arube, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ vdiq pa ngrënë kurrë ushqim në tryezë, si dhe vdiq pa ngrënë kurrë bukë të butë.”
6451. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vdiq Pejgamberi ﷺ, në raftin tim nuk kishte fare ushqim për të ngrënë, përveç pak elb që e mbaja në raft, prej të cilit hëngra për kohë të gjatë. Por, kur e mata, u harxhua shpejt.”
17. Nënkapitulli: Si ka qenë jetesa e Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij, si dhe në çfarë gjendjeje kanë ikur prej dynjasë?
6452. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi më ka treguar, përafërsisht gjysmën e këtij hadithi: Na ka treguar Omer ibn Dherri, e këtij i ka treguar Muxhahidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Betohem në Allahun, përveç të Cilit s'ka të adhuruar të denjë, se ka pasur raste kur bija përtokë nga uria dhe ka pasur raste kur lidhja gurë në bark, nga uria.
Kështu, një ditë u ula mu në rrugën prej së cilës ata dilnin. Atypari kaloi Ebu Bekri dhe e pyeta për një ajet nga Libri i Allahut, jo për tjetër, veçse duke shpresuar se do të më japë diçka për të ngrënë. Por, ai shkoi pa më dhënë asgjë. Pastaj erdhi Omeri, të cilin gjithashtu e pyeta për një ajet të Librit të Allahut, jo për tjetër, veçse duke shpresuar se do të më japë diçka për të ngrënë, porse edhe ai shkoi pa më dhënë gjë. Më pas, pranë meje kaloi Ebu Kasimi ﷺ, i cili, posa më pa, buzëqeshi, sepse, duke më shikuar në fytyrë, kuptoi nevojën time. Ai m'u drejtua: “O Ebu Hirr!”
- Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut!
- “Eja me mua”, - më tha.
U nis dhe unë e ndoqa pas derisa u fut brenda. Kërkoi leje (për të hyrë), pastaj edhe mua më dha leje. Kur hyri, gjeti një tas me qumësht dhe pyeti: “Kush e ka sjellë këtë qumësht?”
- Ta ka dhuruar filani, ose filania, - i thanë.
- “Ebu Hirr!” - më tha.
- Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut!
- “Shko tek ehlu sufe (të varfrit e xhamisë) dhe m'i fto të gjithë!”
Ata kanë qenë mysafirë të Islamit, nuk kanë pasur as familje, as mall e askënd. Kur Pejgamberit ﷺ i vinte ndonjë sadaka, ua dërgonte atyre, kurse vetë nuk e hante. E, nëse i vinte ndonjë dhuratë, ua dërgonte atyre, por hante edhe vetë prej saj, duke i bërë ata ortak në të. Kjo nuk më pëlqeu, andaj thashë (me vete): “E ç'mund t'u shërbejë ky qumësht gjithë atyre të varfërve, ndërkohë unë jam më meritor të pi prej tij e të forcohem?” Pastaj, kur ata të arrijnë, Pejgamberi ﷺ do të më urdhërojë t'u jap atyre, ndoshta mua s'do të më mbetet asgjë prej atij qumështi. Sido që të jetë, medoemos më duhet ta respektoj Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.
Kështu, vajta tek ata dhe i ftova. Ata erdhën dhe kërkuan leje për të hyrë, e në atë rast ai u dha leje dhe të gjithë u ulën në shtëpi. Pejgamberi ﷺ më tha: “O Ebu Hirr!”
- Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut!
- “Merre dhe jepu atyre!”
Unë e mora tasin dhe fillova. I jepja njërit derisa ngopej, pastaj ma kthente tasin. I jepja tjetrit dhe ai pinte derisa ngopej, pastaj ma kthente tasin. Pastaj të tretit, i cili pinte derisa ngopej dhe ma kthente tasin. Kështu veprova derisa mbërrita te Pejgamberi ﷺ, ndërkohë që të gjithë mysafirët ishin ngopur. I Dërguari i Allahut ﷺ mori tasin dhe e mbajti në dorë. Më shikoi, buzëqeshi dhe më tha: “Ebu Hirr!”
- Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut!
- “Kemi mbetur unë dhe ti.”
- Ashtu është, o i Dërguari i Allahut!
- “Ulu dhe pi.”
Atëherë unë u ula dhe piva, ndërkaq ai më thoshte: “Pi!”
Unë pija, ndërsa ai vazhdonte të më thoshte: “Pi!” derisa i thashë: “Jo, betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën se nuk kam më vend për të.” Atëherë ai më tha: “Ma afro ta shoh!” Kur ia dhashë tasin, ai e falënderoi Allahun, tha: "Bismilah" dhe e piu atë që kishte mbetur.”
6453. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë jam arabi i parë që ka gjuajtur me shigjetë në rrugën e Allahut. Luftonim dhe nuk kishim tjetër ushqim përpos gjetheve të drurëve, saqë edhe jashtëqitja na dilte sikurse e deles, e thatë. Pas gjithë kësaj, fisi benu esed më qortonin se jam dobësuar në Islam. Sikur të ishte ashtu, atëherë unë paskam humbur dhe më qenka shkatërruar vepra.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6453
Fjalë të panjohura?
6454. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othmani më ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Qëkurse Pejgamberi ﷺ ka ardhur në Medinë, nuk ka ndodhur që familja e tij të ngopet me bukë elbi tri ditë radhazi, deri kur vdiq.”
6455. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Is'hak ibn Ibrahim ibn Abdurrahmani më ka thënë: Na ka treguar Is'haku, - i cili është Ezraku, - nga Misar ibn Kidami, e ky nga Hilali, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Sa herë që familja e Muhamedit ﷺ ka ngrënë dy vakte gjatë ditës, njëra ka qenë vetëm me hurma.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6455
Fjalë të panjohura?
6456. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Ebu Rexhai më ka thënë: Na ka treguar Nadri, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shtrati i të Dërguarit të Allahut ﷺ ka qenë prej lëkure të mbushur me fije palme.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6456
Fjalë të panjohura?
6457. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemam ibn Jahjai se Katadja tregon: “Ishim tek Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërkohë që aty ishte edhe bukëpjekësi i tij duke qëndruar në këmbë. Enesi tha: “Hani, sepse nuk di se Pejgamberi ﷺ ka parë ndonjëherë bukë të bardhë derisa është shpërngulur tek Allahu, e as që ka parë ndonjëherë dele të pjekur enkas.”
6458. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Na kalonte muaji pa ndezur zjarr asnjëherë. I vetmi ushqim që kishim kanë qenë hurmat dhe uji, përveç nëse dikush na sillte ndonjë copëz mishi.”
6459. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdulaziz ibn Abdullah Uvejsi na ka thënë: Më ka treguar ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij, e ky nga Jezid ibn Rumani se Urve tregon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “O biri i motrës sime! Kishte raste kur e shihnim hënën e re, tri herë rresht, për dy muaj, ndërkohë në shtëpitë e të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk ndizej zjarri.”
- Po si mbijetonit? - e pyeta.
- Vetëm me hurma e ujë, përveç kur disa ensarë që posedonin bagëti, fqinjë të Pejgamberit ﷺ, herë pas here të Dërguarit të Allahut ﷺ i dhuronin ndonjë gjë nga shtëpitë e tyre dhe na jepnin për të pirë, - tha Aishja.”
6460. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli, e ky nga babai i tij, e ky nga Umare, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ lutej: “O Allah, furnizoje familjen e Muhamedit me aq ushqim sa i mjafton për një ditë!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6460
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitulli: Mbajtja e mesatares dhe vazhdimësia në vepra
6461. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e ky nga Eshathi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Mesruku tregon: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Cila vepër ka qenë më e dashur për Pejgamberin ﷺ?”
- Ajo që kryhet në vazhdimësi, - u përgjigj ajo.
- Në çfarë kohe zgjohej për namaz nate? - e pyeta.
- Zgjohej kur e dëgjonte gjelin (këndimin e parë të gjelit), - tha ajo.”
6462. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe transmeton nga Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vepra më e dashur për të Dërguarin e Allahut ﷺ ka qenë ajo që personi e kryente në vazhdimësi.”
6463. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Asnjërin prej jush nuk do ta shpëtojë vepra e vet.”
- As ty, o i Dërguari i Allahut?! - pyetën të pranishmit.
- “As mua, përveç nëse Allahu më përfshin me mëshirën e Tij. Jini mesatarë dhe afrojuni përsosurisë. Ecni herët në mëngjes, pas dite dhe një pjese të natës. Jini mesatarë! Jini mesatarë, sepse ashtu arrini!”
6464. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jini mesatarë dhe afrojuni përsosurisë! Dijeni se askënd nuk do ta fusë në Xhenet vepra e tij. Veprat më të dashura për Allahun janë ato që bëhen në vazhdimësi, edhe nëse janë pak.”
6465. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Arare më ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Seid ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ është pyetur: “Cilat janë veprat më të dashura për Allahun?”
Ai u përgjigj: “Ato që bëhen në vazhdimësi, edhe nëse janë pak.” Pastaj shtoi: “Punoni vepra të mira sa të keni mundësi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6465
Fjalë të panjohura?
6466. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othman ibn Ebu Shejbe më ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi se Alkame thotë: “E pyeta Aishen, nënën e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Oj nëna e besimtarëve, si kanë qenë veprat e Pejgamberit ﷺ? A veçonte ndonjë ditë me diçka (për adhurim)?”
- Jo, veprat e tij kanë qenë të vazhdueshme. Vallë, cili prej jush mund të bëjë atë që e bënte Pejgamberi ﷺ? - tha ajo.”
6467. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Zibrikani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jini mesatarë e afrojuni përsosurisë dhe përgëzohuni (për shpërblimin që ju pret). Dijeni se askënd nuk do ta fusë në Xhenet vepra e vet.”
- As ty, o i Dërguari i Allahut?! - pyetën të pranishmit.
- “As mua, përveç nëse Allahu më përfshin me faljen dhe mëshirën e Tij.”
Ali ibn Abdullahu ka thënë: “Mendoj se Musa ibn Ukbe e ka transmetuar nga Ebu Nadri, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Aishja.” Afani ka thënë: “Na ka treguar Vuhejbi nga Musa ibn Ukbe, i cili thotë: “E kam dëgjuar Ebu Selemen duke transmetuar nga Aishja, e kjo nga Pejgamberi ﷺ (se ka thënë): "Jini mesatarë (sedidu) dhe përgëzohuni!” Muxhahidi, në lidhje me Fjalën e Allahut: “(Thoni) Fjalë të drejta (sediden)”, ka thënë: “Është për qëllim: “fjalë të sinqerta.”
6468. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fulejhu, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Hilal ibn Aliu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ na e fali namazin dhe hipi në minber. Aty bëri me duar në drejtim të kiblës së xhamisë, pastaj tha: “Teksa jua falja namazin, m'u paraqitën Xheneti dhe Zjarri në ballin e këtij muri. Asnjëherë nuk kam parë mirësi dhe sherr sikurse sot. Asnjëherë nuk kam parë mirësi dhe sherr sikurse sot!”
19. Nënkapitulli: Shpresa e shoqëruar me frikë
Sufjani ka thënë: "Për mua, nuk ka ndonjë ajet në Kuran më të frikshëm se ky: “Thuaj: "O ithtarët e Librit: "Ju nuk keni asgjë (në fe) derisa të mos zbatoni Tevratin, Inxhilin dhe atë që ju zbriti nga Zoti i juaj...” (Maide, 68)
6469. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani, e ky nga Amër ibn Ebu Amri, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Kur Allahu e krijoi mëshirën, e ndau në njëqind pjesë. Nëntëdhjetë e nëntë pjesë të saj i mbajti pranë Vetes, kurse një e lëshoi për të gjitha krijesat. Andaj, sikur jobesimtari të dinte se çfarë mëshire gjendet tek Allahu, s'do ta humbiste shpresën për Xhenet. Edhe besimtari, sikur ta dinte çfarë dënimi gjendet tek Allahu, nuk do të ndihej i sigurt prej Zjarrit.”
20. Nënkapitulli: Durimi kundrejt asaj që e ka ndaluar Allahu
Allahu i Madhëruar ka thënë: “… Ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer, 10) Omeri ka thënë: "Jeta jonë më e mirë ka qenë ajo që e jetonim duke bërë durim."
6470. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jezidi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa ensarë i lypën të Dërguarit të Allahut ﷺ, andaj nuk la asnjërin prej tyre pa i dhënë, derisa u shterua gjithë ajo që posedonte. Pasi e harxhoi të tërën duke e shpërndarë me duart e veta, Pejgamberi ﷺ u tha: “Të mirat që kam nuk i kursej prej jush. Mirëpo (ta dini se), kush kërkon ndershmëri, Allahu e bën të ndershëm; kush përpiqet të bëjë durim, Allahu e bën të durueshëm dhe kush mjaftohet me pasurinë që ka, Allahu e bën të pasur. Askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë dhe më e çmuar sesa durimi.”
6471. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Misari, e këtij i ka treguar Zijad ibn Ilake se Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ falej natën, saqë i ënjteshin këmbët. E, kur pyetej (rreth kësaj), thoshte: “A të mos jem rob falënderues?!”
21. Nënkapitulli: Ajeti: “... Kushdo që mbështet tek Allahu, Ai i mjafton atij...”
Rebi ibn Huthejmi (në lidhje me ajetin në fjalë) ka thënë: "(I mjafton) kundrejt çdo vështirësie që hasin njerëzit."
6472. Nga: Abdullah ibn Abasi
Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Revh ibn Ubade, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Husajn ibn Abdurrahmanin, e ky ka thënë: Isha i ulur pranë Seid ibn Xhubejrit kur më tha: Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Prej umetit tim, shtatëdhjetë mijë do të hyjnë në Xhenet pa u marrë në llogari: ata që nuk kërkojnë rukje, ata që nuk besojnë në ogure dhe ata që mbështeten vetëm në Zotin e tyre.”
22. Nënkapitulli: Thashethemet e urryera
6473. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Ali ibn Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i kanë rrëfyer disa persona, prej tyre Mugire, filani dhe një person tjetër, e këta nga Shabiu se Verradi, qatipi i Mugire ibn Shuëbes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Muaviu i dërgoi Mugirës një shkresë, ku thoshte: “Më shkruaj diçka që ke dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ!” Mugire ia ktheu: “Pas çdo namazi farz, Pejgamberin ﷺ e dëgjoja duke thënë: “La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin Kadir (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdi, Ai ka fuqi për çdo gjë).” Po ashtu, na ndalonte: thashethemet, të pyeturit e shumtë, shpërdorimin e pasurisë, privimin e të tjerëve nga pasuria dhe lypjen pa të drejtë, mosrespektimin e nënave, si dhe varrosjen e bijave për së gjalli.”
Hushejmi transmeton se Abdulmelik ibn Umejri i ka rrëfyer: “E kam dëgjuar Verradin duke e treguar këtë hadith prej Mugirës, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”
23. Nënkapitulli: Ruajtja e gjuhës
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai nuk thotë dot një fjalë e që pranë tij të mos jetë një përcjellës i gatshëm.” (Kaf, 18)
6474. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Aliu, e ky e ka dëgjuar Ebu Hazimin se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që ma garanton atë që është mes dy nofullave dhe atë që është mes dy këmbëve, ia garantoj Xhenetin.”
6475. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.
Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të mos e shqetësojë fqinjin e tij.
Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij.”
6476. Nga: Ebu Shurejh Adeviu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Seid Makburi se Ebu Shurejh Huzaiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Dy veshët e mi e kanë dëgjuar dhe zemra ime e ka nxënë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mikpritja është tri ditë, (ndaj jepjani mysafirit) hisen e tij.” Dikush pyeti: “Cila është hisja e tij?”
- “Një ditë e një natë”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ, pastaj vazhdoi:
“Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij!
Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!”
6477. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Hamzai më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi, e ky nga Jezidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Isa ibn Talha Tejmiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ka raste kur robi thotë një fjalë pa u menduar, si shkak i së cilës rrëshqet në Zjarr më thellë sesa largësia mes lindjes dhe perëndimit.”
6478. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muniri më ka thënë: E kam dëgjuar Ebu Nadrin, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Abdullah ibn Dinari, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ka raste kur robi thotë një fjalë që e bën Allahun të kënaqur, pa ia vënë veshin, si shkak i së cilës Allahu e ngre atë në shkallë të larta. Mirëpo, ka raste edhe kur thotë një fjalë që e hidhëron Allahun, pa ia vënë veshin, si shkak i së cilës fundoset në Xhehenem.”
24. Nënkapitulli: Të qarët nga frika e Allahut Fuqiplotë
6479. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shtatë lloje njerëzish Allahu do t'i strehojë nën hije (Ditën e Kiametit, në mesin e tyre edhe): një njeri, të cilit, kur e kujton Allahun, i lotojnë sytë.”
25. Nënkapitulli: Frika prej Allahut Fuqiplotë
6480. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ribiju se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndër popujt që kanë kaluar, ka qenë një njeri i cili kishte mendim të keq për veprat e veta, andaj i tha familjes së tij: “Pasi të kem vdekur, më bëni copë e grimë nëpër det, në një ditë të nxehtë.” Kështu, ata vepruan siç u tha ai dhe, kur Allahu e mblodhi (e ringjalli atë), e pyeti: “Çfarë të shtyri të veprosh një gjë të tillë?” Ai tha: “Asgjë tjetër pos frikës që kisha prej Teje.” Andaj, Allahu e fali.”
6481. Nga: Ebu Seid Hudriu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Ukbe ibn Abdulgafiri se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një njeri nga popujt para jush, të cilin Allahu e kishte furnizuar me pasuri dhe fëmijë, kur i erdhi vdekja, u tha të bijve: “Çfarë babai kam qenë për ju?” Ata iu përgjigjën: “Më i miri baba.” Ai u tha: “Por, unë s'kam asnjë vepër të mirë tek Allahu, prandaj, kur të shkoj tek Ai, do të më dënojë, kështu që më rrini gati, posa të vdes, më digjni të tërin derisa të bëhem shkrumb e hi, e pastaj më thërrmoni. E, kur të fryjë erë e fortë, më hidhni në det.” Dhe, në fund, mori besën e tyre për këtë, duke i bërë të betoheshin në Allahun. Kështu, të bijtë vepruan siç u tha i ati. Më pas (Ditën e Gjykimit), Allahu tha: “Bëhu!” - dhe ja, ai duke qëndruar në këmbë. Allahu e pyeti: “O robi Im, çfarë të shtyri të veprosh një gjë të tillë?” Ai iu përgjigj: “Frika prej Teje.” Atëherë Allahu e mbuloi me mëshirën e Tij.”
Kirmani ka thënë: “Kur ia tregova (këtë hadith) Ebu Othmanit më tha: “E kam dëgjuar prej Selmanit, përpos që ai ka shtuar: më bëni copë e grimë nëpër det"; ose ashtu siç ka thënë. Muadhi ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe nga Katadja se ka thënë: “E kam dëgjuar Ebu Seidin nga Pejgamberi ﷺ.”
26. Nënkapitulli: Braktisja e mëkateve
6482. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullah ibn Ebu Burde, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë dhe ajo me të cilën më ka dërguar Allahu shëmbëllejmë me një njeri që ka shkuar te një popull dhe u ka thënë: “E pashë ushtrinë (e armikut) me sytë e mi, andaj unë jam ai lajmëtari i zhveshur1 (që thërret): “Shpëtoni! Shpëtoni!”
Kështu, atij i bindet një grup, ikin natën ngadalë dhe shpëtojnë. Ndërkaq, një grup tjetër nuk i binden, të cilët, në mëngjes, ushtria i sulmon dhe i shkatërron.”
6483. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë, në raport me njerëzit, i shëmbëllej një njeriu që ndez një zjarr dhe, pasi ta ndriçojë vendin përreth, fluturat dhe insektet ia mësyjnë zjarrit dhe bien në të. Ai mundohet t'i mbrojë, porse ato e mundin dhe vërsulen drejt zjarrit. Kështu, unë ju kap për brezi që të mos bini në Zjarr, kurse ju, megjithatë, vërsuleni drejt tij.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6483
Fjalë të panjohura?
6484. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky nga Amiri se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë, ndërsa muhaxhir është ai që i braktis gjërat që i ka ndaluar Allahu.”
27. Nënkapitulli: Hadithi: “Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.”
6485. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.”
6486. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Musa ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.”
28. Nënkapitulli: Zjarri është i rrethuar me epshe
6487. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zjarri është rrethuar me epshe, kurse Xheneti është rrethuar me vështirësi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6487
Fjalë të panjohura?
29. Nënkapitulli: Xheneti është më afër ndonjërit prej jush sesa lidhësja e nallaneve të tij. Ashtu është edhe Zjarri.
6488. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Musa ibn Mesudi më ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri dhe Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Xheneti është më afër jush sesa lidhësja e nallaneve tuaja. Ashtu është edhe Zjarri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6488
Fjalë të panjohura?
6489. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdulmelik ibn Umejri, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vargu më i vërtetë që ka thënë ndonjëherë një poet është fjala:
"Përveç Allahut, çdo gjë tjetër është e kotë.”
30. Nënkapitulli: Duhet të shikohet ai që është më i ulët se ti, e jo ai që është më lart
6490. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush prej jush sheh dikë që është privilegjuar me pasuri ose bukuri, le të shikojë atë që është më keq se ai.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6490
Fjalë të panjohura?
31. Nënkapitulli: Kur dikush dëshiron të bëjë një të mirë ose një të keqe
6491. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Xhad Ebu Othmani, e këtij i ka treguar Ebu Rexha Utaridiu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ndër gjërat që Pejgamberi ﷺ i ka transmetuar nga Zoti i tij i Madhërishëm janë dhe fjalët: “Allahu i ka caktuar të mirat dhe të këqijat, pastaj i ka sqaruar. Andaj, kur dikush dëshiron të kryejë një vepër të mirë, por nuk e bën, Allahu ia shkruan një të mirë të plotë, e, nëse ia mësyn dhe e bën, Allahu ia shkruan dhjetë të mira e deri në shtatëqindfish, ose edhe më shumë. Në anën tjetër, kur dikush ia mësyn një vepre të keqe, por nuk e bën (e braktis), Allahu ia shkruan një të mirë të plotë, por, nëse ia mësyn dhe e bën, Allahu ia shkruan vetëm një të keqe.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6491
Fjalë të panjohura?
32. Nënkapitulli: Ruajtja nga mëkatet e vogla (që njerëzit i shpërfillin)
6492. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Mehdiu se Gajlani tregon se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ju po i bëni disa vepra që në sytë tuaj janë më të imëta sesa fijet e flokut, ndërkaq ne, në kohën e Pejgamberit ﷺ, i konsideronim shkatërrimtare.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6492
Fjalë të panjohura?
33. Nënkapitulli: Veprat vlerësohen sipas mbarimit që kanë: cilat janë ato prej të cilave duhet të kemi frikë?
6493. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ali ibn Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa një burrë duke i luftuar idhujtarët. Prej të gjithë muslimanëve, ai u bënte ballë më së shumti atyre. Mirëpo, Pejgamberi ﷺ tha: “Kush dëshiron të shohë një banor të Zjarrit, le ta shikojë këtë.”
Kështu, një burrë iu vu pas derisa ai u plagos, e në atë rast e përshpejtoi vdekjen: vendosi majën e shpatës në gjoks dhe u mbështet mbi të derisa i doli mes dy shpatullave. Pejgamberi ﷺ tha: “Ka raste kur robi bën vepra të banorëve të Xhenetit, në sy të njerëzve, por, ç'është e vërteta, ai është banor i Zjarrit. Po ashtu, ka raste kur dikush punon vepra të banorëve të Zjarrit, në sy të njerëzve, por, ç'është e vërteta, ai është banor i Xhenetit. Andaj, veprat vlerësohen sipas përfundimit të tyre.”
34. Nënkapitulli: Vetmia është rehati nga shoqëria e keqe
6494. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ata ibn Jezidi, e këtij i ka treguar Ebu Seidi se dikush pati thënë: O i Dërguari i Allahut! ... [t]: Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i mirë?” Pejgamberi ﷺ tha: “Një njeri që lufton (në rrugën e Allahut) me jetën dhe pasurinë e tij, si dhe një njeri që jeton në një zonë malore, e adhuron Zotin e vet dhe i kursen njerëzit nga sherri i tij.”
Transmetimin e Evzaiut e fuqizojnë Zubejdiu, Sulejman ibn Kethiri dhe Numani, nga Zuhriu. Kurse Mameri e transmeton nga Zuhriu, e ky nga Atai ose Ubejdullahu, e ky nga Ebu Seidi, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Junusi, Ibn Musafiri dhe Jahja ibn Seidi transmetojnë nga Ibn Shihabi, e ky nga Atai, e ky nga dikush prej shokëve të Pejgamberit ﷺ, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
6495. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Maxhishuni, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Saësae, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njerëzve do t'u vijë një kohë kur pasuria më e mirë për muslimanin do të jetë një kope dhensh, të cilat do t'i kullosë nëpër majat e kodrave dhe thellësitë e luginave, që me fenë e tij të ikë nga sprovat.”
35. Nënkapitulli: Humbja e besnikërisë
6496. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Hilal ibn Aliu, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të humbë besnikëria, prite Kiametin.” Dikush pyeti: “Po si humb besnikëria, o i Dërguari i Allahut?”
- “Kur punët t'u besohen atyre që nuk janë kompetentë, atëherë prite Kiametin”, - tha Pejgamberi ﷺ.
6497. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka rrëfyer për dy gjëra, njërën prej të cilave e kam parë, kurse tjetrën po e pres.
Ai na ka rrëfyer: “Besnikëria ka zbritur në thellësinë e zemrave të burrave, pastaj ata mësuan prej Kuranit, e më vonë edhe prej Sunetit.” Pastaj, duke na rrëfyer për humbjen e besnikërisë, na tha: “Njeriu bie në gjumë dhe i merret besnikëria prej zemrës së tij, saqë mbesin vetëm gjurmët, sikurse gjurmët e zjarrit. E, kur të bjerë në gjumë sërish, prapë i merret, duke i lënë gjurmë sikurse flluskat: si një gacë kur ta rrokullisësh nëpër këmbë dhe shkakton flluskë në të, e sheh të fryrë, por brenda nuk ka asgjë. Njerëzit do të merren me shitblerje, por pothuajse askush nuk do të punojë me besnikëri, saqë do të thuhet: “Në filan fisin është një njeri besnik.” Po ashtu, njeriut i thuhet: “Sa i mençur, sa i zgjuar e sa i fuqishëm!”, ndonëse në zemër nuk ka besim as sa fara e sinapit.”
Hudhejfe vazhdon: “Pata arritur një kohë kur nuk brengosesha me kë bëja shitblerje, për sa kohë që ishte musliman, sepse Islami e ndalonte atë (nga mashtrimi), e, nëse ishte i krishterë, atë ma kthente udhëheqësi i tij. Ndërkaq, sot, nuk bëj shitblerje, përpos me filanin e filanin.”
6498. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Njerëzit u shëmbëllejnë njëqind deveve, prej të cilave vështirë e ke të gjesh një bartëse (të aftë për udhëtim).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6498
Fjalë të panjohura?
36. Nënkapitulli: Syefaqësia dhe dëshira për famë
6499. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Seleme ibn Kuhejli. [t]: Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Seleme se Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij, që me veprën e vet ka për qëllim që njerëzit të dëgjojnë për të, Allahu do t'ia zbulojë qëllimin e vërtetë. Ndërkaq, atij që me veprën e vet ka për qëllim syefaqësinë, Allahu do t'ia zbulojë qëllimin e vërtetë.”
37. Nënkapitulli: Përpjekja e njeriut për ta adhuruar Allahun
6500. Nga: Muadh ibn Xhebeli
Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enes ibn Maliku se Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, duke qenë ulur mbrapa Pejgamberit ﷺ (në kafshë), saqë vetëm kaptelli i shalës na ndante, Pejgamberi ﷺ më tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
Ecëm për pak kohë dhe sërish më tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
Sërish, pak më tutje, më tha: “O Muadh ibn Xhebel!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
- “E di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?” - më pyeti.
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë.
- “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj eci më tutje dhe sërish tha: “O Muadh ibn Xhebel!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
- “E di cila është e drejta e njerëzve tek Allahu, nëse ata e bëjnë këtë?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë.
- “E drejta e njerëzve tek Allahu është që të mos i dënojë ata”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
38. Nënkapitulli: Modestia
6501. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Humejdi, e ky nga Enesi se ka thënë: Pejgamberi ﷺ kishte një deve ... [t]: Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Fezariu dhe Ebu Halid Ahmeri, e ky nga Humejd Tavili se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka pasur një deve që quhej Adba, të cilën askush nuk mund ta kalonte. Por, njëherë, erdhi një beduin me një deve të re dhe e tejkaloi atë. Muslimanëve u erdhi rëndë, ndaj thanë: “Adba u mund në garim.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu ka marrë përsipër që çdo gjë të dynjasë të cilën e ngre, ta ulë sërish.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6501
Fjalë të panjohura?
6502. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Othmani më ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Mahledi, e këtij i ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemri, e ky nga Atai se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Madhëruar ka thënë: “Atij që armiqëson një nga të dashur e Mi, Unë i shpall luftë. Gjëja më e dashur për Mua, me të cilën robi më afrohet, janë gjërat që ia kam obliguar. Robi vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua. E, kur Unë e dua, bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën godet dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse më kërkon diçka, do t'ia jap patjetër, e, nëse strehohet tek Unë, do ta mbroj gjithsesi. Nuk ka vepër të cilën hezitoj ta kryej siç hezitoj kur ia marr shpirtin besimtarit: ai e urren vdekjen, kurse Unë urrej t'i bëj keq atij.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6502
Fjalë të panjohura?
39. Nënkapitulli: Hadithi: “Unë dhe Kiameti jemi dërguar (afër njëri-tjetrit) sikurse këta dy.”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “... E çështja e Ditës së Kiametit është sa çel e mbyll sytë, ose edhe më shpejt. Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo send.” (Nahl, 77)
6503. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam dërguar (në raport) me Kiametin kështu (afër njëri-tjetrit)”, - dhe bëri me shenjë me dy gishtat e tij duke i zgjatur.
6504. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamed Xhufiu më ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja dhe Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë dhe Kiameti jemi dërguar (afër njëri-tjetrit) sikurse këta dy.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6504
Fjalë të panjohura?
6505. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Jusufi më ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Bekri, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë dhe Kiameti jemi dërguar (afër njëri-tjetrit) sikurse këta dy.” Pra, (këta) dy gishtat.
Transmetimin e Ebu Bekrit e fuqizon Israili nga Ebu Hasini.
Referenca: Sahihu i Buhariut 6505
Fjalë të panjohura?
40. Nënkapitull
6506. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa lindur Dielli nga perëndimi. Kur të lindë dhe njerëzit ta kenë parë, të gjithë besojnë. Por, kjo është koha kur: “... nuk do t'i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë ndonjë të mirë, në besimin e tij. Thuaj: “Pritni ju, se edhe ne, me të vërtetë po presim!” Kiameti do të ndodhë aq papritmas saqë dy persona që i kanë shtrirë rrobat e tyre pranë njëri-tjetrit, nuk do të arrijnë as t'i shesin, as t'i palosin. Kiameti do të ndodhë aq papritmas saqë personi që sapo e ka mjelë qumështin e devesë, nuk do të arrijë dot ta pijë. Kiameti do të ndodhë aq papritmas saqë personi që sapo e ka mbaruar ndërtimin e pusit të tij, nuk do të arrijë të nxjerrë ujë prej tij. Kiameti do të ndodhë aq papritmas saqë personi që e ka ngritur kafshatën pranë gojës, nuk do të arrijë dot ta hajë.”