Hadithet e ngjashme me hadithin 1198
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
117. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Hakemi, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një natë bujta në shtëpinë e tezes sime, Mejmune bint Harithit, domethënë gruas së Pejgamberit ﷺ. Atë natë Pejgamberi ﷺ e kishte radhën që të bunte tek ajo. Pasi e fali jacinë, u kthye në shtëpi, i fali katër rekate dhe fjeti. Më vonë u zgjua dhe tha: “Djaloshi fjeti!”, - ose tha diçka të ngjashme. Pastaj u ngrit që të falej, e unë iu bashkëngjita nga ana e majtë. Ai më kapi dhe më vendosi në anën e djathtë. I fali pesë rekate, e më pas edhe dy të tjera. Pas kësaj fjeti sërish, saqë ia dëgjova gërhitjen, - ose ka thënë: gërhimën. Kur agoi, doli në xhami për namaz (të sabahut).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 117
Fjalë të panjohura?
726. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Davud ibn Amër ibn Dinari, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, u fala së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ e u pozicionova në të majtë të tij. Ai më preku mbrapa koke dhe më zhvendosi në të djathtë të tij. Pasi u fal, u shtri për të pushuar derisa i erdhi muezini (për ta thirrur për namaz) dhe shkoi për t'u falur pa e ripërtërirë abdesin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 726
Fjalë të panjohura?
699. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e ky nga Ejubi, e ky nga Abdullah ibn Seid ibn Xhubejri, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Bujta te tezja ime, Mejmunia. Gjatë natës, Pejgamberi ﷺ u ngrit për t'u falur e unë iu bashkëngjita në namaz. U pozicionova në të majtë të tij, por ai më kapi për koke dhe më zhvendosi djathtas.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 699
Fjalë të panjohura?
859. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Amri, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë bujta në shtëpinë e tezes sime, Mejmunes. Pejgamberi ﷺ ra në gjumë dhe gjatë natës u zgjua, mori shpejt abdes nga një shakull i varur e pastaj u ngrit për t'u falur. Edhe unë u ngrita dhe mora abdes njëjtë dhe iu bashkëngjita për t'u falur në të majtë të tij, por ai më zhvendosi në anën e djathtë. U fal aq sa ia mundësoi Allahu, pastaj ra për të fjetur, saqë ia dëgjova gërhitjen. Kur i erdhi muezini dhe e thirri për namaz, shkoi me të për në namaz, pa e ripërtërirë abdesin.”
I thamë Amrit: “Disa po thonë se Pejgamberit ﷺ i fle vetëm syri, e jo edhe zemra.”
Amri tha: “E kam dëgjuar Ubejd ibn Umejrin duke thënë: “Ëndrrat e pejgamberëve janë shpallje, pastaj e lexoi: “... kam parë në ëndërr se duhet të të ther...” (Safat, 102)
Referenca: Sahihu i Buhariut 859
Fjalë të panjohura?
183. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se si një natë bujti te tezja e vet, Mejmunia, gruaja e Pejgamberit ﷺ: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ dhe gruaja e tij u shtrinë për së gjati. I Dërguari i Allahut ﷺ fjeti deri në mesnatë, ose diç më shumë a më pak, pastaj u zgjua dhe e fërkoi fytyrën me dorë, që t'i largohej gjumi. I këndoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, pastaj shkoi te një shakull i varur, nga i cili mori abdes në mënyrë të përkryer. Pastaj filloi të falej.”
Ibn Abasi vazhdon: “Unë u ngrita dhe veprova të njëjtën gjë, iu bashkëngjita duke u falur pranë tij (në anën e majtë). Ai ma vendosi dorën e djathtë mbi kokë (që të më bartte në anën e djathtë të tij) dhe ma përdrodhi veshin e djathtë. I fali dy rekate, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, e, në fund, e fali vitrin dhe u shtri derisa i erdhi muezini (për të kërkuar leje për ta thirrur ezanin). Atëherë u ngrit, i fali edhe dy rekate të shkurta dhe doli për ta falur namazin e sabahut.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 183
Fjalë të panjohura?
138. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ fjeti derisa filloi të gërhiste, e pastaj u ngrit për t'u falur, - ose ndoshta ka thënë: “U shtri derisa filloi të gërhiste, - pastaj u ngrit për t'u falur.”
Po ashtu këtë na ka treguar Sufjani disa herë, e ky nga Amri, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi thotë: “Një natë bujta te tezja ime, Mejmunia dhe, gjatë natës, Pejgamberi ﷺ fali namaz. Dikur vonë, u ngrit dhe mori abdes lehtë nga një shakull i varur, - Amri herë ka thënë: lehtë, e herë ka thënë: duke përdorur pak ujë (dhe duke u mjafuar me larjen gjymtyrëve vetëm një herë), - dhe filloi të falej. Njëjtë veprova edhe unë e iu bashkëngjita për t'u falur në anën e tij të majtë, por ai më qiti në të djathtë të tij dhe vazhdoi të falej, aq sa deshi Allahu. Pastaj u shtri për të fjetur, madje filloi të gërhiste. Pastaj erdhi muezini dhe e vuri në dijeni për faljen e namazit, u ngrit dhe shkoi për në namazin e sabahut, pa rimarrë abdes.”
I thamë Amrit: “Njerëzit po thonë se të Dërguarit të Allahut ﷺ i flenë sytë, por jo zemra.”
Amri tha: “E kam dëgjuar Ubejd ibn Umejrin duke thënë: “Ëndrrat e të dërguarve janë shpallje dhe e lexoi ajetin: “O biri im, kam parë në ëndërr se duhet të të ther!” (Safat, 102)"
Referenca: Sahihu i Buhariut 138
Fjalë të panjohura?
697. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, bujta te tezja ime, Mejmunia. Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e fali jacinë, erdhi në shtëpi, i fali katër rekate dhe fjeti. Më vonë, u ngrit për t'u falur dhe iu bashkëngjita (në namaz) e u pozicionova në të majtë të tij. Ai më zhvendosi në të djathtë dhe i fali pesë rekate, pastaj edhe dy rekate të tjera. Sërish ra në gjumë, saqë ia dëgjova gërhitjen dhe pastaj doli për namaz (të sabahut).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 697
Fjalë të panjohura?
698. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Amri, e ky nga Abdurabih ibn Seidi, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, bujta te Mejmunia. Atë natë Pejgamberi ﷺ ishte në shtëpinë e saj. Mori abdes dhe u ngrit për t'u falur. Unë u pozicionova në të majtë të tij, por ai më zhvendosi djathtas. I fali trembëdhjetë rekate, pastaj fjeti, saqë filloi të gërhiste, - ai gërhiste gjatë gjumit. - Pastaj, i erdhi muezini (për ta thirrur për namaz), e në atë rast doli të falej pa e ripërtërirë abdesin.”
Amri ka thënë: “Ia tregova këtë Bukejrit, e më tha: “Kurejbi ma ka treguar këtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 698
Fjalë të panjohura?
728. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musai na ka thënë: Na ka treguar Thabit ibn Jezidi, e këtij i ka treguar Asimi, e ky nga Shabiu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një natë, u ngrita për t'u falur në të majtë të Pejgamberit ﷺ. Ai më kapi për dore, - ose ka thënë: për krahu, - nga mbrapa, dhe më zhvendosi në të djathtë të tij.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 728
Fjalë të panjohura?
1198. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se bujti te Mejmunia, nëna e besimtarëve, të cilën e kishte teze, dhe rrëfen: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, kurse Pejgamberi ﷺ dhe gruaja e tij u shtrinë për së gjati. Pejgamberi ﷺ fjeti përafërsisht deri në mesnatë, pastaj u zgjua, u ul dhe e fërkoi fytyrën me dorë (që ta largonte gjumin). I këndoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, pastaj u ngrit, mori një shakull të varur, nga i cili mori abdes në mënyrë të përkryer. Pastaj filloi të falej.
Unë veprova të njëjtën gjë dhe u ngrita e iu bashkëngjita për t'u falur pranë tij. Ai ma vendosi dorën e djathtë mbi kokë dhe më tërhoqi për veshi (për të më zhvendosur në të djathtë të tij). I fali dy rekate, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, pastaj dy, e, në fund, e fali vitrin dhe u shtri, derisa i erdhi muezini (pas thirrrjes së ezanit të dytë, për të marrë leje që ta thërrasë ikametin). Atëherë u ngrit, i fali edhe dy rekate të shkurta dhe doli për ta falur namazin e sabahut.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1198
Fjalë të panjohura?