83. Betimet dhe zotimet

1. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që jeni betuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagimi për betimet tuaja kur i thyeni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës."

6621. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja tregon se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) kurrë nuk e kthente mbrapsht betimin e bërë, derisa Allahu e zbriti dispozitën e shpagimit të betimit të thyer. Ai ka thënë: “Sa herë që kuptoj se një punë është më e mirë se betimi që kam bërë, e punoj atë që është më mirë dhe bëj shpagim për betimin (e thyer).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6621

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6622. Nga: Abdurrahman ibn Semure

Ebu Numan Muhamed ibn Fadli na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Haseni se Abdurrahman ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i ka thënë: “O Abdurrahman ibn Semure, mos e kërko udhëheqjen, se, po t'u dha si shkak i kërkesës sate, do të jesh vetë përgjegjës për të. E, nëse të jepet pa e kërkuar, do të ndihmohesh. Nëse betohesh për diçka e pastaj sheh një zgjidhje më të mirë, shpaguaje betimin e bërë dhe punoje zgjidhjen më të mirë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6622

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6623. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Gajlan ibn Xheriri, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë, së bashku me disa pjesëtarë të fisit eshari, shkuam te Pejgamberi ﷺ për t'i kërkuar të na japë kafshë bartëse (për luftë), por ai tha: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju marr me vete, por as kam me se t'ju bart.” Pastaj pritëm aq sa deshi Allahu të presim dhe, kur Pejgamberit ﷺ ia sollën tri deve gungëbardha (të majme), ai na i dha t'i përdorim (për luftë).
Kur u nisëm për rrugë, thamë: “Për Allahun, nuk do të kemi bereqet, se shkuam dhe i kërkuam Pejgamberit ﷺ të na japë kafshë bartëse pasi qe betuar se nuk do të na i japë, megjithatë na i dha. Andaj, të kthehemi te Pejgamberi ﷺ dhe t'ia përmendim këtë.” Kur shkuam, ai na tha: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, me lejen e Tij, sa herë që betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, e shpaguaj betimin dhe veproj atë që është më e mira, - ose ka thënë: - veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6623

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6624. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ne jemi të fundit (si umet), por të parët në Ditën e Gjykimit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6624

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

6625. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për Allahun, që dikush prej jush të vazhdojë në betimin e tij (të dëmshëm) për familjen është më mëkat tek Allahu sesa ta bëjë shpagimin që Allahu ia ka obliguar atij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6625

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6626. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Salihu, e këtij i ka treguar Muaviu, e ky nga Jahjai, e ky nga Ikrime se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Që dikush të vazhdojë në betimin e tij (të dëmshëm) për familjen është më mëkat sesa të lirohet.” Pra, të bëjë shpagimin.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6626

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Betohem në Allahun!”

6627. Nga: Abdullah ibn Omeri

Kutejbe ibn Seidi transmeton nga Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ushtri, në krye të së cilës emëroi Usame ibn Zejdin. Disa njerëz folën për udhëheqjen e tij, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe tha: “Ju po flisni për udhëheqjen e tij, ndërkohë edhe më herët keni folur për udhëheqjen e babait të tij. Betohem në Allahun se ai ka qenë meritor për udhëheqje dhe ka qenë ndër njerëzit më të dashur tek unë. Pas tij ky është ndër njerëzit më të dashur tek unë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6627

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Si betohej Pejgamberi ﷺ?

Sadi tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im!” Ebu Katade tregon: "Ebu Bekri, në prani të Pejgamberit ﷺ, tha: "Jo, betohem në Allahun! Shprehjet që përdoren për betim janë: vallahi, bilahi dhe tallahi."

6628. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Jusufi transmeton nga Sufjani, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ndonjëherë Pejgamberi ﷺ betohej edhe kështu: “Betohem në Atë që i rrotullon zemrat.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6628

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6629. Nga: Xhabir ibn Semure

Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Abdulmeliku se Xhabir ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasi të shkatërrohet cezari (perandori romak), më nuk do të ketë cezar pas tij dhe, pasi të shkatërrohet kisrai (mbreti pers), më nuk do të ketë kisra pas tij. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se thesaret e tyre do të shpenzohen në rrugën e Allahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6629

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6630. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasi të shkatërrohet kisrai (mbreti pers), më nuk do të ketë kisra pas tij dhe, pasi të shkatërrohet cezari (perandori romak), më nuk do të ketë cezar pas tij. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se thesaret e tyre do të shpenzohen në rrugën e Allahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6630

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6631. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abde, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O umeti i Muhamedit! Betohem në Allahun se, sikur ta dinit atë që di unë, do të qanit shumë e do të qeshnit pak.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6631

Fjalë të panjohura?

6632. Nga: Abdullah ibn Hishami

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Hajve, e këtij i ka treguar Ebu Akil Zuhra ibn Mabedi, se gjyshi i tij Abdullah ibn Hishami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Po rrinim me Pejgamberin ﷺ, i cili e kishte kapur Omer ibn Hatabin për dore, e në atë rast Omeri i tha: “O i Dërguari i Allahut, ti je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër, përpos vetes sime.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Jo, betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, derisa të bëhem më i dashur për ty sesa vetja jote.”
- Tash po, për Allahun! Tani ti je më i dashur për mua sesa vetja ime, - ia ktheu Omeri.
- “Tani po, o Omer!” - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6632

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6633. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6633. 6634. Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Dy persona kërkuan gjykim tek i Dërguari i Allahut ﷺ, njëri prej të cilëve tha: “Mes nesh gjyko sipas Librit të Allahut!” Ndërkaq, tjetri, që kishte dituri më shumë se i pari, tha: “Po, o i Dërguari i Allahut, mes nesh gjyko sipas Librit të Allahut dhe më lejo të flas.”
- “Fol”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim. Andaj, e shpagova djalin tim me dyqind dele dhe një robëreshë. Pastaj i pyeta dijetarët, të cilët më thanë se biri im duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet për një vit, e ajo që duhet të gurëzohet është gruaja e këtij, - tha beduini.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes jush do të gjykoj sipas Librit të Allahut. Sa u përket deleve dhe robëreshës sate, duhet të të kthehen.” Kështu, të birin e beduinit e dënoi me njëqind goditje kamxhiku dhe e dëboi për një vit dhe e urdhëroi Unejs Eslemiun të shkojë te gruaja e tjetrit që, nëse pranon (se ka bërë zina), ta gurëzojë. Ajo e pranoi veprën, prandaj e gurëzoi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6633

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

6634. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6633. 6634

Referenca: Sahihu i Buhariut 6634

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?

6635. Nga: Ebu Bekrete

Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Vehbiu, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Ebu Jakubi, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekrete se babai i tij Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “A mendoni se, nëse fiset eslem, gifar, muzejne dhe xhuhejne janë më të mira se fiset temim, Amir ibn Saësa, gatafan dhe esed, janë poshtëruar e shkatërruar (këta të fundit)?”
- Po, - i thanë ata.
Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ata (të parët) janë më të mirë se këta (të fundit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6635

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6636. Nga: Ebu Humejd Saidiu

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “I Dërguari i Allahut ﷺ ngarkoi me punë një person (për mbledhjen e zekatit). Personi në fjalë, pasi e mbaroi punën, u kthye dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua!” Pejgamberi ﷺ tha: “Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës sate e të shohësh nëse po të dhurohet diçka apo jo?”
Pastaj, në mbrëmje, Pejgamberi ﷺ u ngrit pas namazit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun ashtu siç e meriton Ai dhe tha: “E, më pas. Ç'është puna e punëtorit që e angazhojmë ne e ai vjen e thotë: “Kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua?” Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet, e të shohë nëse po i dhurohet diçka apo jo? Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se, Ditën e Gjykimit, ai që merr nga zekati (padrejtësisht), do të vijë duke e bartur në qafë: nëse është deve, ai do ta bartë teksa ajo bulurin; nëse është lopë, ai do ta bartë teksa ajo pëllet; e, nëse është dele, ai do ta bartë teksa ajo blegëron.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ e ngriti dorën, saqë i dallohej bardhësia e nënsqetullës.
Ebu Humejdi shton: “Këtë hadith të Pejgamberit ﷺ me mua e ka dëgjuar edhe Zejd ibn Thabiti. Pyeteni (po deshët).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6636

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

6637. Nga: Ebu Hurejra

Ibrahim ibn Musai më ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Ebu Kasimi ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se, sikur ta dinit atë që di unë, do të qanit shumë e do të qeshnit pak.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6637

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6638. Nga: Ebu Dherr Gifariu

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Mamuri se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ, i cili, ulur nën hijen e Qabesë, thoshte: “Ata janë të humburit, për Zotin e Qabesë! Ata janë të humburit, për Zotin e Qabesë!”
Unë e pyeta: “Çka është puna ime? A po sheh diçka tek unë? Çka është puna ime? - pastaj u ula tek ai, ndërkaq ai sërish e thoshte atë, saqë unë nuk mund të heshtja, ndërkohë më kaploi (mërzia) aq sa deshi Allahu, pastaj thashë: “Cilët janë ata, kurban t'u bëfsha me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut?”
- “Të pasurit, përveç atyre që japin kështu, kështu e kështu”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6638

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6639. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Abdurrahman Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka rrëfyer: “Njëherë, Sulejmani ﷺ tha: “Sonte do të bëj marrëdhënie me nëntëdhjetë gra, që secila të më lindë nga një kalorës që do të luftojë në rrugën e Allahut. Shoqëruesi i vet i tha: “Thuaj “inshallah (vetëm nëse Allahu do)!” Por, ai nuk tha “inshallah”. Ai bëri marrëdhënie me të gjitha, rrjedhimisht, asnjëra prej grave të tij nuk mbeti shtatzënë, përveç njërës, e cila lindi një njeri gjysmak. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit ﷺ, se, sikur të kishte thënë “inshallah”, të gjithë (bijtë e tij) do të luftonin në rrugën e Allahut si kalorës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6639

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6640. Nga: Bera ibn Azibi

Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i dhuruan një xhybe prej mëndafshi. Njerëzit filluan ta preknin dhe të mahniteshin me bukurinë dhe butësinë e saj. Por, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Po mahniteni me këtë?”
- Po, o i Dërguari i Allahut, - thanë ata.
- “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mindilët (shamitë e dorës) e Sadit në Xhenet janë më të mira se kjo”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Shuëbe dhe Israili, në transmetimin e tyre nga Ebu Is'haku, nuk kanë thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6640

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6641. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hind bint Utbe ibn Rebia tha: “O i Dërguari i Allahut, mbi tokë nuk kishte familje që dëshiroja të përçmohej më shumë sesa familja jote, porse sot nuk ka familje mbi tokë që dëshiroj të jetë krenare më shumë sesa familja jote. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se jo vetëm kaq (por do të të shtohet kjo dashuri).” Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut, Ebu Sufjani është dorështrënguar, andaj a kam mëkat nëse familjen tonë e ushqej me pasurinë e tij (pa lejen e tij)?” Ai iu përgjigj: “Jo (mos merr), përveçse (sa ju mjafton) pa e tepruar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6641

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

6642. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ahmed ibn Othmani na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku, e ky e ka dëgjuar Amër ibn Mejmunin se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ kishte mbështetur shpinën në një tendë prej lëkure jemenase, u tha shokëve të tij: “A jeni të kënaqur të jeni çereku i banorëve të Xhenetit?”
- Po, - i thanë.
- “A jeni të kënaqur të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit?”
- Po, - i thanë.
- “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se unë shpresoj se ju do të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit”, - u tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6642

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6643. Nga: Ebu Seid Hudriu

Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Abdullah ibn Abdurrahmani, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë dëgjoi një person duke e përsëritur disa herë leximin e sures Ihlas (në namaz). Në mëngjes, vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregoi, duke aluduar në shkurtësinë e saj. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, ajo vlen sa një e treta e Kuranit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6643

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6644. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Habani, e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Plotësojeni rukunë dhe sexhden ashtu si duhet! Për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, unë ju shoh prapa shpinës sime teksa bini në ruku dhe sexhde.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6644

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6645. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hisham ibn Zejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua ensare vajti te Pejgamberi ﷺ me disa fëmijë, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ju jeni njerëzit më të dashur për mua”, - duke e përsëritur tri herë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6645

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Mos u betoni në baballarët tuaj!

6646. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e gjeti Omer ibn Hatabin, i cili po udhëtonte me disa njerëz, duke u betuar në babanë e tij. Si rrjedhojë, Pejgamberi ﷺ tha: “Vini re! Allahu jua ndalon të betoheni në baballarët tuaj. Ai që medoemos duhet të betohet, le të betohet në Allahun, ose le të heshtë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6646

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6647. Nga: Abdullah ibn Omeri

Seid ibn Ufejri na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka thënë Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Omeri ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “Allahu ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj.” Omeri shton: “Për Allahun, qëkurse e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ, kurrë më nuk jam betuar (në prindër), qoftë me dije, qoftë duke cituar (betimin e tjetrit).”

Sa i përket fjalës “citim" (etherah), Muxhahidi, duke e komnentuar fjalën e Allahut: “... (më sillni një Libër të shpallur ose) ndonjë gjurmë (etherah) tjetër të dijes (hyjnore)...”, (Ahkaf, 4) ka thënë: “Citim i diturisë.” Transmetimin e Junusit e fuqizojnë Ukajli, Zubejdi dhe Is'hak Kelbiu, nga Zuhriu. Ibn Ujejne dhe Mameri e transmetojnë nga Zuhriu, e ky nga Salimi (me tekstin): “Pejgamberi ﷺ e ka dëgjuar Omerin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6647

Fjalë të panjohura?

6648. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos u betoni në baballarët tuaj!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6648

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6649. Nga: Ebu Musa Eshariu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim Tejmiu se Zehdem ibn Harithe tregon: “Mes kësaj lagjeje të Xheremit dhe esharinjve mbretëronte dashuri dhe vëllazëri. Kështu, njëherë, ishim tek Ebu Musa Eshariu, të cilit i sollën ushqim me mish pule. I ftuar për ushqim ishte edhe një burrë i racës së kuqe1, nga fisi benu tejmullah, i cili dukej të ishte shërbëtor.” Ai tha: “Unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.”
Ebu Musai i tha: “Eja të të tregoj për këtë: “Patëm shkuar tek i Dërguari i Allahut ﷺ me ca pjesëtarë të fisit eshari, për t'i kërkuar kafshë për bartje, por ai na pati thënë: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju jap, por as kam me se t'ju bart.” Më vonë, Pejgamberit ﷺ i arriti një plaçkë e luftës që përmbante edhe një tufë devesh, andaj pyeti për ne: “Ku janë ai grupi i esharinjve?” Pastaj, urdhëroi të na jepen pesë deve gungëbardha (të majme). Kur u nisëm, thamë: “Çfarë bëmë! I Dërguari i Allahut ﷺ u betua se nuk do të na bartte dhe se nuk posedonte gjë për bartje, megjithatë na dha kafshë për bartje. Ndërkohë, ne harruam betimin e tij. Për Allahun, nuk do të shpëtojmë kurrë!” Andaj, u kthyem dhe i thamë: “Kur erdhëm, ti u betove se nuk do të na marrësh me vete dhe se nuk kishe me se të na bartje.”
Pejgamberi ﷺ ua ktheu: “Nuk ju mora unë, por Allahu ju mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, atëherë veproj atë që është më e mira dhe lirohem nga betimi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6649

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Nuk duhet betuar në Latin e Uzanë, e as në idhuj

.

6650. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse dikush prej jush betohet duke thënë: “Për Latin dhe Uzanë!”, le të thotë: “La ilahe il-lallah (s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut)!” E, kush i thotë shokut të tij: “Eja të luajmë bixhoz!”, le të japë lëmoshë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6650

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Kur dikush betohet në diçka pa iu kërkuar betimi

6651. Nga: Abdullah ibn Omeri

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ mori një unazë ari, të cilën pastaj e mbante (në gisht), ndërsa gurin e saj e kthente nga shuplaka. Kështu, edhe njerëzit e tjerë vunë unaza të tilla. Mirëpo, një ditë, Pejgamberi ﷺ hipi në minber, e hoqi unazën dhe tha: “Unë e mbaja këtë unazë, ndërsa gurin e saj e ktheja nga shuplaka”, pastaj e hodhi unazën dhe tha: “Për Allahun, kurrë më nuk do ta mbaj!” Andaj, edhe të tjerët i hodhën unazat e tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6651

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Kush betohet në fe tjetër, përveç fesë islame

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush betohet në Latin ose në Uzanë, le të thotë: "La ilahe ilallah (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut).”

6652. Nga: Thabit ibn Dahaku

Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Thabit ibn Dahaku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush betohet në ndonjë fe tjetër përveç Islamit, do të bëhet i po asaj feje.1 Kush mbyt veten me ndonjë gjë, do të dënohet në zjarrin e Xhehenemit me po të njëjtën gjë. Kush mallkon një besimtar është sikurse ta ketë vrarë. Kush etiketon një besimtar me kufër (mosbesim) është sikurse ta ketë vrarë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6652

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Nuk duhet të thuhet: "Si të dojë Allahu dhe si të duash ti. Dhe, a lejohet të thuhet: "Me Allahun, pastaj me ty?"

6653. Nga: Ebu Hurejra

Amër ibn Asimi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Ebu Amra se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu deshi t'i sprovojë tre persona nga radhët e benu israilëve. Kështu, u dërgoi një melek, i cili shkoi te zgjebaniku dhe i tha: “Kam mbetur në rrugë. Sot nuk kam kujt t'i kërkoj ndihmë përveç Allahut, pastaj ty” - dhe e përmendi hadithin1 deri në fund.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6653

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Ajeti: “Ata u betuan me një betim të fortë në Allahun...”

Ibn Abasi tregon se Ebu Bekri ka thënë: "Për Allahun, o i Dërguari i Allahut, duhet të më tregosh se ku kam gabuar në komentimin e ëndrrës." Ai i tha: “Mos u beto!”

6654. Nga: Bera ibn Azibi

Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Eshathi, e ky nga Muavi ibn Suvejd ibn Mukarrini, e ky nga Berai, e ky nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Eshathi, e ky nga Muavi ibn Suvejd ibn Mukarrini se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ na ka urdhëruar ta përmbushim atë për të cilën dikush na është betuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6654

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

6655. Nga: Usame ibn Zejdi

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Asim Ahveli, e ky e ka dëgjuar Ebu Othmanin se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se njëra nga bijat e Pejgamberit ﷺ dërgoi dikë për ta thirrur, ndërkohë ai ishte me Usame ibn Zejdin, Sadin dhe Ubejin. Ajo i çoi fjalë: “Djali im është në prag të vdekjes, andaj eja!” Mirëpo, Pejgamberi ﷺ i dërgoi selam dhe i tha: “Allahut i takon ajo që ka marrë e që ka dhënë dhe çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar. Andaj, le të bëjë durim dhe le ta shpresojë shpërblimin.” Herën e dytë ajo i dërgoi dikë duke iu betuar (që të shkonte). Kështu, edhe ne u nisëm me Pejgamberin ﷺ. Posa u ul, ia afruan fëmijën e ai e vendosi në prehër, ndërkohë fëmija po gërhiste. Të Dërguarit të Allahut ﷺ i rrodhën sytë lot, e në atë rast Sadi i tha: “Ç'është kjo, o i Dërguari i Allahut?” Ai ia ktheu: “Kjo është mëshirë që Allahu e vendos në zemrat e atyre që do nga robërit e Tij. Ndër robërit e Tij, Allahu i mëshiron të mëshirshmit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6655

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6656. Nga: Ebu Hurejra

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muslimanin, të cilit i vdesin tre fëmijë, nuk do ta prekë Zjarri, përveç betimit të Allahut, i cili do të realizohet medoemos (kalimit nëpër Urën e Siratit, mbi Xhehenem).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6656

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6657. Nga: Harithe ibn Vehb Huzaiu

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Më ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Mabed ibn Halidi se Harithe ibn Vehbiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “A doni t'ju tregoj për banorët e Xhenetit...? Çdo i dobët e modest, i cili, sikur të betohej në Allahun për diçka, Allahu do t'ia përmbushte betimin. A doni t'ju tregoj për banorët e Zjarrit...? Çdo i vrazhdë, arrogant dhe mendjemadh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6657

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Nëse dikush thotë: "Dëshmoj me Allahun, ose: Dëshmova me Allahun (a llogaritet betim?)"

6658. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u pyet: “Cilët janë njerëzit më të mirë?” Ai tha: “Gjenerata ime, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e këtyre. Më pas do të vijnë gjenerata që nxitojnë në dëshmi dhe betime.”
Ibrahim Nehaiu ka thënë: “Kur ishim të vegjël, paraardhësit tanë na ndalonin të betoheshim ose të jepnim fjalën (me betim).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6658

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: Besa që i jepet Allahut të Madhëruar

6659. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani dhe Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm për t'i përvetësuar pasurinë një muslimani, - ose ka thënë: vëllait të vet, - do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.”
Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut...” (Ali Imran, 77)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6659

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

6660. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Sulejmani (njëri nga transmetuesit), duke rrëfyer hadithin paraprak, tregon: “Eshath ibn Kajsi pyeti: “Çfarë po ju tregon Abdullahu?” Pasi i treguan, Eshathi tha: “Ky ajet ka zbritur për mua dhe për një shok timin, në lidhje me një pus në të cilin ishim ortakë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6660

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Betimi në krenarinë, në cilësitë dhe në fjalët e Allahut

Ibn Abasi tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kërkoj strehim me krenarinë Tënde.” Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një person mbetet mes Xhenetit e Zjarrit dhe thotë: "O Zoti im, largoje fytyrën time nga Zjarri...! Betohem në krenarinë Tënde se nuk do të të kërkoj diçka tjetër!” Ebu Seidi tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu do t'i thotë: "Të gjitha këto dhe dhjetëfishi i tyre të takojnë ty.” Pejgamberi Ejub ka thënë: “Për krenarinë Tënde, nuk ngopem dot nga begatitë e Tua.”

6661. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e këtij i ka treguar Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Xhehenemi vazhdon të thotë: “A ka më?” - derisa Zoti i krenarisë ta vërë këmbën e Tij në të, e në atë rast Xhehenemi thotë: “Mjafton! Mjafton, për krenarinë Tënde!” Atëherë, njëra anë e tij do të puthitet me tjetrën.

Këtë e transmeton edhe Shuëbe nga Katadja.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6661

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Betimi në formën: Betohem në përjetësinë e Allahut

Ibn Abasi, në lidhje me ajetin: ﴾لَعَمْرُكَ﴿ “Për ymrin tënd (o Muhamed)!”, (Hixhër, 72) ka thënë: "Betohem në jetën tënde."

6662. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi; [t]: Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Omer Numejriu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky e ka dëgjuar Zuhriun, e ky e ka dëgjuar Urve ibn Zubejrin, Seid ibn Musejebin, Alkame ibn Vekasin dhe Ubejdullah ibn Abdullahun se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, duke rrëfyer për shpifjen ndaj saj dhe shfajësimin që Allahu e kishte zbritur për të, ndër të tjera, ka thënë: “Atëherë Pejgamberi ﷺ u ngrit (në minber) dhe kërkoi që dikush ta mbështeste për ta ndëshkuar Abdullah ibn Ubejin. Aty u ngrit Usejd ibn Hudajri dhe i tha Sad ibn Ubades: “Betohem në përjetësinë e Allahut se do ta vrasim atë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6662

Hadithe të ngjashme: Shiko (17)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër. Allahu është i butë dhe fal shumë.

6663. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta...”, (Bekare, 225) ka thënë: “Ka zbritur për fjalët: “Jo, vallahi! Po, vallahi!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6663

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Nëse e thyen betimin me harresë

Allahu i Lartësuar ka thënë: “... Nuk është mëkat për ju, nëse gaboni...” (Ahzab, 5) Po ashtu, Ai ka thënë: “Mos më qorto për atë që kam harruar...” (Kehf, 73)

6664. Nga: Ebu Hurejra

Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Misari, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Zurare ibn Eufai se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu, umetit tim, nuk ia merr në konsideratë ato që u vërtiten në mendje, për sa kohë që nuk i punojnë e nuk i shqiptojnë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6664

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6665. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Othman ibn Hejthemi, ose Muhamedi prej tij, transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar ibn Shihabin, e këtij i ka treguar Isa ibn Talhai se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ligjëronte ditën e Bajramit të Kurbanit, një burrë u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kam menduar se filan veprimi bëhet para filan veprimit. Pastaj, një tjetër u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, për këto tri vepra kam menduar se kryhen kështu e kështu (i kishte rruar flokët para se të therte kurbanin dhe e kishte therur kurbanin para se t'i gjuante guralecët).”
Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Bëje, se s'ka gjë.”
Për të gjitha këto dhe për çdo gjë që u pyet atë ditë, ai thoshte: “Bëje, se s'ka gjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6665

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6666. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekri, e ky nga Abdulaziz ibn Rufeji, e ky nga Atai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë i tha Pejgamberit ﷺ:
- E kam bërë tavafin e haxhit para se t'i gjuaj guralecët.
- “S'ka gjë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Unë e kam rruar kokën para se ta ther kurbanin, - tha një tjetër.
- “S'ka gjë.”
- Kam therur kurban para se t'i gjuaj guralecët, - tha tjetri.
- “S'ka gjë”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6666

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6667. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Mensuri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë hyri në xhami dhe u fal, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ po rrinte në një skaj të xhamisë. Pasi e kreu, vajti dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kthehu dhe falu sërish, se nuk u fale.”
Ai u kthye dhe u fal, pastaj vajti dhe e përshëndeti me selam Pejgamberin ﷺ, i cili sërish i tha: “Ve alejke (edhe mbi ty), kthehu e falu, se nuk u fale.”
Herën e tretë ai tha: “Më mëso (si të falem)!” Atëherë Pejgamberi ﷺ iu drejtua: “Kur të ngrihesh për namaz, merr abdes mirë, pastaj kthehu nga kibla dhe merr tekbir. Pastaj këndo prej Kuranit çka të vjen më lehtë. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrije kokën (nga rukuja) derisa të drejtohesh mirë në këmbë, pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të drejtohesh e të qetësohesh. Pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Pastaj ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6667

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6668. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ferve ibn Ebu Magrai na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në ditën e Uhudit, kur idhujtarët u mposhtën dukshëm, Iblisi kishte thirrur: “O robër të Allahut! Mbrapa jush!” Kështu, ata që ishin përpara, u kthyen mbrapa dhe u përballën me të fundit. Hudhejfe ibn Jemani, duke shikuar, pa babanë e vet dhe thirri: “Babai im! Babai im!” Por, për Allahun, ata nuk u ndalën derisa e vranë. Më pas, Hudhejfe pati thënë: “Allahu ju faltë!”
Urve ka thënë: “Betohem në Allahun se Hudhejfe vazhdonte të bënte lutje dhe të kërkonte falje për atë që ia vrau babanë gabimisht, deri në vdekje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6668

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6669. Nga: Ebu Hurejra

Jusuf ibn Musa më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Aufi, e ky nga Hilali dhe Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Personi që, gjatë agjërimit, ha nga harresa, le ta plotësojë agjërimin e tij, sepse Allahu ka dashur ta ushqejë dhe t'i japë të pijë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6669

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6670. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne

Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Arexhi se Abdullah ibn Buhajne (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ na e fali namazin e drekës dhe, pas dy rekatesh, u ngrit në këmbë, pa qëndruar ulur (në uljen e parë). Ai e vazhdoi namazin dhe, kur e mbaroi atë, njerëzit pritën të japë selam, por ai bëri tekbir dhe ra në sexhde para se të japë selam. Pastaj e ngriti kokën, bëri tekbir dhe ra në sexhde për së dyti, pastaj e ngriti kokën dhe dha selam.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6670

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6671. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Is'hak ibn Ibrahimi më ka treguar: E kam dëgjuar Abdulaziz ibn Abdusamedin, e këtij i ka treguar Mensur ibn Ibrahimi, e ky nga Alkame se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një ditë, Pejgamberi ﷺ ua fali namazin e drekës, ku kishte shtuar ose lënë mangët diçka prej namazit, - Mensuri ka thënë: “Nuk di nëse Ibrahimi e ka ngatërruar apo Alkame.” Dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A mos është shkurtuar namazi, apo ke harruar?”

- “Përse, vallë?” - pyeti ai.
- I fale kaq e kaq rekate, - i thanë të pranishmit.
Atëherë ai i bëri dy sexhde së bashku me ta, pastaj tha: “Këto dy sexhde janë për personin që nuk e di nëse ka shtuar apo ka lënë mangët diçka në namaz. I tilli le të përpiqet të gjejë të saktën dhe le ta plotësojë pjesën e mbetur të namazit, pastaj le t'i bëjë dy sexhde.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6671

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

6672. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari, e këtij i ka treguar Seid ibn Xhubejri, e këtij i ka thënë Ibn Abasi se Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, në lidhje me ajetin: “Ai (Musai) u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!”, (Kehf, 73) ka thënë: "Herën e parë, Musai e bëri nga harresa.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6672

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6673. Nga: Bera ibn Azibi

Ebu Abdullahu ka thënë: Më ka shkruar Muhamed ibn Beshari, e këtij i ka treguar Muadh ibn Muadhi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu se Shabiu tregon se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kishte një mysafir, andaj e porositi familjen e vet që ta thernin kurbanin para se ai të kthehej, në mënyrë që mysafirët të hanin mish. Kështu, ata e therën kurbanin para namazit (të Bajramit), gjë të cilën ia përmendën Pejgamberit ﷺ, e në atë rast ai i urdhëroi të therin një tjetër. Berai tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë posedoj një kec që sapo është ndarë nga thithja e qumështit dhe është më e majme sesa dy dele për mish.”

Në transmetimin e tij nga Shabiu dhe nga Muhamed ibn Sirini për të njëjtin hadith, Ibn Avniu ndalej këtu dhe thoshte: “Nuk e di se ky lehtësim, a ka qenë vetëm për të apo edhe për të tjerët?!”

Këtë e transmeton edhe Ejubi nga Ibn Sirini, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6673

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

6674. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Esved ibn Kajsi se Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Isha i pranishëm kur Pejgamberi ﷺ na e fali namazin e ditës së Bajramit, më pas ligjëroi dhe tha: “Ai që ka therur (para namazit), le të therë edhe një tjetër (pas faljes). Ndërkaq, ai që akoma nuk ka therur, le të therë tani me “bismilah.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6674

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Betimi i rrejshëm

“Mos i përdorni betimet tuaja për të mashtruar njëri-tjetrin, që të mos rrëshqisni jashtë rrugës së drejtë, pasi qetë të qëndrueshëm në të, që e keqja të mos ju prekë, meqë penguat nga rruga e Allahut dhe që të mos jetë fati juaj një ndëshkim i madh.” (Nahl, 94)

6675. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Firasi, e këtij i ka thënë Shabiu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mëkatet e mëdha janë: t'i bëhet ortak Allahut, mosrespektimi i prindërve, vrasja e njeriut dhe betimi i rrejshëm.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6675

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”

Allahu i Madhëruar ka thënë: “E mos e bëni Allahun peng të betimeve tuaja (kur betoheni në Të), kur doni të bëni vepra të mira. Të silleni mirë dhe të bëni pajtim ndërmjet njerëzve. Allahu dëgjon dhe i di të gjitha.” (Bekare, 224) Ai ka thënë: “Mos e shitni besën e dhënë Allahut për një vlerë të paktë, pse atë që do ta keni tek Allahu është shumë e dobishme për ju nëse jeni që e dini.” (Nahl, 95) Po ashtu, Ai ka thënë: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çka punoni.” (Nahl, 91)

6676. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që betohet me këmbëngulje rrejshëm në Allahun për t'i përvetësuar pasurinë një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin, për të vërtetuar këtë, ku thuhet: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6676

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

6677. Nga: Abdullah ibn Mesudi

(Në vazhdim të hadithit paraprak) Eshath ibn Kajsi erdhi dhe pyeti: “Çfarë hadithi ju ka transmetuar Ebu Abdurrahmani?” Ata thanë: “Kështu e kështu.” Ai tha: “Ky ajet ka zbritur për mua. Kisha një pus në tokën e një djali të xhaxhait tim (por, patëm një zënkë). Kur shkova te Pejgamberi ﷺ, më tha: “Sille dëshminë (për ta vërtetuar pronësinë tënde të pusit), ose ai le të betohet.”
- Por, o i Dërguari i Allahut, ai do të betohet! - i thashë.
- “Ai që betohet me këmbëngulje rrejshëm në Allahun për t'i përvetësuar pasurinë një muslimani, në Ditën e Kiametit do ta takojë Allahun të hidhëruar me të”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6677

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Betimi për gjërat që nuk i posedon, betimi në mëkat dhe betimi kur është i hidhëruar

6678. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Alai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shokët e mi më dërguan te Pejgamberi ﷺ që t'i kërkoj kafshë udhëtimi për ta (për të shkuar në betejë), por ai më tha: “Për Allahun, nuk do t'ju jap asgjë për udhëtim.” Qëllova në momentet kur ai ishte i zemëruar. Kur shkova herën tjetër, ai më tha: “Shko dhe thuaju shokëve të tu: “Allahu, - ose ka thënë: i Dërguari i Tij ﷺ, - po ju jep kafshë udhëtimi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6678

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

6679. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdulazizi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Salihu, e ky nga Ibn Shihabi; [t]: Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Omer Numejriu, e këtij i ka treguar Junus ibn Jezid Ejliu, e ky e ka dëgjuar Zuhriun, e ky e ka dëgjuar Urve ibn Zubejrin, Seid ibn Musejebin, Alkame ibn Vekasin dhe Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utben se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon ndodhinë kur shpifësit patën shpifur për të, por, më pas, Allahu e pastroi nderin e saj. Ajo rrëfen: “Allahu i Lartësuar shpalli ajetet: “Pa dyshim se ata që shpifën janë një grup nga mesi juaj...”, (Nur, 11-20) dhjetë ajete, që të gjitha janë për pafajësinë time.
Ebu Bekër Sidiku, që gjithnjë e kishte ndihmuar me bamirësi Mistahun, ngaqë e kishte të afërm, tha: “Betohem në Allahun se më nuk do t'i jap asgjë Mistahut, pas asaj që ka thënë për Aishen.” Por, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve...” (Nur, 22)
Pas kësaj, Ebu Bekri tha: “Po! Betohem në Allahun se unë dua që Allahu të më falë!” - dhe zuri ta ndihmojë përsëri Mistahun, të cilin e kishte ndihmuar vazhdimisht në të shkuarën dhe tha: “Për Allahun, kurrë nuk do ta ndal ndihmën për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6679

Hadithe të ngjashme: Shiko (17)

Fjalë të panjohura?

6680. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Kasimi, e ky nga Zehdemi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me disa pjesëtarë të fisit eshari shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ që t'i kërkojmë kafshë udhëtimi, porse qëlluam kur ishte i hidhëruar. Si pasojë, ai u betua se nuk do të na japë kafshë për udhëtim. Pastaj tha: “Betohem në Allahun se, me lejen e Tij, sa herë që betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6680

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Kur dikush thotë: "Betohem në Allahun se sot nuk do të flas, pastaj falet, lexon, merr tekbir (Allahu ekber), e lavdëron Allahun (elhamdulilah) ose thotë 'la ilahe ilallah', kjo është sipas nijetit (qëllimit) që ka pasur."

Pejgamberi ﷺ ka thënë: "E folmja më e mirë është në katër gjëra: 1. Subhanallah, 2. Elhamdulilah, 3. La ilahe ilallah, 4. Allahu Ekber." Ebu Sufjani ka thënë: "Pejgamberi ﷺ i pati shkruar Herakliut: "... Ejani (të bashkohemi) në një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush! ..." (Ali Imran, 64) Muxhahidi, në lidhje me ajetin: "... fjalën e takvasë ..." (Fet'h, 26), ka thënë: "(Është për qëllim fjala) la ilahe ilallah."

6681. Nga: Musejeb ibn Hazeni

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Musejeb ibn Hazeni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Ebu Talibit iu afrua vdekja, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi dhe i tha: “Thuaj “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën mund të dëshmoj për ty tek Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6681

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6682. Nga: Ebu Hurejra

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Umare ibn Kaëkai, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dy fjalë janë të lehta për gjuhën, të rënda në Peshore dhe të dashura për Mëshiruesin: “Subhanallahi ve bihamdihi, subhanallahil Adhim (i Lartësuar qoftë Allahu dhe Atij i takon falënderimi, i Lartësuar qoftë Allahu i Madhëruar)!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6682

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6683. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Shekiku se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë një fjalë, pas së cilës unë kam thënë një tjetër. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që vdes duke i bërë Allahut ortak, do të hyjë në Zjarr.” Ndërkohë, unë kam thënë: “Ai që vdes pa i bërë Allahut ortak, do të hyjë në Xhenet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6683

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Ai që betohet se s'do të bëjë marrëdhënie me gruan e tij për një muaj, ndërkohë muaji (hënor) del të jetë njëzet e nëntë ditë

6684. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u betua se nuk do t'u afrohej grave të veta (për një muaj) dhe, gjatë asaj periudhe e lëndoi këmbën, e cila i kishte dalë vendit. Kështu, ai qëndroi në qilarin e tij njëzet e nëntë net, pastaj doli (dhe shkoi te gratë e tij).” Disa i thanë: “O i Dërguari i Allahut, je betuar se nuk do t'u afrohesh grave një muaj.” Ai tha: “Muaji është edhe njëzet e nëntë (ditë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6684

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Nëse dikush betohet se nuk do të pijë musht, porse pi tilaë a nekië, ose lëngun, atëherë ky person nuk e ka thyer betimin sipas disave, sepse këto pije, sipas tyre, nuk llogariten musht

.

6685. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Aliu më ka thënë: E kam dëgjuar Abdulaziz ibn Ebu Hazimin, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Usejdi, shoku i Pejgamberit ﷺ, u martua dhe e ftoi Pejgamberin ﷺ në dasmë. Atë ditë, nusja u shërbeu atyre. Sehli (duke rrëfyer ngjarjen) u tha të pranishmëve: “A e dini se çfarë i shërbeu Pejgamberit ﷺ? I shërbeu lëngun e hurmave që kishin qëndruar gjatë tërë natës në ujë deri në mëngjes, në një enë guri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6685

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

6686. Nga: Sevdë bint Zema

Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ismail ibn Ebu Halidi, e ky nga Shabiu, e ky nga Ikrime, e ky nga Ibn Abasi se Sevda (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Një dele jona pati ngordhur, prandaj e regjëm lëkurën e saj dhe në të e përgatisnim mushtin. E përdorëm kështu derisa u shndërrua në strajcë të vjetër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6686

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Nëse betohet se nuk do të hajë ngjëratë, porse ha hurma me bukë, si dhe çfarë llogaritet ngjëratë

6687. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdurrahman ibn Abisi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuk ka ndodhur që familja e Muhamedit ﷺ të ngopet me bukë gruri me ngjëratë, tri ditë radhazi, derisa është shpërngulur tek Allahu.”

Ibn Kethiri ka thënë: “Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka treguar Abdurrahmani nga babai i tij se ky i ka treguar këtë Aishes.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6687

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6688. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe transmeton nga Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai i tha Umu Sulejmes: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ tek fliste me zë të dobët dhe vërejta se ishte i uritur, andaj a ke ndonjë ushqim?”
- Po, - tha ajo. Kështu, ajo nxori disa petulla elbi, nxori një pelerinë, me të cilën mbështolli bukën dhe më dërgoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
Kur shkova, Pejgamberin ﷺ e gjeta në xhami me disa burra të tjerë.
U ndala te Pejgamberi ﷺ dhe ai më tha:
- “A të ka dërguar Ebu Talhai?”
- Po, - i thashë.
- “Ngrihuni të shkojmë!” - u tha të pranishmëve dhe u nisën.
Unë zura të eci para tyre derisa arrita tek Ebu Talhai dhe i tregova për këtë.
Ebu Talhai tha: “Oj Umu Sulejme! Ka ardhur i Dërguari i Allahut ﷺ me disa njerëz, ndërkohë ne s'kemi me se t'i ushqejmë.” Ajo tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e dinë më së miri.”
Ebu Talhai doli ta takojë të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të dy së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Urdhëro, oj Umu Sulejme! Na sill çfarë ke!” Ajo solli po të njëjtën bukë. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi që ajo bukë të ndahej në copa të vogla, mbi të cilat Umu Sulejme shtrydhi ca yndyrë nga një shakull. Më pas, Pejgamberi ﷺ tha disa fjalë sipër ushqimit, aq sa deshi Allahu, dhe tha: “Jepu leje dhjetë personave (të hyjnë brenda)!” Ata u futën brenda, hëngrën derisa u ngopën dhe dolën. Pastaj, sërish Pejgamberi ﷺ tha: “Jepu leje dhjetë personave të tjerë (të hyjnë)!” Ata u futën brenda dhe kështu të gjithë hëngrën derisa u ngopën. Ata ishin rreth shtatëdhjetë-tetëdhjetë persona.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6688

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Qëllimi në betime

6689. Nga: Omer ibn Hatabi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky e ka dëgjuar Jahja ibn Seidin, e këtij i ka rrëfyer Muhamed ibn Ibrahimi, e ky e ka dëgjuar Alkame ibn Vekas Lejthiun se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe secili do të shpërblehet sipas asaj që ka bërë nijet. Andaj, atij që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i vlerësohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6689

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Nëse e dhuron pasurinë e tij, për shkak të zotimit ose pendimit

6690. Nga: Kab ibn Malik Ensariu

Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahmani, i biri i Abdullah ibn Kab ibn Malikut, i cili ishte udhërrëfyes i Kabit prej fëmijëve të tij, pasi që u verbua nga sytë, se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve që mbetën prapa...”, (Teube, 118) ka thënë: “Në shenjë të pendimit tim, dua ta lë pasurinë time vakëf për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Në atë rast Pejgamberi ﷺ i tha: “Mbaj një pjesë të pasurisë për vete, se kështu është më mirë për ty.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6690

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Nëse vetes ia ndalon ushqimin

Allahu i Madhëruar ka thënë: “O Pejgamber! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu ty, në kërkim të kënaqësisë së grave të tua. E, Allahu është falës dhe mëshirues. Allahu ju ka bërë të mundshme që të liroheni nga betimet tuaja...” (Tahrim, 1-2) Po ashtu, Ai ka thënë: “Mos i ndaloni të mirat që Allahu jua ka lejuar juve...” (Maide, 87)

6691. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Hasen ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Haxhaxh ibn Muhamedi, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai, e ky e ka dëgjuar Ubejd ibn Umejrin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ rrinte te Zejnebe bint Xhahshi dhe hante mjaltë, andaj unë dhe Hafsa u morëm vesh që, kur Pejgamberi ﷺ të vijë te cilado prej nesh, t'i themi: “Po të vjen era megafir. Vallë, ke ngrënë megafir?” Kështu, një ditë (pasi kishte ngrënë mjaltë), ai vajti te njëra dhe ajo ia tha fjalët e mësipërme. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Jo. Kam ngrënë mjaltë te Zejnebe bint Xhahshi, por nuk do të ha më.” Atëherë zbritën ajetet e para të sures Tahrim: “O Pejgamber! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu, duke kërkuar t'u bësh qejfin grave të tua?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. Allahu ka përcaktuar një mënyrë për t'u liruar nga betimet tuaja. Allahu është Mbrojtësi juaj; Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti. Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij, ajo e hapi këtë fjalë. Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit, i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin), kurse pjesën tjetër jo. Kur i Dërguari ia tregoi asaj të fshehtën, ajo e pyeti: “E kush të ka treguar ty?” Ai i tha: “Ma tregoi i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari.” Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar, Allahu do t'ju falë. Nëse ju të dyja bashkoheni kundër tij, (dijeni se) Allahu është Mbrojtësi i tij, Xhibrili dhe besimtarët e mirë. Veç kësaj, edhe melekët e mbështesin atë. (Tahrim, 1-4) Ky ajet kishte për qëllim Aishen dhe Hafsën. Ndërkaq, ajeti:Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij...” (Tahrim, 3) ka për qëllim fjalët e tij: “Jo. Kam ngrënë mjaltë...”
Ibrahim ibn Musai transmeton nga Hishami (se Pejgamberi ka thënë): “Nuk do të ha më, gjë për të cilën betohem, andaj mos i trego askujt.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6691

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Përmbushja e zotimit

Allahu i Madhëruar ka thënë: “... Zotimet e tyre i përmbushin...” (Insan, 7)

6692. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Seid ibn Harithi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “A nuk u është ndaluar të zotohen?” Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Zotimi (nedhri) as sjell e as largon gjë, porse nëpërmjet tij nxirret diçka prej koprracit (lëmoshë a diçka e tillë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6692

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6693. Nga: Abdullah ibn Omeri

Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Murra se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar zotimin dhe ka thënë: “Ai nuk ndryshon asgjë (nga caktimi), porse nëpërmjet tij nxirret diçka prej koprracit (lëmoshë a diçka e tillë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6693

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6694. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:(Allahu thotë:) Zotimi nuk i sjell birit të Ademit diçka që nuk i është caktuar, porse zotimi e shpie në atë që i është caktuar që më parë. Kështu, nëpërmjet zotimit, Allahu nxjerr diçka (lëmoshë a diçka të tillë) prej koprracit, e në atë rast ai jep atë që më parë nuk e jepte.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6694

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Mëkati i atij që nuk e përmbush zotimin

6695. Nga: Imran ibn Husajni

Musededi transmeton nga Jahjai, e ky nga Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra, e këtij i ka treguar Zehdem ibn Mudarribi se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më të mirët nga ju janë gjenerata ime, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e tyre.” Nuk di nëse ka përmendur dy apo tri gjenerata pas tij. Pastaj Pejgamberi ﷺ shtoi: “Pas tyre do të vijnë njerëz që zotohen, por nuk e përmbushin zotimin, që tradhtojnë dhe nuk u zihet besë, që dëshmojnë, edhe pse nuk u kërkohet, si dhe mbipesha do të jetë e përhapur në mesin e tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6695

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Zotimi për bindje ndaj Allahut

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Allahu di për atë që e keni dhënë nga pasuria ose keni përmbushur ndonjë zotim, e për mëkatarët nuk ka ndonjë ndihmës.” (Bekare, 270)

6696. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Talha ibn Abdulmeliku, e ky nga Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që zotohet (bën nedhër) se do ta bëjë një adhurim për Allahun, le ta përmbushë. Ndërkaq, ai që zotohet se do t'i bëjë mëkat, të mos e bëjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6696

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Nëse në kohën paraislame është zotuar a betuar se nuk do t’i flasë dikujt e pastaj e pranon Islamin

6697. Nga: Omer ibn Hatabi

Muhamed ibn Mukatil Ebu Haseni na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri tregon se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) pyeti: “O i Dërguari i Allahut, në kohën paraislame jam zotuar se në Xhaminë e Shenjtë (Qabenë) do të bëj itikaf një natë.” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “E po, përmbushe zotimin tënd.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6697

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Ai që ka vdekur pa e përmbushur zotimin

Ibn Omeri i tha një gruaje, nëna e së cilës ishte zotuar se do të falej në Kuba: "Falu për të. E njëjta gjë transmetohet edhe nga Ibn Abasi."

6698. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Sad ibn Ubade Ensariu e pyeti Pejgamberin ﷺ për një zotim të nënës së tij, e cila kishte vdekur pa e përmbushur atë. Pejgamberi ﷺ ia lejoi që ai ta përmbushë zotimin e saj. Pas kësaj, kjo gjë mbeti traditë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6698

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6699. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Bishri, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Motra ime qe zotuar se do ta kryejë haxhin, por ka vdekur (pa e bërë atë).”
- “Çfarë mendon, sikur motra jote të kishte borxh, a do t'ia paguaje?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - iu përgjigj ai.
- “Kryeje borxhin ndaj Allahut, sepse Allahu është më Meritori që të kryhen obligimet ndaj Tij”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6699

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Zotimi për gjërat që nuk i posedon dhe (zotimi) për mëkat

6700. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Asimi transmeton nga Maliku, e ky nga Talha ibn Abdulmeliku, e ky nga Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që zotohet (bën nedhër) se do t'i bindet Allahut, le ta përmbushë. Ndërkaq, ai që zotohet se do t'i bëjë mëkat Allahu, të mos e bëjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6700

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6701. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Humejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa një person, të cilin dy bijtë e vet e mbanin për krahësh teksa ecte, e në atë rast tha: “Allahu nuk ka nevojë për torturën që ky ia bën vetes.”

Fezariu ka transmetuar nga Humejdi se ka thënë: “Më ka treguar Thabiti nga Enesi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6701

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

6702. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Sulejman Ahveli, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa një burrë duke bërë tavaf rreth Qabesë, i cili ishte lidhur me një litar ose me diçka të tillë (për dikë tjetër) dhe ia këputi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6702

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6703. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Sulejman Ahveli, e këtij i ka rrëfyer Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, duke bërë tavaf rreth Qabesë, kaloi pranë një personi që tërhiqte për hunde një tjetër me një rrip. Në atë rast Pejgamberi ﷺ ia këputi me dorën e tij dhe e urdhëroi që ta tërheqë për dore.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6703

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

6704. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte, pa një burrë tek qëndronte në këmbë. Pyeti për të dhe i thanë se ai është Ebu Israili, është zotuar se do të qëndrojë në këmbë e të mos ulet, të mos hyjë nën hije, të mos flasë e, ndërkohë, të agjërojë. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Thuaji le të flasë, le të hyjë nën hije, le të ulet dhe le ta vazhdojë agjërimin.”

Abdulvehabi ka thënë: “Na ka treguar Ejubi nga Ikrime, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6704

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: Ai që zotohet të agjërojë disa ditë, porse ato i qëllojnë ditët e Bajramit të Kurbanit ose të Fitrit

6705. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe se Hakim ibn Ebu Hurra Eslemiu tregon se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u pyet për një njeri që zotohet se do të agjërojë çdo ditë të jetës së tij, porse qëllon ditë e Bajramit të Kurbanit ose e Fitrit. Ai iu drejtua: “Shembullin më të mirë e keni në të Dërguarin e Allahut...” (Ahzab, 21) E, ai nuk e agjëronte as ditën e Bajramit të Kurbanit e as të Bajramit të Fitrit, madje nuk e lejonte agjërimin e tyre.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6705

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

6706. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e ky nga Junusi se Zijad ibn Xhubejri tregon: “Teksa po rrija me Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), një njeri pyeti: “Jam zotuar të agjëroj çdo të martë ose të mërkurë, gjatë tërë jetës, porse kjo ditë më qëlloi dita e Bajramit të Kurbanit.”
- Allahu na ka urdhëruar ta përmbushim zotimin, e, në anën tjetër, jemi ndaluar ta agjërojmë ditën e Bajramit të Kurbanit, - iu përgjigj Ibn Omeri.
Ai pyeti sërish dhe Ibn Omeri sërish iu përgjigj njëjtë, pa shtuar gjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6706

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: A hyjnë në betim dhe në zotim toka, delet, bimët dhe gjësendet?

Ibn Omeri tregon se Omeri i ka thënë Pejgamberit ﷺ: "Kam marrë një tokë, kurrë nuk kam poseduar pasuri më të majme se ajo. - “Nëse do, lëre vakëf dhe (përfitimin nga ajo) jepe sadaka”, - i tha Pejgamberi ﷺ." Ebu Talhai i ka thënë Pejgamberit ﷺ: "Pasuria më e dashur për mua është kopshti Bejruha - aludoi në kopshtin e tij që ndodhej pranë xhamisë."

6707. Nga: Ebu Hurejra

Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Thevr ibn Zejd Diliu, e ky nga Ebu Gajthi, i çrobëruari i Ibn Mutiut, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkuam me të Dërguarin e Allahut ﷺ Ditën e Hajberit (për të luftuar), ku, për plaçkë, nuk fituam as ar e as argjend, por pasuri, rroba dhe gjësende. Një pjesëtar i fisit benu dubejb, që quhej Rifa'a ibn Zejdi, i dhuroi të Dërguarit të Allahut ﷺ një rob, që quhej Midam. I Dërguari i Allahut ﷺ u drejtua nga lugina Kura dhe, me të arritur aty, teksa Midami po rregullonte shalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i erdhi një shigjetë qorre dhe e vrau. Dikush tha: “E gëzoftë Xhenetin!”
Por, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Assesi! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se rroba të cilën e pati marrë nga plaçka e pashpërndarë e Hajberit do t'ia ndezë Zjarrin.” Me të dëgjuar këtë, një njeri vajti me një, - ose ka thënë: me dy, - rripa nallanesh te Pejgamberi ﷺ, i cili në atë rast i tha: “Një, - ose ka thënë: dy, - rripa prej Zjarri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6707

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?