61. Virtytet
1. Nënkapitulli: Virtytet
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Të asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat, 13) “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1) Veprimet e ndaluara të injorancës paraislame.
3489. Nga: Abdullah ibn Abasi
Halid ibn Jezid Kahiliu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekri, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar ajetin: “... dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin...”, (Huxhurat, 13) ka thënë: “Fjala popuj nënkupton fiset e mëdha, ndërsa fjala fise familjet që kanë një gjenezë të përbashkët.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3489
Fjalë të panjohura?
3490. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e pyetën Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i ndershëm?” Ai iu përgjigj: “Më i devotshmi i tyre.” Thanë: “Nuk po pyesim për këtë.” Ai tha: “Atëherë, Jusufi, i dërguari i Allahut.”
3491. Nga: Zejneb bint Ebu Seleme
Kajs ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi se Kulejb ibn Vaili tregon: “E pyeta të bijën e gruas së Pejgamberit ﷺ, Zejnebe bint Ebu Selemen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Vallë, Pejgamberi ﷺ ka qenë prej fisit mudar?” Ajo tha: “E prej kujt tjetër, përveçse prej mudarit?” Përkatësisht prej pasardhësve të Nadër ibn Kinanit.”
3492. Nga: Zejneb bint Ebu Seleme
Musai na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi se Kulejb ibn Vaili tregon se e bija e gruas së Pejgamberit ﷺ, - kujtoj se ka qenë Zejnebja, - (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar përdorimin e enës prej kungulli, shtambës, koritës dhe vorbës. Pastaj e pyeta: “Më trego, vallë, prej nga e kishte prejardhjen Pejgamberi? Mbase prej fisit mudar?” Ajo tha: “E prej kujt tjetër, përveçse prej mudarit? Ai ka qenë nga bijtë e Nadër ibn Kinanit.”
3493. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka rrëfyer Xheriri, e ky nga Umare, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Njerëzit janë sikurse xehet. Më i miri i njerëzve në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kupton fenë. Njeriu më i përshtatshëm për këtë punë (udhëheqjen ose hilafetin) është ai që më së shumti e urren atë.”
3494. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndërkaq, njeriu më i keq është dyfytyrëshi, i cili disave u paraqitet me një fytyrë, kurse disa të tjerëve me një tjetër.”
3495. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Mugire, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njerëzit i pasojnë kurejshët në këtë çështje (hilafet), muslimani le ta pasojë muslimanin, ndërsa jobesimtari le ta pasojë jobesimtarin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3495
Fjalë të panjohura?
3496. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njerëzit janë sikurse xehet. Njeriu më i mirë në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kupton fenë. Njeriu më i përshtatshëm për këtë punë (udhëheqjen ose hilafetin) është ai që më së shumti e urren atë, derisa të fillojë ta dojë.”
3497. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdulmeliku, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “... përveçse dashurisë ndaj të afërmve...”, (Shura, 23) tregon se Seid ibn Xhubejri ka thënë se është për qëllim farefisnia e Muhamedit ﷺ. Ibn Abasi ka thënë: “Pejgamberi ﷺ kishte afërsi me çdonjërën prej degëve (fiseve) kurejshe. Atëherë zbriti ky ajet, pra, përveç nëse i mbani lidhjet farefisnore që i kemi mes nesh.”
3498. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Prej atje vijnë fitnet, - nga lindja. - Zemrat e ngurta dhe të vrazhda i gjen ndër blegtorët që mbajnë devetë për bishta, në fiset rebia dhe mudar.”
3499. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Krenimi dhe mendjemadhësia ndaj të tjerëve është te blegtorët e shkretëtirës, ndërsa qetësia është te pronarët e deleve. Imani dhe urtësia janë jemenase.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Jemeni e ka marrë këtë emër se është në të djathtë të Qabesë, kurse Shami e ka marrë këtë emër se është në të majtë të Qabesë.”
2. Nënkapitulli: Virtytet e kurejshëve
3500. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Zuhriu se Muhamed ibn Xhubejr ibn Mut'imi rrëfen se, - teksa ishte te Muaviu me një delegacion të kurejshëve, - Muaviu dëgjoi se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u tha njerëzve se do të paraqitet një mbret nga fisi kahtan, andaj Muaviu u zemërua. Kështu, u ngrit, e lavdëroi Allahun, siç i takon, dhe tha: “E, më pas; Kam dëgjuar se disa po tregojnë gjëra që nuk gjenden as në Librin e Allahut e as janë transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Të tillët janë injorantë, andaj kini kujdes nga shpresat e kota me të cilat njerëzit devijojnë. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Kjo çështje (hilafeti) do të mbetet në mesin e kurejshëve, për sa kohë që ata i përmbahen fesë. Çdokënd që u bëhet rival atyre (në këtë çështje), Allahu do ta përmbysë me fytyrë përtokë.”
3501. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Asim ibn Muhamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kjo çështje (hilafeti) do të vazhdojë të mbetet ndër kurejshë për sa kohë që ata janë dy e më shumë.”
3502. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi se Xhubejr ibn Mut'imi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po ecnim me Othman ibn Afanin, tha: “O i Dërguari i Allahut, benu mutalibëve u ke dhënë, kurse neve jo, ndërkohë të dy palët kemi pozitën e njëjtë në raport me ty!” Pejgamberi ﷺ tha: “Benu mutalibët dhe benu hashimët për mua janë të njëjtë.”
3503. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Muhamed Ebu Esvedi nga Urve ibn Zubejri se Abdullah ibn Zubejri shkoi tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) me një grup njerëzish nga fisi benu zuhre. Ajo sillej shumë butë me ta, për shkak të afërsisë që kishin me të Dërguarin e Allahut ﷺ.
3504. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Sadi. [t]: Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Hurmuz Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ensarët dhe fiset kurejsh, xhuhejne, muzejne, eslem, eshxha dhe gifar janë të afërmit e mi. Ata nuk kanë mbrojtës përveç Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ.”
3505. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ebu Esvedi se Urve ibn Zubejri tregon: “Abdullah ibn Zubejri ishte njeriu më i dashur për Aishen, pas Pejgamberit ﷺ dhe Ebu Bekrit. Po ashtu, ai ishte njeriu më bamirës ndaj saj. Aishja, sa herë që i vinte ndonjë pasuri prej Allahut, e jepte sadaka. Ibn Zubejri tha: “Aishes duhet t'i bllokohet pasuria (të mos e teprojë shpenzimin në sadaka).” Aishja (me të dëgjuar këtë) tha: “Të më bllokohet pasuria?! Po zotohem që, nëse sërish i flas atij (Ibn Zubejrit), do të bëj adhurime vullnetare.” Ai dërgoi disa burra kurejshë, veçanërisht disa dajallarë të Pejgamberit ﷺ të ndërmjetësojnë, por ajo refuzoi sërish. Zuhrinjjtë, dajallarët e Pejgamberit ﷺ, ndër ta: Abdurrahman ibn Esved ibn Abdujeguthi dhe Misver ibn Mahremi, i thanë Ibn Zubejrit: “Pasi Aishja të na lejojë ne të dy të hyjmë, ti nxito, kaloje perden dhe përqafoje atë.” Dhe, ai ashtu veproi. Më pas, Ibn Zubejri ia dërgoi asaj dhjetë robër, por ajo i liroi të gjithë. Pastaj vazhdoi të lirojë robër, derisa arriti në dyzet sosh dhe tha: “Ah, sikur të kisha përcaktuar një punë, kur qeshë zotuar, të cilën tani do ta kisha vepruar dhe do të lirohesha nga zotimi.”
3. Nënkapitulli: Kurani ka zbritur me dialektin e kurejshëve
3506. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Othmani e thirri Zejd ibn Thabitin, Abdullah ibn Zubejrin, Seid ibn Asin dhe Abdurrahman ibn Harith ibn Hishamin, të cilët shkruan disa kopje të Kuranit. Othmani u tha të tre kurejshëve: “Nëse ju dhe Zejd ibn Thabiti nuk pajtoheni për ndonjë mënyrë të leximit të Kuranit, atëherë shkruajeni sipas dialektit të kurejshëve, sepse Kurani ka zbritur në dialektin e tyre.” Dhe, ata ashtu vepruan.
4. Nënkapitulli: Prejardhja e jemenasve prej Ismailit ﷺ, prej tyre edhe Eslem ibn Efsa ibn Harithe ibn Amër ibn Amir (fisi eslem) prej fisit huza’a
3507. Nga: Seleme ibn Ekvai
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një grupi të fisit eslem që po gjuanin në shenjë dhe u tha: “Gjuani, o pasardhësit e Ismailit, sepse babai juaj ka qenë shenjëtar, kurse unë po u bashkohem benu filanëve”, - duke aluduar në njërin prej grupeve. Pala tjetër ndaluan së gjuajturi, andaj Pejgamberi ﷺ pyeti: “Ç'kanë ata?” Ata i thanë: “E si të gjuajmë, ndërkohë ti je me ta?” Atëherë, Pejgamberi ﷺ u tha: “Gjuani, sepse unë jam me të gjithë ju.”
5. Nënkapitull
3508. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Husejni, e ky nga Abdullah ibn Burejde, e këtij i ka treguar Jahja ibn Jameri, e këtij i ka treguar Ebu Esved Deliu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë thënë: “Ai që thirret jo në emër të babait të vet, me vetëdije, e ka mohuar Allahun, si dhe ai që e ndërron përkatësinë e tij fisnore, le të përgatitet për ulësen e tij në Zjarr.”
3509. Nga: Vathile ibn Eskai
Ali ibn Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Harizi, e këtij i ka treguar Abdulvahid ibn Abdullah Nasriu se Vathile ibn Eskai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shpifja më e madhe është kur dikush e ndërron përkatësinë e vet atërore, ose pretendon rrejshëm se ka parë diçka në ëndërr, ose thotë për të Dërguarin e Allahut gjëra që ai nuk i ka thënë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3509
Fjalë të panjohura?
3510. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur delegacioni i Abdulkajsit vajti te Pejgamberi ﷺ, thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne jemi pjesëtarë nga fisi rebia, mes nesh e jush ndodhet vendbanimi i jobesimtarëve të Mudarit, kështu që nuk po mund të vijmë te ti, përveçse në muajt e shenjtë. Andaj, sikur të na urdhëroje diçka konkrete, që t'i njoftojmë edhe ata që i kemi lënë mbrapa.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ u tha: “Ju urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera:
1. “Besimin në Allahun, dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut,
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit dhe
4. Dhënien e një të pestës nga preja e luftës.
Ndërkaq, ju ndaloj nga ena prej kungullit, shtamba, varela dhe vorba e katranosur (për fermentimin e mushtit).”
3511. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ, teksa ishte në minber, të thoshte: “Atje është fitneja, - duke bërë me dorë nga lindja, - prej nga paraqitet briri i shejtanit.”
6. Nënkapitulli: Përmendja e fiseve eslem, gifar, muzejne, xhuhejne dhe eshxha
3512. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Sadi, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ensarët dhe fiset kurejsh, xhuhejne, muzejne, eslem, gifar dhe eshxha janë përkrahësit e mi. Ata nuk kanë përkrahës përveç Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”
3513. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Gurajr Zuhriu më ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e ky nga babai i tij, e ky nga Salihu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, teksa ishte në minber, ka thënë: “Allahu e faltë fisin gifar, Allahu e shpëtoftë fisin eslem, ndërsa fisi usaja i është kundërvënë Allahut dhe të Dërguarit të Tij!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3513
Fjalë të panjohura?
3514. Nga: Ebu Hurejra
Muhamedi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehab Thekafiu nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e shpëtoftë fisin eslem, Allahu e faltë fisin gifar!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3514
Fjalë të panjohura?
3515. Nga: Ebu Bekrete
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Beshari, e këtij i ka treguar Ibn Mehdiu, e ky nga Sufjani, e ky nga Abdulmelik ibn Umejri, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “A mendoni se fiset xhuhejne, muzejne, eslem dhe gifar janë më të mira se fiset benu temim, benu esed, benu Abdullah ibn Gatafan dhe benu Amir ibn Saësa?” Një burrë tha: “(Atëherë pra) qenkan poshtëruar e qenkan shkatërruar (këta të fundit).” Pejgamberi ﷺ tha: “Ato janë më të mira se fiset benu temim, benu esed, benu Abdullah ibn Gatafan dhe benu Amir ibn Saësa.”
3516. Nga: Ebu Bekrete
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Ebu Jakubi, e ky e ka dëgjuar Abdurrahman ibn Ebu Bekreten se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Akra ibn Habisi e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Të janë besatuar hajdutët e haxhilerëve nga radhët e fiseve eslem, gifar dhe muzejne, - mendoj se e ka përmendur edhe fisin xhuhejne. - Pejgamberi ﷺ i tha: “A mendon se, nëse fiset eslem, gifar, muzejne, - mendoj se ka përmendur edhe fisin: - xhuhejne, janë më të mira se fiset benu temim, benu amir, esed dhe gatafan, të cilët janë poshtëruar e janë shkatërruar.” Ai tha: “Po.” Pejgamberi ﷺ iu drejtua: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ata (të parët) janë më të mirë se këta (të fundit).”
3516b Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fiset eslem, gifar dhe një pjesë e fiseve muzejne e xhuhejne janë më të mira tek Allahu, - ose ka thënë: në Ditën e Kiametit, - se fiset esed, temim, hevazin dhe gatafan.”
7. Nënkapitulli: Përmendja e fisit kahtan
3517. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Thevr ibn Zejdi, e ky nga Ebu Gajthi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa u paraqitur një burrë i fisit kahtan, i cili i grah njerëzit me shkopin e tij.”
8. Nënkapitulli: Thirrjet e ndaluara të injorancës paraislame
3518. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Mahled ibn Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Dinari se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një betejë me Pejgamberin ﷺ, ku morën pjesë një grup i madh muhaxhirësh, një muhaxhir trazovaç i dha një shkelm mbrapa një ensariu, i cili u hidhërua aq shumë, saqë të dy filluan t'i thërrasin fiset e tyre në ndihmë. Ensariu thoshte: “O ensarë (ndihmë)!” Muhaxhiri thoshte: “O muhaxhirë (ndihmë)!” Atëherë, Pejgamberi ﷺ doli dhe tha: “Ç'është puna e këtyre thirrjeve të injorancës?” Pastaj tha: “Çfarë kanë?” Dhe, kur i treguan për shqelmin që muhaxhiri ia kishte dhënë ensariut, tha: “Hiquni asaj! Ajo është gjë e shëmtuar.” Abdullah ibn Ubej ibn Seluli tha: “Vallë, janë bashkuar kundër nesh? Nëse kthehemi në Medinë, të fortët do t'i përzënë të dobëtit nga aty.” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, pse nuk e vrasim këtë të poshtër?” - kishte për qëllim Abdullahun. - Por, Pejgamberi ﷺ tha: “Jo, se pastaj njerëzit do të thonë se (Muhamedi) i vraka shokët e vet.”
3519. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Thabit ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku, e ky nga Abdullahu, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Sufjani transmeton nga Zubejdi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk është yni ai që godet fytyrën, i shqyen rrobat dhe vajton siç vajtohej gjatë injorancës.”
9. Nënkapitulli: Tregimi i fisit huza’a
3520. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, e këtij i ka rrëfyer Israili, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Amër ibn Luhaj ibn Kamea ibn Hindifi ka qenë babai i fisit huzaë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3520
Fjalë të panjohura?
3521. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Seid ibn Musejebi ka thënë: “Behira quhej deveja që dedikohej për idhuj dhe askujt nuk i lejohej ta milte atë, ndërsa saibe ishte deveja që dikush e linte për idhuj në rast zotimi, e cila më nuk përdorej për bartje.” Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “E kam parë Amër ibn Amir ibn Luhaj Huzaiun duke tërhequr zvarrë zorrët e tij në Zjarr. Ai ka qenë i pari që devetë ua ka dedikuar idhujve.”
10. Nënkapitulli: Tregimi i konvertimit të Ebu Dherrit në Islam
3522. Nga: Abdullah ibn Abasi
Amër ibn Abasi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Mehdiu, e këtij i ka treguar Muthenai, e ky nga Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Ebu Dherri dëgjoi për paraqitjen e Pejgamberit ﷺ, iu drejtua vëllait të vet: “Nisu drejt kësaj lugine dhe më sill nga dituria e këtij burri që po pretendon se është pejgamber e i vjen shpallja nga qielli. Dëgjo ç'po thotë dhe kthehu.” Vëllai i tij shkoi dhe dëgjoi fjalët e tij, pastaj u kthye tek Ebu Dherri dhe i tha: “E pashë të thërriste në moral të lartë dhe të thoshte fjalë që nuk janë poezi.” Ai i tha: “Nuk më solle atë që duhej.” Kështu, mori ca rezerva ushqimore dhe një trastë me ujë e u nis drejt Mekës. Me të arritur në Xhami (të Qabesë), filloi ta kërkojë Pejgamberin ﷺ, por nuk e njihte, njëherazi nuk donte të pyeste askënd për të. Në mbrëmje, Aliu e pa dhe kuptoi se ishte i huaj, andaj (e thirri, kështu që ky) i shkoi pas (në shtëpi). Asnjëri nuk e pyeti tjetrin asgjë deri në mëngjes. Pastaj, e mori trastën e ujit dhe rezervat ushqimore e shkoi në xhami. Aty qëndroi tërë ditën, por nuk e pa Pejgamberin ﷺ. Në mbrëmje u kthye te vendi ku ulej për të kaluar natën, por Aliu kaloi sërish aty pranë dhe tha: “A nuk ka ardhur koha që ky burrë ta gjejë shtëpinë e vet?” Ia dha dorën për t'u ngritur dhe shkuan së bashku në shtëpi. Asnjëri nuk e pyeti tjetrin asgjë deri në ditën e tretë. Kur ja, Aliu sërish, teksa po kthehej, e thirri dhe e pyeti: “Vallë, a nuk më tregon çfarë të solli këndej?” Ai i tha: “Nëse më garanton dhe më premton se do të më drejtosh (në atë që po kërkoj), do të të tregoj.” Aliu i premtoi, sakaq ai ia rrëfeu ngjarjen e vet. Atëherë Aliu i tha: “Ai është i vërtetë dhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Prandaj, në mëngjes, më ndiq dhe, nëse shoh diçka me rrezik për ty, do të ngrihem sikur dëshiroj të derdh ujë (urinoj), nëse largohem, eja pas meje dhe hyr aty ku unë hyj.” Ashtu vepruan dhe Ebu Dherri e ndoqi pas derisa shkuan te Pejgamberi ﷺ. Hynë brenda, i dëgjoi fjalët e tij dhe e pranoi Islamin mu aty. Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko në popullin tënd dhe thirri në Islam, derisa të të vijë ndonjë urdhër (tjetër) prej meje.” Ebu Dherri u përgjigj: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të bërtas haptazi mes tyre (kurejshëve) me aq fuqi sa kam për t'ua shfaqur këtë (se jam konvertuar).” Ai shkoi te Qabeja dhe filloi të thërrasë me sa zë që kishte: “Eshhedu en la ilahe il-lallah, ve eshhedu ene Muhameden Resulullah (dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut)!” Njerëzit u ngritën dhe e rrahën derisa e shtrinë përtokë. Abasi erdhi dhe filloi ta mbrojë me trupin e tij, pastaj tha: “Mjerë ju! A nuk e dini që ky është nga fisi gifar, nëpërmjet të cilëve ju kaloni gjatë rrugës për tregti në Sham?” Kështu, e shpëtoi prej tyre. Të nesërmen, ai sërish doli dhe e përsëriti veprimin e djeshëm. Populli iu vërsulën dhe e rrahën, ndërsa Abasi e mbrojti sërish.
11. Nënkapitulli: Tregimi për zemzemin
3522. Nga: Ebu Xhemre
Zejd ibn Ahzami na ka treguar: Na ka thënë Ebu Kutejbe Selm ibn Kutejbe, e këtij i ka treguar Muthena ibn Seid Kasiri, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “A doni t'ju tregoj për pranimin e Islamit nga Ebu Dherri?” Thamë: “Posi.”
Ibn Abasi tha: “Ebu Dherri tregon: “Meqë unë i përkisja fisit gifar, dëgjuam për paraqitjen e një personi në Mekë, i cili po pretendonte se ishte pejgamber. Kështu, iu drejtova vëllait tim: “Nisu drejt këtij personi dhe bisedo me të, pastaj më sill ndonjë lajm për të. Ai shkoi dhe e takoi atë, pastaj u kthye dhe i thashë: “Çfarë ke për të treguar?” Tha: “Betohem në Allahun se m'u duk njeri që thërret në punë të mira dhe ndalon nga të këqijat.” I thashë: “Nuk më qetësove me këtë lajm.” Kështu, mora një trastë dhe një shkop e u nisa drejt Mekës. Nuk e njihja dhe, njëherazi, nuk doja të pyesja askënd për të. Pija ujë Zemzemi dhe qëndroja në xhami (Qabe). Ndërkohë, pranë meje kaloi Aliu dhe tha: “Më duket se na qenkëshe i huaj?” I thashë: “Po.” Tha: “Atëherë eja me mua në shtëpi.” Shkova me të dhe as më pyeti gjë e as iu përgjigja. Kur u gdhiva, shkova në xhami për të pyetur për të (Pejgamberin ﷺ), por askush nuk më jepte ndonjë lajm. (Në mbrëmje) Aliu sërish kaloi pranë meje dhe tha: “A ende nuk ia doli ky burrë që të gjejë një vend për të qëndruar?” Thashë: “Jo.” Më tha: “Eja me mua.” Pastaj më tha: “Ç'është puna jote? Çfarë të solli në këtë qytet?” I thashë: “Nëse e mban të fshehtë, do të të tregoj.” Tha: “Atëherë po të premtoj.” Unë i thashë: “Dëgjuam se këndej-pari është paraqitur një person i cili pretendon se është pejgamber, andaj e dërgova vëllanë tim për të biseduar me të, por ai u kthye dhe nuk më qetësoi me lajmin që ma solli, kështu që desha që vetë ta takoj atë.” Atëherë Aliu më tha: “E po, tashmë qenke udhëzuar mirë. Andaj, më ndiq dhe, nëse shoh diçka me rrezik për ty, do të shkoj anash sikurse dëshiroj të rregulloj opingën time, andaj, posa të largohem unë, ti eja pas meje dhe hyr aty ku hyj unë.” Ashtu vepruan dhe e ndoqa pas derisa hyri te Pejgamberi ﷺ, e bashkë me të hyra edhe unë. I thashë (Pejgamberit ﷺ): “Ma prezanto Islamin.” Posa ma prezantoi, e pranova Islamin atypëratyshëm. Pastaj Pejgamberi ﷺ më tha: “O Ebu Dherr, mbaje të fshehtë këtë çështje dhe kthehu te populli yt e, kur të marrësh vesh se ne jemi shfaqur haptazi, atëherë eja prapë.” Ebu Dherri tha: “Betohem në Atë, i Cili të ka dërguar me të vërtetën se do të bërtas haptazi mes tyre me sa fuqi që kam.” Ebu Dherri shkoi te Qabeja, ku ndodheshin kurejshët, dhe tha: “O ju kurejshë! Unë dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij! Ata thanë: “Mësyjani këtij renegati.” Ebu Dherri vazhdon: “Më rrahën për vdekje derisa më erdhi Abasi dhe filloi të më mbrojë me trupin e tij, pastaj u kthye prej tyre dhe u tha: “Mjerë ju! A do të mbysni një burrë të fisit gifar, ndërkohë përmes tyre ju kaloni gjatë rrugës për tregti në Sham?!” Kështu, ata hoqën dorë prej meje.” Të nesërmen, dola sërish dhe ua thashë të njëjtat fjalë që ua pata thënë ditën e djeshme. Ata prapë thanë: “Mësyjani këtij renegati.” Pastaj ma bënë të njëjtën gjë sikurse ditën e djeshme derisa më erdhi Abasi e më mbrojti sërish, e atyre ua tha fjalët e njëjta që ua pati thënë dje. Ky ishte fillimi i Islamit të Ebu Dherrit, Allahu e mëshiroftë!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3522(b)
Fjalë të panjohura?
12. Nënkapitulli: Tregimi për Zemzemin dhe arabët e kohës së injorancës paraislame
3523. Nga: Ebu Hurejra
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fiset eslem, gifar dhe një pjesë e fiseve muzejne e xhuhejne janë më të mira tek Allahu, - ose ka thënë: në Ditën e Kiametit, - sesa fiset esed, temim, hevazin dhe gatafan.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3523
Fjalë të panjohura?
3524. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nëse dëshiron t'i njohësh arabët e kohës paraislame, lexoji ajetet pas ajetit njëqind e tridhjetë të sures Enam: “Të humbur janë ata që i vrasin fëmijët e tyre nga mendjelehtësia dhe padija e i bëjnë të ndaluara ato që ua ka dhuruar Allahu, duke trilluar kështu gënjeshtra rreth Allahut. Ata janë të devijuar dhe aspak të udhëzuar.” (Enam, 140)
Referenca: Sahihu i Buhariut 3524
Fjalë të panjohura?
13. Nënkapitulli: Ai që thirret në përkatësinë e paraardhësve të vet, në Islam dhe para Islamit
Ibn Omeri dhe Ebu Hurejra transmetojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “I ndershmi, i biri i të ndershmit, i biri i të ndershmit, i biri i të ndershmit, është Jusufi, i biri i Jakubit, i biri i Is’hakut, i biri i Ibrahimit ﷺ, mikut të Allahut.” Berai tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë jam i biri i Abdulmutalibit.”
3525. Nga: Abdullah ibn Abasi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Amër ibn Murra, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur ka zbritur ajeti: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, (Shuara, 214) Pejgamberi ﷺ filloi të thërrasë: “O benu fihrë! O benu adijë!” - fise të ndryshme kurejshish.”
3526. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kabisa na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Habib ibn Ebu Thabiti, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur ka zbritur ajeti: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, (Shuara, 214) Pejgamberi ﷺ filloi të thërrasë fiset një nga një (me emra).”
3527. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ thirri: “O benu abdumunafë, blijeni veten tuaj prej Allahut. O benu abdulmutalibë, blijeni veten tuaj prej Allahut. Oj nëna e Zubejr ibn Avamit, halla e të Dërguarit të Allahut, oj Fatime, e bija e Muhamedit, blijeni veten tuaj prej Allahut, sepse para Allahut nuk mund t'ju bëj dobi asgjë, e prej pasurisë sime më kërkoni ç'të doni.”
14. Nënkapitulli: Nipi (i biri i motrës) konsiderohet pjesë e familjes, sikurse dhe i çrobëruari
3528. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i thirri ensarët dhe u tha: “A ka në mesin tuaj ndonjë që nuk është prej jush?” Ata i thanë: “Jo, përveç një biri të motrës sonë.” I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “I biri i motrës është pjesë e familjes.”
15. Nënkapitulli: Tregimi i etiopasve dhe fjalët e Pejgamberit ﷺ (drejtuar atyre): “O benu erfidë!”
3529. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në njërën nga ditët e Bajramit (ditët e Minasë), i vajti Ebu Bekri, i cili hasi dy vajza të vogla duke kënduar me def. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ ishte i shtrirë dhe i mbuluar me një rrobë. Ebu Bekri i qortoi ato, por Pejgamberi ﷺ zbuloi fytyrën dhe i tha: “O Ebu Bekër! Lëri, sepse këto janë ditë feste.” Ato ditë ishin ditë Bajrami (ditët e Minasë).
3530. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më mbulonte me rrobën e tij gjatë kohës sa po i shikoja etiopasit duke lozur në xhami. Omeri u bërtiti (etiopasve), por Pejgamberi ﷺ tha: “Lëri! Vazhdoni të qetë, o benu erfidë.”
16. Nënkapitulli: Ai që nuk pranon t’i ofendohet familja
3531. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othman ibn Ebu Shejbe më ka thënë: Na ka treguar Abde, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hasan ibn Thabiti i kërkoi leje Pejgamberit ﷺ për t'i sulmuar idhujtarët me poezitë e tij, e në atë rast Pejgamberi ﷺ e pyeti: “E si do t'ia bësh me prejardhjen time (që është e përzier me të tyren)?” Hasani i tha: “Do të të dalloj prej tyre, sikurse qimen që nxirret prej brumit.”
Urve ka thënë: “Kur në prani të Aishes fillova ta ofendoja Hasanin, ajo më tha: “Mos e ofendo atë, sepse ai e mbronte Pejgamberin ﷺ (me poezitë e tij).”
17. Nënkapitulli: Transmetimet rreth emrave të të Dërguarit të Allahut ﷺ
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm mes vete...” (Fet’h, 29) dhe: “... një i dërguar që do të vijë pas meje, me emrin Ahmed...” (Saf, 6)
3532. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Ibrahim ibn Mundhiri më ka thënë: Më ka treguar Meani, e ky nga Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Muhamed ibn Xhubejr ibn Mutëimi se Xhubejr ibn Mutëimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë i kam pesë emra:
1. Unë jam Muhamedi dhe
2. Ahmedi,
3. Unë jam Fshirësi (el Mahi): nëpërmjet meje Allahu do ta fshijë kufrin (mosbesimin),
4. Unë jam Tubuesi (el Hashir): njerëzit do të tubohen te këmbët e mia, dhe
5. Unë jam Përmbyllësi (el Akib).”
3533. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A nuk çuditeni se si Allahu i largon sharjet dhe mallkimet e kurejshëve nga unë? Ata e shajnë dhe e mallkojnë të nënçmuarin (Mudhemem), ndërkohë unë jam i lavdëruari (Muhamedi).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3533
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitulli: Përmbyllja e pejgamberllëkut
3534. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Selimi, e këtij i ka treguar Seid ibn Minai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë dhe pejgamberët jemi si shembulli i dikujt që ka ndërtuar një shtëpi, të cilën e ka kompletuar dhe përsosur, përveç një tulle. Kur njerëzit hyjnë, mahniten dhe thonë: “Ah, sikur të ishte edhe një tullë këtu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3534
Fjalë të panjohura?
3535. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Abdullah ibn Dinari, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë dhe pejgamberët jemi si shembulli i dikujt që ka ndërtuar një shtëpi, të cilën e ka ndrequr mirë dhe e ka zbukuruar, përveç një tulle në një qoshe. Kur njerëzit e shikojnë, mahniten dhe thonë: “Ah, sikur të ishte edhe një tullë këtu.” Pra, unë jam ajo tulla e fundit, përkatësisht unë jam vula e pejgamberëve.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3535
Fjalë të panjohura?
19. Nënkapitulli: Vdekja e Pejgamberit ﷺ
3536. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka vdekur në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare.
Ibn Shihabi ka thënë: “Njëjtë na ka rrëfyer edhe Seid ibn Musejebi.”
20. Nënkapitulli: Nofka e Pejgamberit ﷺ
3537. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në treg, dikush thirri: “O Ebu Kasim!” Pejgamberi ﷺ u kthye nga ai, pastaj tha: “Emërtoni me emrin tim, por jo me nofkën time.”
3538. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Mensuri, e ky nga Salimi se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Emërtoni me emrin tim, por jo me nofkën time.”
3539. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ejubi, e ky nga Ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Emërtoni me emrin tim, por jo me nofkën time.”
21. Nënkapitull
3540. Nga: Saib ibn Jezidi
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Fadël ibn Musai se Xhuajd ibn Abdrurrahmani tregon: “E kam parë Saib ibn Jezidin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nëntëdhjetekatërvjeçar, të fortë e të shëndoshë. Ai ka thënë: “E di mirë pse e kam këtë shëndet. Tezja ime më pati dërguar te Pejgamberi ﷺ dhe i pati thënë: “O i Dërguari i Allahut, djali i motrës sime vuan nga disa dhimbje, andaj lute Allahun për të.” Kështu, Pejgamberi ﷺ qe lutur për mua.”
22. Nënkapitulli: Vula e pejgamberisë
3541. Nga: Saib ibn Jezidi
Muhamed ibn Ubejdullahu na ka thënë: Na ka treguar Hatimi, e ky nga Xhuejd ibn Abdurrahmani se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Tezja ime më dërgoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, djali i motrës sime vuan nga dhimbja e këmbëve.” Pejgamberi ﷺ ma lëmoi kokën dhe u lut për mua për bekim, pastaj mori abdes dhe unë piva nga uji i mbetur. Dola mbrapa shpinës së tij dhe mes dy shpatullave ia pashë vulën e pejgamberisë.”
Ibn Ubejdullahu ka thënë: “... e cila ngjasonte me pullat që kali i ka në ballë.”
Ndërkaq, Ibrahm ibn Hamzai ka thënë: “... sikur vezë pëllumbi.”
23. Nënkapitulli: Përshkrimi i Pejgamberit ﷺ
3542. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Ebu Asimi na ka treguar nga Omer ibn Seid ibn Ebu Husejni, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi tregon se Ebu Bekri e fali namazin e ikindisë dhe, kur doli, gjatë rrugës, e pa Hasen ibn Aliun duke lozur me fëmijë. Kështu, e mori në krah dhe tha: “Me babë kurban t'u bëfsha! Ti i ngjake Pejgamberit ﷺ, e jo Aliut.” Ndërkohë, Aliu qeshte.
3543. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Ismaili se Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam parë Pejgamberin ﷺ. Haseni i ngjante shumë atij.”
3544. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Amër ibn Aliu më ka thënë: Na ka treguar Ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Ismail ibn Ebu Halidi se Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam parë Pejgamberin ﷺ.” Hasen ibn Aliu i ngjante shumë atij. Ismail ibn Ebu Halidi i tha Ebu Xhuhajfës: “Ma përshkruaj (Pejgamberin ﷺ).” Ai tha: “Ka qenë i bardhë, pjesërisht i thinjur.” Pejgamberi ﷺ urdhëroi të na jepen trembëdhjetë dele, por vdiq para se t'i merrnim ato.”
3545. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Ebu Xhuhajfe Vehb Suvaiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam parë Pejgamberin ﷺ, i cili qimet e mjekrës nën buzën e poshtme i kishte të bardha (të thinjura).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3545
Fjalë të panjohura?
3546. Nga: Abdullah ibn Busër Eslemiu
Isam ibn Halidi na ka thënë: Hariz ibn Othmani tregon se e ka pyetur Abdullah ibn Busrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), shokun e Pejgamberit ﷺ: “A ka qenë Pejgamberi ﷺ i thinjur?” Ai tha: “Në pjesën e mjekrës nën buzë kishte ca qime të thinjura.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3546
Fjalë të panjohura?
3547. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Bukejri më ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e ky nga Halidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali, e ky nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), teksa po e përshkruante Pejgamberin ﷺ, tha: “Kishte shtat mesatar: as të gjatë, as të shkurtër; lëkurën e kishte ngjyrë të ndritshme, as të bardhë, as të zeshkët; flokët as shumë kaçurrela, as krejtësisht të drejtë. Kur i erdhi shpallja, ishte dyzetvjeçar. Gjatë kohës së shpalljes, në Mekë qëndroi dhjetë vjet dhe dhjetë të tjerë në Medinë. Kur vdiq, nuk kishte më shumë se njëzet qime të thinjura në kokë dhe në mjekër.”
Rebia ka thënë: “Kam parë një qime të flokëve të tij dhe vura re se kishte ngjyrë si të kuqërremtë. Kur pyeta, më thanë se ngjyrën e kishte marrë nga parfumi.”
3548. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi, e ky nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka qenë shumë i gjatë e as i shkurtër, as i bardhë e as zeshkan, as shumë flokëdredhur e as flokëdrejtë. Allahu ia dërgoi shpalljen në moshën dyzetvjeçare. Në Mekë qëndroi dhjetë vjet e dhjetë të tjerë në Medinë. Kur vdiq, në flokë dhe në mjekër nuk i kishte as njëzet qime të thinjura.”
3549. Nga: Bera ibn Azibi
Ahmed ibn Seid Ebu Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Is'hak ibn Mensuri, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka qenë më i pashmi prej njerëzve në fytyrë dhe me trupin më të mirë. Nuk ka qenë shumë i gjatë e as i shkurtër.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3549
Fjalë të panjohura?
3550. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hemami se Katadja tregon: “E pyeta Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A e ngjyroste Pejgamberi ﷺ mjekrën?” Enesi tha: “Jo, përveç pak që e vinte në pjesën e mjekrës afër mollëzave.”
3551. Nga: Bera ibn Azibi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka pasur shtat mesatar e shpatulla të gjera, flokë të gjatë deri në pulpë të veshit. Njëherë, e kam parë të veshur me një palë rroba të kuqe, s'kam parë ndonjëherë më të bukur se atë.”
Jusuf ibn Ebu Is'haku transmeton nga babai i tij se ka thënë: “(flokë të gjatë) deri në supe.”
3552. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri se Ebu Is'haku tregon: “E pyetën Berain (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A ka qenë fytyra e Pejgamberit ﷺ sikurse shpata (që shkëlqen)?” Ai u përgjigj: “Jo, ka qenë sikurse hëna (që shndrit).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3552
Fjalë të panjohura?
3553. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Hasen ibn Mensur Ebu Aliu na ka thënë: Na ka treguar Haxhaxh ibn Muhamed Averi, në (vendin e quajtur) Mesisa, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi se Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në mesditë, i Dërguari i Allahut ﷺ doli në Bat'ha, ku mori abdes e pastaj e fali drekën dhe ikindinë nga dy rekate, kurse para vetes kishte vënë një shkop (për sutër). Avniu, duke transmetuar nga babai i tij, shton: “Mbrapa shkopit kalonte ndonjë grua. Disa njerëz u ngritën e i fërkonin fytyrat me duart e tij. Edhe unë shkova dhe vura dorën e tij në fytyrën time, ku ndjeva se ajo ishte më e freskët se bora dhe kishte aromë më të këndshme se myshku.”
3554. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdani na ka thënë: Na ka treguar Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka qenë njeriu më bujar, e bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit, kur e takonte Xhibrili. E takonte atë çdo natë Ramazani dhe e mësonte Kuranin me të. I Dërguari i Allahut ﷺ, në vepra të mira, ka qenë më bujar sesa era që fryn (plot mirësi).”
3555. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka treguar Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi tek ajo i gëzuar, fytyra e të cilit shkëlqente nga gëzimi, dhe tha: “A nuk ke dëgjuar çfarë ka thënë Mudlixhiu për Zejdin dhe Usamen?” - ndërkohë, ai (Mudlixhiu) kishte parë këmbët e tyre - (Mudlixhiu ka thënë:) “Këto palë këmbë kanë origjinë të përbashkët.”
3556. Nga: Kab ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdurrahmani, i biri i Abdullah ibn Kabit, e këtij i ka thënë Abdullah ibn Kabi se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke rrëfyer për mospjesëmarrjen në Betejën e Tebukut, ka thënë: “Kur i dhashë selam të Dërguarit të Allahut ﷺ, i shkëlqeu fytyra nga gëzimi. Atij, sa herë që gëzohej, fytyra i shkëlqente sikurse të ishte pjesë e hënës. Gëzimin e tij e spikatnim falë këtij shkëlqimi.”
3557. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani, e ky nga Amri, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam përzgjedhur nga më të mirët e bijve të Ademit, gjeneratë pas gjenerate, derisa kam përfunduar në gjeneratën time.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3557
Fjalë të panjohura?
3558. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i lëshonte flokët, kurse idhujtarët i ndanin në dysh. Kështu, ithtarët e librave të shenjtë i lëshonin flokët, ndërkohë, të Dërguarit të Allahut ﷺ, në gjërat që nuk i kishte të përcaktuara me shpallje, i pëlqente t'u ngjasonte ithtarëve të librave të shenjtë.1 Por, më vonë, i Dërguari i Allahut ﷺ filloi t'i ndajë flokët.
3559. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Abdani transmeton nga Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Mesruku se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ nuk ka qenë vulgar në të folur e as në sjellje.” Ai thoshte: “Më i miri prej jush është ai që e ka moralin më të mirë.”
3560. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sa herë që të Dërguarit të Allahut ﷺ i ofrohej të zgjidhte mes dy gjërave, ai zgjidhte më të lehtën, për sa kohë që nuk konsiderohej mëkat. Në të kundërtën, ishte njeriu që më së shumti distancohej prej mëkatit. Ai asnjëherë nuk është hakmarrë për vetveten, përveç kur cenohej ndalesa e Allahut, e në atë rast hakmerrej për hir të Allahut.”
3561. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuk kam prekur armaç e as mëndafsh më të butë sesa dorën e Pejgamberit ﷺ, si dhe nuk kam nuhatur erë, - ose ka thënë: aromë, - më të këndshme sesa era, - ose ka thënë: aroma, - e Pejgamberit ﷺ.”
3562. Nga: Ebu Seid Hudriu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Abdullah ibn Utbe se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka qenë më i turpshëm se virgjëresha në veçanen e saj.”
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: “Na ka treguar Jahja dhe Ibn Mehdiu, e këtyre u ka treguar Shuëbe njëjtë dhe se (Ebu Seidi) ka thënë: “Dhe, kur nuk i pëlqente diçka, dallohej në fytyrë.”
3563. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Xhadi më ka treguar: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Hazimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Asnjëherë Pejgamberi ﷺ nuk është ankuar për ndonjë ushqim. Nëse i pëlqente, e hante, e, nëse jo, e linte.”
3564. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Bekër ibn Mudarri, e ky nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Arexhi se Abdullah ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ bënte sexhden, i hapte krahët, saqë i dukeshin sqetullat.
Buhariu ka thënë: “Na ka thënë Ibn Bukejri, e këtij i ka treguar Bekri se: (i dukej) bardhësia e sqetullave.”
3565. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdulala ibn Hamadi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk i ngrinte duart në duatë e tij, përveçse në duanë e shiut, ku i ngrinte aq shumë, saqë i dukej bardhësia e sqetullave.
3566. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Hasen ibn Sabahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Sabiku, e këtij i ka treguar Malik ibn Migveli, e ky e ka dëgjuar Avniun, të birin e ibn Ebu Xhuhajfes, se babai i tij Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në mesditë, më çuan te Pejgamberi ﷺ, i cili ndodhej në një tendë në Ebtah. Bilali doli dhe e thirri ezanin për namaz, pastaj hyri brenda dhe e nxori jashtë ujin e mbetur prej abdesit të Pejgamberit ﷺ, ndërsa njerëzit nxitonin të merrnin ujë prej tij. Bilali hyri sërish dhe e mori shkopin. Sikur po shoh tani shkëlqimin e kërcinjve të Pejgamberit ﷺ kur doli jashtë. Bilali e nguliti shkopin në tokë, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ e fali drekën dhe ikindinë nga dy rekate, ndërsa para tij (andej shkopit) kalonin gomarët dhe femrat.”
3567. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Hasen ibn Sabah Bezari më ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur fliste Pejgamberi ﷺ, dëgjuesi mund t'ia numëronte fjalët.
3568. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Urve ibn Zubejrit: “A nuk po çuditesh me veprimin e filanit, që vjen afër shtëpisë sime dhe tregon hadithe të të Dërguarit të Allahut ﷺ, që edhe unë t'i dëgjoj?” Por, unë isha duke u falur e ai u largua para se ta përfundoja namazin. Sikur ta arrija, do t'ia tërhiqja vërejtjen. I Dërguari i Allahut ﷺ nuk fliste shpejt si ju.
24. Nënkapitulli: Pejgamberit ﷺ i flinin sytë, por jo zemra
Këtë e transmeton edhe Seid ibn Minai nga Xhabiri, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
3569. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Seid Makburi se Ebu Seleme ibn Abdurrahmani tregon se e pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Si ishte namazi i të Dërguarit të Allahut ﷺ gjatë Ramazanit?” Ajo iu përgjigj: “As në Ramazan, as jashtë tij nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, ndërkohë mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; pastaj i falte katër të tjera, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; në fund, i falte edhe tri sosh. Unë e pata pyetur:
- O i Dërguari i Allahut, a po fle para vitrit?
- “Oj Aishe, sytë më flenë, por jo zemra”, - u përgjigj ai.
3570. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) po rrëfente për Natën e Israsë, kur Pejgamberi ﷺ rrugëtoi prej Xhamisë së Qabesë dhe, para se t'i vinte shpallja, i vajtën tre burra, - teksa ai po flinte në Xhaminë e Qabesë. - I pari tha: “Cili prej këtyre është ai?” I mesmi iu përgjigj: “Më i miri prej tyre.” I fundit tha: “Merreni më të mirin prej tyre.” Pra, kjo ka ndodhur atëkohë e, që atëherë, Pejgamberi ﷺ nuk i ka parë ata në ëndërr, derisa kishin ardhur një natë tjetër, sepse sytë e Pejgamberit ﷺ flinin, por jo zemra. Kështu janë pejgamberët, sytë u flenë, por jo zemrat. Atëherë, Xhibrili e mori dhe, së bashku me të, u ngritën drejt qiellit.
25. Nënkapitulli: Shenjat e pejgamberisë në Islam
3571. Nga: Imran ibn Husajni
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Selm ibn Zeriri, e ky e ka dëgjuar Ebu Rexhain se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka qenë në një udhëtim me Pejgamberin ﷺ, ku tërë natën kishin ecur pa u ndalur. Nga fundi i natës, u ndalën të pushojnë, por gjumi i mundi, andaj fjetën deri pas lindjes së diellit. Ebu Bekri u zgjua i pari. - Ishte zakon që Pejgamberin ﷺ, kur flinte, të mos e zgjonte askush, derisa të zgjohej vetë. - Ebu Bekri iu ul Pejgamberit ﷺ pranë kokës. Me t'u zgjuar, Omeri filloi të bëjë tekbire me zë të lartë, derisa u zgjua Pejgamberi ﷺ. U larguam nga aty dhe e falëm sabahun. Por, një burrë u veçua e nuk u fal me xhemat dhe, pasi Pejgamberi ﷺ e kreu namazin, i tha: “O filan, çfarë të pengoi të mos faleshe me xhemat?” Ai tha: “Jam bërë xhunub.” Pastaj Pejgamberi ﷺ e urdhëroi të marrë tejemum me dhé, kështu që u fal edhe ai. Pejgamberi ﷺ më vendosi me një grup të karvanit që gjendeshin para tij. Gjatë rrugës u etëm shumë dhe, teksa po ecnim, rastisëm pranë një gruaje, e cila i kishte shtrirë këmbët mes dy kacekësh. E pyetëm: “Ku është burimi?” Ajo u përgjigj: “Nuk ka burim këtej përqark.” E pyetëm: “Sa është larg burimi prej shtëpisë sate?” Ajo tha: “Një ditë e një natë.” I thamë: “Eja me ne tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Ajo pyeti: “E çfarë është i Dërguari i Allahut?” Ne e dërguam te Pejgamberi ﷺ pa i dhënë mundësinë të mendonte nëse donte të vinte apo jo. Ajo ia tha Pejgamberit ﷺ të njëjtat gjëra sikurse neve dhe shtoi se fëmijët i kishte jetimë (pra, ishte pa burrë). Pejgamberi ﷺ urdhëroi t'i zgjidhin grykët e kacekëve të saj, i fërkoi ato dhe ne të gjithë, dyzet burra, pimë derisa e shuam etjen. Pastaj mbushëm çdo enë dhe kovë që kishim, kurse deveve nuk u dhamë të pinë, ndërsa kacekët e saj ishin ende të mbushur me ujë, gati sa nuk pëlcisnin. Pastaj, Pejgamberi ﷺ tha: “Sillni ushqimet që posedoni.” Kështu, mblodhëm ca copa buke e hurma (dhe ia dhamë asaj), e cila mori rrugën për t'u kthyer në shtëpinë e saj. Kur shkoi atje, u tha njerëzve: “Jam takuar me një njeri, që është më magjistari ndër të gjithë, ose është pejgamber, siç pretendonin njerëzit.” Kështu, Allahu e udhëzoi atë vendbanim nëpërmjet asaj gruaje. Kur ajo e pranoi Islamin, iu bashkëngjitën edhe të tjerët (nga vendbanimi i saj).
3572. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu nga Seidi, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ gjendej në Zevra (treg në Medinë), i sollën një enë, ku vuri dorën, sakaq uji filloi të buronte mes gishtërinjve të tij. Kështu, njerëzit morën abdes.”
Katadja e pyeti Enesin: “Sa persona ishit atëkohë?” Ai iu përgjigj: “Treqind - ose ka thënë: diku treqind veta -.”
3573. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, kur hyri koha e namazit të ikindisë, njerëzit filluan të kërkojnë ujë për abdes, por nuk gjetën. Atëherë, të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një enë me ujë, ku ai vuri dorën dhe urdhëroi njerëzit të merrnin abdes nga ajo enë. Kam parë ujin tek buronte nga gishtërinjtë e tij, derisa të gjithë njerëzit morën abdes, deri te i fundit prej tyre.”
3574. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdurrahman ibn Mubareku na ka thënë: Na ka treguar Hazmi, e ky e ka dëgjuar Hasenin se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një prej udhëtimeve të Pejgamberit ﷺ së bashku me disa shokë të tij, gjatë rrugës, erdhi koha e namazit, por nuk gjetën ujë për abdes. Kështu, një burrë mori një tas me pak ujë dhe ia solli Pejgamberit ﷺ, nga ku Pejgamberi ﷺ mori abdes, pastaj i shtriu katër gishtërinjtë e tij mbi tas dhe tha: “Ejani të merrni abdes.” Kështu, njerëzit morën abdes dhe i kryen të gjitha nevojat e tyre që kishin me ujë. Të pranishëm ishin diku shtatëdhjetë veta.”
3575. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muniri na ka thënë: E kam dëgjuar Jezidin, e këtij i ka rrëfyer Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, kur erdhi koha e namazit, disa, që shtëpitë i kishin afër xhamisë, shkuan dhe morën abdes, kurse të tjerët mbetën. Pejgamberit ﷺ i sollën një enë guri me ujë, e cila ishte aq e vogël sa nuk mund ta shtrinte Pejgamberi ﷺ pëllëmbën e tij në të. Kështu, Pejgamberi ﷺ vuri dorën e tij në të duke i mbledhur gishtërinjtë dhe të gjithë morën abdes prej saj.” Humejdi e pyeti Enesin: “Sa persona kanë qenë?” Ai iu përgjigj: “Tetëdhjetë veta.”
3576. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Husajni, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në ditën e Hudejbijes, njerëzit i kaploi etja dhe, kur Pejgamberit ﷺ i sollën pak ujë për abdes, njerëzit nxituan drejt ujit.” Pejgamberi ﷺ i pyeti: “Çfarë keni?” Ata thanë: “Nuk kemi ujë për abdes e as për të pirë, përveç këtij që ke pranë.” Pejgamberi ﷺ e vuri dorën mbi enë, sakaq uji filloi të gufojë mes gishtërinjve të tij sikurse të ishte burim uji. Kështu, pimë dhe morëm abdes.
Salim ibn Ebu Xhadi pyeti: “Sa veta ishit?” Xhabiri u përgjigj: “Edhe sikur të ishim njëqind mijë persona, do të na mjaftonte. Ne ishim vetëm një mijë e pesëqind veta.”
3577. Nga: Bera ibn Azibi
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në ditën e Hudejbijes, kemi qenë një mijë e katërqind veta. Hudejbija ka qenë një pus. Ne nxorëm ujë nga aty derisa e harxhuam të tërin e nuk lamë asnjë pikë uji. Pejgamberi ﷺ u ul buzë pusit, kërkoi pak ujë, me të cilin shpëlau gojën dhe e derdhi në pus. Nuk zgjati shumë. Pastaj nxorëm ujë dhe pimë derisa e shuam etjen dhe u dhamë të pinë edhe kafshëve të udhëtimit.”
3578. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai i tha Umu Sulejmit: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ të flasë me zë të dobët, nga ku kuptova se është i uritur, andaj, mos vallë ke diçka (për të ngrënë)?” Ajo tha: “Po”, - dhe nxori një copë bukë elbi, të cilën e mbështolli me një pëlhurë, ma vuri nën krah, më mbështolli edhe mua me një pjesë të pëlhurës dhe më porositi t'ia dërgoj të Dërguarit të Allahut ﷺ. Kur shkova, të Dërguarin e Allahut e gjeta në xhami me disa njerëz. Hyra në mesin e tyre dhe Pejgamberi ﷺ më pyeti: “Të ka dërguar Ebu Talhai?” I thashë. “Po.” Ai pyeti: “Me ushqim?” I thashë. “Po.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha të pranishmëve: “Ejani!” dhe u nisën rrugës. Unë u nisa para tyre, shkova tek Ebu Talhai dhe i tregova. Ai tha: “Oj Umu Sulejm, po vjen Pejgamberi ﷺ me disa njerëz. Nuk kemi çfarë t'u ofrojmë për të ngrënë.” Ajo ia ktheu: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ebu Talhai u nis dhe e takoi Pejgamberin ﷺ dhe, me të ardhur aty i Dërguari i Allahut ﷺ, iu drejtua Umu Sulejmit: “Më sill çfarëdo që ke, oj Umu Sulejm.” Ajo ia solli atë bukë dhe Pejgamberi ﷺ urdhëroi të bëhej copa-copa. Umu Sulejmi i vuri copat në një enë dhe i përzjeu me pak lëng, pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ shqiptoi ca fjalë (duke bërë lutje tek Allahu) dhe tha: “Thirri dhjetë persona.” Ata hynë e hëngrën derisa u ngopën dhe dolën. Pastaj tha: “Thirri edhe dhjetë të tjerë.” Këta hynë e hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. Pastaj tha: “Thirri edhe dhjetë të tjerë.” Këta hynë e hëngrën derisa u ngopën, pastaj dolën. Pastaj tha: “Thirri edhe dhjetë të tjerë.” Kështu, të gjithë hëngrën derisa u ngopën. Numri i tyre ishte shtatëdhjetë ose tetëdhjetë veta.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3578
Fjalë të panjohura?
3579. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahmed Zubejri, e këtij i ka treguar Israili, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ne mrekullitë i llogaritnim bereqet, kurse ju po i llogaritni si fenomene frikësuese. Njëherë, me të Dërguarin e Allahut ﷺ qemë në një udhëtim, ku rezervat e ujit u pakësuan shumë. Pejgamberi ﷺ tha: “Ma sillni pak ujë”, andaj i çuam një enë ku kishte pak ujë. Ai e futi dorën në enë dhe tha: “Ejani të merrni ujë të pastër e të bereqetshëm, ndërkohë bereqeti është prej Allahut.” Pashë ujin se si buronte mes gishtave të Pejgamberit ﷺ. Po ashtu, dëgjuam ushqimin duke bërë tesbih (ta përmendë Allahun) teksa e hanim.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3579
Fjalë të panjohura?
3580. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e këtij i ka treguar Amiri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur më vdiq babai, la një borxh (pa kthyer). Kështu, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “Babai ka lënë një borxh, kurse unë nuk kam asgjë (për ta mbuluar borxhin), përveç prodhimeve të kopshtit të hurmave të tij, të cilat nuk do ta mbulonin borxhin e tij për vite të tëra. Andaj, a mund të vish me mua, me shpresë që borxhlinjtë të mos më rëndojnë.” Pejgamberi ﷺ u end përreth një grumbulli hurmash dhe bëri dua, pastaj njëjtë veproi te një tjetër, u ul mbi të dhe tha: “Merri (dhe jepu borxhlinjve)!” Kështu, ua ktheu tërë borxhin atyre dhe mbeti po aq sa u kishte dhënë.”
3581. Nga: Abdurrahman ibn Ebu Bekri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga babai i tij, e këtij i ka treguar Ebu Othmani se Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), tregon se banorët e sufes kanë qenë njerëz të varfër dhe se një ditë Pejgamberi ﷺ tha: “Ai që posedon ushqim për dy persona, le ta marrë edhe të tretin. E, nëse posedon ushqim për katër, le ta marrë edhe të pestin ose të gjashtin.” Ebu Bekri i mori tre persona, ndërsa Pejgamberi ﷺ dhjetë sosh. Në familjen tonë jetonim unë, babai, nëna, bashkëshortja ime dhe një shërbëtor, që punonte edhe në shtëpinë time, edhe në të Ebu Bekrit. Atë natë, Ebu Bekri hëngri darkë te Pejgamberi ﷺ dhe ndenji derisa u fal namazi i jacisë, për t'u kthyer sërish dhe për të qëndruar derisa darkoi edhe Pejgamberi ﷺ. Pasi kaloi një copë nate, aq sa deshi Allahu, u kthye në shtëpi.
Gruaja i tha: “Çfarë të vonoi që të kthehesh te mysafirët?”
- A nuk u ke shtruar darkë? - e pyeti Ebu Bekri.
- Refuzuan, donin të të prisnin ty. Ne ua shtruam, por ata refuzuan, - iu përgjigj gruaja.
Abdurrahmani thotë: “Unë ika të fshihem, kurse Ebu Bekri filloi të thërrasë: “O injorant!” - dhe vazhdoi të më bërtasë e të më ofendojë. Pastaj u tha: “Hani (tash me vonesë), se unë nuk do të ha prej kësaj!” Betohem në Allahun se nuk ndodhte të merrnim ndonjë kafshatë, veçse ajo që ishte në enë shtohej edhe më shumë. Pasi u ngopën, ushqimi ishte shtuar edhe më shumë sesa që ishte në fillim. Kur Ebu Bekri pa se pothuajse ishte pa prekur, ose se kishte edhe më tepër, i tha gruas së vet: “Oj motra e fisit benu firas (ç'është kjo)?”
- Lum e lum për ne! Qenka shtuar tri herë më shumë sesa që ishte në fillim, - tha ajo.
Ebu Bekri hëngri disa kafshata nga ushqimi i mbetur dhe tha: “Ai, - betimi i mëhershëm se nuk do të ha, - ishte prej shejtanit.” Pastaj ushqimin e dërgoi te Pejgamberi ﷺ dhe e la aty. Në atë kohë kishim pakt me një popull dhe, pasi përfundoi, u bëmë dymbëdhjetë persona dhe secili mori disa njerëz me vete. - Vetëm një Zot e di sa persona shkuan me secilin, - porse të gjithë hëngrën prej saj.
3582. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Abdulazizi, e ky nga Enesi, e ky nga Junusi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarin e Allahut ﷺ banorët e Medinës i kaploi një thatësirë. Një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte duke ligjëruar ditën e xhuma, një beduin u ngrit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar të mbjellat dhe bagëtitë, andaj lute Allahun të na çojë shi.” Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe u lut. Edhe pse në fillim qielli ishte i kthjellët (pa asnjë re), papritmas fryu një erë, e cila i tuboi ca re dhe qielli filloi të lëshojë shi. Kur dolëm jashtë, derisa shkuam në shtëpi, u bëmë qull. Shiu vazhdoi të binte gjatë tërë javës, deri në xhumanë vijuese. I njëjti beduin, ose dikush tjetër, u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Na janë shkatërruar shtëpitë, andaj lute Allahun ta ndalë.” Pejgamberi ﷺ buzëqeshi dhe tha: “Çoje rreth nesh, e jo sipër nesh!” Kur i shikova retë, ishin shpërndarë rreth Medinës sikurse kurorë.”
3583. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Kethir Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hafsi, - emri i të cilit ishte Omer ibn Alai, vëllai i Ebu Amër ibn Alait, - e ky e ka dëgjuar Nafiun se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ligjëronte hipur mbi një trung hurme. Kur e ndërtoi minberin dhe filloi ta shfrytëzojë, trungu i hurmës filloi të qajë. Prandaj, Pejgamberi ﷺ vajti dhe e ledhatoi me dorë.”
Abdulhamidi ka thënë: “Na ka rrëfyer Othman ibn Omeri, e këtij ia ka rrëfyer këtë Muadh ibn Alai nga Nafiu. Po ashtu, këtë e ka transmetuar Ebu Asimi nga Ibn Ebu Revadi, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3583
Fjalë të panjohura?
3584. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Ejmeni, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ, ditën e xhuma, hipte mbi një trung hurme (për të ligjëruar). Një grua ensare, - ose ka thënë: një burrë, - i tha: “O i Dërguari i Allahut, a të të ndërtojmë një minber, vallë?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Nëse doni.” Kështu, i ndërtuan një minber dhe, xhumanë tjetër, kur Pejgamberi ﷺ hipi në minber, trungu i hurmës filloi të qajë sikurse fëmijë. Pejgamberi ﷺ zbriti dhe e shtrëngoi palmën, e cila dëneste sikurse fëmija, të cilin nëna mundohet ta qetësojë. Pejgamberi ﷺ tha: “Qante nga malli për fjalët që i dëgjonte në të.”
3585. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejman ibn Bilali, e ky nga Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Hafs ibn Ubejdullah ibn Enes ibn Maliku se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Atëkohë çatia e xhamisë ishte e vendosur mbi trungje hurmash. Njërin prej këtyre trungjeve Pejgamberi ﷺ e shfrytëzonte për të hipur (gjatë ligjërimit). Por, kur iu ndërtua minberi dhe pasi hipi në të, dëgjuam një klithmë prej atij trungu hurme, sikurse klithma e devesë, derisa Pejgamberi ﷺ erdhi dhe vuri dorën mbi të, e në atë rast ai u qetësua.”
3586. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Bishr ibn Halidi, e këtij i ka treguar Muhamedi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pyeti: “Cili prej jush e di hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth fitneve?”
- Unë e di ashtu siç e ka thënë (Pejgamberi ﷺ) - i thashë.
- Ma thuaj! Ti, me të vërtetë, ke guxim (ta tregosh), - tha Omeri.
- “Sprovat e njeriut në familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi i tij, sadakaja e urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, - thashë.
- Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të tallazohet siç tallazohet deti, - tha Omeri.
- O prijës i besimtarëve, nuk ke pse shqetësohesh për të! Mes teje dhe saj është një derë e mbyllur, - i thashë.
- A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri.
- Do të thyhet.
- Atëhere, nuk paska për t'u mbyllur kurrë, - tha Omeri.
Shekiku thotë: “Dikush prej nesh e pyeti Hudhejfën: “A e dinte Omeri, vallë, se kush ishte ajo derë?” Ai tha: “Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja, ngaqë unë i tregova një hadith që nuk përmban gënjeshtra.” Nuk patëm guxim ta pyesnim Hudhejfën (se kush ishte dera e përmendur në hadith), andaj e porositëm Mesrukun dhe ai pyeti: “Kush ishte kjo derë?” Ai tha: “Ajo derë ishte vetë Omeri.”
3587. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa e luftuar ju një popull që mbathin opinga të prodhuara prej leshi dhe pa i luftuar turqit, të cilët janë syvegjël, fytyrëkuq e hundëshkurtër, fytyrat e të cilëve u ngjajnë mburojave të mbështjella me lëkurë.”
3588. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu më i përshtatshëm për këtë punë (udhëheqjen ose hilafetin) është ai që më së shumti e urren atë, derisa të fillojë ta dojë. Njerëzit janë sikurse metalet. Më i miri i njerëzve në injorancë është më i miri edhe në Islam (nëse e kupton fenë).”
3589. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do t’ju vijë një kohë kur, të më shihni mua, do të jetë më e dashur për ju sesa familja dhe pasuria juaj.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3589
Fjalë të panjohura?
3590. Nga: Ebu Hurejra
Jahjai më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa i luftuar ju popujt joarabë të Huzit dhe Kirmanit, të cilët janë fytyrëkuq, hundëshkurtër e syvegjël, fytyrat e të cilëve u ngjajnë mburojave të mbështjella me lëkurë dhe mbathin opinga të prodhuara prej leshi.”
(Këtë transmetim nga) Jahjai e fuqizojnë edhe të tjerë nga Abdurrezaku.
3591. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ismaili se Kajsi tregon: “Shkuam tek Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili na tha: “E kam shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ tre vjet dhe asnjëherë në jetën time nuk kam qenë më i interesuar për t'i mbajtur në mend hadithet sesa gjatë asaj periudhe. E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë, - dhe bëri kështu me dorë: - “Para se të ndodhë Kiameti, do të luftoni një popull që mbathin opinga të prodhuara prej leshi.” Pra, është fjala për Barizin. Njëherë Sufjani pati thënë: “Është fjala për tregtarët (epitet me të cilin përshkruheshin banorët e asaj krahine).”
3592. Nga: Amër ibn Taglibi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky e ka dëgjuar Hasenin se Amër ibn Taglibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Para se të ndodhë Kiameti, do të luftoni një popull që mbathin opinga të prodhuara prej leshi. Po ashtu, do të luftoni një popull me fytyra si mburojat e mbështjella me lëkurë.”
3593. Nga: Abdullah ibn Omeri
Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Do t'i luftoni hebrenjtë dhe do të triumfoni, saqë guri do të thotë: “O musliman, ja tek është një hebre këtu mbrapa meje, vrite!”
3594. Nga: Ebu Seid Hudriu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Xhabiri se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të pyeten: “A ndodhet mes jush ndokush që e ka shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ?” Ata thonë: “Po”, - andaj u mundësohet fitorja. Pastaj do të vijë një kohë kur do të thonë: “A ndodhet mes jush ndokush që i ka shoqëruar shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ?” U thuhet: “Po", - andaj u mundësohet fitorja.”
3595. Nga: Adij ibn Hatimi
Muhamed ibn Hakemi më ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Israili, e këtij i ka rrëfyer Sad Taiu, e këtij i ka rrëfyer Muhil ibn Halife se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam qenë te Pejgamberi ﷺ kur pati ardhur një burrë t'i ankohej për varfërinë. Pastaj erdhi një tjetër, që ankohej për banditët e rrugës. Pejgamberi ﷺ më pyeti: “O Adij, e ke parë ndonjëherë Hirën?” I thashë: “Asnjëherë nuk e kam parë, por më kanë rrëfyer për të.” Ai vazhdoi: “Nëse ke për të jetuar gjatë, do të përjetosh kohën kur femra të udhëtojë e vetme prej Hirës deri në Qabe dhe të bëjë tavaf, pa iu frikësuar askujt përveç Allahut.” Në vete thashë: “E ku do të mbeten grabitësit e rrugëve të Tajit, të cilët e dogjën vendin.” Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “E, nëse do të jetosh mjaftueshëm, do t'i çlironi thesaret e Kisrait.” Unë pyeta: “Kisra ibn Hurmuzit?” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Kisra ibn Hurmuzit. Nëse do të jetosh gjatë, do të përjetosh kohën kur njeriu do të sillet me një grusht ari ose argjendi për t'i dhënë ndokujt, por nuk do të gjejë askënd që ia pranon. Ditën e Kiametit do ta takoni Allahun drejtpërdrejt, pa përkthyes, i Cili do të pyesë: “A nuk të kam dërguar pejgamber për të të lajmëruar?” Njeriu thotë: “Ashtu është.” Allahu do ta pyesë: “A nuk të kam dhënë pasuri dhe të kam begatuar?” Njeriu përgjigjet: “Po, ashtu është.” Pastaj shikon në të djathtë dhe sheh Xhehenemin, shikon në të majtë, sërish sheh Xhehenemin.” E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Ruajuni Zjarrit, qoftë me një copë hurme, e, kush nuk gjen një copë hurme, atëherë me një fjalë të mirë.” Të udhëtojë femra prej Hirës deri në Qabe për të kryer tavafin pa u frikësuar nga asgjë përveç Allahut, e kam përjetuar. Po ashtu, unë kam qenë në mesin e ushtrisë që i kanë çliruar thesaret e Kisra ibn Hurmuzit. Ndërkaq, nëse jeni gjallë mjaftueshëm, do të përjetoni edhe tjetrën, që e ka thënë Pejgamberi, Ebu Kasimi ﷺ: “Njeriu do të japë (ar) me grushte.”
Abdullahu më ka thënë: “Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka rrëfyer Sadan ibn Bishri, e këtij i ka treguar Ebu Muxhahidi, e këtij i ka treguar Muhil ibn Halife se e ka dëgjuar Adiun duke thënë: “Isha te Pejgamberi ﷺ.”
3596. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Seid ibn Shurahbili më ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jezidi, e ky nga Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ shkoi e ua fali namazin e xhenazes të vrarëve në Uhud, pastaj u kthye në minber dhe tha: “Unë do t'ju paraprij (te Hauzi) e do të jem dëshmitar për ju. Betohem në Allahun se në këto momente jam duke e parë Hauzin tim. Më janë dhënë çelësat e thesareve të Tokës. Betohem në Allahun se nuk kam frikë se do të bëni shirk pas meje, por kam frikë se do të garoni për të (dynjanë).”
3597. Nga: Usame ibn Zejdi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Usame (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hipi në një kullë të Medinës dhe tha: “A po e shihni, vallë, atë që po e shoh unë? Po i shoh fitnet të bien ndër shtëpitë tuaja, sikurse pikat e shiut.”
3598. Nga: Zejneb bint Xhahshi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme, e kësaj i ka treguar Umu Habibe, e bija e Ebu Sufjanit, se Zejnebe bint Xhahshi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hyri tek ajo i frikësuar duke thënë: “La ilahe il-lallah! Mjerë arabët nga sherri që u është afruar! Sot është hapur një pjesë e pendës së jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, sa kjo” - dhe përtheu gishtin e madh me treguesin (duke formuar një unazë). I thashë: “O i Dërguari i Allahut, vallë, ndodh të shkatërrohemi, ndërkohë në mesin tonë ka njerëz të mirë?”
- “Po, nëse përhapet paturpësia”, - u përgjigj ai.
3599. Nga: Umu Seleme
Zuhriu na ka thënë: Më ka treguar Hind bint Harithi se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një natë, Pejgamberi ﷺ, me t'u zgjuar nga gjumi, tha: “Subhanallah (i Lartësuar qoftë Allahu)! Sa thesare janë hapur sonte e sa sprova kanë zbritur!”
3600. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme ibn Maxhishuni, e ky nga Abdurrahmani, i biri i Ebu Saësait, se babai i tij Ebu Saësai tregon se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “Shoh se të pëlqejnë dhe mban bagëti, andaj kujdesu për to dhe ruaji, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Njerëzve do t'u vijë një kohë kur pasuria më e mirë për muslimanin do të jetë një kope dhensh, të cilat do t'i kullotë nëpër maja të maleve dhe thellësi të luginave, që me fenë e tij të ikë nga sprovat.”
3601. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, e ky nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Do të ketë trazira, ku ai që qëndron ulur, do të jetë më i mirë se ai që qëndron në këmbë; ai që qëndron në këmbë do të jetë më i mirë se ai që ecën, e ai që ecën më i mirë se ai që vrapon. Kush u ekspozohet (trazirave), do të shkatërrohet. Prandaj, ai që gjen vendstrehim, le të strehohet.”
3602. Nga: Ebu Bekër Sidiku
Ibn Shihabi na ka thënë: Më ka treguar Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harithi, e ky nga Abdurrahman ibn Mutië ibn Esvedi, e ky nga Neufel ibn Muaviu, sikurse hadithi i Ebu Hurejrës, përveç se këtu shton se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Është një namaz, që, nëse dikush e humb, llogaritet sikur ta ketë humbur tërë familjen dhe pasurinë e tij.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3602
Fjalë të panjohura?
3603. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të përballeni me anashkalim të të drejtave tuaja (nga prijësit) dhe do të shihni gjëra që nuk do t'ju pëlqejnë.” Të pranishmit pyetën: “O i Dërguari i Allahut, çfarë po na porosit, pra?” Ai tha: “T'i kryeni detyrat që ju përkasin dhe t'i kërkoni Allahut atë që ju takon.”
3604. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Abdurrahmani më ka thënë: Na ka treguar Ebu Mamer Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Tejahu, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kjo familje nga fisi kurejsh do t'i shkatërrojë muslimanët.” Të pranishmit e pyetën: “E çfarë po na porosit?” Pejgamberi ﷺ tha: “Ah sikur muslimanët t'i braktisnin ata!”
Mahmudi ka thënë: “Na ka treguar Ebu Davudi, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe nga Ebu Tejahu (se ka thënë): “E kam dëgjuar Ebu Zuran.”
3605. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Muhamed Mekiu na ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Jahja ibn Seid Emeviu, e ky nga gjyshi i tij se ka thënë: Ndërkohë që isha me Mervanin dhe Ebu Hurejrën, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të sinqertin që i është thënë e vërteta (Pejgamberin ﷺ) të thotë: “Shkatërrimi i umetit tim do të bëhet në duart e disa djelmoshave kurejshë.” Mervani e pyeti: “Djelmosha?!” Ebu Hurejra i tha: “Po deshe, t'i përmend të gjithë me emra: benu filanët dhe benu filanët.”
3606. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Ibn Xhabiri, e këtij i ka treguar Busr ibn Ubejdullah Hadremiu, e këtij i ka treguar Ebu Idris Havlaniu se Hudhejfe ibn Jemani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njerëzit e pyesnin Pejgamberin ﷺ për punët e mira, ndërsa unë e pyesja për punët e liga, nga frika që të mos bija në to. Njëherë, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më herët kemi qenë në injorancë dhe sherr, por Allahu na solli këtë mirësi. Vallë, pas kësaj mirësie do të ketë sherr sërish?” Pejgamberi ﷺ tha: “Po.” Po pas atij sherri, do të ketë sërish mirësi?” Pejgamberi ﷺ tha: “Po, por do të ketë turbullira.” Unë i thashë: “Çfarë turbullirash?” Ai tha: “Ca njerëz që nuk do të punojnë me mësimet e mia. Disa gjëra do t'ua pranoje, disa jo.” Unë e pyeta: “Po pas kësaj mirësie, do të ketë sherr sërish?” Ai u përgjigj: “Po, disa thirrës drejt dyerve të Xhehenemit. Ai që u përgjigjet, do të përfundojë në Zjarr.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, na i përshkruaj ata!” Ai tha: “Ata do të jenë nga njerëzit tanë, që flasin me gjuhën tonë.” I thashë: “Me se më porosit, nëse e përjetoj atë kohë?” Ai tha: “Ndiqe xhematin dhe prijësin e muslimanëve.” I thashë: “Po nëse nuk ka as xhemat, as prijës?” Ai tha: “Largohu prej të gjitha grupacioneve, edhe nëse detyrohesh ta kapësh me dhëmbë rrënjën e pemës dhe të qëndrosh në atë gjendje derisa të vdesësh.”
3607. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shokët e mi mësonin punët e hairit, kurse unë mësoja punët e sherrit (që të ruhesha nga ato).”
3608. Nga: Ebu Hurejra
Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa luftuar mes vete dy grupe që thërrasin në të njëjtën gjë.”
3609. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa luftuar mes vete dy grupe. Mes tyre do të zhvillohet një betejë e madhe, ndonëse të dyja thërrasin në të njëjtën gjë. Po ashtu, Kiameti nuk do të ndodhë pa u paraqitur përafërsisht tridhjetë dexhallë gënjeshtarë. Secili do të pretendojë se është i dërguar i Allahut.”
3610. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ndante një pasuri, erdhi Dhul Huvejsira, - një burrë nga fisi benu temim, - dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Ji i drejtë!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Mjerë ti! Vallë, kush do të tregohet i drejtë, nëse nuk tregohem unë?! Po të mos isha unë i drejtë, do të dështoje e do të shkatërroheshe.” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, më jep leje t'ia pres kokën!” Por, Pejgamberi ﷺ i tha: “Lëre, sepse ky ka ca pasues, që ju e nënvlerësoni namazin tuaj kundrejt namazit të tyre dhe agjërimin tuaj kundrejt agjërimit të tyre. E lexojnë Kuranin, por (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Dalin prej fesë ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut: kur i shikohet maja, nuk i vërehet asgjë, shikohet fundi i majës, sërish asgjë, shikohet thupra, nuk ka asnjë shenjë, shikohet fundi i thuprës, sërish nuk vërehet asgjë. Pra, as gjurmë zorrësh, as gjak. Shenja e tyre është një burrë zezak, të cilit, muskuli i një krahu i duket sikurse gjiri i femrës, - ose ka thënë: sikurse një copë mishi, - që lëkundet andej-këndej dhe paraqiten atëherë kur njerëzit përçahen mes vete.”
Ebu Seidi ka thënë: “Dëshmoj se këtë hadith e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe dëshmoj se kam qenë me Ali ibn Ebu Talibin kur i pati luftuar, i cili pati dhënë urdhër të kapet personi, të cilin Pejgamberi ﷺ e kishte përmendur, dhe të sillet para tij. E pata parë atë person dhe dukej siç e ka përshkruar Pejgamberi ﷺ.”
3611. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Hajtheme, e ky nga Suvejd ibn Gafele se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur ju tregoj diçka nga i Dërguari i Allahut ﷺ, për mua është më e dashur të bie nga qielli (në tokë) sesa të gënjej për të. Ndërkaq, kur bisedojmë mes vete, dijeni se lufta është dinakëri. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Para Kiametit do të paraqiten një grup njerëzish axhami e mendjelehtë, flasin fjalët më të mira ndër njerëz, por dalin nga feja ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut. Imani i tyre nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Kudo që t'i takoni (gjatë luftimit), vritini, sepse Ditën e Kiametit vrasësi shpërblehet për vrasjen e tyre.”
3612. Nga: Habab ibn Ereti
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Habab ibn Ereti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili ishte i shtrirë mbi një xhybe nën hijen e Qabesë, e i thamë: “Pse nuk po kërkon ndihmë për ne? Pse nuk po e lut Allahun për ne?” Ai u përgjigj: “Në popujt para jush ka pasur raste kur personit i hapnin një gropë dhe e futnin në të, pastaj ia vendosnin sharrën në kokë dhe e ndanin përgjysmë, por kjo gjë nuk e lëkundte aspak nga feja e vet. Po ashtu, ka pasur raste kur torturohej me krehër hekuri duke ia çjerrë mishin e trupit thellë deri në eshtra dhe palcë, por kjo nuk e lëkundte aspak nga feja e vet. Betohem në Allahun se kjo fe do të kompletohet, saqë njeriu do të udhëtojë prej Sanasë deri në Hadramevt pa iu frikësuar askujt përveç Allahut, ose ujkut për delet e veta, por ju po nguteni.”
3613. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ez'her ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e këtij i ka treguar Musa ibn Enesi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ vuri re se mungonte Thabit ibn Kajsi, andaj pyeti për të. Një burrë i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të.” Kështu, shkoi tek ai, të cilin e gjeti kokulur në shtëpi, andaj e pyeti: “Çfarë ke?” Ai iu përgjigj: “Vetëm sherr.” Pastaj tregoi se si ai e ngrinte zërin mbi atë të Pejgamberit ﷺ, gjë për të cilën i janë shkatërruar veprat, prandaj është bërë banor i Zjarrit.
Lajmëtari shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi se ai paska thënë kështu e kështu. Musa ibn Enesi thotë: “Pastaj (lajmëtari) u kthye sërish (te Thabiti) me një përgëzim të madh dhe i tha se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shko tek ai dhe thuaji se ai nuk është banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”
3614. Nga: Bera ibn Azibi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë po lexonte suren Kehf, ndërkohë në oborr ndodhej një kafshë shtëpiake, e cila filloi të trembej. Burri në fjalë filloi të lutej për paqe, sakaq pa se e kishte mbuluar një re. Kur ia tregoi ngjarjen Pejgamberit ﷺ, ai tha: “Lexo, o filan! Ajo ka qenë qetësia që ka zbritur për shkak të Kuranit.”
3615. Nga: Bera ibn Azibi
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Ahmed ibn Jezid ibn Ibrahim Ebu Hasen Harraniu, e këtij i ka treguar Zuhejr ibn Muaviu, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri erdhi në shtëpinë e babit tim për t'i blerë një shalë deveje dhe pastaj i tha: “Dërgoje djalin tënd të më ndihmojë ta bart.” Kështu, i ndihmova ta bartë, kurse babai im doli ta marrë pagesën dhe i tha Ebu Bekrit: “O Ebu Bekër, më rrëfe për rrugëtimin tënd me Pejgamberin ﷺ (gjatë hixhretit)!” Ebu Bekri tha: “Po, udhëtuam tërë natën dhe paraditen e së nesërmes deri në mesditë, kur rruga ishte e zbrazur nga udhëtarët. Gjatë rrugës hasëm një shkëmb të gjatë, që bënte një hije, ku nuk depërtonte dielli, prandaj u ndalëm aty. E sheshova me dorë vendin për Pejgamberin ﷺ, që të mund të flinte, dhe i shtrova një rrobë lëkure, pastaj i thashë: “Fli, o i Dërguari i Allahut, kurse unë do të rri për të vëzhguar.” Kështu, ai fjeti, ndërsa unë dola të vëzhgoja. Papritmas, takova një bari me ca dele duke ardhur drejt shkëmbit, që synonte të njëjtën gjë sikurse ne (hijen).”
- I kujt je, o djalosh? - e pyeta.
- I një burri nga Medina, - ose ka thënë: nga Meka, - u përgjigj ai.
- A kanë qumësht delet? - i thashë.
- Po, - u përgjigj ai.
- Do të mjelësh pak për mua?
- Po, - tha djaloshi dhe mori një dele.
- Fshija pluhurin, qimet dhe mbeturinat nga gjinjtë, - i thashë, e (përmendet se Berai i shkundi duart me njëra-tjetrën) bariu e moli delen dhe mbushi qumësht në një tas druri.
Unë me vete kisha një kovë, prej së cilës Pejgamberi ﷺ pinte dhe merrte abdes. Shkova te Pejgamberi ﷺ, por, ndonëse urreja t'ia prishja gjumin, hasa mu në momentin kur ai tanimë ishte zgjuar. Qumështit i hodha edhe pak ujë, derisa u bë i freskët dhe i thashë Pejgamberit ﷺ: “Pi, o i Dërguari i Allahut.” Ai piu derisa unë u ndjeva i kënaqur dhe tha: “A nuk ka ardhur koha të vazhdojmë rrugën?”
- Ashtu është, - i thashë dhe vazhduam rrugën me t'u larguar dielli nga kupa e qiellit.
Suraka ibn Maliku po na ndiqte nga pas, prandaj i thashë Pejgamberit ﷺ: “Na zunë, o i Dërguari i Allahut.” Ai më tha: “Mos u pikëllo! Allahu është me ne.” Pejgamberi ﷺ filloi të lutej kundër tij dhe papritmas kali i tij u fundos në dhé deri në gjoks, - Zuhejri është në mëdyshje nëse ka thënë: “Edhe pse toka ishte e fortë.” - Suraka tha: “E mora vesh se u lutët kundër meje, vallë, mund të luteni për mua (të lirohem nga kjo)? Allahu do t'ju ndihmojë juve, kurse unë do t'i kthej gjurmuesit e tjerë, që të mos vijnë te ju.” Kështu, Pejgamberi ﷺ bëri dua për të, e ai shpëtoi. Që nga aty, këdo që takonte, i thoshte: “Këtë anë e kam gjurmuar gjithandej.” Të gjithë që i takonte, i kthente mbrapa. Pra, e mbajti premtimin që na dha.”
3616. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muhtari, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ shkoi te një beduin për ta vizituar. Ai, sa herë që vizitonte ndonjë të sëmurë, thoshte: “La bes, tahur insha Allahu (S'ka gjë, shpresojmë të jetë pastrim, në dashtë Allahu)!” Kështu, edhe këtij i tha: “S'ka gjë, shpresojmë të jetë pastrim, në dashtë Allahu!” Ai ia ktheu: “Pastrim the? Përkundrazi, kjo është zjarrmi që vlon, - ose ka thënë: që ndizet, - në trupin e një plaku të vjetër, që e dërgon drejt varrit.” Pejgamberi ﷺ i tha: “E po, ashtu qoftë!”
3617. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë i krishterë u konvertua në Islam dhe e lexoi suren Bekare e Ali Imran dhe shkruante për Pejgamberin ﷺ. Pastaj sërish u kthye në krishterim dhe thoshte: “Muhamedi di vetëm atë që unë ia kam shënuar.” Kur Allahu ia mori shpirtin, njerëzit e varrosën, por toka e nxori jashtë (varrit). Njerëzit thanë: “Këtë e bënë Muhamedi dhe shokët e tij, e zhvarrosën dhe e hodhën mbi sipërfaqe, vetëm pse ka ikur nga ata.” Kështu, thelluan varrin dhe e varrosën për së dyti. Mirëpo, toka sërish e nxori jashtë dhe ata sërish thanë: “Këtë e bënë Muhamedi dhe shokët e tij, e zhvarrosën dhe e hodhën mbi sipërfaqe, vetëm pse ka ikur nga ata.” Kështu, sërish thelluan varrin aq sa mundën dhe e varrosën për së treti. Mirëpo, toka e nxori jashtë për së treti, gjë që i bëri të kuptojnë se kjo nuk ishte vepër e njerëzve, prandaj e hodhën (diku në sipërfaqe të tokës).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3617
Fjalë të panjohura?
3618. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasi të shkatërrohet kisra (mbreti pers), nuk do të ketë më kisra pas tij dhe, pasi të shkatërrohet cezari (perandori romak), nuk do të ketë më cezar pas tij. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se thesaret e tyre do t'i shpenzoni në rrugën e Allahut.”
3619. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdulmelik ibn Umejri se Xhabir ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasi të shkatërrohet kisra (mbreti pers), nuk do të ketë më kisra pas tij dhe, pasi të shkatërrohet cezari (perandori romak), nuk do të ketë më cezar pas tij. Thesaret e tyre do të shpenzohen në rrugën e Allahut.”
3620. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Husejni, e këtij i ka treguar Nafi ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, erdhi Musejlime Gënjeshtërmadhi dhe tha: “Nëse Muhamedi ma dorëzon pejgamberinë pas vdekjes së vet, do ta pasoj.” Në Medinë kishte ardhur me një grup të madh njerëzish nga fisi i vet. I Dërguari i Allahut ﷺ, së bashku me Thabit ibn Kajs ibn Shemasin, u nisën për ta takuar atë, ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ në dorë po mbante një copë degë hurme. Kur arritën pranë Musejlemes dhe shokëve të tij, i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Edhe po të ishte ajo që ti ma kërkon një copë dege si kjo, nuk do të ta jepja. Caktimin e Allahut ndaj teje nuk do të mund ta tejkalosh, e nëse ia kthen shpinën (udhëzimit tim), Allahu do të të shkatërrojë. Po shoh se ti qenke pikërisht ai për të cilin jam lajmëruar në ëndërr.”
3621. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa po flija, pashë në ëndërr dy byzylykë të artë në duar, të cilët më bënë merak. Pastaj, në ëndërr m'u shpall që t'i fryj. Kur i fryva, të dy (byzylykët) fluturuan, prandaj i komentova si dy gënjeshtarë që do të paraqiten pas meje: njëri është Ansiu, kurse tjetri Musejlime Gënjeshtërmadhi, udhëheqësi i Jemames.”
3622. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai më ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullah ibn Ebu Burde, e ky nga gjyshi i tij Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pashë ëndërr se po shpërngulesha nga Meka në një krahinë me palma hurmash. Mendja më shkoi te Jemama dhe Hexheri, por doli të ishte Medina, Jethribi (i asaj kohe). Në po të njëjtën ëndërr, pashë tek lëkundja një shpatë, së cilës iu këput tehu, gjë e cila nënkuptoi thyerjen e muslimanëve ditën e Uhudit. Pastaj, kur e lëkunda për së dyti, u kthye në gjendje më të mirë se që ishte, gjë e cila nënkuptoi çlirimin që Allahu na mundësoi dhe bashkimin e muslimanëve. Aty pashë edhe ca lopë (tek thereshin), gjë që nënkuptoi besimtarët e (vrarë gjatë) ditës së Uhudit, ndërkohë caktimi i Allahut është vetëm mirësi. Më pas, kuptuam se mirësia qëndronte te begatitë dhe shpërblimi i sinqeritetit që Allahu na e dha pas ditës së Bedrit.”
3623. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija, e ky nga Firasi, e ky nga Amiri, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Fatimja erdhi te ne në këmbë, ecja e së cilës i ngjante ecjes së Pejgamberit ﷺ. Pejgamberi ﷺ i tha: “Mirë se erdhe, oj bija ime!” - dhe e uli në të djathtë ose në të majtë të tij. Pastaj i tha diçka në fshehtësi, gjë e cila e bëri Fatimen të qajë. E pyeta: “Pse po qan, vallë?” Pastaj sërish i tha diçka në fshehtësi dhe ajo filloi të qeshë. Thashë: “Asnjëherë nuk kam parë gëzim kaq të menjëhershëm pas mërzisë!” Pastaj e pyeta çfarë i tha, por ajo ma ktheu: “Asnjëherë nuk do ta ndaj sekretin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, me ndokënd.” Por, pasi vdiq Pejgamberi ﷺ, e pyeta sërish.”
3624. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Fatimja, e bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i ka treguar: “Pejgamberi ﷺ, fshehurazi, më tha: “Deri tani, Xhibrili ma lexonte Kuranin një herë në vit, kurse sivjet ma lexoi dy herë. Mendoj se vdekja më është afruar. Ndërkaq, ti do të jesh e para nga familja ime që do të më bashkëngjitet.” Për këtë, unë qava, por ai më tha: “A nuk dëshiron të jesh zonja e grave të Xhenetit, - ose ka thënë: e grave të besimtarëve?” - e në atë rast qesha.”
3625. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Kazeja më ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ ishte në sëmundjen e vdekjes, e thirri Fatimen, të bijën e vet, e i tregoi një të fshehtë, gjë që e bëri të qajë. Pastaj e thirri për së dyti dhe i tregoi diçka fshehtazi, gjë që e bëri të qeshë. Më vonë, e pata pyetur çfarë i kishte thënë Pejgamberi ﷺ.
3626. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Fatimja, e bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i tha: “Pejgamberi ﷺ më tregoi fshehtazi se do të vdesë përgjatë asaj sëmundjeje, gjë që më bëri të qaj. Pastaj, sërish më tregoi diçka fshehtazi dhe më tha se unë do të jem e para nga familja e tij që do t'i bashkëngjitet, prandaj qesha.”
3627. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi e afronte Ibn Abasin (duke e dalluar prej të tjerëve). Prandaj, Abdurrahman ibn Aufi tha: “Edhe ne kemi djem sikurse ai.” Por, Omeri ia ktheu: “Ti e di pse po e veçoj dhe iu kthye Ibn Abasit duke e pyetur për ajetin vijues: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe Çlirimi (i Mekës).” (Nasr, 1) Ai iu përgjigj: “Është fjala për vdekjen e të Dërguarit të Allahut ﷺ, për të cilën e kishte njoftuar Allahu.” Omeri i tha: “Kështu e di edhe unë.”
3628. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Sulejman ibn Handhale ibn Gasili, e këtij i ka treguar Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në sëmundjen e vdekjes, doli i mbështjellë me një çarçaf, ndërsa në kokë kishte një çallmë të trashë, dhe hipi në minber. E falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas! Përderisa njerëzit e tjerë (muslimanët e rinj nga fiset e tjera arabe e joarabe) po shtohen, ensarët po pakësohen, saqë, në raport me njerëzit e tjerë, do të mbesin sikurse kripa në ushqim. Nëse dikush merr në përgjegjësi ndonjë çështje (të umetit të Muhamedit ﷺ) dhe posedon mundësi të dëmtojë dikë ose t'i bëjë dobi dikujt, atëherë le t'ua pranojë bamirësve (mirësitë e tyre) dhe le t'i anashkalojë keqbërësit (për veprimet e tyre për sa kohë që ato nuk paraqesin vepër penale).” Kjo ka qenë hera e fundit që Pejgamberi ﷺ ishte ulur në minber.”
3629. Nga: Ebu Bekrete
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, e këtij i ka treguar Husejn Xhufiu, e ky nga Ebu Musai, e ky nga Haseni se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ e mori Hasen ibn Aliun dhe hipi në minber e tha: “Ky biri im është zotëri. Shpresoj që Allahu nëpërmjet tij t'i pajtojë dy grupe të mëdha muslimanësh.”
3630. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Humejd ibn Hilali se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ tregoi për vdekjen e Xhaferit dhe Zejdit para se të vinte lajmi i vdekjes së tyre, ndërkohë i lotonin sytë.
3631. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Amër ibn Abasi më ka thënë: Na ka treguar Ibn Mehdiu, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
- “Vallë, keni qilima?”
- E si të posedojmë ne qilima? - i thashë unë.
- “E po, në të ardhmen do të keni qilima.”
(Tani) kur po i them gruas sime: “Largoji qilimat nga ne”, ajo po më thotë: “A nuk ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Në të ardhmen do të keni qilima”? Kështu, unë po e lë me kaq.
3632. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ahmed ibn Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Ubejdullah ibn Musai, e këtij i ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Sad ibn Muadhi u nis për në umre dhe (në Mekë) u vendos tek Umeje ibn Halef Ebu Safvani. Umeja, sa herë që shkonte në Sham dhe kalonte pranë Medinës, qëndronte te Sadi. Umeja i tha Sadit: “Mos u ngut, prit deri në mesditë, kur njerëzit pushojnë, atëherë shkon ta kryesh tavafin.” (Në mesditë) teksa Sadi po e kryente tavafin, Ebu Xhehli e pa dhe pyeti: “Kush është ky që po bën tavaf rreth Qabesë?” Sadi iu përgjigj: “Unë jam, Sadi.” Ebu Xhehli iu drejtua: “Po bën tavaf rreth Qabesë i sigurt, ndërkohë ju keni strehuar Muhamedin dhe shokët e tij?” Kështu, u grindën mes vete dhe Umeja i tha Sadit: “Mos ia ngrij zërin Ebu Hakemit, sepse ai është zotëria i luginës (Mekës).” Sadi ia ktheu: “Betohem në Allahun se, nëse më ndalon të kryej tavafin, do të ta ndërpres rrugën për tregti në Sham.” Por, Umeja vazhdoi ta kapte dhe t'i thoshte: “Mos e ngrij zërin!” Sadi u nevrikos dhe tha: “Mos e mbroj atë, sepse e kam dëgjuar Muhamedin ﷺ të thotë se ka për të të vrarë.” Umeja pyeti: “Mua?!” Sadi ia ktheu: “Po.” Umeja tha: “Betohem në Allahun se, kur Muhamedi flet, nuk gënjen.” Kështu, u kthye te bashkëshortja dhe i tha: “E di çfarë më tha vëllai im jethribas?” Bashkëshortja e pyeti: “Çfarë?!” Iu përgjigj: “Më tha se e ka dëgjuar Muhamedin të thotë se do të më vrasë.” Ajo i tha: “Betohem në Allahun se Muhamedi nuk gënjen.” Por, kur erdhi thirrja për në luftë të Bedrit, bashkëshortja i tha: “A nuk po të kujtohet çfarë të ka thënë vëllai yt jethribas?” Kështu, ai s'deshi të shkojë në luftë. Ebu Xhehli i tha: “Ti je zotëria i luginës (Mekës), andaj pse nuk na bashkëngjitesh për një ose dy ditë (e pastaj të largohesh nga radhët e ushtrisë)?” Kështu, ai u nis me ta dhe Allahu e vrau.”
3633. Nga: Usame ibn Zejdi
Abas ibn Velid Nersiu më ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Xhibrili ﷺ shkoi te Pejgamberi ﷺ në prani të Umu Selemes, bisedoi me Pejgamberin ﷺ dhe pastaj u largua. Pejgamberi ﷺ e pyeti Umu Selemen: “Kush ishte ky?” Ajo iu përgjigj: “Dihje (Kelbiu).”
Umu Seleme tregon: “Betohem në Allahun se isha e bindur se ai ishte vetë Dihje, derisa e dëgjova Pejgamberin ﷺ gjatë ligjërimit duke treguar se i kishte ardhur Xhibrili.”
Muëtemiri ka thënë: “I thashë Ebu Othmanit: “Prej kujt e ke dëgjuar këtë?” Tha: “Prej Usame ibn Zejdit.”
3634. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdurrahman ibn Shejbe më ka thënë: Na ka treguar Abdurrahman ibn Mugire, e ky nga babai i tij, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kam parë në ëndërr njerëz të tubuar në një vend. Ebu Bekri u ngrit dhe nxori një ose dy kova ujë, mirëpo gjatë nxjerrjes kishte dobësi, Allahu e faltë! Pastaj e mori Omeri, e në atë rast kova, në dorën e tij, u bë e madhe. Nuk kam parë njeri më të shkathët, që e përsos punën, sesa atë. Ai nxori aq ujë, saqë njerëzit e shfrytëzuan vendin për mriz (të deveve).”
Hemami transmeton nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ebu Bekri nxori dy kova ujë.”
26. Nënkapitulli: Ajeti: “... e njohin atë (Pejgamberin ﷺ) ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë.”
3635. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se hebrenjtë erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i treguan se një burrë nga mesi i tyre kishte bërë zina me një grua. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë keni në Tevrat rreth çështjes së gurëzimit?” Ata iu përgjigjën: “T'i poshtërojmë dhe t'i ndëshkojmë me kamxhik.” Abdullah ibn Selami u tha: “Po gënjeni! Aty përmendet gurëzimi.” Kështu, ata e morën Tevratin dhe e hapën. Njëri e vendosi dorën mbi citatin e gurëzimit dhe i lexoi ajetet para dhe pas tij. Abdullah ibn Selami i tha: “Largoje dorën.” Kur ai e largoi, doli citati i gurëzimit. Andaj, i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të gurëzohen. Abdullahu thotë: “E pashë burrin (që gurëzohej) duke u shtrirë mbi femrën për ta mbrojtur nga gurët.”
27. Nënkapitulli: Idhujtarët i kërkuan Pejgamberit ﷺ t’u shfaqë ndonjë argument (mrekulli), e në atë rast ai ua shfaqi ndarjen e Hënës përgjysmë
3636. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Sadaka ibn Fadli na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Ebu Mameri se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, Hëna u nda në dy gjysma, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Jini dëshmitarë!”
3637. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Junusi, e këtij i ka treguar Shejbani, e ky nga Katadja, e ky nga Enes ibn Maliku. [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se mekasit i kërkuan të Dërguarit të Allahut ﷺ t'u shfaqë ndonjë argument (mrekulli). Kështu, ai ua shfaqi ndarjen e Hënës përgjysmë.
3638. Nga: Abdullah ibn Abasi
Halef ibn Halid Kureshiu më ka thënë: Na ka treguar Bekër ibn Mudarri, e ky nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Irak ibn Maliku, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Mesudi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në kohën e Pejgamberit ﷺ Hëna ishte ndarë në dysh.
28. Nënkapitull
3639. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Muadhi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, gjatë një nate të errët, dy shokë të Pejgamberit ﷺ dolën nga shtëpia e tij, ndërkohë pranë tyre u paraqitën dy drita si fanarë, të cilat ua ndriçonin rrugën. Kur u ndanë, me secilin shkoi nga një dritë, derisa arritën në shtëpitë e tyre.
3640. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Abdullah ibn Ebu Esvedi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Mugire ibn Shuëbe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një grup njerëzish nga umeti im do të vazhdojnë të triumfojnë, derisa t'u vijë caktimi i Allahut e t'i gjejë triumfues.”
3641. Nga: Muavi ibn Ebu Sufjani
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Ibn Xhabiri, e këtij i ka treguar Umejr ibn Hani se Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë thënë: “Një grup njerëzish nga umeti im do të vazhdojnë të qëndrojnë të fortë në fenë e Allahut. Nuk do të mund t'u bëjnë dëm as tradhtarët, as kundërshtarët, derisa të vijë caktimi i Allahut, të tillët do të jenë në atë rrugë.”
Po ashtu Umejri ka thënë: “Malik ibn Juhamiri ka thënë: “Muadhi transmeton (nga Pejgamberi ﷺ): “Ata gjenden në Sham.”
Muaviu ka thënë: “Ky Maliku pohon se e ka dëgjuar Muadhin të thotë: "Ata gjenden në Sham.”
3642. Nga: Shebib ibn Garkade
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani se Shebib ibn Garkade tregon: “I dëgjova banorët e fisit të bisedojnë për Urven se Pejgamberi ﷺ i kishte dhënë një dinar të blejë një dele. Ai, me po atë dinar, i bleu dy dele, njërën prej të cilave e shiti për një dinar. Kështu, Pejgamberit ﷺ i çoi një dinar dhe një dele. Pejgamberi ﷺ bëri dua t'i begatohej tregtia, prandaj ai fitonte, edhe nëse blinte dhé.”
Sufjani ka thënë: “Hasen ibn Umare na ka sjellë këtë hadith prej tij dhe aty thotë: “Shebibi e ka dëgjuar nga Urve, ndërkohë, kur shkova te Shebibi më tha: “Nuk e kam dëgjuar prej Urves por i kam dëgjuar banorët e fisit duke e rrëfyer nga ai.”
Sufjani ka thënë: “Pejgamberi ﷺ e porositi t'i blejë një dele për kurban.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3642
Fjalë të panjohura?
3643. Nga: Urve ibn Xhad Barikiu
Urve (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Mirësia është e lidhur në balluket e kuajve, deri në Ditën e Kiametit.” Shebib ibn Garkade thotë: “I kam parë shtatëdhjetë kuaj në oborrin e Urves.”
3644. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mirësia është e lidhur në balluket e kuajve, deri në Ditën e Kiametit.”
3645. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kajs ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Tejahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mirësia është e lidhur në balluket e kuajve.”
3646. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kuajt janë për tre lloj personash:
1. Për dikë janë shpërblim,
2. Për dikë mburojë,
3. Për dikë janë barrë (mëkat).
Shpërblim janë për atë që rezervon kalin për luftë në rrugën e Allahut dhe, kur e lidh, ia lë litarin të gjatë në kullosë ose kopsht. Çfarëdo që ha nga kullosa ose kopshti, pronarit i llogaritet shpërblim. Nëse ndodh ta këpusë litarin dhe të ikë një ose dy kodra larg, bajgat e tij i llogariten shpërblim pronarit. Nëse kalon pranë lumit dhe pi, pa dashur t'i japë ujë pronari, pronarit sërish i llogaritet shpërblim.
Ndërkaq, atij që mban kalë, për qëllime personale fitimprurëse, për të mënjanuar varfërinë dhe për ta ruajtur nderin, por nuk e harron obligimin e përkujdesjes ndaj tij, me të cilin Allahu e ka ngarkuar, i llogaritet mburojë (nga varfëria).
Ndërkaq, ai person që mban kalë për t'u krenuar, për syefaqësi dhe e shfrytëzon në armiqësi të muslimanëve, të tillit i llogaritet barrë (mëkat).” Pejgamberi ﷺ u pyet për gomarët, e në atë rast u përgjigj: “Nuk më ka zbritur shpallje që flet konkretisht për këtë, përveç këtyre ajeteve të përgjithshme e të pashoqe: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E, kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)
Referenca: Sahihu i Buhariut 3646
Fjalë të panjohura?
3647. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Muhamedi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ arriti në Hajber herët në mëngjes, ndërsa banorët kishin dalë me mjete të punës (për të punuar). Kur e panë, thanë: “Muhamedi me ushtri!” dhe me vrap u strehuan në kështjellë. Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”
3648. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Mundhiri më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Fudejku, e ky nga Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Makburiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Të Dërguarit të Allahut i thashë: “Unë po dëgjoj prej teje hadithe të shumta, mirëpo po i harroj.” Pejgamberi ﷺ më tha: “Hape xhyben (në tokë).” Unë e shtrova, ndërsa Pejgamberi ﷺ bëri me shenjë sikur i mbushte duart me diçka dhe e derdhi mbi xhyben time, pastaj më tha: “Mblidhe!” Që kur e kam mbledhur, nuk kam harruar asnjë hadith.”