21. Veprimet në namaz
1. Nënkapitulli: Shfrytëzimi i duarve për të kryer punë që i shërbejnë namazit
Ibn Abasi ka thënë: "Njeriu, brenda namazit, mund të shfrytëzojë cilëndo pjesë të trupit të vet për të kryer ndonjë nevojë (që i paraqitet gjatë namazit). Ebu Is’haku e vinte kapelën, duke qenë brenda namazit, si dhe e hiqte (duke qenë brenda namazit). Aliu e vendoste shuplakën e djathtë mbi nyjën e dorës (së majtë), përveç në rast se detyrohej ta kruante veten ose ta rregullonte rrobën."
1198. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se bujti te Mejmunia, nëna e besimtarëve, të cilën e kishte teze, dhe rrëfen: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, kurse Pejgamberi ﷺ dhe gruaja e tij u shtrinë për së gjati. Pejgamberi ﷺ fjeti përafërsisht deri në mesnatë, pastaj u zgjua, u ul dhe e fërkoi fytyrën me dorë (që ta largonte gjumin). I këndoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, pastaj u ngrit, mori një shakull të varur, nga i cili mori abdes në mënyrë të përkryer. Pastaj filloi të falej.
Unë veprova të njëjtën gjë dhe u ngrita e iu bashkëngjita për t'u falur pranë tij. Ai ma vendosi dorën e djathtë mbi kokë dhe më tërhoqi për veshi (për të më zhvendosur në të djathtë të tij). I fali dy rekate, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, e, në fund, e fali vitrin dhe u shtri, derisa i erdhi muezini (pas thirrrjes së ezanit të dytë, për të marrë leje që ta thërrasë ikametin). Atëherë u ngrit, i fali edhe dy rekate të shkurta dhe doli për ta falur namazin e sabahut.”
2. Nënkapitulli: Të folurit e ndaluar gjatë namazit
1199. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ibn Numejri na ka thënë: Na ka treguar Ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, kur i jepnim selam Pejgamberit ﷺ teksa ishte në namaz, na e kthente. Mirëpo, kur u kthyem prej Nexhashiut, i dhamë selam, por nuk na e ktheu. Pastaj (pas namazit) na tha: “Namazi është angazhim më vete.”[1]
Ibn Numejri na ka thënë: Na ka treguar Is'hak ibn Mensuri, e këtij i ka treguar Hurejm ibn Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame, e ky nga Abdullahu, e ky nga Pejgamberi ﷺ, ngjashëm.
1200. Nga: Zejd ibn Erkami
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Isai, e ky është Ibn Junusi, e ky nga Ismaili, e ky nga Harith ibn Shubejli, e ky nga Ebu Amër Shejbaniu se Zejd ibn Erkami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, në kohën e Pejgamberit ﷺ, flisnim gjatë namazit, i drejtoheshim njëri-tjetrit për ndonjë nevojë që kishim, derisa zbriti ajeti: “Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin (namazin e ikindisë) dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut...”, (Bekare, 238) e në atë rast u urdhëruam të heshtim (gjatë namazit).”
3. Nënkapitulli: Tesbihu dhe hamdi që u lejohen burrave brenda namazit
1201. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ shkoi te fisi i Benu Amër ibn Aufit për t'i pajtuar mes vete, e në atë rast hyri koha e namazit. Bilali vajti tek Ebu Bekri dhe i tha:
- Pejgamberi ﷺ është i zënë, a po u prin njerëzve në namaz?
- Po, meqë po e kërkoni këtë, - iu përgjigj Ebu Bekri.
Bilali e thirri ikametin, e në atë rast Ebu Bekri doli përpara dhe u fal. Pejgamberi ﷺ erdhi dhe, duke çarë safat përmes, arriti në të parin. Njerëzit filluan ta lajmërojnë Ebu Bekrin, duke u rënë shuplakave, por ai nuk shpërqendrohej prej namazit. Kur u ranë më tepër shuplakave, shikoi dhe e pa Pejgamberin ﷺ. Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë për të qëndruar aty ku ishte. Ebu Bekri i ngriti duart, e falënderoi Allahun dhe u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf. Pejgamberi ﷺ kaloi përpara dhe ua fali namazin.”
4. Nënkapitulli: Përmendja e ndokujt ose përshëndetja e tjetrit në namaz pa e ditur
1202. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Amër ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Abdusamed Abdulaziz ibn Abdusamedi, e këtij i ka treguar Husajn ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Vaili se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në fillim, në namaz thoshim: “Përshëndetja qoftë për filanin”, dhe i përmendnim njerëzit me emra, i jepnim selam njëri-tjetrit, derisa na dëgjoi i Dërguari i Allahut ﷺ, e në atë rast na tha: “Thoni: “Etehijatu lilahi ve salavatu ve tajibatu. Eselamu alejke ejuhe nebiju ve rahmetullahi ve berekatuhu. Eselamu alejna ve ala ibadilahi salihin. Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu ene Muhameden abduhu ve resuluhu.” (Të gjitha madhërimet e nderimet, namazet e lutjet dhe mirësitë i takojnë vetëm Allahut. Paqja shpëtimi, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e devotshëm! Deklaroj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.) Duke e thënë këtë, përshëndesni çdo rob të mirë të Allahut, në qiell dhe Tokë.”
5. Nënkapitulli: Rrahja e shuplakave është për gratë
1203. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tesbihu është për burrat, kurse rënia e shuplakave është për gratë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1203
Fjalë të panjohura?
1204. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Jahjai na ka thënë: Na ka rrëfyer Vekiu, e ky nga Sufjani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tesbihu është për burrat, kurse rënia e shuplakave është për gratë.”
6. Nënkapitulli: Ecja prapa ose përpara gjatë namazit për ndonjë shkak të caktuar
Këtë e transmeton Sehël ibn Sadi nga Pejgamberi ﷺ.
1205. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Bishr ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka thënë Junusi, e këtij i ka thënë Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa muslimanët po faleshin të hënën mbrapa Ebu Bekrit, Pejgamberi ﷺ papritmas zbuloi perden e dhomës së Aishes dhe i shikonte duke buzëqeshur, të cilët ishin të rreshtuar nëpër safa. Ebu Bekri u tërhoq prapa, duke menduar se i Dërguari i Allahut ﷺ dëshironte të dilte për namaz. Muslimanët u hamendën për ta ndërprerë namazin, nga gëzimi që ndien kur panë Pejgamberin ﷺ. Por, ai ua bëri me dorë, për ta vazhduar namazin, e lëshoi perden dhe hyri në shtëpi. Pejgamberi ﷺ vdiq atë ditë.”
7. Nënkapitulli: A (t’i përgjigjet) fëmija nënës nëse e thërret gjatë namazit?
1206. Nga: Ebu Hurejra
Lejthiu ka thënë: Më ka treguar Xhaferi, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuzi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një grua e thirri të birin teksa ishte në faltore:
- O Xhurejxh!
- O Allah, nëna ime apo namazi im? - tha ai.
- O Xhurejxh! - e thirri ajo sërish.
- O Allah, nëna ime apo namazi im? - tha ai.
- O Xhurejxh!
- O Allah, nëna ime apo namazi im?
- O Allah, bëj që Xhurejxhi të mos vdesë pa hasur në fytyrat e lavireve, - tha nëna e tij.
Kështu, një çobaneshë, kur i ruante delet, i afrohej faltores së tij. Një ditë, ajo lindi një fëmijë dhe, kur e pyetën: “I kujt është ky fëmijë?”, ajo iu përgjigj: “I Xhurejxhit. Doli nga faltorja e tij (dhe bëri imoralitet me mua).”
- Ku është ajo që pretenduaka se fëmija është imi? - pyeti Xhurejxhi.
- Oj foshnjë! Kush është babai yt? - e pyeti Xhurejxhi.
- Çobani, - iu përgjigj foshnja.”
8. Nënkapitulli: Largimi i guralecëve me dorë nga vendi i sexhdes
1207. Nga: Muajkib ibn Fatime Devseriu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Muajkibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë për atë i cili, kur bie në sexhde, i bie dheut me dorë për ta rrafshuar: “Nëse patjetër duhet ta bëjë, atëherë një herë të vetme.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1207
Fjalë të panjohura?
9. Nënkapitulli: Shtrirja e rrobës gjatë namazit për të rënë në sexhde
1208. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishri, e këtij i ka treguar Galibi, e ky nga Bekër ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ faleshim edhe kur bënte shumë vapë. Nëse ndokush nuk mund ta vendoste ballin në tokë, për shkak të të nxehtit, e shtrinte rrobën dhe bënte sexhden mbi të.”
10. Nënkapitulli: Veprimet që lejohen brenda namazit
1209. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Nadri, e ky nga Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I shtrija këmbët në kiblën (sexhden) e Pejgamberit ﷺ teksa falej. Kur donte të binte në sexhde, më prekte, andaj unë i tërhiqja. Kur ngrihej, i shtrija sërish.”
1210. Nga: Ebu Hurejra
Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Shebabi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, një ditë Pejgamberi ﷺ, pasi u fal, tha: “M'u paraqit shejtani dhe më bëri presion për të ma ndërprerë namazin. Allahu ma mundësoi ta mbërtheja, e në atë rast pata ndërmend ta lidhja pas një shtylle (të xhamisë), që të mund ta shihnit të gjithë, mirëpo m'u kujtua fjala e vëllait tim, Sulejmanit: “O Zoti im, më dhuro pushtet që nuk do ta ketë askush pas meje!” (Sad, 35) Dhe Allahu e ktheu të poshtëruar.”
Nadër ibn Shumejli, lidhur me fjalën فَذَعَتُّهُ (fedheatuhu) ka thënë: “Domethënë: “E mbërtheva atë dhe e shtyva me forcë.” Sikurse në Fjalën e Allahut: "Atë Ditë, kur me forcë, - (është përmendur shprehja e njëjtë), - do të hidhen në zjarrin e Xhehenemit.” (Tur, 13) Pra, do të shtyhen. Mirëpo, e para është e saktë.”
11. Nënkapitulli: (Si të veprohet nëse) Kafsha e udhëtimit zgjidhet teksa pronari falet?
Katadja ka thënë: "Nëse dikush ia merr rrobën (namazliut), le ta ndjekë hajdutin dhe ta braktisë namazin."
1211. Nga: Ebu Berze Eslemiu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Ezrek ibn Kajsi tregon: “Teksa isha pranë një lumi, në Ehvaz, ku po i luftonim harurinjtë (havarixhët), pashë një burrë duke u falur, i cili në dorë mbante kapistrën e kafshës. Kafsha tentonte të ikte dhe e tërhiqte atë para-mbrapa.”
Shuëbe tregon se burri në fjalë ishte Ebu Berze Eslemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Atëherë, një havarixh tha: “O Zot, këtij plaku shkaktoja këtë e atë! Kur ai e kreu namazin, tha: “Ju dëgjova çfarë thatë. Unë kam luftuar së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ në gjashtë, shtatë ose tetë beteja dhe i kam parë lehtësimet që na i ka bërë. Të kthehem me kafshën time është më e dashur për mua sesa ta lë atë të kthehet e vetme në ahurin e saj e unë të lodhem (duke ecur në këmbë).”
1212. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u bë eklipsi i Diellit, Pejgamberi ﷺ u ngrit për t'u falur, e në atë rast këndoi një sure të gjatë, pastaj ra në ruku dhe e zgjati (qëndrimin në të). U ngrit dhe lexoi një sure tjetër, pastaj ra në ruku derisa e kreu dhe ra në sexhde. Në rekatin e dytë veproi njëjtë, pastaj tha: “Ato dyja (eklipset e Diellit dhe Hënës) janë argumente të Allahut. Kur t'i shihni, faluni derisa t'ju largohen. Sot, prej këtij vendi, kam parë çdo gjë që më është premtuar (më herët). Madje, tentova të këpusja një kalavesh (rrush) Xheneti, momentin kur më patë duke ecur përpara. Po ashtu, e pashë edhe Xhehenemin duke ngrënë veten, momentin kur më patë duke u tërhequr mbrapa. Në të (Xhehenem) e pashë Amër ibn Luhajin, i cili ishte i pari që i ka dedikuar devetë për idhuj1.”
12. Nënkapitulli: Të pështyrët dhe gulçimi që lejohen brenda namazit
Abdullah ibn Amri tregon se Pejgamberi ﷺ gulçonte në sexhde gjatë namazit të eklipsit.
1213. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa këlbazë në xhami në drejtim të kiblës, andaj u zemërua me të pranishmit në xhami dhe u tha: “Allahu është përpara jush gjatë kohës sa jeni në namaz. Andaj, mos pështyni, - ose ka thënë: mos nxirrni këlbazë (gjatë namazit) -.” Pastaj zbriti dhe e fshiu me dorë.
Ibn Omeri thotë: “Kur dikush pështyn, le të pështyjë majtas.”
1214. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush është në namaz, është duke i folur drejtpërdrejt Zotit të vet, prandaj të mos pështyjë as përpara, as djathtas, por le të pështyjë majtas ose nën këmbën e majtë.”
13. Nënkapitulli: Nëse dikush prej burrave rreh shuplakat përgjatë namazit nga padituria, nuk i prishet namazi
Këtë e transmeton Sehël ibn Sadi nga Pejgamberi ﷺ.
14. Nënkapitulli: Nuk prish punë nëse namazliut i thuhet të vazhdojë përpara ose të presë, ndërkohë pret
1215. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njerëzit faleshin me Pejgamberin ﷺ, ndërsa izaret, meqë i kishin të shkurtra, i lidhnin në qafat e tyre, kështu që Pejgamberi ﷺ u tha grave: “Mos i ngrini kokat (nga sexhdja) derisa burrat të ulen mirë.”
15. Nënkapitulli: Ai që është duke u falur, nuk e kthen selamin teksa është në namaz
1216. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdullah ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Ibn Fudajli, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, i jepja selam Pejgamberit ﷺ teksa ishte në namaz, e ai ma kthente. Mirëpo, kur u kthyem (prej Abisinisë), i dhashë selam, por nuk ma ktheu. Pastaj (pas namazit) tha: “Namazi është angazhim më vete.”[1]
1217. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Kethir ibn Shindhiri, e ky nga Ata ibn Ebu Rebahu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më dërgoi për t'i kryer një punë. Pasi e kreva, u ktheva dhe vajta tek i Dërguari i Allahut ﷺ. E përshëndeta me selam, por nuk ma ktheu. Zemrën ma përshkoi një ndjenjë mërzie, që vetëm Allahu e di (sa e rëndë ishte). Thashë me vete: “Me gjasë, i Dërguari i Allahut ﷺ qenka prekur, se i jam vonuar shumë. Sërish e përshëndeta, por prapë nuk ma ktheu. Në zemër ndjeva një mërzitje edhe më të madhe se herën e parë. Kur e përshëndeta për së treti, ma ktheu, e në atë rast më tha: “Nuk munda të ta ktheja selamin, sepse isha duke u falur.” Ai ishte hipur në kafshën e tij, (duke u falur) jo në drejtim të kiblës.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1217
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Ngritja e duarve në namaz për ndonjë shkak të caktuar
1218. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa e njoftuan të Dërguarin e Allahut ﷺ se kishte plasur një zënkë në fisin e Amër ibn Aufit (i cili banonte) në Kuba, andaj shkoi me disa sahabë për t'i pajtuar mes vete. U vonua, saqë u afrua koha e namazit, andaj Bilali shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha:
- O Ebu Bekër, i Dërguari i Allahut ﷺ u vonua, ndërkohë ka hyrë koha e namazit. A po ua fal njerëzve namazin?
- Po, nëse dëshiron, - tha Ebu Bekri.
Bilali e thirri ikametin ndërsa Ebu Bekri doli para njerëzve dhe mori tekbirin. Atëherë vajti i Dërguari i Allahut ﷺ duke i çarë safat përmes, derisa arriti në të parin. Njerëzit filluan ta lajmëronin Ebu Bekrin duke u rënë shuplakave, por ai nuk shpërqendrohej prej namazit. Kur u ranë më tepër shuplakave, shikoi dhe e pa të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili ia bëri me shenjë, për të qëndruar ku ishte. Ebu Bekri i çoi duart, e falënderoi Allahun dhe u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf. I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi përpara dhe ua fali namazin. Pasi e kreu, u drejtua nga njerëzit dhe u tha:
- “O njerëz! Ç'është puna juaj që u rënkeni shuplakave kur ju shqetësuaka diçka në namaz? Rënia e shuplakave është për gratë. Nëse dikush mendon se ka ngjarë diçka në namaz (të imamit), le të thotë “subhanallah”.”
Pastaj iu kthye Ebu Bekrit dhe i tha:
- “O Ebu Bekër! Çfarë të pengoi të faleshe aty (ku ishe) pasi të urdhërova?”
- Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë Pejgamberit ﷺ në namaz, - tha Ebu Bekri.”
17. Nënkapitulli: Vendosja e duarve në bel përgjatë namazit
1219. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Na është ndaluar vendosja e duarve në bel gjatë namazit.”
Hishami dhe Ebu Hilali e kanë transmetuar (këtë hadith) nga Ibn Sirini, e ky nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e ky nga Pejgamberi ﷺ (se e ka ndaluar këtë vepër).
1220. Nga: Ebu Hurejra
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Është e ndaluar që njeriu të falet duke i vendosur duart në bel.”
18. Nënkapitulli: Nëse njeriu e ka mendjen gjetkë gjatë namazit
Omeri ka thënë: "Mua më ndodh (të inspirohem si) ta përgatis ushtrinë duke qenë në namaz."
1221. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka treguar Revhu, e këtij i ka treguar Omeri ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Mbrapa Pejgamberit ﷺ e fala namazin e ikindisë dhe, pasi e kreu, u ngrit me nxitim e shkoi në shtëpinë e njërës prej grave të tij. Kur u kthye, nëpër fytyrat e njerëzve vuri re se ishin habitur për shkak të ngutjes së tij, andaj u tha: “Teksa falesha, m'u kujtua se në shtëpi kisha disa florinj e nuk doja të qëndronin as dhe një natë më shumë te ne, andaj urdhërova të shpërndaheshin.”
1222. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Xhaferi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të thirret ezani për namaz, shejtani largohet duke liruar gazra me zë, që të mos e dëgjojë ezanin. Pasi të kryhet ezani, kthehet (dhe qëndron) derisa të thirret ikameti, e në atë rast ikën sërish. Pas ikametit, kthehet përsëri duke i thënë njeriut vazhdimisht: “Kujto (këtë e atë)”, gjëra këto që nuk i kujtoheshin më herët, derisa njeriu nuk di se sa rekate ka falur.”
Ebu Seleme ibn Abdurrahmani tregon se e ka dëgjuar Ebu Hurejrën duke thënë: “Nëse ndokujt i ndodh diçka e tillë, le t'i bëjë dy sexhde duke qenë ulur.”
1223. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed Muthena na ka thënë: Na ka treguar Othman ibn Omeri, e këtij i ka rrëfyer Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njerëzit po thonë se Ebu Hurejra e ka tepruar (duke transmetuar hadithe). Kështu, pata takuar një person dhe e pata pyetur:
- Çfarë këndoi mbrëmë i Dërguari i Allahut ﷺ në namazin e jacisë?
- Nuk e di, më tha.
- A nuk ishe i pranishëm në namaz? - e pyeta.
- Po, isha.
- Unë e di mirëfilli. Ka lexuar këtë e atë sure, - i thashë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1223
Fjalë të panjohura?