80. Lutjet
Fjala e Allahut të Madhëruar: “Më lutni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë në Xhehenem të nënçmuar.” (Gafir, 60)
1. Nënkapitulli: Çdo pejgamber ka një lutje të pranuar
6304. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo pejgamber ka një lutje të pranuar për t'u lutur me të, ndërsa unë dëshiroj që lutjen time ta ruaj për të ndërmjetësuar për umetin tim në ahiret.”
6305. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muëtemiri e ka dëgjuar babanë e tij se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo pejgamber ka bërë nga një lutje”, - ose ka thënë: “Çdo pejgamber ka pasur nga një lutje, - që, kur është lutur, i është plotësuar, ndërsa unë lutjen time e kam lënë që të ndërmjetësoj për umetin tim në Ditën e Kiametit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6305
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Istigfari më i mirë
Allahu i Madhëruar rrëfen fjalën e Nuhut, ku thotë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh, 12) Si dhe ka thënë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre - e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran, 135)
6306. Nga: Shedad ibn Evsi
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Husejni, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Burejde, e këtij i ka treguar Bushejr ibn Kab Adeviu se Shedad ibn Evsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Zotëria i istigfarit (kërkimit të faljes) është të thuash: “Allahume, ente rabi, la ilahe ila ente, halakteni, ve ene abduke, ve ene ala ahdike ve vadike mestetatu, eudhu bike min sherri ma sanatu, ebu'u leke bi nimetike aleje, ve ebu'u leke bi dhenbi, fagfir li, inehu la jagfiru dhunube ila ente (O Allah, Ti je Zoti im, s'ka të adhuruar të denjë përveç Teje, Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt. Unë jam në besën dhe në premtimin Tënd, aq sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt së keqes që e kam vepruar. Begatitë e Tua unë i pranoj dhe mëkatet e mia unë i pranoj para Teje, andaj m'i fal mëkatet e mia, sepse askush nuk i fal mëkatet përveç Teje). Kush e thotë këtë ditën (në mëngjes) me bindje të plotë dhe vdes para se të ngryset, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit. Po ashtu, ai që e thotë këtë natën (në mbrëmje) me bindje të plotë dhe vdes para se të gdhihet, do të jetë prej banorëve të Xhenetit.”
3. Nënkapitulli: Istigfari (kërkimi i faljes) që e bënte Pejgamberi ﷺ gjatë ditës dhe natës
6307. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Betohem në Allahun se unë bëj istigfar (kërkoj falje) dhe pendohem tek Allahu më shumë se shtatëdhjetë herë gjatë ditës.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6307
Fjalë të panjohura?
4. Nënkapitulli: Pendimi
Katadja, në lidhje me ajetin: “Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë...” (Tahrim, 8) ka thënë: "Pendim të vërtetë e të çiltër."
6308. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Shihabi, e ky nga Ameshi, e ky nga Umare ibn Umejri se Harith ibn Suvejdi tregon: “Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) na i ka treguar dy hadithe: njërin nga Pejgamberi ﷺ, kurse tjetrin prej vetes.” Ai thoshte: “Besimtari i sheh mëkatet e veta sikurse të ishte ulur nën një kodër, duke u frikësuar se do t'i bjerë sipër, kurse mëkatari i sheh mëkatet e veta sikurse një mizë që i kalon nga hunda e ai ia bën me dorë kështu”, - Ebu Shihabi thotë: “Bëri me dorë mbi hundë (për ta larguar).”
Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu gëzohet me pendimin e robit të Vet më shumë se një njeri i cili ndalet pranë një vendi të rrezikshëm me kafshën e tij që ia bart ushqimin e pijen dhe vë kokën diku për të fjetur. Kur zgjohet, sheh se kafsha i ka ikur. Kjo gjendje vazhdon derisa ta kaplojë vapa dhe etja, ose (qëndron) për aq sa do Allahu, pastaj thotë: “Po kthehem te vendi im.” Kështu, kthehet e prapë bën një sy gjumë dhe, kur e ngre kokën, e gjen kafshën e tij pranë.”
Transmetimin e Ebu Shihabit e fuqizon Ebu Avane dhe Xheriri nga Ameshi. Ebu Usame ka thënë: “Na ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Umare, e ky e ka dëgjuar Harith ibn Suvejdin. Shuëbe dhe Ebu Muslimi kanë transmetuar nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga Harith ibn Suvejdi. Ebu Muaviu ka thënë: “Na ka treguar Ameshi nga Umare, e ky nga Esvedi, e ky nga Abdullahu dhe Ibrahim Tejmiu, e këta nga Harith ibn Suvejdi, e ky nga Abdullahu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6308
Fjalë të panjohura?
6309. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Habani, e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enes ibn Maliku, e ky nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Hudbe na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu gëzohet me pendimin e robit të Vet më shumë sesa dikush që e gjen devenë e vet, pasi t'i ketë humbur në shkretëtirë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6309
Fjalë të panjohura?
5. Nënkapitulli: Shtrirja në krah të djathtë
6310. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i falte njëmbëdhjetë rekate gjatë natës, e, kur shfaqej agimi, i falte dy rekate të shkurtra, pastaj shtrihej në anë të djathtë derisa vinte muezini dhe e thërriste (për namaz).
6. Nënkapitulli: Kur dikush fle me abdes
6311. Nga: Bera ibn Azibi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar Mensurin, e ky nga Sad ibn Ubejde se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka këshilluar: “Kur të shkosh për të fjetur, merr abdes siç merr për namaz, pastaj shtrihu në krahun e djathtë dhe thuaj: "Allahume eslemtu vexhhi ilejke, ve fevedtu emri ilejke, ve elxhetu dhahri ilejke ragbeten ve rahbeten ilejke, la melxhe'e ve la menxha minke ila ilejke. Amentu bikitabike ledhi enzelte ve bi nebijike ledhi erselte (O Allah! Të jam dorëzuar vetëm Ty, çështjen time ta kam lënë vetëm Ty dhe vetëm te Ti mbështetem, duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar prej Teje. Strehim dhe shpëtim ka vetëm te Ti. Kam besuar Librin Tënd që e ke zbritur dhe Pejgamberin Tënd që e ke dërguar). Nëse vdes (atë natë), do të vdesësh në natyrshmërinë islame, andaj këto le të jenë fjalët e tua të fundit.”
Unë i thashë: “Po i përsëris këto fjalë në praninë tënde (dhe ndër të tjera tha): “... ve bi resulike ledhi erselte (... dhe të Dërguarin Tënd që e ke dërguar).” Pejgamberi ﷺ më tha: “Jo, (thuaj:) ve bi nebijike ledhi erselte (dhe Pejgamberin Tënd që e ke dërguar).”
7. Nënkapitulli: Çfarë thuhet para se të flihet?
6312. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdulmeliku, e ky nga Ribij ibn Hirashi se Hudhejfe ibn Jemani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ shtrihej në shtrat, thoshte: “Bismike emutu ve ahja (me emrin Tënd vdes dhe ngjallem).” Ndërkaq, kur zgjohej, thoshte: “Elhamdulilahi ledhi ahjana bade ma ematena ve ilejhi nushur (Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdekur (në gjumë) dhe tek Ai është ringjallja).”
6313. Nga: Bera ibn Azibi
Seid ibn Rabiu dhe Muhamed ibn Arare na kanë thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky e ka dëgjuar Bera ibn Azibin se Pejgamberi ﷺ e ka urdhëruar një person ... [t]: Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Is'hak Hemdaniu se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ këshilloi një njeri duke i thënë: “Kur të shkosh në shtrat, thuaj: “Allahume eslemtu nefsi ilejke, ve fevedtu emri ilejke, ve vexhehtu vexhhi ilejke, ve elxhetu dhahri ilejke, ragbeten ve rahbeten ilejke, la melxhe'e ve la menxha minke ila ilejke. Amentu bi kitabike ledhi enzelte ve bi nebijike ledhi erselte (O Allah! Ty ta kam dorëzuar veten time, çështjen time ta kam lënë vetëm Ty, fytyrën time e kam kthyer nga Ti dhe vetëm te Ti mbështetem, duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar prej Teje. Strehim dhe shpëtim ka vetëm te Ti. Kam besuar në Librin Tënd që e ke zbritur dhe në Pejgamberin Tënd që e ke dërguar).” Nëse vdes (atë natë), do të vdesësh në natyrshmërinë islame.”
8. Nënkapitulli: Vendosja e dorës nën faqen e djathtë
6314. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Musa ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Abdulmeliku, e ky nga Ribiu se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ shtrihej në shtrat gjatë natës, e vendoste dorën nën faqe dhe thoshte: “Allahume bismike emutu ve ahja (O Allah, me emrin Tënd vdes dhe ngjallem).” E, kur zgjohej, thoshte: “Elhamdulilahi ledhi ahjana bade ma ematena ve ilejhi nushur (Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdekur (në gjumë) dhe tek Ai është ringjallja).”
9. Nënkapitulli: Fjetja në krahun e djathtë
6315. Nga: Bera ibn Azibi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Zijadi, e këtij i ka treguar Alaë ibn Musejebi, e këtij i ka treguar babai i tij se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ shtrihej në shtrat, binte në krahun e djathtë, pastaj thoshte: “Allahume eslemtu nefsi ilejke, ve vexhehtu vexhhi ilejke, ve fevedtu emri ilejke, ve elxhetu dhahri ilejke, ragbeten ve rahbeten ilejke, la melxhe'e ve la menxha minke ila ilejke. Amentu bi kitabike ledhi enzelte ve nebijike ledhi erselte (O Allah! Ty ta kam dorëzuar veten time, fytyrën time e kam kthyer nga Ti, çështjen time ta kam lënë vetëm Ty dhe vetëm te Ti mbështetem, duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar prej Teje. Strehim dhe shpëtim ka vetëm te Ti. Kam besuar në Librin Tënd që e ke zbritur dhe në Pejgamberin Tënd që e ke dërguar).” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush e thotë këtë lutje dhe vdes mu atë natë, vdes në natyrshmërinë islame.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6315
Fjalë të panjohura?
10. Nënkapitulli: Lutja kur zgjohemi natën
6316. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Mehdiu, e ky nga Sufjani, e ky nga Seleme, e ky nga Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë bujta te Mejmunia. Kështu, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe shkoi për nevojë, pastaj lau fytyrën e duart dhe fjeti. Më vonë u zgjua, shkoi te caliku, ia zgjidhi lidhësen dhe mori një abdes mesatar, nuk harxhoi shumë ujë, por e përsosi mirë dhe filloi të falet. Unë u ngrita dhe fillova të shpihem, sepse nuk doja që ai ta kuptonte se e kisha përcjellë. Unë mora abdes, ndërsa ai falej, pastaj shkova në anën e tij të majtë, kurse ai më kapi për veshi dhe më zhvendosi në anën e djathtë. Namazi i tij u plotësua me trembëdhjetë rekate, pastaj u shtri dhe fjeti, saqë gërhiti, sepse, kur flinte, zakonisht gërhiste. Kur Bilali e thirri për namaz, ai u fal pa e ripërtërirë abdesin. Në lutjen e tij thoshte: “Allahume ixhal fi kalbi nura, ve fi besari nura, ve fi semi nura, ve an jemini nura, ve an jesari nura, ve fevki nura, ve tahti nura, ve emami nura, ve halfi nura, vexhal li nura (O Allah, më jep dritë në zemrën time, dritë në shikimin tim, dritë në dëgjimin tim, dritë në anën e djathtë, dritë në anën e majtë, dritë mbi mua, dritë nën mua, dritë para meje, dritë pas meje dhe bëj dritë për mua)!”
Kurejbi shton: “Ndërkaq, shtatë (fjalë a drita) të tjera i pata harruar, derisa takova njërin prej bijve të Abasit, i cili m'i tregoi: “Ai tha: “(Më jep dritë në) nyjat e mia, në mishin tim, në gjakun tim, në flokët e mi, në lëkurën time!”, si dhe dy të tjera.”
6317. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Sulejman ibn Ebu Muslimin, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ zgjohej natën për t'u falur, thoshte: “Allahume, lekel hamdu, ente nuru semavati vel erdi, ve men fihine, ve lekel hamdu ente kajimu semavati vel erdi ve men fihine, ve lekel hamdu entel haku ve vaduke hakun, ve kavluke hakun ve likauke hakun, vel xhenetu hakun venaru hakun, ve seatu hakun, ve nebijune hakun, ve Muhamedun hakun, Allahume leke eslemtu ve alejke tevekeltu ve bike amentu ve ilejke enebtu, ve bike hasemtu, ve ilejke hakemtu, fagfir li ma kademtu ve ma ahartu, ve ma esrertu ve ma alentu, ente elmukadimu ve ente elmuahiru, la ilahe ila ente”, ose ka thënë: “La ilahe gajruke. (O Allah, Ty të takon falënderimi, Ti je Drita e qiejve dhe Tokës dhe ç'ka në to. Ty të takon lavdërimi, Ti je Kujdestari i qiejve dhe Tokës dhe ç'ka në to. Ty të takon lavdërimi. Ti je i Vërteti. Premtimi Yt është i vërtetë. Fjala Jote është e vërtetë. Takimi me Ty është i vërtetë. Xheneti është i vërtetë dhe Xhehenemi është i vërtetë. Kiameti është i vërtetë. Pejgamberët janë të vërtetë dhe Muhamedi ﷺ është i vërtetë. O Allah, Ty të jam nënshtruar, te Ti jam mbështetur, në Ty kam besuar dhe te Ti jam kthyer. Për Ty armiqësohem, te Ti gjykohem, m'i fal mëkatet e kaluara, të tashmet, të fshehurat dhe ato publike. Ti je i Pari dhe i Fundit, s'ka të adhuruar të denjë përveç Teje).”
11. Nënkapitulli: Tekbiri (Allahu ekber) dhe tesbihu (subhanallah) para fjetjes
6318. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ibn Ebu Lejla se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja u ankua për dhimbjen e duarve nga bluarja e drithit. Kështu, ajo shkoi t'i kërkojë Pejgamberit ﷺ një shërbëtor, por nuk e gjeti atë, prandaj ia përmendi Aishes. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye, Aishja i tregoi. Rrjedhimisht, Pejgamberi ﷺ erdhi te ne kur tanimë ishim shtrirë për të fjetur. Fatimja tregon: “Unë desha të ngrihem, por ai tha: “Qëndro aty ku je.” Ai ul mes nesh, saqë freskinë e këmbëve ia ndjeja në gjoksin tim dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diç ka që është më e mirë për ju se shërbëtori? Kur të shtriheni për të fjetur në shtretërit tuaj, bëni tekbir (Allahu ekber) tridhjetë e katër herë, tesbih (subhanallah) tridhjetë e tri herë dhe falënderoni (elhamdulilah) tridhjetë e tri herë. Kjo është më e mirë për ju sesa një shërbëtor.”
Shuëbe transmeton nga Halidi, e ky nga Ibn Sirini, se ka thënë: “Tesbih (subhanallah) tridhjetë e katër herë.”
12. Nënkapitulli: Leximi i sureve kërkimmbrojtëse ose pjesëve të tjera para gjumit
6319. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sa herë që i Dërguari i Allahut ﷺ binte në shtrat për të fjetur, frynte në shuplaka duke lexuar suret kërkimmbrojtëse dhe e fërkonte trupin me to.”
13. Nënkapitull
6320. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Omeri, e këtij i ka treguar Seid ibn Seid Makburiu, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush bëhet gati për t'u shtrirë në shtrat, le ta fshijë shtratin me pjesën e brendshme të rrobës së poshtme, sepse ai nuk e di çfarë mund të ketë mbetur sipër tij, pastaj le të thotë: “Bismike rabi vedatu xhenbi, ve bike erfeuhu, in emsekte nefsi ferhamha, ve in erselteha fahfedh'ha bima tahfedhu bihi ibadeke salihin (Me emrin Tënd, o Zoti im, unë shtrihem dhe me Të ngrihem. Nëse ma merr shpirtin tim, mëshiroje, e, nëse ma kthen, ruaje siç i ruan robërit e Tu të mirë).”
Transmetimin e Zuhejrit e fuqizon Ebu Damre dhe Ismail ibn Zekerija nga Abdullahu. Jahja ibn Seidi dhe Bishri transmetojnë nga Ubejdullahu, e ky nga Seidi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Këtë e transmeton edhe Maliku dhe Ibn Axhlani nga Seidi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
14. Nënkapitulli: Lutja në mes të natës
6321. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Abdullah Agarri dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zoti ynë i Lartësuar zbret (ashtu siç i takon Madhërisë së Tij) çdo natë në qiellin e botës, në të tretën e fundit të natës dhe thotë: “A ka kush më lutet Mua, që t'i përgjigjem? A ka kush kërkon nga Unë, që t'i jap? A ka kush kërkon falje prej Meje, që ta fal?”
15. Nënkapitulli: Lutja para hyrjes në nevojtore
6322. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdulaziz ibn Suhejbi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ para se të hynte në nevojtore, thoshte: “Allahume ini eudhu bike minel hubuthi vel habaith (O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt të këqijve dhe të këqijave - shejtanëve meshkuj dhe femra)!”
16. Nënkapitulli: Çfarë thuhet kur gdhin?
6323. Nga: Shedad ibn Evsi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Husejni, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Burejdi, e ky nga Bushejr ibn Kabi se Shedad ibn Evsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Zotëria i istigfarit (kërkimfaljes) është të thuash: “Allahume, ente rabi, la ilahe ila ente, halakteni, ve ene abduke, ve ene ala ahdike ve vadike mestetatu, ebu'u leke bi nimetike aleje, ve ebu'u leke bi dhenbi, fagfir li, fe inehu la jagfiru dhunube ila ente, eudhu bike min sherri ma sanatu (O Allah, Ti je Zoti im, s'ka të adhuruar të denjë përveç Teje, Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt. Unë jam në besën dhe në premtimin Tënd, aq sa të kem mundësi. Unë i pranoj begatitë e Tua ndaj meje dhe mëkat e mia i pranoj para Teje, andaj m'i fal mëkatet, sepse askush nuk i fal mëkatet përveç Teje. Kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt së keqes që e kam vepruar). Kush e thotë këtë kur të ngryset dhe vdes, do të hyjë në Xhenet, - ose ka thënë: do të jetë prej banorëve të Xhenetit. - Po ashtu, nëse e thotë këtë kur të gdhihet dhe vdes atë ditë, do të hyjë në Xhenet.”
I njëjtë me hadithin paraprak.
6324. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdulmelik ibn Umejri, e ky nga Ribij ibn Hirashi se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ donte të flinte, thoshte: “Bismike Allahume emutu ve ahja (Me Emrin Tënd, o Allah, vdes dhe ngjallem).” E, kur zgjohej prej gjumit, thoshte: “Elhamdulilahi ledhi ahjana bade ma ematena ve ilejhi nushur (Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdekur (në gjumë) dhe tek Ai është ringjallja).”
6325. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Abdani transmeton nga Ebu Hamzai, e ky nga Mensuri, e ky nga Ribij ibn Hirashi, e ky nga Harashe ibn Hurri se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ binte në shtrat natën, thoshte: “Allahume bismike emutu ve ahja (O Allah, me Emrin Tënd vdes dhe ngjallem).” E, kur zgjohej, thoshte: “Elhamdulilahi ledhi ahjana bade ma ematena ve ilejhi nushur (Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdekur (në gjumë) dhe tek Ai është ringjallja).”
17. Nënkapitulli: Lutja në namaz
6326. Nga: Ebu Bekër Sidiku
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jezidi, e ky nga Ebu Hajri, e ky nga Abdullah ibn Amri se Ebu Bekër Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Pejgamberit ﷺ: “Më mëso një dua me të cilën do të lutesha gjatë namazit. Pejgamberi ﷺ i tha: “Thuaj: “Allahume ini dhalemtu nefsi dhulmen kethiran ve la jagfiru dhunube ila ente, fagfir li magfireten min indike, verhamni, ineke entel gafuru rrahim (O Allah, vetes sime i kam bërë shumë padrejtësi (me mëkate), e mëkatet s'i fal kush pos Teje, andaj, më fal me faljen Tënde dhe më mëshiro, se Ti je Falësi, Mëshiruesi!).”
Amri transmeton nga Jezidi, e ky nga Ebul Hajri se e ka dëgjuar Abdullah ibn Amrin të thotë: “Ebu Bekri i tha Pejgamberit ﷺ.”
6327. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Suajri, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “... Mos e ngrij zërin shumë lart gjatë namazit, e as mos e ul tepër!”, (Isra, 110) ka thënë: “Ka zbritur për lutjen.”
6328. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur faleshim, në namaz thoshim: “Eselamu ala Allahi, eselamu ala fulan (selami qoftë për Allahun, selami qoftë për filanin)!” Kështu, një ditë, Pejgamberi ﷺ na tha: “Vetë Allahu quhet Es-Selam. Kur dikush të ulet në namaz, le të thotë: “Etehijatu lilahi ve salavatu ve tajibatu. Eselamu alejke ejuhe nebiju ve rahmetullahi ve berekatuhu. Eselamu alejna ve ala ibadilahi salihin (Përshëndetjet, selamet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë)!” Duke e thënë këtë, përfshini çdo rob të mirë të Allahut, në qiell dhe në Tokë. (Pastaj le të vazhdojë:) “Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu ene Muhameden abduhu ve resuluhu.” Pastaj le të lavdërojë Allahun me çfarë të dojë.”
18. Nënkapitulli: Lutja pas namazit
6329. Nga: Ebu Hurejra
Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Verkai, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa thanë: “O i Dërguari i Allahut, të pasurit na e kaluan në gradat e larta dhe në mirësitë e përjetshme!
- “Si ashtu?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po falen siç po falemi ne, po luftojnë siç po luftojmë ne dhe po japin sadaka prej tepricës së pasurisë, ndërkaq ne nuk po kemi pasuri.
- “A t'ju tregoj për një gjë, të cilën, nëse e veproni, do t'i arrini ata që kanë qenë para jush, do t'ua kaloni atyre që vijnë pas jush dhe askush s'do të mund t'ju afrohet me punën që e bëni, përveç atij që vepron njëjtë?” - tha Pejgamberi ﷺ. Pastaj vazhdoi: “Bëni tesbih (subhanallah) dhjetë herë pas çdo namazi, tahmid (elhamdulilah) dhjetë herë dhe tekbir (Allahu ekber) dhjetë herë.”
Transmetimin e Verkait nga Sumeji e fuqizon Ubejdullah ibn Omeri nga Sumeji. Po ashtu e transmeton ibn Axhlani nga Sumeji dhe Rexhai ibn Hajve. Xheriri e transmeton nga Abdulaziz ibn Rufeji, e ky nga Ebu Salihu, e ky nga Ebu Derdai. Njashtu edhe Suhejli e transmeton nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
6330. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Musejeb ibn Rafiu se Verradi, i çrobëruari i Mugire ibn Shuëbes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Mugire i shkroi një letër Muavi ibn Ebu Sufjanit: “Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ jepte selam pas çdo namazi (farz), thoshte: "La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin Kadir. Allahume la mania lima atajte, ve la mu'tije lima menate. Ve la jenfeu dhel xhedi minkel xhed (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdi, Ai ka fuqi për çdo gjë. O Allah! Askush nuk mund të pengojë nëse Ti jep dhe askush nuk mund të japë nëse Ti e pengon. Askujt nuk mund t'i bëjnë dobi pasuria dhe prejardhja në raport me Ty).”
Shuëbe e transmeton këtë nga Mensuri i cili thotë: “E kam dëgjuar Musejebin.”
19. Nënkapitulli: Ajeti: “... Dhe lutu për ta...”, si dhe veçimi i vëllait me lutje pa u lutur për vete
Ebu Musai tregon se Pejgamberi ﷺ është lutur: “O Allah, fale Ubejd ibn Amirin! O Allah, falja mëkatin Abdullah ibn Kajsit!”
6331. Nga: Seleme ibn Ekvai
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Selemes se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur shkuam në Hajber me Pejgamberin ﷺ, një burrë tha: “O Amir, a po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Atëherë ai zbriti dhe filloi të recitojë poezi duke thënë:
"Për Allahun, sikur të mos ishte Allahu, ne nuk do të udhëzoheshim...”
Recitoi më shumë se kaq, por nuk e mbajta në mend. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush është ky ngasës?”
- Amir ibn Ekvai, - i thanë.
- “Allahu e mëshiroftë!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, sikur të kënaqeshim edhe pak me të? - tha njëri.
Pejgamberi ﷺ i rreshtoi njerëzit për luftë dhe, gjatë luftës, Amiri u godit me tehun e shpatës së vet dhe vdiq. Me t'u ngrysur, njerëzit ndezën shumë zjarre, gjë që bëri të Dërguarin e Allahut ﷺ të pyesë:
- “Ç'janë këto zjarre? Përse i keni ndezur?”
- (Po ziejmë) mish gomarësh, - i thanë.
- “Derdheni atë që është në to dhe thyejini enët!”
- O i Dërguari i Allahut, a bën t'i derdhim enët dhe t'i pastrojmë (në vend se t'i thyejmë)? - pyeti dikush.
- “Bën edhe ashtu!” - i tha Pejgamberi ﷺ.”
6332. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Amri se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur dikush ia çonte zekatin Pejgamberit ﷺ, ai lutej: “O Allah, bekoje familjen e filanit!” Kur babai im ia pati çuar zekatin, ai qe lutur: “O Allah, bekoje familjen e Ebu Eufait!”
6333. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “A nuk ma heq qafe Dhul Halasën?”, - e cila ishte një grumbull idhujsh që njerëzit e adhuronin dhe e quanin Qabeja Jemenase. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk mund të qëndroj mbi kalë.” Atëherë Pejgamberi ﷺ më goditi në gjoks dhe tha: “O Allah, forcoje, udhëzoje dhe bëje udhëzues!”
Kështu, marshova me pesëdhjetë kalorës të fisit ahmes nga populli im.
Në një transmetim qëndron: “U nisa me një grup nga populli im, shkova dhe e dogja atë. Pastaj u ktheva te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Allahun se, nuk u ktheva pa e bërë atë si një deve të zgjebosur. Atëherë Pejgamberi ﷺ u lut për fisin ahmes dhe për kuajt e tyre.”
6334. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Seid ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Umu Sulejmi i tha Pejgamberit ﷺ: “Lutu për Enesin, shërbëtorin tënd!” Ai tha: “O Allah, shtoja pasurinë e fëmijët dhe bekoje në atë që i jep!”
6335. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Abde, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dëgjoi një burrë duke lexuar në xhami dhe tha: “Allahu e mëshiroftë! M'i kujtoi disa ajete të filan e filan sures, të cilat më paskan dalë nga mendja.”
6336. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Sulejmani, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Ditën e Hunejnit) kur Pejgamberi ﷺ shpërndau plaçkën e luftës, një burrë tha: “Nuk është synuar kënaqësia e Allahut me ndarjen e kësaj preje.” Unë i tregova Pejgamberit ﷺ, ndërsa ai u zemërua aq shumë, saqë zemërimin ia vërejta edhe në fytyrë, pastaj tha: “Allahu e mëshiroftë Musain! Ai është fyer edhe më rëndë se kaq, por ka duruar!”
20. Nënkapitulli: Rima e urryer gjatë lutjes
6337. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Muhamed ibn Sekeni na ka thënë: Na ka treguar Haban ibn Hilal Ebu Habibi, e këtij i ka treguar Harun Mukriu, e këtij i ka treguar Zubejr ibn Hirriti se Ikrime tregon: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ka thënë: “Këshilloji njerëzit një herë në javë, po deshe dhe dy herë, e, nëse do të shtosh edhe më shumë, le të jetë tri herë në javë, por mos ua bëj njerëzve Kuranin të bezdisshëm. Të mos ndodhë të shkosh te një grup njerëzish për t'i këshilluar teksa ata janë duke biseduar mes vete e t'i bezdisësh duke ua ndërprerë bisedën, por rri aty dhe dëgjo me vëmendje. E, kur të ta japin fjalën, atëherë këshilloji ata me vetëdëshirë. Kujdes rimën gjatë lutjes, shmange atë, sepse e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe shokët e tij duke e shmangur atë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6337
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Këmbëngulja në lutje (kërkesë), duke pasur parasysh se askush s'mund ta detyrojë Atë (Allahun)
6338. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka rrëfyer Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush nga ju lutet, le të jetë këmbëngulës e të mos thotë: “O Allah, më jep nëse Ti do!”, se askush nuk mund ta detyrojë Atë.”
6339. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Asnjëri prej jush të mos thotë: “O Allah, më fal nëse do! O Allah, më mëshiro nëse do!” Mirëpo, le të jetë këmbëngulës në lutjen e tij, sepse askush s'mund ta detyrojë Atë.”
22. Nënkapitulli: Robit i pranohet lutja për sa kohë që nuk tregohet i ngutshëm
6340. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Ubejdi, i çrobëruari i Ibn Ez'herit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Lutja i pranohet atij që nuk tregohet i ngutshëm duke thënë: “U luta, por nuk m'u pranua.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6340
Fjalë të panjohura?
23. Nënkapitulli: Ngritja e duarve gjatë lutjes
Ebu Musa Eshariu tregon: "Pejgamberi ﷺ u lut dhe ngriti duart, saqë ia pashë bardhësinë e sqetullave." Ibn Omeri tregon: "Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah! Unë distancohem nga veprimi i Halidit.”
6341. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Abdullahu transmeton se i ka thënë Uvejsi, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Jahja ibn Seidi dhe Sheriku se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ngriti duart aq shumë, saqë ia pa bardhësinë e sqetullave.
24. Nënkapitulli: Lutja pa qenë i kthyer nga kibla
6342. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Mahbubi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, një burrë vajti e i tha:
- O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të na çojë shi!
(Pasi Pejgamberi ﷺ bëri dua) qielli u mbush me re, e në atë rast filloi të bjerë shi, saqë njeriu mezi arrinte në shtëpinë e vet.
Shiu vazhdoi deri në xhumanë vijuese. Atëherë, i njëjti person (ose dikush tjetër) u ngrit dhe tha:
- Lute Allahun të na e largojë, se u përmbytëm!
Atëherë Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo sipër nesh!”
Retë filluan të shpërndaheshin rreth Medinës dhe në Medinë nuk binte më shi.”
25. Nënkapitulli: Lutja duke qenë i kthyer nga kibla
6343. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Amër ibn Jahjai, e ky nga Abad ibn Temimi se Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ doli në këtë namazgjah për t'u lutur për shi. Pasi u lut dhe kërkoi shi, u drejtua nga kibla dhe ktheu ridanë mbrapsht.
26. Nënkapitulli: Lutja e Pejgamberit ﷺ për shërbëtorin e tij, që t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet pasuria
6344. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Ebu Esvedi na ka thënë: Na ka treguar Haremiu, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nëna ime i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun për Enesin, për shërbëtorin tënd.” Atëherë Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, shtoja pasurinë e fëmijët dhe bekoje në atë që i jep!”
27. Nënkapitulli: Lutja në vështirësi
6345. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Ebu Alije se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut gjendej në vështirësi, lutej: “La ilahe il-lallahul adhimul halim, la ilahe il-lallahu rabu semavati vel erdi ve rabul arshil adhim (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Madhit, të Butit. S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, Zotit të qiejve, të Tokës dhe Zotit të Arshit të Madh).”
6346. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hisham ibn Ebu Abdullahu, e ky nga Katadja, e ky nga Ebu Alije se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ gjendej në vështirësi, lutej: “La ilahe il-lallahul adhimul halim, la ilahe il-lallahu rabul arshil adhim, la ilahe il-lallahu rabu semavati ve rabul erdi, ve rabul arshil kerim (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Madhit, të Butit. S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, Zotit të Arshit të Madh. S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të Tokës dhe Zotit të Arshit fisnik).”
Vehbiu ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Shuëbe nga Katadja.”
28. Nënkapitulli: Kërkimi i mbrojtjes (Allahut) në rast të belave
6347. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i kërkonte mbrojtje Allahut nga belatë, nga gjërat që çojnë në përfundim të keq, nga caktimi që dëmton dhe nga gëzimi i armikut (me fatkeqësinë e tij).
Sufjani ka thënë: “Në hadith janë përmendur tri, ndërsa unë e kam shtuar një, nuk e di cilën.”
29. Nënkapitulli: Lutja e Pejgamberit ﷺ: “O Allah! Në shoqërinë më të lartë!”
6348. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Urve ibn Zubejri, në prani të disa dijetarëve, se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte i shëndoshë, thoshte: “Asnjë pejgamber nuk ka vdekur pa e parë vendin e vet në Xhenet, pastaj i mundësohej zgjedhja (për të jetuar ose për të vdekur).”
E, kur u sëmur dhe, teksa kokën e kishte në prehrin tim, u alivanos. Pasi u kthjell, nguliti shikimin drejt tavanit të shtëpisë dhe tha: “O Allah! Në shoqërinë e lartë!”
Atëherë thashë: “Nuk do të na zgjedhë ne”, - dhe kuptova se ky ishte rrëfimi që na e rrëfeu kur ishte i shëndoshë.
Fjala e fundit që e foli ishte: “O Allah! Në shoqërinë e lartë!”
30. Nënkapitulli: Lutja për të vdekur dhe për të jetuar
6349. Nga: Habab ibn Ereti
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili se Kajs ibn Ebu Hazimi tregon: “Hymë te Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ta vizituar, ndërkaq ai ishte mjekuar me kauterizim shtatë herë dhe tha: “Sikur i Dërguari i Allahut ﷺ të mos na e kishte ndaluar ta kërkojmë vdekjen, unë do të lutesha që të vdes.”
6350. Nga: Habab ibn Ereti
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili se Kajs ibn Ebu Hazimi tregon: “Hymë te Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ta vizituar, ndërkaq ai ishte mjekuar me kauterizim shtatë herë në bark dhe tha: “Sikur Pejgamberi ﷺ të mos na kishte ndaluar ta kërkojmë vdekjen, unë do të lutesha që të vdes.”
6351. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Ismail ibn Uleje, e ky nga Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Askush të mos e kërkojë vdekjen për shkak të vështirësisë që e ka goditur. Por, nëse i duhet medoemos ta kërkojë atë, atëherë le të thotë:"O Allah, më jep jetë, nëse jeta është me e mirë për mua dhe ma merr shpirtin, nëse vdekja është më e mirë për mua!”
31. Nënkapitulli: Lutja për bereqet për fëmijët dhe përkëdhelja e kokës së tyre
Ebu Musai tregon: "Më lindi një fëmijë dhe Pejgamberi ﷺ u lut për bereqet për të."
6352. Nga: Saib ibn Jezidi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Hatimi, e ky nga Xhad ibn Abdurrahmani se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Tezja ime më dërgoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilit i tha: “O i Dërguari i Allahut, djali i motrës sime është i sëmurë.” Pejgamberi ﷺ ma lëmoi kokën dhe u lut për mua për bekim, pastaj mori abdes dhe unë piva nga uji i mbetur. Dola mbrapa shpinës së tij dhe mes dy shpatullave ia pashë vulën e pejgamberisë në formë të vezës së pëllumbit.”
6353. Nga: Abdullah ibn Hishami
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Ejubi se Ebu Akili tregon se dilte me gjyshin e vet, Abdullah ibn Hishamin, në treg për të blerë ushqim. Kur e takonin Ibn Zubejri dhe Ibn Omeri, i thoshin: “Bëhu ortak me ne, se Pejgamberi ﷺ është lutur për ty (që të jesh) me bereqet.” Rrjedhimisht, ai bëhej ortak me ta. Kishte raste kur në tregti fitonte një deve, përfshirë barrën e saj dhe e dërgonte në shtëpi.
6354. Nga: Mahmud ibn Rabi Ensariu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salih ibn Kejsani se Ibn Shihabi ka thënë: “Më ka rrëfyer Mahmud ibn Rabiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), personi të cilin i Dërguari i Allahut ﷺ e kishte stërpikur me gojë me ujë të pusit të tyre sa ka qenë fëmijë.”
6355. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sillnin fëmijë për të cilët ai bënte dua. Njëherë, i sollën një foshnjë mashkull, që (duke e mbajtur në prehër) i urinoi në rroba, e në atë rast Pejgamberi ﷺ kërkoi ujë dhe e spërkati vendin (e urinuar në rrobë), pa e larë atë.”
6356. Nga: Abdullah ibn Thalebe ibn Suajri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Abdullah ibn Thalebe ibn Suajri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), personi të cilin i Dërguari i Allahut ﷺ e përkëdheli, tregon se e ka parë Sad ibn Ebu Vekasin duke e falur vitrin një rekat.
32. Nënkapitulli: Salavati për Pejgamberin ﷺ
6357. Nga: Abdurrahman ibn Ebu Lejla
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Hakemi se Abdurrahman ibn Ebu Lejla tregon: “Kab ibn Uxhrai më takoi dhe më tha: “A dëshiron të të jap një dhuratë?” (Dhe vazhdoi:) “Një ditë, kur Pejgamberi ﷺ erdhi te ne, i thamë: “Kemi mësuar si të dërgojmë selam për ty, por si të dërgojmë salavat për ty?” Ai tha:
“Thoni: “Allahume sali ala Muhamedin ve ala ali Muhamed kema salejte ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid. Allahume barik ala Muhamedin ve ala ali Muhamed kema barekte ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid (O Allah, dërgo salavat mbi Muhamedin dhe familjen e tij siç ke dërguar salavat mbi familjen e Ibrahimit, Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar! O Allah, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij siç ke bekuar familjen e Ibrahimit! Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar)!”
6358. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Na ka treguar ibn Ebu Hazimi dhe Deraverdiu, e ky nga Jezidi, e ky nga Abdullah ibn Hababi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyetëm Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, ky është selami për ty, por si të dërgojmë salavate mbi ty?” Ai tha: “Thoni: “Allahume sali ala Muhamedin abdike ve resulike, kema salejte ala Ibrahime. Ve barik ala Muhamedin ve ala ali Muhamed kema barekte ala Ibrahime, ve ala ali Ibrahime (O Allah, dërgo salavat mbi Muhamedin, robin dhe të Dërguarin Tënd, siç ke dërguar salavat mbi Ibrahimin. Bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit siç ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit)!”
33. Nënkapitulli: A i dërgohet salavat dikujt tjetër përveç Pejgamberit ﷺ?
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata...” (Teube, 103)
6359. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Amër ibn Murra se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur ndokush ia çonte Pejgamberit ﷺ zekatin, ai lutej: “O Allah, bekoje atë!” Kur babai im ia pati çuar zekatin, ai qe lutur: “O Allah, bekoje familjen e Ebu Eufait!”
6360. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga babai i tij, e ky nga Amër ibn Sulejm Zurakiu se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se sahabët e pyetën Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, si të bëjmë salavat për ty?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Thoni: “Allahume sali ala Muhamedin ve ezvaxhihi ve dhurrijetihi kema salejte ala ali Ibrahime, ve barik ala Muhamedin ve ezvaxhihi ve dhurrijetihi kema barekte ala ali Ibrahime, ineke Hamidun Mexhid (O Allah, dërgo salavat mbi Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij siç ke dërguar salavat mbi familjen e Ibrahimit, si dhe bekoje Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij siç ke bekuar familjen e Ibrahimit! Ti je i Falënderuar dhe i Lartësuar)!”
34. Nënkapitulli: Hadithi: “Atij që e kam ofenduar, këtë bëja pastrim dhe mëshirë!”
6361. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O Allah, atij besimtari që e kam ofenduar, këtë bëja afrim me Ty, Ditën e Kiametit!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6361
Fjalë të panjohura?
35. Nënkapitulli: Kërkimmbrojtja kundrejt sprovave
6362. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, të Dërguarin e Allahut ﷺ e pyetën aq shumë, saqë e tepruan, e në atë rast ai u zemërua, andaj hipi në minber dhe tha: “Çfarëdo që më pyetni sot, do t'jua sqaroj.” Unë shikoja djathtas e majtas dhe pashë se të gjithë kishin mbuluar kokat me rrobë dhe qanin. Aty ishte një njeri që, kur grindej me të tjerët, ia vishnin emrin e një babai tjetër. Ai u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kë kam baba unë?”
- “Hudhafen”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj, Omeri tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për Pejgamber. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga sprovat.”
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh se sot. Xheneti dhe Zjarri m'u shfaqën pranë, saqë i pashë nëpërmjet këtij muri.”
Kur Katadja e përmendte këtë hadith, e lexonte edhe ajetin: “O besimtarë! Mos pyetni për gjëra, që, sikur t'ju thuheshin haptazi, nuk do t'ju pëlqenin...” (Maide, 101)
36. Nënkapitulli: Kërkimmbrojtja prej mposhtjes nga njerëzit
6363. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Amr ibn Ebu Amri, i çrobëruari i Mutalib ibn Abdullah ibn Hantabit, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë Ebu Talhait: “Më gjej një djalosh nga mesi juaj, që të më shërbejë.” Kështu, Ebu Talhai më mori mua dhe më uli prapa tij (në kafshë). Sa herë që i Dërguari i Allahut ﷺ ndalej, unë i shërbeja dhe shpesh e dëgjoja të thoshte: “Allahume, ini eudhu bike minel hemi vel hazeni, vel axhzi vel keseli, vel buhli vel xhubni, ve dalei dejni ve galebeti rrixhali (O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat, pikëllimi, paaftësia, përtacia, koprracia, frika, rëndimi i borxhit dhe mposhtja nga njerëzit)!” Vazhdova kështu t'i shërbej derisa u kthyem nga Hajberi, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u kthye me Safije bint Hujejin, të cilën e kishte fituar (si robëreshë të luftës). E pata parë Pejgamberin ﷺ duke i shtruar një rrobë mbi shpinë të devesë, pastaj e hipte atë pas vetes. Kur arritëm në Sahba, urdhëroi të përgatitej një kombinim ushqimesh në një sofrabez të vogël, pastaj më dërgoi mua t'i thërras burrat për të ngrënë. E tillë ishte gostia martesore e Pejgamberit ﷺ me Safijën. Më pas, vazhdoi rrugën derisa, kur u shfaq Uhudi, Pejgamberi ﷺ tha: “Kjo është një kodër që na do dhe e duam.” Pastaj, kur arriti afër Medinës, tha: “O Allah, unë po shenjtëroj çdo gjë ndërmjet dy kodrave të saj, ashtu siç e pati shenjtëruar Ibrahimi ﷺ Mekën! O Allah, begatoji banorët e saj në mudin dhe sain e tyre!”
37. Nënkapitulli: Kërkimmbrojtja prej dënimit të varrit
6364. Nga: Umu Halid bint Halid ibn Saidi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe se Umu Halid bint Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke kërkuar mbrojtje prej dënimit të varrit.
6365. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdulmeliku se Musabi, i biri i Sad ibn Ebu Vekasit, tregon: “Sadi porosiste pesë gjëra (lutje) dhe thoshte se Pejgamberi ﷺ ka porositur për to:
“Allahume, ini eudhu bike minel buhli, ve eudhu bike minel xhubni, ve eudhu bike en urade ila erdhelil umuri, ve eudhu bike min fitneti dunja, ve eudhu bike min adhabil kabri (O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga koprracia. Kërkoj të më mbrosh nga frika. Kërkoj të më mbrosh nga pleqëria e thellë. Kërkoj të më mbrosh nga sprovat e dynjasë, - pra sprova e Dexhallit, - dhe kërkoj të më mbrosh nga dënimi në varr)!”
6366. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othman ibn Ebu Shejbe më ka thënë: Na ka treguar Xheriri nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, dy plaka hebreje të Medinës erdhën tek unë dhe më thanë: “Vërtet banorët e varrezave dënohen në varret e tyre. Mirëpo, unë i përgënjeshtrova dhe nuk u besova. Pasi shkuan, erdhi Pejgamberi ﷺ, të cilin e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, dy plaka...” dhe i tregova për këtë. Ai m'u drejtua: “Të vërtetën e kanë thënë ato. Ata (banorët e varrit) dënohen dhe dënimin e tyre e dëgjojnë gjithë kafshët.” Pas kësaj, s'e kam parë më ta braktiste kërkimmbrojtjen nga dënimi i varrit në çdo namaz.”
38. Nënkapitulli: Kërkimmbrojtja prej sprovave të jetës dhe vdekjes
6367. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ thoshte: “Allahume, ini eudhu bike minel axhzi vel keseli, vel xhubni vel heremi, ve eudhu bike min adhabil kabri, ve eudhu bike min fitnetil mahja vel memat (O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga paaftësia, përtacia, frika dhe pleqëria e thellë! Kërkoj të më mbrosh nga dënimi në varr, si dhe kërkoj të më mbrosh nga sprovat e jetës dhe vdekjes)!”
39. Nënkapitulli: Kërkimmbrojtja prej mëkateve dhe borxheve
6368. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ lutej: “Allahume ini eudhu bike minel keseli vel heremi. Vel methemi vel magrami. Ve min fitnetil kabri ve adhabil kabri, ve min fitneti nari ve adhabi nari. Ve min sherri fitnetil gina. Ve eudhu bike min fitnetil fakri. Ve eudhu bike min fitnetil mesihi Dexhal. Allahume igsil hatajaje bi mai thelxhi vel beredi. Allahume neki kalbi mine hatajaje kema nekajte thevbel ebjeda mine denesi. Ve baid bejni ve bejne hatajaje kema beadte bejnel meshriki vel magribi (O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt përtacisë dhe pleqërisë së thellë! Kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt mëkateve dhe borxheve, prej sprovës dhe dënimit të varrit, prej sprovës dhe dënimit të Zjarrit, prej së keqes së sprovës së pasurisë! Kërkoj mbrojtjen Tënde prej sprovës së varfërisë! Kërkoj mbrojtjen Tënde prej sprovës së mesihut Dexhall! Zoti im! M'i fshij mëkatet me ujë bore dhe akull! Më pastro zemrën prej mëkateve siç pastrohet rroba e bardhë prej njollave! Më largo prej mëkateve të mia siç e ke larguar lindjen prej perëndimit)!”
40. Nënkapitulli: Kërkimmbrojtja nga frika dhe dembelia
6369. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e këtij i ka treguar Amër ibn Ebu Amri se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ thoshte: “Allahume, ini eudhu bike minel hemi vel huzni, vel axhzi vel keseli, vel xhubni vel buhli, ve dalei dejni ve galebeti rrixhali (O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga brengat, pikëllimi, paaftësia, përtacia, frika, koprracia, rëndimi i borxhit dhe mposhtja e njerëzve)!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 6369
Fjalë të panjohura?